Muharrem Xhediku, kompozitori i ‘Tangos Shqiptare’ që jetoi dy dashuri të vetme, muzikën dhe sllaven Jelica

1719
Sigal

Kompozitorit Muharrem Xhediku, pas luftës, iu besua krijimi i Filarmonisë shqiptare dhe është drejtori i parë i saj. Bashkë me Dhora Leka, Papariston, Jakovën, Avrazin, lanë gjurmë të pashlyera në muzikën shqiptare. Është autor i dhjetëra këngëve të njohur që kanë zënë vend në repertorin e brezave të shumtë,

 Kaloi një jetë të dhimbshme, me mund e sakrifica, por la një pasuri të vyer në muzikën shqiptare që është e do të mbetet pronë e brezave… Kompozitori Muharrem Xhediku, ose siç njihet ‘Kompozitori i Tangos Shqiptare’ kaloi në jetën e tij të trazuar vetëm dy dashuri, atë për muzikën dhe sllaven e bukur Jelica… Babai i Muharremit, Hajredini, u vra nga serbët në vitin 1919. Muharremi mbeti jetim në moshën 2-vjeçare. Në këto kushte, e ëma u detyrua që së bashku me katër fëmijët e saj, në vitin 1922 të emigronte nga Dibra në Tiranë, por pa asnjë bazë ekonomike, pa strehim e punë….

 RINIA E ARTISTIT

Muharremi, shkollën fillore e mbaroi pranë strehës vorfnore në Tiranë. Përveç bukës së përditshme, aty arriti të siguronte mundësi që i hapnin rrugë për t’u njohur me botën muzikore dhe që në fillim u vu re talenti i tij. Në kryeqytetin e atyre viteve, familja e tij bëri një jetë të mundimshme dhe si pasojë Muharremi u rrit në varfëri… Në vitin 1933, Muharremi arriti të siguronte një punë në një ndërmarrje italiane, por edhe aty pati shkurtime dhe ai u shkrua i pari në listat e atyre që duhet të linin punën. Mllefi i Muharremit për gjendjen e tij të mjerë ekonomike po rritej gjithmonë e më tepër. Pjekuria e moshës dhe ndërgjegjësimi i tij bën që ai të kalonte në kampin tjetër, ku rreshtoheshin të pakënaqurit ndaj regjimit monarkist. Ai kritikonte dhe stigmatizonte regjimin e kohës që e kish pllakosur vendin në varfëri ndaj ky ishte shkaku që regjimi e burgosi atë disa herë. Herën e fundit arriti të dalë nga burgu duke e thyer atë. Në vitin 1937, ai u shpall nga mbretëria si element i rrezikshëm dhe u burgos.

 

ARRATISJA NGA BURGU

Edhe në burg ai i binte çiftelisë dhe këndonte këngët e bukura dibrane dhe të Veriut. Një gardian nga Mati i pëlqente shumë këngët e tij. Në heshtje dhe fshehtësi njëherë i afrohet dhe i thotë: “Mor djalë, ti paske zanat fort të bukur, e qitke lek nëpër dasma, prandaj sillu mirë, dil prej burgu dhe merru me muzikë.”

Po kështu edhe shumë gardianë të tjerë gjatë turnit të tyre afroheshin pranë dritares së qelisë së Muharremit dhe dëgjonin muzikë popullore.

Por fati nuk kishte vendosur ta përkëdhelte akoma Muharremin, prandaj në bazë të akt akuzës ai do të dënohej me 20 vjet burg, prandaj rruga e vetme e shpëtimit ishte arratisja nga burgu dhe largimi për në Itali, për të ndjekur ëndrrën e tij të bukur, shkollimin për muzikë.

Një natë para se të dilte në gjyq, një shok i dërgoi një pako me ushqime. Brenda pakos ishte futur një ibrik me kos ndërsa në fund një sharrë hekuri dhe një kastravec në mesin e të cilit fshihej lima e hekurit. Shoku e porositi: “Kujdes, se kosi është i hollë, por merr nga fundi! Edhe kastraveci është pak i vjetër, por ti haji zemrën! Po nuk e konsumove ushqimin sonte, nesër nuk do të sjellim më gjë”. Muharremi e kuptoi në çast se porosia e tij kishte ardhur.

