Mozaik kujtimesh për Pr. Nedim Vlorën, nipin e Ismail Qemalit

1032
Sigal

Ka njerëz që duan t’i ngatërrojnë ngjarjet dhe idetë edhe për Skënderbeun edhe për Ismail Qemalin

 Si një publiciste vlonjate sa herë që kam dilema për ndonjë problem historik hap librat e vjetër të shumë pinjollëve të familjes Vlora, të cilët dikur si zotërues e administratorë të Vlorës i kanë dokumentuar territorin dhe ngjarjet e lidhura me to. Një nga këta libra domethënës është dhe ai i Pr. Nedim Vlora i titulluar “Familja Araniti Komneni Vlora” i botuar në Bari në vitin 2002. Ky libër m’u dhurua nga vetë autori, Pr. Nedim Vlora profesori i Universitetit të Barit Itali dhe njëkohësisht nipi i Ismail Qemal Bej Vlorës. Profesor Nedim Vlorën e takova në nëntor të vitit 2008 në mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria” në një sesion shkencor kushtuar 100- vjetorit të shkollës së parë shqipe në Vlorë.  Kisha kohë që po rrekesha të shkruaja një shkrim për Ditën e Flamurit që tua nisja gazetës “Illyria” dhe “Ndryshe”, të cilat i kushtonin faqe të veçanta kësaj ngjarjeje madhore.  Mbaj mend që dy profesorë të universitetit “Ismail Qemal Vlora”, Bilal Shkurti dhe Bardhosh Gaçe më thanë se do të më prezantonin me “një bibliotekë lëvizëse” , pra me një personalitet, të cilit do t’i bëja një intervistë.  Dua të shtoj se profesori Nedim Vlora, ngaqë jepte leksione në atë kohë në Universitetin e Vlorës dhe kishte vështirësi në gjuhën shqipe mbante si përkthyese dhe asistenten e vet Dr. Savina Bari, me të cilën kishte dhe lidhje familjare. Kur e pashë të them të drejtën pata një emocion të fortë sepse ngjashmëria me Ismail Bej Vlorën ishte mahnitëse.

Po risjell disa pjesë të kësaj interviste të botuar më 28 Nëntor 2008:

Po të ishe në vend të politikanëve si do ta festoje  28 Nëntorin?

Natyrisht në Shesh të Flamurit, me popullin, me koncerte, por edhe duke organizuar konferenca ndërkombëtare të mirëfillta shkencore-historike, t’u bëhej e ditur të gjithëve se pse u bë pavarësia, si u bë dhe kush ishte strategu i saj si dhe mbështetësit e tij. E kam thënë edhe herë të tjera, jo si pasardhës, por si historian, edhe në një konferencë në Bari se është e rrallë që të gjesh një politikan që përpara se të vdesë t’u thotë fëmijëve: Unë po ju lë atdheun, jo pará. Sot politikanët u thonë fëmijëve : Unë po u lë një thes me pará, por nuk po u lë atdheun. Pra, një personazh i ardhur nga shtresa të larta shoqërore, me princër e pashallëqe, për të bërë shtetin, për të siguruar atdheun heq dorë nga gjithçka. Ndoshta ka kaluar një shekull, por nuk e di se sa njerëz janë gati ta bëjnë këtë sot. Kjo gjë është tipar i familjes Vlora, i atyre që janë me të vërtetë Vlora, pasi këtë mbiemër e kanë mbajtur dhe ndoshta e mbajnë dhe ata që s’janë Vlora.

Mund të ma shpjegoni këtë më saktë dhe lidhjen tuaj të vërtetë me Ismail Qemalin?

