Mustafa Koçerri / Udhëtim në Shushicën e bukur

1891
Sigal

Reportazh nga krahina e Labërisë dhe veçanërisht në Lugina e Shushicës dhe lumi me të njëjtin emër

Në krahinën e Labërisë, e cila shtrihet në disa rrethe, Lugina e Shushicës dhe lumi me të njëjtin emër ose lumi i Vlorës siç e quajnë vendasit, është ndër më të bukurat e vendit tonë. Kjo duket në vendet e bukura e peizazhet që ka kjo luginë, në burimet e ujërat e shumta, në malet e larta e pjesët e pyllëzuara e mbi të gjitha në traditat, bujarinë, shpirtin liridashës e atdhetar të labit e shumë virtyte të tjera. Lugina për nga bukuria dhe veçorit e saj ngjason me atë të Tomorricës, e cila shtrihet në territorin e Gramshit dhe Skraparit. Ngjashmëria e tyre është si në sipërfaqen e terrenit gjatësinë, ashtu edhe te banorët që i popullojnë, në mikpritjen, karakterin, patriotizmin, zakone të përafërta si të dasmave e ceremonive të ndryshme, në tradita etj.

Fillimin e tij lumi i Shushicës e ka në përroin e Thatë, i cili kalon poshtë vendit të quajtur qafa e Dërrasës (qafë në të cilën ndahen rrugët për në fshatrat Corraj dhe Fterrë). Më poshtë në Kuç zbresin nga pjesa perëndimore e krahinës së Kurveleshit ujërat e kristalta të lumit të Shurit të Kuçit, si dhe ato nga maja e Thatë deri në atë të Pleshovicës. Po në afërsi të Kuçit janë edhe buronjat, një ndër vendet më të bukura e piktoreske jo vetëm të kësaj krahine, por edhe të vendit. Duke vazhduar rrjedhjen ai mbledh përrenjtë nga të dy anët e maleve dhe kodrave duke filluar nga Kallarati e Bolena deri në Armen e Llakatund. Por ndër më kryesoret, që derdhen në Shushicë, do të përmendja degën e tij më të madhe, atë të lumit të Smokthinës që e ka fillimin e tij në kuotën 790 m nga niveli i detit, në vendin e quajtur Kryet e Ujit në ish lagjen Bletaj të Vërmikut dhe bashkohet me të në afërsi të fshatit Brataj. Prurjet e tij të qëndrueshme kanë bërë që në të të ndërtohet diga e hidrocentralit në kuotën 385 m, uji i të cilit furnizon hidrocentralin e ndërtuar në Lepenicë. Në tërësi lugina dominohet nga tereni malor e më pak ai kodrinor. Lugina është afërsisht 80 km e gjatë dhe në të ndodhen dy fusha disa hektarësh, ajo e Murrës pasi kalon Qafën e Dushkut dhe ajo në Mesaplik, si dhe disa copëza të vogla anës lumit.

Malet në këtë luginë vijnë duke u lartësuar kur udhëton për në thellësi të saj. Kështu në pjesën perëndimore kemi majën e Sturos në Shashicë me lartësi 736.2 m. më lartë vazhdon maja e Vejave mbi Mazhar me lartësi 1182 m. dhe ajo e Qyramangës me lartësinë 1864 m. në malin e Beratit. Në Tërbac dhe Vranisht mali i Cikës dominon ma lartësinë 2045m. pastaj terreni fillon të zbres në 1671.1m. në majën e bukur të Bogonicës në jug të Kallaratit, deri në 640 m. në afërsi të qafës së Dërrasës në jug të Kuçit. Në anën lindore të luginës terreni fillon me lartësinë 515 m. në Treblovë, më lartë në Plocë në afërsi të kalas lartësia është 621 m. pastaj terreni vazhdon të ngrihet në 813 m. në Ramicë, më tej dy majat e Cipinit me lartësitë 1599 dhe 1695 m. maja e Pleshovicës me lartësi1733 m. si dhe në thellësi ndodhen malet e Gribës. Pra siç del edhe nga të dhënat e mësipërme, mali më i lartë në këtë luginë është ai i Cikës me lartësi 2045 m.