Muharremi kërkoi të shkonte në banjë nga mesi i natës dhe atje u mbyll brenda, derisa arriti që të sharrojë hekurat e dritareve të banjës dhe të arratisej… Xhandarët dhanë lajmin se Muharremi ishte mbytur dhe dërguan lajmin në shtëpi. Milicët kishin hapur lajmin se kafshët ia kishin copëtuar kufomën dhe nëna Sudja e vajtoi djalin për së gjalli pa kufomë.

NË KOLEGJIN E JEZUITËVE SHKODËR

Muharremi arriti të shpëtojë dhe të mbijetojë pas rënies në lumë. Ai arriti të vishet si fshatar, por vendosi të mos kthehej më në shtëpi, por të udhëtonte drejt Shkodrës. Udhëtimi zgjati 5 ditë, rrugë e pa rrugë. Kudo që kaloi, ai hasi në bujarinë e njerëzve, të fshatarëve lezhjanë dhe të shkodranëve. Pasi punoi për një farë kohe si karrocier për shpërndarjen e qymyrit nëpër shtëpitë e qytetit të Shkodrës, me emrin Martin Mirashi dhe me dokumente të rreme të një shoku, futet në kolegjin jezuit të Shkodrës. Mundësia që arriti të futej në këtë kolegj ishte se fare rastësisht ai shpëton jetën e nipit të drejtorit të kolegjit, i cili ra nga një pemë. Por emri Martin Muharremi iu fiksua si një emër i dytë, si një emër i dashur. Edhe sot, një nga nipat e Muharremit jo rastësisht mban emrin Martin, që është një nga amanetet e tij.

STUDIMET NË ITALI

Pas tre vjetësh, kolegjin e mbaroi shkëlqyeshëm dhe u diplomua si prift. Drejtori i këtij kolegji, që e kishte shumë për zemër Muharremin (Martinin) e ndihmoi të shkonte për studime teologjike në Itali, bursë nëpërmjet Vatikanit. Ishte ende i ri kur emigroi në Itali, ku u gjend nën përkujdesjen e një prifti i cili e bëri bir në shpirt. Edhe në kolegjin e lartë të jezuitëve të qytetit të Laningos u dallua për zell në mësime dhe zgjuarsi. Por në vitin e fundit të kolegjit, ai shpalos të vërtetën e fesë së tij dhe të bindjeve të tij që tani nuk ishin as myslimane dhe as katolike, por ateiste. Kjo dëshmi e hapur i solli mjaft pasoja të rënda pasi provoi përsëri privimin nga liria, por këtë herë duke vuajtur burgimin në Vatikan. Me ndihmën e Luçias, vajza e një pedagogu të jashtëm të tij, por që nuk jepte lëndë fetare, por shkencore, arriti të arratiset nga ky burg duke u veshur si murgeshë.

 

NË KONSERVATORIN E BOLONJËS

Pas arratisjes nga burgu në Itali filloi jetën e vështirë të emigrantit ekonomik. Pa punë, pa përkrahje, i vetmuar dhe pa shpresë shkon në Siçili dhe fillon punë si kamerier. Punoi tre muaj dhe mori vlerësimin e pronarit të lokalit. Pronari i lokalit kishte një mik në Bolonja, i cili menaxhonte një lokal ku luhej muzikë dhe kërkonte një kitarist që të dinte gjuhë të huaja. Muharremi, me emrin italian Mario, shkon në Bolonja dhe konkuron për këtë vend pune. Fitoi jo vetëm punën si kamerier, por edhe si kryekamerier. Fati filloi t’i rezervonte vetëm surpriza të bukura Muharremit. Dukej sikur dimri i ftohtë, gri e plot acar po largohej nga jeta e tij dhe po vinte pranvera e bukur shumëngjyrëshe, e ngrohtë dhe gjithë blerim. Ajo që i jepte më zemër dhe e mbushte me shpresa pa fund Muharremin, ishte se pronari i lokalit administronte një konservator muzike. Muharremi (Mario) iu lut pronarit që të studionte për muzikë në këtë konservator jashtë orarit të punës dhe në fund t’iu nënshtrohej provimeve. Fati i hapi këtë herë plotësisht krahët për të. Edhe pse duhet të punonte, arriti të vazhdojë studimet në konservatorin e Bolonjës, duke shpalosur talentin. Muharremi pak nga pak filloi të zhytej në botën e mrekullueshme dhe plot emocion të muzikës, të gjigantëve të kësaj bote të magjishme që me veprat e tyre tronditën skenat mbarëbotërore dhe u bënë frymëzim për shumë ngjarje jetësore… Nuk e pati të vështirë t’i mbaronte studimet e konservatorit me rezultate të larta. U diplomua në konservatorin e famshëm të Bolonjës dhe sigurisht që tani ndihej më krenar.