Atëherë: Ismail Qemali djalin e tij të parë e kishte me emrin Nedim, i biri i parë i Nedimit ishte Ismail Qemal –Galip Aleksandër -Vlora i Dytë që ishte babai im dhe unë jam Nedim Vlora i dytë, djali im është Aleksandër-Ismail Qemal –Vlora i tretë. Pra, sipas ligjit salitik të gjakut, merret i parëlinduri, unë jam direkt i parëlinduri i nipërve dhe stërnipërve të Ismail Qemalit. Unë e kam mbiemrin Vlora pasi ka një vendim të Gjykatës së Nicës, sepse babai im ka lindur në Nicë, si dhe hallat e mia Suzan dhe Polette Blanche të kishin mbiemrin Vlora. Babai e hoqi titullin Bej mbas Luftës së Dytë Botërore dhe mbeti Vlora. E mbajmë mbiemrin Vlora me krenari, dinjitet dhe me të drejta të plota gjaku. Tani është vendosur e përhapur ky mbiemër me të drejtë dhe pa të drejtë, me vendime a pavendime gjyqësore.

Ç’do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që ka njerëz që ndërrojnë emrat dhe mbiemrat si u do qejfi dhe interesi, kanë apo s’kanë lidhje gjaku direkt me Ismail Qemal bej Vlorën apo djemtë e tij. Këtë mund ta bëjnë edhe për arsye  “marketingu”, siç donin për shembull ta heqin për arsye“marketingu”, nga Universiteti i Vlorës, apo siç kam dëgjuar edhe për ndonjë personazh tjetër të rëndësishëm të kombit shqiptar…

Mos doni të aludoni për Skënderbeun?

Pikërisht. Ka njerëz që duan t’i ngatërrojnë ngjarjet dhe idetë edhe për Skënderbeun. Nga pikëpamja historike, por ama vetëm dhe rreptësishtë historike, duke parë dokumentet, Skënderbeu, ashtu si gjithë personazhet e rëndësishëm historikë, duhet studiuar, por këtë gjë duhet ta bëjnë vetëm historianët dhe vetëm në kontekstin e kohës. Këtu diskutimi bëhet ndryshe, nga historik kthehet në politik. Për shembull që tek Flamuri. Flamuri Kombëtar është ai i familjes Arianiti, por fusha është e modifikuar duke vendosur ngjyrën e kuqe të familjes së tij. Skënderbeu, është një nga baballarët e kombit shqiptar, ka pasur dhe të tjerë që kanë luftuar para tij për pavarësinë si Gjergj Arianiti, por Skënderbeu ishte i fundit prej plejadës që bëri luftën më të ashpër. Bashkimi i tij me Arianitët me martesën me Donikën bëri bashkimin e principatave shqiptare dhe më tej formësoi kombin. Por edhe Skënderbeu, para se të ishte mbret, ishte njeri. Si njeri dhe si personazh edhe Skënderbeu ka dritëhijet e veta si çdo udhëheqës i fuqishëm i çdo kombi, por nuk duhet abuzuar as politikisht dhe as privatisht me të.

Si profesor historie, ç’nënkuptoni me abuzim?

Për shembull, disa vite përpara u paraqit para meje një tip, një djalë i ri, i cili mu prezantua si një trashëgimtar i Skënderbeut. Në fakt, ai nuk ka trashëgimtarë, të gjithë janë të rremë. Por, meqë Skënderbeu është një gur kilometrik nga ana historike, ai as nuk mund të thyhet dhe as të baltoset për të shitur ndonjë libër siç kanë bërë disa autorë, që duan të bëhen të njohur duke goditur ata që janë bërë mite dhe shtylla të kombit, pasi në perëndim është shfaqur një sëmundje që siç duket ka prekur edhe Shqipërinë:  të shkatërrojë gjithë mitet, pasi duke rrëzuar apo shkatërruar ato, vetë autorët kthehen në mite.

……..

Meqë po flet për Kosovën si nip i Ismail Qemalit, si u ndjeve në ditën e Pavarësisë së saj?

Dua të them se kur doli UÇK-ja për të luftuar, unë isha në Bari dhe pashë shumë djem që niseshin në luftë, unë doja të nisesha me ta…(fillon të lotojë…)

Më fal zoti Nedim, përse po lotoni?

