Murat Gecaj/ Estetika migjeniane-Fryma moderne në letërsinë shqipe

855
Sigal

Akademiku Alfred Uçi boton një vepër të re, për Migjenin

Në ditët e fundvitit 2013, Akademik Prof. Alfred Uçi solli një dhuratë të re për lexuesit tanë. Është vepra “Estetika migjeniane-Fryma moderne në letërsinë shqipe”, kushtuar poetit tonë Kombëtar, Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni. Libri është nën siglën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe e ka shtypur Shtëpia Botuese “Kristalina-KH”, Tiranë. Autori na e bën të qartë, në “Hyrjen” e librit, se përse e ka shkruar atë: “Jam kthyer tani te Migjeni jo vetëm se ka qenë një peng i imi jete, por edhe se konturet e botimeve të mëparshme të miat, kushtuar Migjenit, nuk ishin të plota. Prandaj, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij dhe 75-vjetorit të vdekjes e të kthimit të eshtrave të tij në Shkodër, shpresoj të paraqes  një varg përfundimesh, pas rileximit të fundit të veprës së tij”.

Libri në fjalë i Prof. Alfred Uçit është voluminoz, përmban gjithsej 610 faqe. Autori e ka ndarë atë në 12 kapituj, me disa pjesë, secilin. Hapja është me vëllimin e parë:“Jeta dhe vepra e Migjenit”dhe vëllimi i dytë “Estetika Migjeniane” dhe “Etyde estetiko-filozofike”. Libri mbyllet me Rèsumé: “Vers une esthétique intégrale”.

 Diskutime rreth librit “Estetika migjeniane”  të Akademikut Alfred Uçi

Përparim Kabo-pedagog

Para disa ditësh, për dy orë isha me Profesorin tim të Universitetit Alfred Uçi. Më dhuroi librin e tij më të fundit “Estetikën migjeniane…” Biseda shkoi tek filozofia e Migjenit që shpesh është bërë objekt diskutimesh dhe vlerësimesh. I shpreha profesorit tim idetë që unë kam se vepra e Migjenit nuk është thjesht letërsi poetike, por si thoshte Hajdegeri: “Filozofi Poetike”, sepse edhe Migjeni e quante poezinë “Gjuhë në shtëpinë e Frymës”. Filozofia e estetikës migjeniane në thelb është  “dhimbja njerëzore”, ndjenja më e hershme dhe më e pakonsumuara… U ndamë duke u shtuar malli që kishim pasur me premtimin e një takimi tjetër sa më të afërt! Sa e bukur është jeta kur bariu i saj, ish- profesor i yti të thotë ca fjalë shpirti…..Faleminderit Prof. Alfred UÇI…!

Agim Pipa (poet). Ashtu si ju, i dashur Kabo, edhe unë e kam patur pedagog të Estetikës profesorin e nderuar Alfred Uçi. Ende më kumbojnë në kokë fjalët e tij analitike mbi estetikën, si një kategori trupshpirt të njeriut, materie dhe ndërgjegje bashkë. Ai ishte në kohën kur jepte leksione, një dritare e madhe, prej nga ne shihnim magjinë e mendimit, filozofisë, pikturës, muzikës, letrave dhe arteve në përgjithësi, si një domosdoshmëri e projekteve tona për të ardhmen tonë. Në ato leksione frynte era e lirisë dhe përmes analizës dhe divulgimit të prof. Uçit, ne lexonim qartazi vetveten, popullin tonë krijues dhe artist, historinë, dramat, luftën, paqen. Ai shpjegonte thjesht, bukur, saktë, impresionues, por edhe imponues dhe fjala e tij kthehej në oksigjen në auditorët, ku ne kishim vendosur ëndrrat tona. Ah, sa për poezinë, unë mendoj se edhe poezia letrare, siç e klasifikoni ju, (në fakt ajo përbën thelbin e letrave) është gjithashtu filozofi e gjallë. Dhe Migjeni ynë i madh, ashtu si Naimi, Çajupi, Mjeda, De Rada, Serembe, Lasgushi, Kadare, Agolli, Arapi, deri edhe Buzuku i lashtë i Mesharit të famshëm- me një poezi të zbuluar ditëve të fundit mbi dashurinë-janë dëshmitarët më të mirë të faktit se poezia është: emocion, impresion, mendim ose ide, filozofi, psikologji, pse jo psikanalizë, art, estetikë, pikturë me tinguj fjalë, muzikë sërish me tinguj fjale… E sheh profesor, sa e gjerë dhe sa e mirë, sa e madhe dhe sa e dlirë është polisemantizmi i fjalës poezi? Të përshëndes dhe të përqafoj. Duke të falënderuar që solle një çast tejet impresionues me foton nga takimi me Prof. Uçin, i cili bujarisht ju ka dhuruar një vepër mbi Migjenin e madh.