KTHIMI NË SHQIPËRI

Pas pushtimit italian të vendit, Muharremi vendosi të kthehej në Shqipëri. Ishte shpallur amnisti për të dënuarit e regjimit të Zogut.

Ai vendosi të kthehej në atdhe dhe të jepte kontributin e tij, tashmë si një intelektual profesionalisht i formuar… Pronarët e fundit italianë, të cilët e donin shumë, i kishin premtuar edhe një trashëgimi të vogël. Ata organizuan një mbrëmje përcjellëse për Muharremin apo Marion, ashtu sikurse e njihnin në ato mjedise. Pas darkës, pak metra larg lokalit dy persona e godasin dhe e mbërthejnë për t’i rrëmbyer paratë dhe dokumentet e trashëgimisë. E raportojnë se është shqiptar dhe se fshihet me emër të rremë. Të nesërmen, gazetat botojnë në kronikën e zezë për një shqiptar që kishte mashtruar dhe ishte fshehur nën një emër italian. Kështu, Muharremi humbi edhe paratë, edhe atë trashëgimi të vogël të premtuar me akt noterial. Ëndrra e bukur për të u ndërpre përsëri në mes dhe tani duhet të luftonte me fatin, ta fillonte përsëri çdo gjë nga e para. I dërrmuar dhe i demoralizuar për çfarë i ndodhi, mori rrugën për t’u kthyer në Shqipëri përmes portit të Barit. Futet në një vapor mallrash që kishte ngarkuar qymyr dhe u nis për në atdheun e tij aq të dashur, që i mungonte prej kohësh. Me të arritur në Durrës, i pangrënë, i veshur keq dhe i lodhur, niset në këmbë drejt Tiranës, drejt “shtëpisë”, barakës së vjetër ku e priste nënë Sudja. Ajo e dinte të vdekur, por thellë në zemër besonte se djali ishte gjallë… Nënë Sudja kishte shtatë vjet që qëndronte krejt sy e veshë se një ditë apo natë do ta dëgjonte zërin e djalit të saj. Dhe mrekullia ndodhi. Ishte Muharremi që thërriste: “Nënë, hape derën, jam Muharremi.” Nënë Suden nuk e linte qeni të dëgjonte, por zërin e djalit të saj arriti ta dallonte. E pabesueshme, por e vërtetë!!! Mblodhi veten. Kishte shtatë vjet që e priste këtë çast. Kishte shtatë vjet që nuk besonte se djali kishte vdekur. Iu hodh në qafë…

NË KAMPIN E PËRQËNDRIMIT TË PRISHTINËS

Pas 25 ditë dhe net udhëtimi, rrugë e pa rrugë nëpër male, arriti në Prishtinë tek Ivan Tomasheviçi, për të cilin kishte patur një rekomandim nga Alush Zari, me të cilin kishte patur lidhje që në Tiranë. Ivani e pranoi në shtëpi, i ofroi strehim dhe e ndihmoi të punonte si përkthyes në Dhomën e Tregtisë. Më vonë, Muharremi arrin të futet si nëpunës, protokollist-arkivist në zyrat e pushtetit fashist në Prishtinë. Ai njihte disa gjuhë të huaja dhe kjo e ndihmonte në punën e tij. Megjithatë, ai ishte kurdoherë në vëzhgim.