Kur i thashë një djali nga Kosova se edhe unë dua të vij me ty, ai më tha përqafomë fort, më uro fat që ne të kemi pavarësi si ajo që shpalli Ismail Qemali, se lufta është për të rinjtë, është në male, jo për moshën tënde. Dhe unë përherë lotoj se gjithmonë do dalë diçka kundër meje. Këtë radhë ishte mosha. Mijëra vite histori nuk mund të fshihen me një të rënë të lapsit, me anë të diktaturës së imponimit që bëri Europa në 1913 dhe pastaj me anë të ditirambeve, e diktatorëve të paskrupuj si Milosheviçi e bashkëpunëtorët e tij dhe të atyre që vazhdojnë të thonë se Kosova është Serbi. Unë si historian kam një pyetje për ta: Ku ishte Serbia mijëra vite përpara, kur lulëzonte Dardania dhe çfarë fisesh kishte ajo?!! Unë kam një shkrim të gjyshit tim Ismail Qemali që thotë: Unë jam kosovar, kështu që jam shqiptar, për të thënë se Kosova është Shqipëri dhe Shqipëria nuk mund të kuptohet pa Kosovën, zemrën, palcën e Shqiptarisë.

E ke këtë dokument akoma?

Natyrisht, është e shkruar në frëngjisht, është një fashikull i shkruar me shkrim dore dhe si ky material kam dhe shumë të tjerë. Për këto dokumente i kam shkruar Sali Berishës një letër rekomande, por nuk mora përgjigje. Herën e dytë i kam dërguar letër nëpërmjet ambasadave, por as këtë radhë asnjë përgjigje. Pastaj e nisa nëpërmjet konsullatës në Vlorë dhe atëherë erdhi përgjigja. Ajo që kërkova nuk ishte asnjë lloj pasurie, nuk ishte as një metër katror tokë nga 13 mijë hektarë tokë, shtëpi, saraje, as pjesë nga Sheshi i Flamurit, pronë e gjyshit tim. Unë kërkova një shtëpizë për të vendosur gjithë dokumentet, letërkëmbimet me Sulltanin me filigrame, certifikata lindjesh, letërkëmbime me personalitete të ndryshme, kontratat e qirave të shtëpive ku ka jetuar Ismail Qemali kur gjatë Luftës së Parë Botërore shkoi në Barcelonë, kur mbas dorëheqjes shkoi në Nicë, etj..

Po flisnim për Kosovën, si e përjetove 17 shkurtin, ditën e Pavarësisë së saj?

Ishte një ditë shumë emocionuese për mua. U mallëngjeva, kur Hashim Thaçi firmosi aktin që u shfaq në tërë televizionet e botës. Duke lotuar, me duart që më dridheshin nga emocioni shkova në postën e Barit dhe doja të dërgoja një telegram për atë dhe për Presidentin e Republikës, zotin Sejdiu. Mbas dy ditësh mu rikthye telegrami, duke më thënë se nuk kemi komunikacion me Kosovën dhe kështu që nuk e dërgova, por do ta gjej rastin.

Po sikur të mi jepje mua t’i botoja të shkruara ashtu, me dorën tënde?

Sigurisht, ja, kam disa kartolina të Vlorës, po i shkruaj me shkrimin tim…

Siç po shoh, paske edhe një kartolinë për familjen Jashari…

Po. Më ka tronditur shumë vetëflijimi i asaj familjeje, lufta që ata bënë dhe vdekja e Adem Jasharit duke kënduar himnin kombëtar. Familje si kjo, ku vetëflijohen gjyshër, bij e nipër, tregojnë se sa e madhe është dashuria dhe vetëdija kombëtare. Ka disa familje të mëdha shqiptare dhe mënyra të ndryshme vetëflijimi për kombin. Familje e tillë ishte edhe ajo e Gjergj Kastriotit që për një çështje të madhe u vetëflijua duke lënë më pas trojet e duke shkuar në mërgim, si ajo e Ismail Qemalit që shkriu gjithçka e varfëroi tërësisht familjen. Djemtë iu kalbën burgjeve nga Sulltani dhe nga komunizmi, njëri prej tyre ka vdekur në Maqedoni, një hallë ka vdekur emigrante në Kanada. Ka qenë një moment kur gjyshja për të mbijetuar ka shitur edhe një tabaka floriri me diamante që ia kishte dhuruar Francesco Giuseppe. E respektoj shumë familjen Jashari dhe të gjithë ata që japin jetën për kombin janë po aq të respektuar sa Ismail Qemali. Veprimet e mira të shumë njerëzve bashkë, bëjnë kombin.

