Muskëtjerët e Vlorës shkëlqejnë në premierën e re “Vdis, pa të dua”

1617
Humori është gjini e vështirë, por humori është atribut i njerëzve të zgjuar. Lusim Zotin që ka krijuar mundësi argëtimi përmes humorit, të paktën për ne shqiptarët që këto vite të lira jemi zhytur sa herë në dëshpërim, varfëri dhe ecje prapa. Është një fat i madh për Vlorën dhe qytetarët e saj, që kanë një trup artistike humori të përmasave kombëtare, siç është Estrada Profesioniste e këtij qyteti. Këtë vit kjo trupë brilante feston 60 vjetorin e krijimit të saj, ku shumë emra të mëdhenj janë shuar ndër vite, duke lenë pas një trashëgimi të vyer për brezat e këtij qyteti. Këto ditë po shfaqet me shumë sukses premiera e re e varietesë së Vlorës “Vdis, pa të dua” me ide dhe regji të Mjeshtrit të Madh Afrim Agalliu, skenografi të Agron Jakupit dhe muzikë të Artur Dhamos. Në këtë premierë dominojnë si gjithmonë parodistët e famshëm të Vlorës, Mjeshtrat e Mëdhenj Agron Hamo, Afrim Agalliu, Mane Lumani dhe Muhamet Liko, së bashku me aktorët e tjerë të talentuar si Matilda Avduli, Ilirian Ali, Vladimin Abilalia, Artan Islami etj. Por suksesi nuk do të ishte i plotë pa këngëtarët gjithë potencë Ludmilla Baballëku, Rovena Ibrahimi dhe Drini Kananaj si dhe prapavijën. Nuk do ta kisha marrë mundimin të shkruaja për këtë trupë artistike, nëse spektatorët nuk do të dilnin nga shfaqa duke fshirë lotët nga të qeshurat e pafund, por këtu je në Vlorë dhe Vlora nuk bën dot pa humor, nuk bën dot pa parodistët e saj gjigant.

Që në ditët e para të shfaqjes
Që në ditët e para të shfaqjes konstaton me kënaqësi, se biletat mbarojnë qysh në orën 09 të mëngjesit. Kjo të lumturon, sepse njerëzit me gjithë hallet dhe problemet e kohës i janë kthyer teatrit, si dikur, kur në sportelin e biletave zhvillohej beteja kaladibrançe kush e kush të priste sa më parë biletat e radhës. Drejtori i Teatrit “Petro Marko” zoti Dhimitraq Furxhi, duket i kënaqur nga ecuria e gjërave. Ai është i vetëdijshëm për punën e bërë ndër vite për ta sjellë spektatorin në sallë dhe spektatori vjen dhe të ndjek, të duartroket kur produkti artistik që i ofron kënaq më së miri shijet e tij. Njerëzit kanë nevojë të argëtohen, të shkarkojnë stresin, të harrojnë hallet dhe këtë vetëm humori mund ta bëjë me shumë pak shpenzime. I pyetur në lidhje me përgatitjet që po bëhen për festimin e 60 vjetorit të krijimit të Estradës Profesioniste të Vlorës, që duhet thënë se ka mbetur ndër të paktat në Shqipëri, drejtori Dhimitraq Furxhi na tha se edhe varieteja “Vdis, pa të dua” është në kuadër të këtij 60 vjetori dhe hap siparin e aktiviteteve për këtë vit nga ky institucion. Edhe numrat e vënë në skenë shkojnë në unison me këtë 60 vjetor, duke sjellë nga vitet edhe ndonjë element që i përshtatet kohës që jetojmë. Do të ketë aktivitete të shumta dhe vlerësime për ata që kanë vënë shpirtin e tyre në skenën e këtij teatri, por edhe si një homazh për ata aktorë të plejadës së artë të Estradës së Vlorës, që nuk janë më. 

60 vjet më parë..
60 vjet më parë u krijua Estrada Profesioniste e Vlorës me regjisorin e talentuar Nazmi Bonjaku dhe aktorët famoz Gaq Vishi, Leka Kruta, Myqerem Ferra, Evgjeni Shtrepi, Meliha Ferra, Qiriako Sava etj, si dhe me trion vlonjate me famë ndërkombëtare Meliha Doda, Reshat Osmani dhe Kostandin Thana e deri tek ylli i skenave Kleopatra Skarço Dokle, që ktheu në hit këngët popullore vlonjate. Por rruga e kësaj trupe nuk ka qenë e lehtë. Dihet se fillimi është i vështirë dhe vërtetë ashtu ka qenë për trupën e estradës profesioniste të Vlorës. Siç na ka treguar i madhi dhe i paarritshmi Leka Kruta, ai punonte si mekanik në Fabrikën e Ekstrataninit në Vlorë, kur e kishin caktuar si aktor në estradën që sapo ishte krijuar. Regjisori Nazmi Bonjaku kishte filluar provat me trupën e re, por Leka Kruta nuk po paraqitej. Një ditë kalon aty Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës Kristo Papajani dhe interesohet për trupën e re të estradës dhe problemet e hasura. Regjisori Nazmi Bonjaku ankohet se ende nuk po paraqitej aktori i sapo caktuar Leka Kruta dhe trupa kishte vështirësi në vënien në skenë të pjesëve që ishin programuar për atë aktor. Kristo Papajani kthehet në zyrë dhe i telefonon drejtorit të Fabrikës ku punonte Leka Kruta. – Përse nuk e keni dërguar Leka Krutën në estradë, atje ku e kemi caktuar, – i thotë ai. – Nuk pranon të vejë shoku Kryetar, – ia kthen drejtori. – Mirë, i thoni të vijë urgjent në zyrën time, – urdhëron Kristo Papajani. 

