Muharrem Bajraktarit, s’ka lumë që t’i lajë tradhtitë

2680
Për Muharrem Bajraktarin janë shkruar disa libra nga Halit Vata, Petrit Palushi e Nazif Dokle. Në 1994 Berisha e shpalli “Pishtar të demokracisë”, Këshilli Bashkiak emërtoi sheshin “M. Bajraktari”, Këshilli i Qarkut e shpalli qytetar nderi, ndërsa u vlerësua në një emision në Top Chanel. Të reabilitosh dhe t’i thurësh lavde një krimineli do të thotë se ose të kanë detyruar, ose ke shtrembëruar të vërtetën historike. Kuksianët i kanë nderuar të rënët për liri, por jo vrasesit e tyre. M. Bajraktari s’ka qenë patriot, por tradhtar dhe kriminel me damkë. Nuk zbrasi asnjë pushkë kundër italo-gjermanëve, por bashkëpunoi me ta. Nuk mori pjesë në çlirimin e Kukësit, por u ktheu pushkën partizanëve. Te Kulla e Lumës, në 1965 ishte ngritur lapidari madhështor kushtuar 26 dëshmorëve shkodranë, pushkatuar më 19 shtator 1944 nga gjermanët. Në shkurt 2010, pas 45 vjetësh lapidari u hodh në liqen. Ky ishte veprim vandal, i dhimbshëm, i pabesë, vrasje e dytë e dëshmorëve. Veteranët e LANC dhe familjet e dëshmorëve kanë protestuar, por hesht Tirana, heshtin organet e drejtësisë e të policisë, hesht Prokuroria që nuk filloi çështjen penale për dhunuesit e kujtesës kombëtare. LANC, nisur nga platforma kombëtare, në bazë të vijës së saj të bashkimit të të gjithë shqiptarëve pa dallim klasash, idesh, përkatësisht fetare e krahinore i shtriu dorën e bashkimit bajraktarit të Lumës, duke i bërë të qarta qëllimet e LANÇ, luftën kundër pushtuesit dhe i duke i bërë thirrje që të hiqte dore nga qëndrimi armiqesor ndaj LANÇ. 
Takimet me Bajrakatarin
Në Gusht 1942, në katundin Ujmisht, Qenam Prishtina, Dali e Esat Ndreu u takuan me Bajraktarin. Bisedimet zgjatën një ditë e një natë, por ai nuk pranoi asgjë dhe shfaqi dyshime për luftën partizane. Në nëntor 1942 në Gur-Reç, në shtëpinë e Taf Laçit është bërë takimi midis Ramadan Çitakut, Haxhi Lleshit, Dali e Esat Ndreut dhe Muharrem Bajraktarit. Pikëpamja e Muharremit ishte se duhej pritur, nuk ka ardhur koha dhe se Italia është e fortë. Në gusht 1944, në fisin Dacaj të Zall Kalisit u takuan Hysni Kapo, Haxhi Lleshi, Dali Ndreu, Muharrem Bajraktari dhe Tasim Spahiu. Muharremi mbajti qëndrim armiqësor dhe kërkoi që partizanët të mos hynin në Lumë. Për të pakësuar efektin e shtimit të lëvizjes, për të penguar pjesëmarrjen e popullit dhe për të sabotuar LANÇ më 22 shkurt 1943 Bajraktari, Kaloshi e Dine krijuan pengesa për të mos hyrë partizanë në fshatra. Më 22 gusht 1943 Mit’hat Frashëri dhe Ali Këlcyra takohen në Ujëmisht me Bajraktarin dhe bashkë shkojnë në Lurë. Aty bëhet mbledhja e krerëve të Ballit, ku marrin pjesë Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, Hysen Dema dhe Paria e Lurës. 