A të duket një koincidencë hyjnore lindja e tij më 28 Nëntor?

Po, ka disa koincidenca të tilla. Ai e deshi shumë Atdheun duke e njohur mirë këtë datë, e kuptoi se çdo të thotë Pavarësi, ndaj luftoi për të. Mua më pëlqen fakti që edhe djali im  Aleksandër-Ismail Qemal –Vlora i tretë, jeton në Bari,  në rrugën “Gjergj Kastrioti”. Duket se kjo lidhje na ndjek kudo të gjithëve. Madje në Bari është edhe vendi ku ka jetuar Luigj Gurakuqi, edhe vendi ku e vranë… Më vjen mirë që Adem Jashari është “Qytetar Nderi i Vlorës”, po ashtu dhe Thaçi, i cili kur erdhi në Vlorë i vendosi kurorë gjyshit tek Varri i tij.

Si u ndjeve në atë moment?

Unë e pashë në televizor, por natyrisht i emocionuar. Thaçi me sa kam dëgjuar është historian, por edhe një njeri që ka luftuar për Kosovën. Ai luftoi dhe po përpiqet për të ndërtuar një shtet të lirë dhe sovran dhe e ka kuptuar se sa e vështirë është kjo rrugë, ai e di që gjyshi im edhe mbasi e dorëzoi qeverinë nuk pushoi së punuari për Shqipërinë.

Po Flamuri i Kosovës si të duket?

Të mos i ngatërrojmë gjërat. Bëhet fjalë për një flamur shtetëror dhe jo kombëtar. Mua më interesonte pavarësia në fillim, në këto momente duhet konsoliduar pavarësia dhe shteti. Natyrisht, do të doja një flamur dhe bashkim me Shqipërinë, por për momentin do të sillte jo zgjidhje, por probleme, sepse Ballkani do të rebelohej, do të thonin që ju kërkoni Shqipëri të madhe që në fakt ajo është Shqipëri natyrale apo etnike. Këtë gjë do ta kërkonte edhe Greqia duke kërkuar bashkim me Qipron greke apo me pretendime të tjera të saj në Turqi, po kështu dhe Bullgaria. Europa do integrim dhe unë mendoj se gjithçka bëhet në momentin dhe kohën e duhur, shkallë-shkallë se ka disa forca transversale që vendosin disa veto. Por natyrisht duhet integruar fillimisht brenda vetes pastaj me Europën.

Po gjyshi juaj ka folur për vetëvendosje, ju jeni kundër?

Unë jam me mendimin e gjyshit tim, por shikoj dhe kontekstin e kohës. Ismail Qemali e bëri këtë kërkesë në Konferencën e Ambasadorëve, ku kërkoi që në vendosjen e kufijve të Shqipërisë të përfshiheshin të gjitha trojet etnike ku jetonte një popull me gjuhë e gjak shqiptar. Këtu futej Kosova, pjesa shqiptare e Malit të Zi, e Maqedonisë dhe Çamëria. Të mos harrojmë që ai studioi në Janinë, në trojet dhe tokat e tij.

Ju flisni për troje përgjithësisht apo keni pasur prona në Janinë?

Duke qenë trashëgimtar i Gjergj Arianitit natyrisht ka pasur trojet e tij në despotatin e Epirit. Epiri është vetëm një. Nuk ka dy Epire: një i Jugut dhe tjetri i Veriut siç thonë grekët. Ka vetëm një Epir Shqiptar dhe është tërësisht tokë shqiptare. Edhe kjo është e drejtë historike e shqiptarëve, mirëpo do hapeshin shumë orekse të vendeve të tjera dhe do kishte destabilizim. Çamët duhet të kthehen në trojet e tyre, ata kanë të drejtën e pronës që bën pjesë në të drejtën e lirisë së njeriut. Ndërsa për sa i përket 30% të shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre etnike në Maqedoni, në se ka dallime të theksuara ndërmjet etnive, shqiptarët mund të kërkojnë federatë dhe të vetëqeverisin secili për hesap të vet federatën dhe së bashku gjithë shtetin si Zvicra ku ka gjermanë, francezë dhe italianë.