Territori i vendit tonë si ai malor dhe kodrinor ka shumë pjesë me bukuri të rrallë e të vecantë. Midis shumë prej tyre do të përmendja disa duke filluar nga livadhet në Vermosh,Valbonë, Theth, Fushë Lurë, Fushë Studio, Teqeja e Dushkut, Fusha e Çajupit, Voskopojë, Llogoraja e shumë e shumë të tjera. Por ndër këto vende të bukura, ndofta jo në madhësinë e sipërfaqes, pa folur me nostalgji për këtë krahinë prej nga unë kam origjinën, futen për mendimin tim edhe disa pjesë e vende që përfshihen në këtë luginë. Po përmend disa prej tyre si më poshtë:

-Faqet shkëmbore me llojshmëri druri në rrëzë të Çikës dhe Qafa e Shëngjergjit në Tërbac.

-Në Mesaplik fusha dhe faqet e pyllëzuara në pjesën e malit

-Pjesa e rrugës që del nga Kallarati drejt Kuçit, me buronjat e bukura dhe korite e shumta në këtë fshat.

-Faqet shkëmbore të quajtura Zagoi, Buza e Luadhit dhe kryet e ujit në Vërmik.

-Kreshta e bukur dhe e veçantë e malit të Çikës, e cila ngjason dhe është shumë e përafërt me atë të Jezercës në Tropojë si dhe të Komianit e Sogorës në Gramsh.

-Në Bolenë, qafa e Kuvendit e njohur jo vetëm për bukurinë e saj por edhe për atë si vend që ka hyrë në historinë e këtij fshati, ku banorët janë mbledhur për t’u bashkuar e mbajtur qëndrim ndaj turkut në kohën e pushtimit prej tij.

Por bukurisë së terrenit të kësaj lugine i janë gjendur edhe njerëzit e mirë, lebërit sa bujar, patriot, trima, burra, mikpritës, punëtor, të pastër jo vetëm në shpirt por edhe në shtëpitë e tyre, e shumë cilësi të tjera të mira.

Historia tregon se banorët e kësaj lugine kanë një qytetërim të hershëm dhe që nuk i janë nënshtruar askujt, dhe në momente të veçanta kur e ka dashur interesi i krahinës e më gjerë ai i Kombit, e kanë treguar veten e tyre duke nxjerr njerëz të shquar e kapedanë të zot në krye. Në këtë luginë janë të ndërtuara disa kështjella e kala, si ajo në kodrën e Cerjes pran fshatit Brataj e shek. IV p.Kr, e cila mbronte rrugën që del për në bregdet, në Borsh.

Por ndër më të bukurat e kësaj lugine janë këngët polifonike, ku nuk gjen fshat që të mos ketë grupin e tij. Labi ka ditur të kap në kohën e duhur dhe të përjetësojë në vargje e me kënga momente të veçanta e ngjarje të caktuara, si të jetës, punës, luftërave të ndryshme, mendjes së ndritur të njerëzve të veçantë, ndryshimit dhe vendosjes së demokracisë etj. Midis shumë grupeve do të përmendja atë të Lapardhasë, ku zëri i tyre ngjason me atë të një kabaje me violinë, ku “violinë” e parë është zëri i Nazif Çelës. Por jo më poshtë qëndrojnë edhe grupet e këngët e kënduara nga ata të Vranishtit, Kuçit, Bolenës, Tërbaçit, Kallaratit, Smokthinës, Vermikut, Treblovës e shumë të tjerë ku njëri është më i mirë se tjetri.

Veçori tjetër e njerëzve të kësaj lugine është se ata kanë qenë dhe janë punëtor e të sakrificës. Edhe në ato kushte ku sipërfaqja e tokës është e pakët dhe e kufizuar, ata kanë bërë të pamundurën duke e sistemuar dhe mbrojtur atë me mure, për të siguruar e prodhuar ato pak produkte bujqësore e blegtorale. Mundësitë që u krijuan me vendosjen e demokracisë, bënë të mundurën që shumë banorë edhe në këtë zonë duke ju përveshur punës të shtojnë numrin e krerëve të bagëtive, të bletëve, të sipërfaqeve me pemë e vreshta, ullinj e produkte të tjera bujqësore. Këtë ndryshim nga dora e tyre e shikon porsa kalon urën e Drashovicës, me blloqet me pemë dhe ullinj në fshatrat që ndodhen në të dy anët e rrugës, si në Vodicë, Velçë e Smokthinë ,në blegtorinë e zhvilluar në Mazhar, Gumenicë, Gjorëm, Lepenicë, Kallarat e deri në Kuçin e largët malor.

