Musa Vyshka: Jam habitur me heshtjen e Kadare-Agollit ndaj marrjes së godinës së Lidhjes nga shteti

849
Sigal

INTERVISTA/ Flet shkrimtari, ish -kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Elbasanit, Musa Vyshka: Në diktaturë shkrimtarët ishin më të respektuar

Musa Vyshka është një ndër tregimtarët më të mirë shqiptarë. Për shumë vjet ai ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të qytetit të Elbasanit. Në diktaturë, sipas tij, shkrimtarët ishin më të respektuar nga shteti se sot në demokraci. Atëherë shkrimtarët kishin një punë të sigurt, një leje krijimtarie, punë me orar të reduktuar etj.. Po sot? Askush nuk interesohet për ta. Edhe një godinë lidhjeje që kishin shkrimtarët në Tiranë ua “rrëmbeu shteti”. Sipas tij, sot ka shumë botime, pasi nuk ka kritikë dhe nuk ka seleksionim.

Sot  shihet një heshtje e çuditshme e shtetit ndaj shkrimtarëve, asnjë lloj interesimi, asnjë lloj vlerësimi, ndryshe nga çdo vend në rajon dhe botë. Pse ky nënvleftësim?

Mund  të them se kjo që thua shkon edhe më tej. Pra shteti i ka braktisur fare shkrimtarët. As u intereson se çfarë shkruajnë, as u intereson nëse punojnë apo jo, as i intereson se krijojnë apo jo. Nuk e di nëse ministrat tanë lexojnë apo jo ndonjë libër nga krijuesit tanë. Nuk e di nëse qeveritarët e dinë apo jo që ka apo jo shkrimtarë shqiptarë që botojnë libra. Pra botojnë libra me lekët e tyre, libra që nuk shpërndahen, libra që nuk propagandohen, që rrinë stivë në shtëpi. Asnjë ministër s’e merr mundimin t’i thotë një shkrimtari ku je, si je dhe çfarë duhet të bëjmë për ju. Të qenit shkrimtar sot do të thotë njeri i përbuzur. A e di ti se si trajtohet shkrimtari në vendet fqinje. Ja po të them një rast për Kosovën. Një shkrimtar miku im, i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, bëri një turne në 10 shtete të Europës për të parë mënyrën e krijimtarisë dhe për t’u lidhur me homologë të këtyre vendeve dhe të gjitha harxhet u hoqën nga Drejtoria e Emigracionit të Kosovës. A e bën qeveria jonë këtë. Pastaj mos të futemi më thellë…Këtu është fatalitet. Ne sot të botojmë një libër na zien koka. Me atë pension që marrim s’na del për bukë jo për libër.

Ju folët për trajtim në vendet fqinje, por akoma më keq ne na akne lënë edhe pa lidhje, pra na kanë marrë godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve?

Këtë s’e kam marrë vesh kurrë. Çfarë kishin me godinën. Kush nga shkrimtarët i bëri keq Shqipërisë. Ne vetëm ja kemi ngritur lavdinë këtij vendi të rënë në baltë. Në çdo vend çahet me art, kulturë, për t’u pasqyruar, për t’u evidentuar. Ne na marrin dhe atë copë vend, ku mblidheshim, diskutonim, qanim hallet, bënim plane. Shikonim se ku s’ishim në krahasim me botën. Tani s’kemi ku të mblidhemi, s’kemi ku të pimë një kafe. Jemi bërë fije, fije, sa na merr malli të takohemi. S’ka mbetur  asgjë nga Lidhja e Shkrimtarëve. Madje, më kanë thënë që ajo bibliotekë e madhe që kishim s’dihet se ku ka shkuar. Do ketë shkuar për “skrap” me siguri.

E luante funksionin ajo godinë në regjimin komunist?

Ne e shkelmuam atë sistem, për të ardhur në një sistem të ri, ku vlerësohen vlerat. Demokracia kjo është vlerësimi vlerave. E them me plot gojën se në atë sistem çdo gjë politizohej, çdo gjë vërtitej rreth ideologjisë komuniste, por krijimtaria vlerësohej. Ajo godinë kishte rëndësinë e vet, peshën e vet, ku ne shkrimtarët dhe  Enver Hoxha tregohej shumë i kujdesshëm. E them trembej pasi ndoshta mendonte që s’merrem direkt me ta. Ajo godinë ishe e rëndë në atë kohë, kishte peshë. Aty kanë dalë Kadareja, Agolli, Koreshi etj..

Si vlerësohej shkrimtari në atë regjim?

Aq sa vlerësohej po vlerësohej aman. Ata që kishin bërë emër apo që krijonin, kishin muaj pushim për krijimtarinë, pra leje krijuese, na jepnin orar të reduktuar në punë, madje disa i kishin nxjerrë dhe ën profesion të lirë. Për punë as që bëhej fjalë. Për shtëpi nuk bëhej fjalë. Unë kam qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Elbasan, por di që jemi respektuar kudo. Shtëpi merrnim të parët, televizor po ashtu. Na trajtonin si intelektual të vërtetë. Sot as na shohin me sy. As na hedhin sytë. Besoj se asnjë ministër nuk do ketë bibliotekë në shtëpi, sepse po të kishin do thonin more, ku hanë bukë këta të letrave?