Me që po flisnim për Maqedoninë, ç’mund të na thoni për Kongresin e Manastirit?

Nga shënimet që kam nga Ismail Qemali, apo informacionet e familjes kuptoj se ai ka qenë një filo-perëndimor dhe di që edhe në hapjen e Shkollës së Parë Shqipe në Vlorë më 1908, ai ka dhënë porosi për alfabetin latin dhe ishte pikërisht alfabeti i njërit prej vëllezërve Frashëri, që kryesonte Kongresin e Manastirit, që u vendos në këtë shkollë. Madje, edhe këtu në Vlorë ka mundësuar ardhjen e dy mësuesve patriotë, njëri prej të cilëve ishte delegat i mandatuar në Kongres sepse Vlora ka pasur disa delegatë. Unë kam parë dokumentet e Ismail Qemalit, letërkëmbimet e tij me Sulltanin, në qëndrimet e tij në lidhje me Rusinë, duke i thënë se ajo donte të arrinte në Mesdhe në bashkëpunim me serbët. Ai nuk donte germa turke, as cirilike, ai ngulte këmbë për germa latine sepse ishte iluminist si francezët dhe praktik si anglezët apo amerikanët.

Ç’do të thotë ky kombinim?

Që Ismail Qemali me iluminizmin dhe diplomacinë e tij dinte të bënte vepra praktike. Ai iluminizmin e tij, mendjen e tij, diti ta bashkojë me armët dhe kryengritjet e shqiptarëve. A nuk ju duket e tillë lidhja e tij me Isa Boletinin, me trimin e Kosovës dhe të krejt kombit shqiptar? Ai zgjodhi ata njerëz që mbështetën idenë e tij, idenë e pavarësisë, kishin apo s’kishin erudicionin e tij. Ky ishte dhe ndryshimi i tij me Rugovën, të cilit kur i ndjeri ishte gjallë, ia kam thënë në sy disa herë.

——–

Mbas kësaj interviste unë i premtova Pr. Nedim Vlorës se do të jemi në Kosovë në njëvjetorin e Pavarësisë.  Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Unë shkrova reportazhin “Në Kosovë me pasardhësit e apostujve të shqiptarisë”. Po shkëpus disa çaste nga ky udhëtim mbresëlënës.

“Duket se atë agim shenjëzat në qiell ndritnin rrugën ku rreth 100 vetë shkonin për festime. Dikur gjyshërit e stërgjyshërit e tyre shkonin drejt jugut për tu bashkuar në Vlorë në Kuvendin e Madh, tashmë rruga ishte drejt veriut, për t’u bashkuar në Prishtinë, në festën e përvjetorit të parë të Pavarësisë. Në qiell bashkë me shenjëzat na ndiqnin shpirtndriturit që punuan për mëmëdheun e na lanë stafetën, ne bijve të tyre. Në vitin 1912, Veli Gërra, nga Çamëria, i njohur si pjesëmarrës e drejtues në kryengritjet anti-osmane të Çamërisë kundër pushtuesve turq e shovinistëve grekë, mori pjesë si delegat i Çamërisë në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, përkrah Ismail Qemalit. Ndërsa tani, afër një shekull më vonë, nipi i tij, Dashamir Tahiri (Gërra) një sipërmarrës i suksesshëm në Vlorë, merr përsipër financiarisht këtë udhëtim, dy herë rresht për në Kosovë, më 17 shkurt 2008 e 2009. Tashmë, në vitin e parë të pavarësisë së Kosovës, me këtë grup të nisur nga Vlora, me djem e vajza nga Labëria e Çamëria, është dhe nipi i Ismail Qemalit, ardhur enkas nga Italia, Pr. Nedim Vlora. Ai ka emocion. Kosova është për të një vend i shenjtë, është pema e shqiptarisë me rrënjë gjaku. Aty, në Koman, para se të hipnim të gjithë në traget, një moment dukej se ishte i mbuluar me rreze dielli, me rrezet e diellit Aurelian, që i bekoi ilirët në shekuj….