Në radiogramin e Dali Ndreut me nr.42, dt.31.08.1944 dërguar Shtabit të Përgjithshëm lexojmë: “Me Bajraktarin u takuam dje. Ai nuk pranon të hyjë në FANÇ dhe nuk e njeh KANÇ dhe pushtetin. Organizoni popullin e Lumës dhe Malësive të Veriut në lidhje me Kryezinjtë dhe Bajraktarët me parullën kundër okupatorvë. Bajraktari është armik i LANÇ. Kalimi në Lumë është i domosdoshëm”. Komandanti suprem i UNÇL, i dërgon këtë radiogram gjen-major Dali Ndreut, ku thuhet: “Hidhni një trakt popullit të Lumës, ku t’i thuhet se Muharremi u ftua të bashkëpunojë kundër gjermanëve dhe ai refuzoi. Këdo që do të pengojë në veprën tonë çlirimtare ne e konsiderojmë armik. Thërrisni popullin të bashkohet kundër armikut dhe gjithë atyre që e kanë gënjyer. Pastaj vazhdoni punën ose e detyroni Muharremin të nënshtrohet ose e demaskoni dhe e ndiqni për ta kapur sipas situatës që do të krijohet”. Populli kuksian dha besën FANÇ dhe hodhi në radhët partizane 2400 djem e vajza, duke marrë pamjen e një orteku. 
Braktisja e Bajraktarit
Bajraktari u braktis nga të gjithë, madje edhe nga nacionalistët. Ai ka qenë me disa flamuj, punonte për të qenë i pari i vendit. Bashkëpunonte me këdo, mjaftonte ta njihte për të parë. Ai ndenjti nën hijen e bajonetave gjermane. U përpoq të sabotonte formimin e Brigadës 24 S. Ka patur lidhje të ngushta me fashistët italianë, me SIM-in dhe ka mbajtur lidhje me gjeneralin çetnik Drazha Mihajlloviq, ka qenë mercenar i Zogut, ka mbështetur kryengritjen për rrëzimin e qeverisë së Nolit, mori pjesë në vrasjen e Bajram Currit. Ai njihet botërisht nga kukësianët si vrasës i njërit nga udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, atentator i telegrafistit të Mehmet Ali Pashë Mangjarit në 1878, patriotit të madh Ramadan Zaskoci. Bajraktari vrau komandantin e batalionit të IV në vitin 1945 në Shënmri, Gafurr Mehmetin; vrau më 1944 Hysen Çinon, Hero i Popullit, vrau më 1946 Hasan Kerxhaliun. 

Por aktin më makabër, gjakatar, monstruoz e tradhtar, Bajraktari e organizoi me masakrën në Buzmadhe kundër partizanëve çlirimtarë të Brigadës V S duke vrarë në pabesi 47 partizanë dhe duke plagosur 50 të tjerë. Prej tij u vranë në Kalanë e Dodës me dhjetra djem e burra që kishin shpëtuar nga kampi nazist i Burrelit, mes tyre edhe Hajdar Dushi. Si u çlirua Kukësi nga Brigada e 18-të S, u dha urdhëri për çlirimin e Mirditës. Më 22.9.1944 në Mirditë, në shtëpinë e Gjon Pushës organizohet mbledhja ku marrin pjesë: Gjon Marka Gjoni me të birin Markun, Mit’hat Frashëri, Ibrahim Bicaku, Muharrem Bajraktari, Preng Previzi, krerët e bajraktarët e Mirditës, Kthellës e Kurbinit të ndihmuar edhe nga një oficer i misionit anglez me Maklinin në krye. Qëllimi ishte grumbullimi i gjithë forcave dhe mjeteve kundër LANC. Këto do të kishin dhe ndihmën e bandave të Shqipërisë së Mesme si ato te Irfan Ohrit, Musa Picarit e Hamit Matjanit. Por mbledhja dështoi se populli i Mirditës askuj nuk i besoi dhe u rreshtua përkrah Bardhok Bibës. Bajraktari është përgjegjës për vrasjen e heroinave të Mirditës. 