Në vitin 1943, një spiun kishte dorëzuar një listë për burgosjen e 92 shokëve kosovarë në Federalin e Ferizajt. Muharremi njoftoi shokët dhe ata arritën që të shpëtonin. Ai ndiqej në çdo hap që hidhte dhe nga shkonte. Këtë e ndjente edhe vetë, prandaj, pasi e gjurmoi, vendosi që spiunin Alush Agai ta qëllonte për ta vrarë, por nuk arriti ta vrasë. Pas këtij atentati, shtatë karabinierë e rrethuan, e kapën dhe në tetor 1943 e burgosën në kampin e Prishtinës. Kampi i internimit në Prishtinë nuk ishte kamp, por burg dhe kaluar burgut. Ai ishte i  rrethuar me tela  me gjemba. Qëndroi në këtë kamp internimi deri në qershor të vitit 1944, kohë kur arriti të arratisej  nëpërmjet kanalit të ujërave të zeza të kampit, që kishte dalje në qytet. Udhëtoi një muaj rresht nëpër malet dhe fshatrat e Kosovës, deri sa mbërriti në fshatrat e Dibrës

DASHURIA ME JELICËN

Jelica. Një emër, një dashuri, një ëndërr, një këngë, një shpresë, një gëzim, një hidhërim, një vuajtje… Një femër jo si të gjitha femrat, një vajzë e veçantë që ia ngriti peshë zemrën që në momentin që e pa për herë të parë. Pikërisht, atëherë kur shpresat ishin ndërprerë, u shfaq ajo, Jelica, vajza malazeze. Ajo ishte e bija e kryegardianit të burgut. Ajo hynte e dilte në kamp për të takuar të atin. Ishte vetëm 16 vjeçe dhe babai e kishte dritë të syrit. Një ditë u takuan rastësisht në oborrin e kampit Jelica, malazezja 16- vjeçare, e bija e komandantit të kampit dhe Muharremi, i burgosuri shqiptar, që nuk pajtohej me asnjë regjim e padrejtësi. Muharremi, ky muzikant i lindur që prodhonte dashuri me sy, zemër, buzë, me këngë dhe me kitarën që s’e ndante asnjëherë, e tërhoqi si një magnet vajzën që dukej sikur kishte dalë nga bota e personazheve të një përralle të bukur… Vajza malazeze kishte zgjedhur për shok jete djaloshin shqiptar, muzikantin e shkolluar në konservatorin italian. Ajo ishte një bukuri mesdhetare, ku Zoti, skulptori i vetëm i natyrës dhe i gjithësisë e kishte gdhendur plot dashuri. Përsosmëria e saj dukej tek balli i gjerë, sytë e shkruar, trupi plot forma të rrumbullakëta, me një simetri të habitshme. Por jo më larg saj qëndronte Muharremi, që mbi të gjitha të bënte për vete me fjalët e ngrohta, që i dilnin nga goja si një simfoni e ëmbël. Kështu ndodhi edhe me Jelicën. Sapo e pa Muharremin, i rrahu fort zemra, kraharori sa nuk i doli nga vendi, truri iu turbullua nga dashuria. Çdo ditë nuk mund të kalonte pa u takuar, pa u parë. Muharremi, për këtë vajzë të bukur që më vonë do të bëhej gruaja e tij, kompozoi këngën e famshme “Jelica”.