Ashtu si në tërë vendin edhe në këtë luginë janë bërë ndryshime të mëdha në ndërtimin e banesave nga banorët. Ajo që të bie në sy është se ka shumë shtëpi të reja, madje të ndërtuara me gusto e arkitekturë të kohës.

Nuk shkrova për pjesëmarrjen në luftën për çlirimin e vendit, pasi kjo është një temë e gjatë për banorët e kësaj lugine. Por një mendim shkurt po e shpreh. Ashtu si e gjithë Labëria edhe kjo luginë, sa herë e kanë kërkuar interesat e vendit, banorët e saj, në mënyrë masive, burra, gra dhe fëmijë i janë përgjigjur thirrjes së Atdheut, kanë marr ë pjesë me armë në dorë dhe nuk kanë pyetur për pasojat që do të kishin. Lugina e Shushicës është gjakosur shumë në luftëra të ndryshme, por kurrë nuk është nënshtruar. Banorët e saj në periudhën e luftërave e kanë mbajtur pushkën nën jastëk, jo për gjakmarrje e për të vrarë njëri-tjetrin, por për t’ia drejtuar dushmanit dhe dushmanëve në çdo kohë. Këtë e dëshmojnë lapidarët, të cilët i shikon në të dy anët e rrugës e pranë njëri-tjetrit duke filluar që nga ai në Qafën e Koçiut, kushtuar Luftës së 1920 e deri në Smokthinën e Kuçin malor, në shenjë respekti për të rënët. Por këtë emocion dhe ndjenjë të atdhedashurisë të këtyre njerëzve, që kanë sakrifikuar kaq shumë për të, e përfytyron edhe më shumë porsa fillon të futesh në këtë luginë, në Urën e Drashovicës kur shikon përball lapidarin e madh në formë harku kushtuar sakrificave dhe gjakut të të rënëve, për këtë luginë janë kuptimplotë fjalët e këngës popullore: “Kur në hall është Shqipëria / E para del Laberia….”

Por a e meriton një krahinë e tillë me afro 100 fshatra, me vlera patriotike e turistike, me vende e kullota për zhvillimin e blegtorisë e pemëtarisë, me rezerva ujore etj., mundësitë që ajo afron jo vetëm për banorët e saj por edhe për vizitor të ndryshëm, t’i ketë rrugët e saj në gjendjen copë- copë siç janë sot? Megjithëse jo vetëm nga banorët e saj por edhe nga deputeti socialist, biri i kësaj treve zoti Fatmir Toçi, është ngritur zëri herë pas here për të vënë dorë nga ana e qeverisë me fonde për ta bërë sa më normale kalimin për në këto fshatra, por asgjë nuk është bërë për 8 vjet. Kjo tregon për politika ekonomike jo të drejta e të diferencuara të kësaj qeverie, duke i parë siç thotë populli, ca të nënës e ca të njerkës. Le të shpresojmë se pas 23 qershorit do të marrë fund edhe paria si të njerkës për banorët e kësaj lugine.

Dashuria dhe lidhjet shpirtërore jo vetëm me njerëzit e mirë dhe krenarë të kësaj lugine, por edhe prejardhja dhe malli për këto vende të bukura si për shkëmbinjtë, malet, gërxhet, pyjet, burimet me ujërat e ftohtë, copëzat e fushave etj., të cilat unë kam pasur fatin t’i shoh nga afër e t’i shkel me këmbë, më shtynë të hedh këto pak mendime. Ashtu si bukuria natyrore e saj edhe vlerat e kësaj lugine nuk do të shteren kurrë, përkundrazi ato do të shtohen e rrjedhin në vite si ujërat e kristalta të burimeve të lumit Shushicës.