Muntaz Dhrami: Vendlindja është brengë dhe dashuri

634
Në kuadër të 80 vjetorit të lindjes së  “Skulptorit të Popullit”
 Muntaz Dhrami:Vendlindja është brengë dhe dashuri
Sigal

Ishte asistent i pedagogëve Kristaq
Rama, Shaban Hadëri, Vilson Kilica dhe Guri Madhi


Njohja ime me “Skulptorin e Popullit”, Muntaz Dhrami, ka qënë e hershme dhe  lidhet me profesionet e regjisorit dhe gazetarit, të cilat i kam ushtruar në qytetin e Gjirokastrës. Nga këto njohje më ka mbetur nëpër mend thjeshtësia e komunikimit të këtij artisti të rrallë, gatishmëria e tij e përhershme për të ndihmuar, si dhe mbajtja gjallë e lidhjeve të tij me vendlindjen. 15 vjet më parë në kuadër të 65 vjetorit të lindjes dhe shpalljes së tij “Qytetar Nderi”, kam realizuar një intervistë për televizionin lokal “Antena Jug”, e cila për arsye objektive nuk u dha e plotë. Një pjesë të këtij informacioni shumë interesant që lidhet me jetën e skulptorit, shkollimin, krijimtarinë dhe realizimet e veprave monumentale individuale dhe kolektive, po e sjell në kuadër të 80 vjetorit të lindjes së tij bashkë me urimin : Edhe 100 profesor!
Arsimimi 
Arsimimi i Muntazit fillon në shkollën “Drita” të Gjirokastrës dhe më pas në gjimnazin e qytetit ku kryen vetëm dy vjet. Mes të tjerash nga ajo kohë ai sjell  nëpër mend gazetat e shkollës ku botonin poezitë e Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë, të cilët ndiqnin përkatësisht, njëri shkollën pedagogjike dhe tjetri gjimnazin dhe bënin pjesë në të njëjtin rreth letrar që drejtonte profesori i njohur i letërsisë, Vehbi Bala. Pas dy vitesh shkëputet nga gjimnazi për të ndjekur Liceun Artistik. “Ndërhyrja për konkursin në Liceun Artistik, u bë nëpërmjet të ndjerit Zihni Sako, i cili ishte komshi në Tiranë me Abdurahim Buzën, të cilit i çoi disa nga vizatimet e mia me laps, të realizuara me modele të mara nga revistat e kohës, – rrëfen Muntazi. Në vizatimin e parë në konkurs, (të cilin e ruan me fanatizëm skulptori Stefan Papamihali) me sa duket dora ishte më nervoze, vizatimi ishte më konstruktiv, dhe kjo shtyu Nexhmedin Zajmin të këmbëngulë e të thotë : Këtë djalë do ta fusim në skulpturë. Unë atëherë u përlota, bëra një lloj proteste brenda vetes sime. Admiroja ngjyrën dhe vizatimin. Por…  Dashuria për skulpturën lindi atëherë kur puna e parë me baltë filloi të plasaritej dhe unë e ngjisja atë përsëri me baltë që të mos çahej.” Mbas mbarimit të liceut, Muntazi punoi për një vit në “Kooperativën e Porcelanit”, ku krijonte modele kukullash apo vizatime pjatash, të cilat kalonin më pas për t’u prodhuar në seri. Në këtë periudhë i doli e drejta për të ndjekur studimet 4 vjeçare në Akademinë e Arteve të Leningradit. Prishja e marrëdhënieve të vendit tonë me Bashkimin Sovjetik e rikthen atë para kohe në Shqipëri.
Punësimi
 Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, Muntazi filloi punë si asitent pedagog në “Institutin e Lartë të Arteve” në Tiranë dhe paralelisht punoi  për mbrojtjen e diplomës. Ishte asistent i pedagogëve Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Vilson Kilica dhe Guri Madhi, të cilët ishin edhe të parët që filluan punë si pedagogë në ILA. Në këtë Institut, Muntazi punoi për një periudhë të gjatë kohe dhe nga asistent pedagog u bë  pedagog dhe dekan. Më vonë ai shkëputet nga ILA dhe iu përkushtua krijimtarisë për realizimin e monumenteve të mëdha në Shqipëri. Lidhjet me Institutin ai i mbajti si pedagog i jashtëm i tij. “Jam shkëputur përfundimisht nga Instituti, – pohon Muntazi, atëherë kur dola në asistencë, kur Instituti ndryshoi programe.” 