Drejtori njofton Leka Krutën të paraqitej urgjent në Komitet në zyrën e Kryetarit. Leka Kruta lë punën dhe niset në komitet dhe shkon dhe paraqitet në zyrën e kryetarit. – More Leka, përse nuk shkon atje ku të kemi caktuar, – i thotë Kristua. – Po çfarë do bëjë unë atje shoku Kryetar, unë nuk e di çfarë do bëjë, – i ankohet Leka. – Ta them unë çfarë do bësh, – i thotë Kristua. – deri tani ke bërë llogje pa para, tani e tutje do bësh llogje me para. – Leka Kruta u shkri së qeshuri dhe menjëherë iu bashkua trupës së re të Estradës Profesioniste të Vlorës. Kur Leka u kthye në shtëpi, e ëma e pyeti; përse të kërkonin në Komitet? – Leka u tregon prindërve që këtej e tutje do ishte pjesë e Estradës së Vlorës, por e ëma e pakënaqur i thotë: – Le zanan e zure zurnanë. Por Leka Kruta shumë shpejtë u kthye në një ikonë të humorit në Vlorë dhe Shqipëri, duke u vlerësuar me tituj dhe medalje të larta. Ky ishte vetëm një episod për atë plejadë aktorësh dhe këngëtarësh të Estradës Profesioniste të Vlorës, që sot mbahet në këmbë nga parodistët Mjeshtra të Mëdhenj, si shtylla vertebrore e trupës së varietesë. Por edhe për ta nuk ka qene e lehtë, po të kemi parasysh parodistin Afrim Agalliu, Mjeshtër i Madh, i cili ka pasur shumë peripeci gjatë regjimit të kaluar, kur herë thirrej në estradë dhe herë largohej nga ajo për shkaqe politike, por ai i mbijetoi dallgëve të kohës. I mbijetoi, pasi kishte lindur së bashku me humorin dhe dihet botërisht, humorin dhe humoristin zhyti sa të duash në fund të detit, ai del përsëri mbi sipërfaqe sepse humori është privilegj i njerëzve të emancipuar. Varieteja e re “Vdis, pa të dua” po korr sukses, sepse materialet skenike godasin problemet e kohës, legalizimin, korrupsionin, jetën familjare etj. 

Si gjithmonë trupa e Vlorës i josh spektatorët me kafe me kajmak dhe kajmaku në këtë rast janë muskëtjerët e parodisë vlonjate, Agron Hamo Mjeshtër i Madh, Afrim Agalliu Mjeshtër i Madh, Mane Lumani Mjeshtër i Madh dhe Muhamet Liko Mjeshtër i Madh. Në sallë shpërthejnë duartrokitje sa herë dalin në skenë parodistët, të cilët si mjeshtra të vërtetë krijojnë një atmosferë të gëzuar, ku spektatori ndihet si në shtëpinë e tij të humorit. Ndër vite e vite, trupa e Estradës Profesioniste të Vlorës ka njohur regjisor të talentuar si Nazmi Bonjaku, Myqerem Ferra, Luftar Veshi, Qirjako Sava dhe Afrim Agalliu e ndonjë tjetër, çka i kanë dhënë kësaj trupe vlera të mirëfillta mes humorit shqiptar. Por nuk mund të rrimë pa përmendur libretistët e shquar të kësaj estrade, të cilët me materialet e tyre kanë bërë që Estrada Profesioniste e Vlorës të bëjë epokë. Emrat e Flamur Laros, Pëllumb Kullës, Vangjel Picit, Gafur Shametit etj, kanë qenë ndër vite magazina e teksteve ku furnizohej trupa e Vlorës. Do të ishte me vlerë të riktheheshin disa tradita të bukura të viteve të kaluara, kur estrada shëtiste nëpër turne nga njëri qytet në tjetrin, duke përçuar vlerat më të mira të humorit, por duke u dhënë shansin edhe spektatorëve të qyteteve të tjera të shohin dhe njohin nga afër parodistët e Vlorës. Drejtori i Teatrit “Petro Marko” zoti Dhimitraq Furxhi shprehet i kënaqur me ecurinë e varietesë. Ai thotë, se premiera “Vdis, pa të dua” do të shfaqet edhe në ditët në vazhdim, me qëllim që t’u krijoj mundësinë spektatorëve që ta frekuentojnë këtë shfaqje kaq të bukur. 
Sigal

Çlirim Hoxha