Rrebelimi kundër pushtetit
Shqipëria u çlirua më 24 Nentor 1944, por një vit më vonë Bajraktan vendosi të përmbys pushtetin popullor me kryengritje të armatosur. Për këtë, në shtator të vitit 1945, në Qam të komunës Malzi organizoi një mbledhje ku morën pjesë 100 forca, të arratisur politikë, krerët më në zë të reaksionit shqiptar si Nik Sokoli, Mark Tungji, Mark Malaj, Gjergj Vata, Mal Shabani, Nikoll Deda etj. Pas diskutimeve u vendos që Bajraktari të jetë komandant i operacionit. Të formoheshin 25 batalione me 6 regjimente si ai i Lumës, Malësisë, Pukë e Dukagjin, Shala, Mirdita e Dibra. Gjithashtu u emëruan komandantët, u komunikuan gradat, shpërblimet dhe u miratua plani i mësymjes së përgjithshme në tre etapa. Bajraktari deklaronte me të madhe se anglo-amerikanët do ta mbështesnin kryengritjen me çdo mjet dhe se populli do të ngrihej në luftë. Mbledhja dështoi me turp. Asnjë pushkë nuk u zbraz. Edhe vetë nacionalistët nuk e mbështetën. Atëhere Bajraktari e kuptoi se nuk gëzonte respekt, as autoritet dhe nuk e ndjek më askush pas, ndaj mendoi të dorëzohej ose të arratisej. Po të dorëzohej ishte i bindur se do të jepte llogori me kokë para organeve të drejtësisë, për krimet që kishte bërë. Për të shpëtuar kokën ndoqi rrugën e arratisjes. Bëri planin, grumbulloi rreth vetes 56 reaksionarë dhe më 26 gusht 1946 niset nga Lera e Sorrave drejt Maqedonisë për Greqi. Atje mbërriti me 25 veta, madje shumica të plagosur se të tjerët iu vranë. 

Nga Kukësi përveç vëllait Bajramit dhe djalit Esati, e ndoqën 13 veta: Nishat Bilali, Avdi Rakipi nga Bicaj, Asllan Zeneli nga Gostili, Haziz Gashi nga Nanga, Ramadan Elezi nga Shtiqni, Miftar Spahiu nga Kolesjani, Nebi Seda nga Arrni, Han Kotarja e Hashira Cena nga Kalisi, Liman Peposhi dhe Tahir Vata nga Surroi dhe Iliaz Peka nga Kruma, të cilët kukësianët i njohin fare mirë se kush kanë qenë dhe sa iu ka vlejtur lëkura. Pastaj ai ka vazhduar veprimtarinë armiqësore edhe në mërgim deri sa vdiq dhe u varros në Bruksel më 23 janar 1989. Pra Bajraktari ka kryer masakra monstruoze kundër popullit e LANÇ e tani duan ta bëjnë hero. Por hero nuk bëhet kurrë krimineli. Edhe pse kanë kaluar mbi 70 e ca vjet, kuksianët nuk i hanë vlerësimët që u bëhen vrasësve të dëshmorëve. Për Bajraktarin si kriminel ka dokumenta arkivore të pakontestueshme se krimet e tij e të bandës së vet i ka jetuar populli kukësian dhe shumë partizanë që sot janë veteranë. Ne brezi i moshuar, që dje bëmë luftën dhe rindërtuam Shqipërinë e shkatërruar, nuk mund të lejojmë të nëpërkëmben sakrificat dhe gjaku i derdhur, të nëpërkëmbet figura e veteranit, invalidit, dëshmorëve dhë heronjve të LANC dhe të vlerësohen kriminelët e tyre. Në një shtet demokratik dhunuesit e historisë dhe të simboleve të LANC duhet të dalin para gjyqit. Të përgjigjen para ligjit dhe të japin llogan para popullit, se edhe durimi ka një kufi. Zëri i dëshmorëve është zë perëndie, se me gjakun e tyre ushqehet e mbijeton kombi ynë
Sigal