Krijimtaria
Ky artist i madh na ka dhuruar përmes krijimtarisë me dhjetëra vepra mbresëlënëse. Vetë Muntazi tregon, se në këtë galeri përfshihen krijime të fuqishme të realizuara me bashkautorë, si edhe krijimtaria e tij personale, e cila ruan më të kristalizuara emocionet, ndërgjegjen dhe formën estetike. “Kur punon me bashkautor, – pohon ai, diçka nga kjo pjesë e individualitetit krijues bëhet kurban. Dhe kjo ndodh për hir të realizimit të një monumenti që nuk kërkon vetëm një mendje, por kërkon disa mëndje, kërkon jo vetëm një forcë, por disa të tilla. I tillë është monumenti Nënë Shqipëri, i cili është 11  metra i lartë dhe monumenti i Pavarësisë, 17 metra i lartë, të cilët janë realizuar në bashkëpunim me Shaban Hadërin dhe Kristaq Ramën. Për realizimin e Relievit të Kryeministrisë dhe atij të Qafës së Koçiut, treshes sonë i është shtuar edhe skulptori Hektor Dule. Relievi i Qafës së Koçiut, 12 metra i lartë është realizuar i gjithi në bronz”. Në Gjirokastër Muntazi ka realizuar Obeliskun, në bashkautorësi me skulptorët gjirokastritë Ksenofon Kostaqi dhe Stefan Papamihali. “Monumenti i parë si punë kolektive, – thotë Muntazi, është ai i Kostandin Kristoforidhit, të cilin e realizuam së bashku me Kristaq Ramën”. Por me kalimin e kohës, ky skulptor i afirmuar ka tjetër këndvështrim për punën kolektive për realizimin e veprave monumentale, teksa pohon se, “puna kolektive tani është më pak e pranueshme. Dhe kjo ndodh sidomos, kur njeriu vjen në një moshë që nuk mund të bëjë shumë kurbane nga uni i tij artistik. Ka mendimin e vet, ka ndjenjat dhe emocionet e veta, ka plastikën e vet.” Monumente si Drashovica, Liri Gero, Shkurte Pal Vata dhe Enver Hoxha janë disa nga punët e tij individuale.
 
Monumenti që i mungon Gjirokastrës
Krijimtaria dhe puna e tij individuale është në vijimësi, ndërkohë që ajo kolektive është ndërprerë. Por si gjithmonë ka edhe përjashtime. Ai pranon përsëri të bëjë “kurban”  unin e tij artistik, nëse do të kërkohej një vepër monumentale për Gjirokastrën teksa pohon se, :  ” Po të lindi nevoja të bashkëpunojmë për një monument për Gjirokastrën, do të ishte një kënaqësi e madhe. Sigurisht nuk do të kemi një kapo në këtë punë. Do të jemi bashkë, gjithë skulptorët e qytetit, dhe Gjirokastra ka shumë të tillë. Mund të bëjmë një monument aty ku ka qenë monumenti i Enver Hoxhës. Ai mund të jetë një monument që të përgjithësojë Gjirokastrën. Të kemi Argjironë, të kemi Gjin Bue Shpatën, Gjin Zenebishtin, të kemi gojëdhënat. Të kemi një monument ku të hyjë drita, të hyjë monumentalja moderne, të hyjë ritmi, të hyjë një plastikë krejt tjetër.”
Emocione të veçanta nga krijimtaria
Si çdo artist edhe Muntazi pohon, se secili krijim i tij ka emocione të veçanta. Megjithatë këmbënguljes sime për të dalluar disa nga krijimet e tij për nga forca emocionale që ka përjetuar ai i përgjigjet se : ” Një vizatim në dukje është i thjeshtë. Por një  vizatim, portreti i  i nënës sime, është një nga punët që më krijon emocion të veçantë. Portreti i Rugovës, që ka lindur kur pashë një malësor në Qafën e Rugovës, po ashtu. Portreti i Mirelës, vajzës sime. Por nuk mund të lë pa përmendur emocionin që kemi përjetuar kur kemi punuar monumentin e Nënës Shqipëri dhe monumentin e Pavarësisë. Këto janë dy monumente që u futën në ndërgjegjen e njerëzve, në ndërgjegjen kombëtare, ashtu si monumenti i Skënderbeut i Odise Paskalit “.