Aty, në qendër, grupi u prit nga drejtuesit e Qendrës Kulturore dhe Kryetari i Komunës Mitrovicë, zoti Bajram Rexhepi, i cili pasi uroi mirëseardhjen e ftoi grupin të marrë pjesë në koncertin “Homazh për 1 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. “Vijmë në këtë 1 vjetor të mëvetësisë së Kosovës, të arritur me një mal me sakrifica, me këtë homazh. Si në çdo qendër komunale të Kosovës edhe këtu në Mitrovicë, ne kemi organizuar festimin e njëvjetorit dhe ndihemi shumë të nderuar që midis nesh kemi nipin e Ismail Qemal Vlorës, Nedim Bej Vlorën! Na nderon grupi i valleve të Çamërisë, na nderon grupi i bilbilave të këngës labe me në krye Tomorr Lelon, nipin e Zigur Lelos, bashkëluftëtar i Isa Boletinit!”- thotë Kryetari i Komunës Mitrovicë, zoti Bajram Rexhepi, i cili ka qenë dhe Kryeministër i Kosovës pas luftës.

Pastaj fjala iu dha Pr. Nedim Vlora, i cili përsëriti shprehjen e gjyshit të tij : Jam Kosovar, prandaj jam shqiptar! Salla e Qendrës Kulturore të Mitrovicës shpërtheu në duartrokitje dhe njerëzit u ngritën në këmbë. “Në kohën kur Isa Boletini diskutonte me Ismail Qemalin që si do të bëhet me Kosovën dhe Çamërinë, Ismail Qemali i tha: Do të bëhet patjetër biri im, por edhe po s’arritëm ne, djemtë, nipërit dhe stërnipërit tanë, këtë Flamur do ta ngrenë edhe në Prishtinë, edhe në Mitrovicë edhe në Janinë”-vazhdoi fjalën e tij Pr. Vlora dhe shumë nga të pranishmit në sallë lotuan. Një nga nipat e Isa Boletinit, dridhej i tëri nga emocioni tek përqafohej me Nedim Vlorën, fytyra e të cilit ishte shëmbëlltyrë e gjallë e gjyshit të tij, aq sa dukej se po përqafohej me Ismail Qemalin vetë. “Sa e kam pritur këtë ditë, por do të vish, je i ftuar kur ne të ngremë shtatoren e gjyshit tim, Isa Boletini” – i thotë me sytë që i rrëzëllitnin nga lotët.

…. E nesërmja na gjen në golgotën e re shqiptare, në Prekazin e Jasharëve. I tronditur kur sheh varret e 13 fëmijëve dhe gjithë atë kodër që makineria ushtarake serbe e ktheu në një fabrikë kufomash të pafajshme, shoqëruar gjatë gjithë kohës nga Kryetari i Komunës Mitrovicë, zoti Bajram Rexhepi, i nipi i Ismail Qemalit futet në shtëpinë e Adem Jasharit ku pritet nga i vëllai i tij Rifati. Është një dhimbje që nuk ka fjalë që të shprehet. “Jam shumë i nderuar që më keni ardhur sot këtu”- thotë Rifat Jashari, ndërsa Nedim Vlora i thotë se, “të nderuar jemi ne pasi ju, familja juaj, ka nderuar kombin me aktin që kreu”. Ndërsa Tomorr Lelo, nipi i “Heroit të Popullit” Zigur Lelo, i rënë në Luftën e Vlorës, e bëri përshëndetjen me një boritje-vajtim lab, aq sa dukej se tundeshin muret e shtëpisë e lëvizte dheu në varret e kodrës përballë : “Na ka çu Smail Qemali / Ku ndodhet Adem Jashari / Tundu dhe ngrihu nga varri / Tash u krye ideali / Vulosur me gryka zjarri / Ta gëzojmë djalë pas djali.” Sytë e të gjithë ishin mbushur me lot. Bajram Rexhepit, iu drodh buza, lotët i shkisnin ngadalë teksa bëri me shenjë për tu ngritur. Ndalesa tjetër ishte tek Varrezat e Dëshmorëve të Mitrovicës ku preheshin 72 djem të rinj, lulja e djalërisë, të vrarë në luftën e fundit nga mosha 16 – 28 vjeç.