 Qani Abazi: Është e nevojshme që mendjet më të kualifikuara të bëjnë qasjet e tyre ndaj Migjenit, se mendoj se ky shkrimtar i veçante nuk la pasardhës (jo biologjikë). “Si Migjeni s’ka te tjerë“.. është më i veçanti më i thelli, më i pa studiuari jo për mungesë kapacitetesh letrare, por për shkak të përmasave të tij shumë të mëdha që ende nuk janë rrokur tërësisht. Prandaj është lajm i mirë që profesori i Estetikës A. Uçi, por dhe ju profesor Kabo hidhni dritë me mendimin tuaj mbi këtë mal të lartë që të gjithë e dinë ku është, por askush ndoshta nuk i ka shkelur gjithë majat dhe honet etj.. Shqipëria ka fat të madh që ka një të tillë.

 Edlira Birko-gazetare

Profesor, ju e dini si thuhet në bibël: Është fat kur nxënësi është i aftësuar të jetë njëlloj si mësuesi i tij….Përse ju drejtova biblës?… Edhe për faktin se kur e pyetën Migjenin se a jeni ju themeluesi i vargut të lirë? Ai u përgjigj: Jo sepse bibla është shkruar me vargje të lira…Nderime edhe për veprën e Prof. A.Uçit.

 Remo Koçiu-gazetar

Është nga të paktët profesorë për të cilët ruaj ende respekt dhe vlerësim. Madje, disa nga librat e tij i kam edhe këtu në Milano. (E kam pasur edhe unë profesor të Estetikës, sikundër disa të tjerë këtu e shumë të tjerë që nuk janë këtu) Për librin s’mund të flas pa e lexuar, por për parim, më bëri përshtypje termi Migjenianizëm – filozofia e migjenianizmit? Më duket se nuk qëndrojnë së bashku – Filozofi dhe migjenianizëm. Nuk kuptoj pse jo migjenian, pa atë “izëm”, prapashtesë që dihet shumë mirë se e gërryen emrin, të cilit i bashkëngjitet e njëherësh edhe veprën e tij në vështrim të ngushtë, në plan më të gjerë dëmton konceptin vetë. Kështu bëjmë të kundërtën e çfarë synojmë. FILOZOFIA MIGJENIANE është shumë më korrekte dhe përputhet me çfarë mendojmë se mishëron apo mishërohet. Nga një pyetje të bërë në fillim nga Arben, më duket, dhe nga përgjigja e dhënë, del që Migjeni anon nga të qenët më shumë filozof se poet. Çështje botëkuptimesh, por për mua është poet – filozof e jo e kundërta  filozof- poet. Mbresa e parë kur lexon Migjenin është kënaqësia që na jep vargu i tij, si paraprijës i mendimit dhe vetëm më pas ose qoftë edhe një çast më pas ne mundohemi të thellohemi te kuptimi. Pra, së pari vjen kënaqësia estetike e drejtpërdrejtë që përcjell si formë arti apo letërsi ose thjesht poezi – si krijim e pastaj ajo filozofike. Në fillim ndjejmë muzikalitetin, e pastaj kuptimin. Fakti që poezia edhe si formë arti ka lindur para shkrimit, e përforcon këtë. Sipas mendimit tim, Migjeni së pari është poet, e me pas duhet kërkuar filozofia në të. E kundërta hedh poshtë në mënyrë kategorike Migjenin si poet. Të shkruash filozofi në vargje nuk do të thotë të jesh poet. Poezia është e pandarë nga muzika ose muzikaliteti që përcjellin vargjet e kjo duket edhe në semantikën e tyre, gjë që filozofisë mirëfilli i mungon, jo për faj të saj, thjesht sepse nuk e ka si qëllim.

 Anastas Gjergo

 Alfred Uçi ishte autoritet i kritikës letrare dhe mua që nuk isha i fushës më bënte për vete me Estetikën e të shprehurit, rrjedhshmërinë në ligjërimin e tij, zëri plot timbër, plot saktësi e i prerë në ato që shprehte. Shpesh e kam lexuar në revistën “Nëntori” dhe një botim të tij  e kam pasur në bibliotekën time, por duke qenë jo i fushës, duke qenë nën trysninë e luftës klasore, pak kohë i lejoja ndërgjegjes për të përfituar nga intelektuali i mirëfilltë që mbijeton dhe në kohë të vështira të lirisë. Profesore A. Uçi, për kohën nën diktaturë, nuk mund të ishte njeriu i bazës, por të lexuesit që i përkiste mësimdhënies, teknicent. Do të jetë interesante të lexojmë Migjenin në këndvështrimin e profesor Uçit, por interesante është të mësojmë filozofinë poetike sipas Kabos, pasi profesori ynë ka guximin ta vendosë atë në realitetin shqiptar, për të bërë krahasimin sa sa migjeniane është sot shoqëria shqiptare. Realisht ne jetojmë në të njëjtin realitet me të cilin përballej Migjeni, në atë kohë dhe në këtë kohë tranzitive.