KOMPOZITORI, PARTIZAN

Për bashkimin e tyre mendoi vajza e bukur malazeze. Ajo përgatiti një plan të shkëlqyer arratisjeje që do ta kishte zili edhe një oficer i përgatitur i shërbimeve sekrete. Dy të rinjtë arritën të arratisen nga kampi me ndihmën e Alush Zeqirit, që u tregoi dhe i ndihmoi të kalonin nëpërmjet kanalit të ujërave të zeza të kampit, i cili kishte dalje në qytet. Një kalvar i papërshkruar vuajtjesh edhe rruga përgjatë këtij kanali të ngushtë e të qelbur, por nuk kishte gjë që i ndalte dy të rinjtë e dashuruar. Muharremi së bashku me Jelicën (tashmë gruan e tij) inkuadrohen në Brigadën e 18-të, ku shërbeu në sektorin e propagandës dhe dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në korin partizan. Muharrem Xhediku njehsohet me ata kompozitorë partizanë që krijuan këngë, himne dhe balada për Luftën Nacionalçlirimtare siç ishin Dhora Leka, Paparisto, Jakova, Avrazi, etj. Ndërsa bashkëshortja e tij, Jelica, dha një kontribut të madh si infermiere për mjekimin e të plagosurve të Brigadës.  Muharremi mban Medaljen e Çlirimit për pjesëmarrje me armë në dorë në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

 

NDARJA ME JELICËN

Me kalimin e viteve, jeta e vështirë që kishte kaluar që në fëmijëri dhe rini, të ftohtët që kishte marrë në internim, maleve duke luftuar, burgjeve duke mbijetuar bënë që të shfaqej sëmundja e tuberkulozit, që do ta mundonte pjesën tjetër të mbetur të jetës. Ndoshta ishte ky shkaku që martesa e tij me Jelicën, që mbeti dashuria e tij e vetme e vërtetë, të merrte fund.  Ndarjen me Jelicën e përjetoi në mënyrë dramatike. Por shkaku i vërtetë i ndarjes me Jelicën nuk ishte sëmundja e Muharremit. Jelica ishte një grua e rrallë, e dashuruar marrëzisht me Muharremin, i shërbente si një fëmie; e puthte, e lante,  e ndërronte, i rrinte mbi kokë, e shihte në dritë të syrit.

Por cili ishte shkaku i vërtetë i ndarjes me Jelicën, me këtë dashuri që i ngjasonte rrezes së diellit pas shtrëngatës?! Shkaku i ndarjes, ishin thashethemet. Opinioni i keq i kohës për gratë me kombësi të huaj, presioni që bëhej nga partia-shtet e asaj kohe dhe ish-Sigurimi famëkeq i Shtetit, që i shikonin femrat e huaja si agjente, si kundërshtare të regjimit komunist nuk e kurseu as Jelicën bukuroshe.

Në sanatoriumin e shtetit në Tiranë ku shërbente Jelica dhe ku kurohej të shumtën e kohës Muharremi, punonte edhe Dr. Kalvari, një mjek serb, të cilin e akuzuan për marrëdhënie me Jelicën, gjë që nuk ishte kurrë e vërtetë, pasi Jelica dashuronte marrëzisht Muharremin. Edhe familjarët e rrethi i ngushtë i miqve të Muharremit e mbrojtën me forcë e vërtetësi figurën e nuses së huaj, por opinioni dhe mjedisi i mykur patriarkal ishte tepër mbytës. Fjalët e liga e bënë punën e tyre. Ato ranë si bomba mbi trurin dhe zemrën e Muharremit të sëmurë, i cili thellë në ndërgjegje ishte i bindur për pafajësinë e gruas së tij. Tashmë fuqitë, të prangosura prej avancimit të sëmundjes, po e linin dhe ai nuk mund ta përballonte dot presionin dashakeqës, kështu që pranoi të ndahej nga dashuria e vetme dhe e vërtetë e jetës së tij.

 

TRASHËGIMNIA

Megjithëse vdiq në moshë të re, Muharrem Xhediku do të mbetet një nga baballarët e kultivimit të muzikës së lehtë shqiptare. Pas çlirimit, atij iu besua krijimi i filarmonisë shqiptare. Punoi si drejtues në korin e ushtrisë dhe është drejtori i parë i filarmonisë shqiptare, megjithëse është e papranueshme mospërmendja e këtij fakti. Ai ka shërbyer edhe si pedagog në shkollën e parë të muzikës në Tiranë. Në të njëjtën kohë iu kushtua kompozimeve të këngëve të muzikës së lehtë dhe përpunimit të këngëve burimore, duke u bërë një ndër kompozitorët më të adhuruar të kohës… E veçanta e kompozimit të tij ishte se ai i shkruante vetë tekstet dhe i kompozonte mbi bazën e tabanit tonë kombëtar. Këngët si “Falmi sytë e shkru”, “Engjëllushes”, “Matura”, “Jelica”, etj. kanë mbetur edhe sot në kujtesën e asaj gjenerate si këngët me motivet më të bukura plot pasion të dashurisë.