Lidhjet me vendlindjen
Lidhjet e tij me vendlindjen Muntazi i mban përherë të forta. “Sa herë që vija në Gjirokastër, – tregon ai, e kam pasur zakon të shkoja në lagjen time, Palorto dhe të shkelja mbi disa gurë, popla, që i themi ne, të cilët duke mos pasur bazament bënin një lloj zhurme karakteristike të cilën s’e gjej dot më. Tani diku është prishur kalldrëmi, diku është hedhur beton, diku është bërë rrugë makine dhe zhurma e atyre gurëve mungon. Për këtë ndjej një farë dhimbjeje, pasi nuk e ndjej më oshtimën e gurëve të fëmijërisë. Nuk  e gjej më shtegun ku kemi lozur pllaka apo saiset me shokët dikur”.  Muntazi nuk i ka munguar Gjirokastrës as në festën më të madhe të saj, Festivalin Mbarëkombëtar të Folklorit duke shfaqur mendimin, se kalaja e qytetit që po identifikohet gjithmonë e më shumë me këtë festë të madhe të folklorit mbarëshqiptar, duhet të kthehet në galerinë e veprave të artit kushtuar artistëve popullorë shqiptarë. Këto vepra mund të mbushin kubetë e famshme të kalasë shekullore. Po cili është këndvështrimi i tij për Gjirokastrën ? ” Tani, –  pohon ai, lidhja me qytetin është e mbushur me një farë brenge, me njëfarë xhelozie. Kur shikoj që në një qytet tjetër bëhet ndonjë restaurim, më hipën xhelozia dhe them: Pse s’bëhet edhe tek filan shtëpi në Gjirokastër? Pse u rrëzua filan shtëpi? Pse diku, në mesin e pazarit është vënë një afishe e rëndomtë? Pse diku shtohet  një parmak?  Pra është një lidhje që është shoqëruar me brenga, që lidhet me fondet që i duhen qytetit, me qeveri që duhet t’ia japin ato, me institucione që duhet t’i realizojnë. Sa herë që vi në Gjirokastër mbushem me emocione të veçanta”. Kështu që vendlindja është brengë, është dashuri. 
Muntazi, Çerçiz Topulli dhe gazeta ruse “Vjestinik Leningrad”
I lidhur fort me qytetin e tij të lindjes Muntazi edhe në ekspozitën e parë të Akademisë së Arteve në Leningrad u përfaqësua me një punim në dru në lartësinë 110 cm, të Heroit të popullit, gjirokastritit Çerçis Topulli. Ai kujton se në gazetën ” Vjestnik Leningrad ” u botua një artikull ku fotografia e skulpturës u shoqërua nga shkrimi: “Studenti i Akademisë së Arteve, Cerciz Topulli, ka gdhendur në dru portretin e heroit të Popullit, Muntaz Dhrami.” E më pas shton: “Merrni me mend situatën që u krijua tek studentët dhe pedagogët kur iu shpjegova se kush ishte Çerçiz Topulli, të cilin gazeta e bëri student të Akademisë së Arteve të Leningradit”, përfundon duke qeshur skulptori i madh Muntaz Dhrami. 
Gjeografia e eskpozitave 
Krijimtaria e tij është ekspozuar në Moskë, Jordani, Paris, Pekin, Shangai, Shkup, Prishtinë, Romë dhe shumë vende të tjera. Sot pas më shumë se 50 vjet krijimtari, në moshën 80 vjeçare, ai pohon se. –  “Puna e artistit nuk njeh moshë. Artisti gjithmonë vijon të krijojë. Një artist i skenës do të vdesë në skenë. Kolegu im, miku im Kristaq Rama vdiq në studio. Unë në raport me skulpturën nuk e ndjej veten të plakur, ” – pohon plot dinamikë një nga skulptorët më të mëdhenj monumentalë shqiptarë, gjirokastriti Muntaz Dhrami.  
Ilirian Lluri