Pr. Nedim Vlora në nderim të komunitetit çam

Në 27 qershor 2009 unë u ndodha në Qafë Botë dhe gjatë gjithë kohës kam udhëtuar me Pr. Nedim Vlorën dhe Savina Barin. Duhet një libër i tërë për të shkarkuar kujtimet mbi të, por unë po risjell shkurtimisht një pjesë të reportazhit tim “Moj e bukura Çamëri, motra pa liri”:

 Një ditë para përkujtimit të gjenocidit të madh të çamëve, teksa shkonim me makinat kolona njëra pas tjetrës në Delvinë, mbi majat e kodrave të ulëta të Çamërisë së mbetur brenda trungut amë, shikonim se si shtriheshin shtjellat e mjegullës së palëvizshme që dukej se po dremiste bashkë me dremitjen e rënkimin 65 vjeçar të Çamërisë. Bashkë me një grup intelektualësh çamë, aktivistë të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, parti e cila mbron të drejtat e komunitetit çam dhe ka për qëllim parësor kthimin e këtij komuniteti në tokat e tij stërgjyshore, është dhe zoti Sali Bollati –Kryetar i Lidhjes Çame në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjarë të tij. Makinat janë me targa të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, por ka shumë që kanë thjesht targën : ÇAMËRI, sikur ajo të jetë një shtet, apo vilajet më vete ashtu siç ishte gjatë gjithë shekujve në Epirin Ilirian. Për të ndihmuar një nga djemtë çamë, kandidat i PDI, për në parlamentin shqiptar, nga Italia ka ardhur Pr. Nedim Vlora, i cili thotë se “nuk më interesojnë partitë politike as majtas, as djathtas, por problemi i Çamërisë është problem kombëtar. Përveç kësaj kam dhe një detyrim familjar. Ashtu si Veli Gërra delegat i Çamërisë në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, erdhi dhe ndihmoi gjyshin tim Ismail Qemal bej –Vlorën në momentet më të vështira që kalonte ai bashkë me atdheun, edhe unë po ndihmoj nipin e tij Dashamir Tahirin, i cili do të përfaqësojë në Parlamentin Shqiptar komunitetin çam të Vlorës.”!

… Ishte një procesion njerëzor që përbëhej nga pleq që mezi mbaheshin në këmbë e deri tek fëmijë të mbështjellë me shpërgënj. dhe himni i këtij karvani ishte një këngë e vendosur në një altoparlant makine që të bënte të mendoheshe : “Çamëri, moj Çamëri / Na mbeti loti në si.” Në një podium të improvizuar afër doganës së Qafë Botës, ku rrinin pranë e pranë në shtyllë flamuri shqiptar, ai grek dhe ai i komunitetit evropian folën për këtë ditë përkujtimore me shumë emocion shumë të ftuar. “Ne nuk duam ndryshim kufijsh, por duam që për komunitetin çam të zbatohen të drejtat më elementare njerëzore, që janë : e drejta për tu kthyer në trojet autoktone së të parëve, e drejta e rikthimit dhe e gëzimit të pronës si dhe të drejta të tjera. Duam që ashtu si ky flamur grek qëndron këtu bashkë me tonin, ashtu edhe ai yni të qëndrojë bashkë me atë grek në Çamëri. Pra, ne duam për komunitetin çam të gjitha ato të drejta që gëzon minoriteti grek në Shqipëri”,-tha Pr. Nedim Vlora.”