…Krahas muzikës së lehtë, ai kompozoi edhe këngë popullore si: “Cuca e Radomirës”, “Hajde shpirt se erdh pranvera”, “Te kroni”, etj.. Mrekullohesh kur dëgjon nga Eranda Libohova këngën “Cuca e Radomirës”.

Xhediku është kompozitori i parë që solli me profesionalizëm ritmet e muzikës së lehtë, sidomos të tangos në Shqipëri. Ai shkroi dhe kompozoi në të gjitha gjinitë e muzikës, jo vetëm këngë, por edhe romanca, pjesë për koncerte, suita orkestrale, opereta, muzikë vallëzimi, etj. Tangot e tij këndohen dhe kërcehen edhe sot.

Kur dëgjon “Artistin e Popullit” Ramiz Kovaçi të këndojë “Bareshë e malit”, shoqëruar në piano nga Margarita Kristidhi, të duket sikur je pranë burimeve të malit dhe mes cicërimave të zogjve. Një mrekulli muzikore që të jep natyrë dhe dashuri hyjnore. Karakteristika të veçanta ka edhe kënga “Kur më zbret bregut”, kënduar nga Pranvera Baçe, këngëtare e grupit artistik të Korçës. Sjell humor por shoqërohet nga ndjenja “Kënga e pleshtit”, interpretuar nga artisti Hysen Pelingu. Kënga “Matura” ose “Unë për ty nuk do të shkruaj”, në ato vite himn i tangos shqiptare, interpretohet nga një zë dinjitoz i muzikës shqiptare, Anita Take. Mjaft interesant është gjithashtu interpretimi i Gaqo dhe Luiza Çakos në këngën “E dua jetën”. Dueti Anita Take dhe Xhavit Xhepa është një kombinim i mahnitshëm zërash tek kënga “Te burimi”. Muzika si në këngë, ashtu edhe orkestrale, p.sh. tek kënga “Në parkun e qytetit”, kënduar nga Anita Take, është shumë ngacmuese, ngazëlluese, duke provokuar lëvizje të pashmangshme. Zëri i Pjetër Gjergjit tek kënga “Lisi plak” (Shkruamë të vërtetën) tingëllon si kënga e një bilbili mali. Dhe më tej, dueti Pjetër dhe Florinda Gjergji tek kënga popullore e Xhedikut “N’at” livadh” duket sikur me të vërtetë vallëzon nëpër livadhet dhe lëndinat e bukura dhe të pafundme shqiptare… Duetet Pjetër Gjergji dhe Anita Take vazhdojnë me këngët “Ndarja nuk na ndan” dhe “Të pres”, këngë karakteristike të tangos shqiptare, vepra të papërsëritura të Xhedikut. Hysen Pelingu shpërthen fuqishëm me lirizmin e tij karakteristik tek kënga “Cuca e Radomirës”, një mrekulli e këngës popullore dibrane.

 

XHEKDIUK NË ‘100 KËNGËT E SHEKULLIT’

Midis dhjetëra kompozitorëve të talentuar, midis dhjetëra këngëve të mrekullueshme, me riorkestrimin e kompozitorit të mirënjohur Edmond Zhulali dhe nën interpretimin e Aleksandër Gjokës, në konkurimin ‘100 këngët e shekullit’ u paraqit edhe kënga “Falmi sytë e shkruar”, e cila befasoi për muzikalitetin e saj dhe tekstin e saj të ndjerë për dashurinë. Edhe sot e gjithë ditën kënga pëlqehet e këndohet nga të rinjtë dhe nga publiku muzikëdashës, gjë që flet për muzikalitetin e krijimeve të Xhedikut dhe të aftësisë së tij krijuese.