Pra diktatura kishte një interesim më të madh për shkrimtarët?

Sigurisht. Se përse ata e dinë. Mund të them që shkrimtarët kishin influencë në popull sepse lexonin të gjithë dhe nuk donin që të kishin divergjenca, por ama kishte ligje. Librat i botonin shtëpitë botuese, sigurisht nëse kishin vlera artistike. Ti dorëzoje librin në shtëpinë botuese dhe nis libri vlerësohej shteti merrte përsipër shtypjen, shpërndarjen madje dhe të shpërblente. Reklama i bëhej nga shteti, pra ti s’kishe më asnjë preokupim. Ishte shumë komod. Po tani?

Po sot është fituar liria e të shkruarit…

Po. Sot ka më shumë poetë se askush në botë. Të gjithë shqiptarët janë bërë poetë. Gjene mirë. Por kush të lexon se. Ku do të merren vlerat dhe si dot merren. Ku është kritika e mirëfilltë letrare? Ku janë kritikët e vërtetë. Si botohet një libër nga shtëpitë botuese. Mbi çfarë principesh, normash apo rregullash? Sot kush ka lekë boton libër, shkrimtari i mirëfilltë rri me duar në xhepa dhe kruan xhepat.

A ka sot shkrimtarë që vërtet po del i sigurt në krijimtarinë letrare?

Sot ka shumë botime, por pak shkrimtarë, për të mos thënë aspak. Unë s’di të ketë shkëlqyer asnjë shkrimtar në këto 23 vjet demokraci. Ne mburremi me shkrimtarët e asaj kohe, pasi sot nuk po spikat asnjeri.  Edhe shumë shkrimtarë  të asaj kohe, sot nuk i kanë shtuar asnjë blerë krijimtarisë së tyre, kanë ngelur me lavdinë e atyre viteve.

Po roli i kritikës a ka vendin e vet në këtë katrahurë krijimtarie?

Në radhë të parë krijuesi është vetë kritik i vetvetes. Pra krijuesi e shikon vetë njëherë sa vlen krijimtaria e tij, pastaj  vjen kritika. Krijuesi  bën krahasimin vetë që të mos turpërohet nga kritika dhe publiku. Ai shikon se sa vlerë ka në raport me librin e parë ky libër i ri. Bën diferencimin. Sot nuk kritikë ka taftollog, që as ata se dinë se çfarë kërkojnë.

Një problem tjetër përkthimet. Pse sot ka shumë më pak krijime se dikur?

 Sepse nuk ka cilësi, çfarë të përkthejnë. Sot bota do cilësi, do krijimtari të derdhur në art. Ku të pranon bota këto lloj tregimesh apo poezish. Ka nivele, ka rregulla loja. Por edhe përkthimet e huaja tek ne kanë rënë shumë pasi nuk ka treg, nuk ka shitje. E them me bindje që sot po blihet gjithnjë e më pak libri. Shtëpitë botuese janë për ekonominë e tregut. Duan fitime dhe nuk mund të përkthejnë këdo. Një mbesa ime  ka përkthyer një roman të Stivensonit. E përktheu nga anglishtja, pasi e zotëron dhe e ka për zemër atë gjuhë. Libri është botuar dhe është 300 faqe po nuk shitet. Mendohej se do të kishte pëlqime shumë.

Si ka qenë Lidhja e Shkrimtarëve të Elbasanit kur ishit ju Kryetar?

Unë kam qenë 10 vjet Kryetar i kësaj lidhjeje. Ishte një lidhje serioze, ku ne bënim takime të vazhdueshme, bënim promovime, bënim tavolina bisedash, etj.. Kishim aktivitet të dendur dhe kur unë trokisja për një hall në Komitetin e Partisë për një shkrimtar, halli zgjidhej menjëherë. Ne në rrugë na respektonin kudo që ecnim. Kishim reputacion. Na donin të gjithë. Sot as na e var njeri, ec ku të duash.

Si janë sjellë Sekretarët e Parë në Elbasan me shkrimtarët?

Janë sjell jashtëzakonisht mirë. Na doni na respektonin na qanin hallet. Madje, lexonin. Pirro Kondi dhe Jashar Mezelxhiu janë kujdesur në mënyrë të veçantë. Të gjitha hallet na i kanë qarë. Na dëgjonin. Atëherë shtypi të jepte dermën. Sot shkruaj për kë të duash, madje bëje pleh, askush s’do t’ja dijë. Flitet për korrupsionin futet njeri në burg…?

Si do ta komentonit heshtjen e Agollit dhe të Kadaresë ndaj marrjes nga shteti të Godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve?

Jam habitur me heshtjen  e tyre. Mesa duket ata janë postuar nga interesat e përgjithshme dhe shikojnë vetëm interesat e tyre. Janë mbyllur në lavdinë e tyre. Nuk u bën përshtypje asgjë. Po t’i kishin thënë ata jo kësaj ndërhyrjeje mbase diçka do të bëhej.

Enver Hoxha a i respektonte shkrimtarët?

Nuk di të them se sa dhe si, por di të them që ai regjim kishte ligje të rrepta. Të thoshte mos shkel këtë vijë se të burgos. Por që indirekt aty ishte dhe diktatori. Pra, na jepnin shumë të drejta.