Kthimi në Himarë

Kut u nisëm nga Saranda për në Vlorë, Pr. Nedim Vlora, tejet i kënaqur që kishte njohur njerëz të thjeshtë që e admironin sikur të ishte vetë gjyshi i tij, po thoshte se donte që ti shënonte të gjithë emrat e këtyre njerëzve. Ajo që i pëlqente më shumë ishte ajo kënga labe “Cili je ti more burrë”, apo dhe këngët që i sajonte aty për aty Tomorr Lelo. Unë i thashë se tani do të telefonoj një njeri tepër të dashur për mua dhe kafen e mëngjesit do ta pimë me të në Himarë. I telefonova princit të polifonisë Lefter Çipa. “- Jam me një mik që do ta pijë kafenë me ty” – i thashë. “- Ka emër ky miku yt moj penëartë?” – më pyeti me shaka Lefter Çipa. I thashë se isha me Nedim Bej Vlorën. “Po ky nuk është mik moj vajza ime,ai është i  zoti i shtëpisë”- më tha Lefteri dhe na priti së bashku me vëllanë e tij Kristo Çipën. Me na aty u bashkuan dhe publicisti Arben Kondi me bashkëshorten e vet. Nëse ka një ndjenjë, apo një mendim që më lindi në kokë ndërsa shihja Lefter Çipën tek bisedonte me Pr. Nedim Vlorën ishte se kisha para vetes dy njerëz të mëdhenj njëri që e kishte shkruar historinë me dokumente arkivore dhe tjetri arshivën e kishte në shpirt, në këngët e popullit, në vargjet e tij të mrekullueshme.

Me profesor Nedimin pata kënaqësinë që të isha e pranishme dhe në pritjen që bëri Presidenti i Republikës Bamir Topi me rastin e 28 Nëntorit. Unë po i përktheja në italisht ato që po fliste presidenti. Për një çast ish Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ktheu kokën nga bezdisja që po i bënte e folura ime. I kërkova ndjesë duke i thënë se po përktheja. Kur mbaroi fjalimi i presidentit ata u përshëndetën me njëri-tjetrin. Sa i tha mbiemrin Imami, Pr. Nedimi i tha se mos je nipi i atij që mbante thesarin e qeverisë Vlora? Zoti Imami pohoi me kokë dhe filloi të tregojë gjithçka që dinte.  Pr. Nedimi ishte i interesuar të mësonte çdo gjë rreth familjes së tij. Ai i ishte mirënjohës zotit Ilir Meta që ishte i vetmi që e kishte ngushëlluar për humbjen e të atit. Madje ai pati dëshirën që të shikonte dhe bustin e Ismail Qemalit që kishte në zyrën e tij Dr. Bujar Leskaj.  Të gjitha këto takime dhe aktivitete me të unë i kam shkuar nëpër gazeta. Madje e kam ndjekur për kënaqësinë time dhe në leksionet që ka dhënë në Universitetin “Pavarësia”.  Ajo që më ka mbetur më shumë në mendje është se i kam thënë njëherë se Vlorajt këtu janë persekutuar shumë, ndërsa ju atje në Itali nuk keni vuajtur dhe aq shumë. “A ka më persekutim se malli, se mohimi i atdheut, kur të afërmit e tu janë vetëmohuar për të/” – kështu më tha Pr. Nedim Vlora dhe unë i kam në mendje fjalët e tij.

Vlerësimi në  “Telegraf”

Pra disa vitesh gazeta “Telegraf” i dorëzoi Pr. Nedim Vlora Certifikatën “Figura e Shekullit” akorduar nga botuesi i kësaj gazete z. Agim Çiraku. Me këtë rast në ambientet e gazetës u zhvillua një ceremoni modeste, por që  për Pr. Nedim Vlora, ishte madhështore. Ai tejet i emocionuar falënderoi botuesin dhe stafin e gazetës për nderin që i bëri veprës së shquar të gjyshit të tij Ismail Qemalit. Kush vlerëson historinë, vlerëson vendin, kulturën, zhvillimin e një kombi theksoi Pr. Nedim Vlora.

Nga Laureta Petoshati