 

DISA KËNGË TË AUTORIT

 

-“Falmi sytë e shkru”

-“Vashës sime” (Vajzë engjëllore),

-“Matura” (Unë për ty nuk do të shkruaj)

-“Jelica”

-“Pranvera e re”

-“Fshatarja deputete”

-“Do ta gris çarçafin”

-“Kur dielli bie”

-“Komisarja dëshmore”

-“Erë pranvere”

-“Këngë për hidrocentralin”

-“Vashës trimëreshë”

-“Do të ngremë së bashku digën”

-“Kënga e të mërguarit” (kurbetit)

-“Do të korr arat me kombajnë”

-“Afërdita traktoriste”

-“Syrin ma ke si filxhan”

-“Bukuroshja shamikuqe”

-“E para ndër shoqe”

-“Lumi i Matit, ujë dhe dritë”

-“Shkëlqen Tirana”

-“Zall Dardhës trime”

-“Tek burimi”

-“Tek kroni”

-“Pllumb i shkruar”

-“Hajde shpirt se erdh pranvera”

-“Hallet e bilbilit”

-“Cuca e Radomirës”

-“Maturantes”

-“Lisi plak”(Shkruam të vërtetën)

-“Vendit tim”

-“Trëndafili dhe zogu”

-“Kanga e pleshtit” (humoristike)

-“N’at’ livadh”

-“Në parkun e qytetit”

-“E dua jetën”

-“Të pres”

-“Ndarja nuk na ndan”

-“Bareshë e malit”, etj, etj.

VLERËSIME TË ARTISTËVE PËR KOMPOZITORIN

Avni Mula (“Artisti i Popullit”):“Sa herë dëgjoj tingujt muzikorë të kitarës, sa herë shoh kitarë, më del përpara sysh figura e ndritur e kolegut dhe shokut tim të nderuar, kompozitorit të talentuar Muharrem Xhediku”.

Çesk Zadeja (“Artisti i Popullit”):“Shpesh këngët e bukura, të kompozuara me frymëzim dhe ndjenjë të hollë poetike, që kanë transmetuar idealet e larta të popullit dhe punën e gjallë, traditat luftarake e atdhetare të tij, populli i ka bërë të vetat, duke shkrirë autorësinë e tij dhe duke i shndërruar në këngë popullore. Kjo ka ndodhur edhe me krijimet e kompozitorit Muharrem Xhediku dhe ky është një fat dhe nder për të”

Edmond Zhulali (Kompozitor): Kur dëgjoj realizimet muzikore të viteve ‘50-‘70, ndryshimi në mes këngës shqiptare dhe asaj botërore ka qenë i vogël dhe kjo falë disa muzikantëve si M.Xhediku që sillnin një kulturë perëndimore. Këngët e dashura të M.Xhedikut do të vinin duke u harruar dhe zëvendësuar me këngët e “jetës së re”, me një krijimtari të sforcuar të autocensuruar nga vetë artistët.

Anita Take (Këngëtare): “Ai ishte një muzikant i talentuar si instrumentist, si kompozitor edhe si drejtues. Unë kam kënduar disa këngë të M.Xhedikut si “Te burimi”, “Vajzë ëngjëllore”, etj. Pavlina Nikaj ka kënduar gjithashtu shumë këngë të Xhedikut. Muharrem Xhediku ishte një muzikant i mrekullueshëm.

Miço Kallamata (shkrimtar): “Muharrem Xhediku ishte një partizan dhe kuadër shembullor në luftë. Ai kryente me përpikmëri të gjitha detyrat e ngarkuara, duke luftuar me pushkë, penë dhe kitarë. Por ai mbetet një kompozitor i talentuar që u dhuroi brezave këngë të pa vdekshme”

Arben Duka(Poet): “Xhediku ka lënë gjurmë në historinë e këngës shqiptare. Këngët e tij i kanë rezistuar dhe do i rezistojnë kohës, pasi ato kanë shpirtin e gjerë të një artisti të rrallë, që kishte dijen e kulturën dhe talentin për të prodhuar perla të muzikës sonë”

Halil Rama

Sakip Cami