Moikom Zeqo: Skandali i ndërtimeve idiote me beton në Butrint

755
Për arkeologun e njohur kemi të bëjmë edhe me një skandal mendor dhe konceptual. Reagon edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë
Arkeologu Moikom Zeqo ka kritikuar ndërhyrjet e fundit të bëra në Butrint. Duke publikuar edhe një foto të tij në shkallët e teatrit të Butrintit, Zeqo shprehet se është një skandal ndërhyrja me beton. “Skandali i ndërtimeve idiote me beton në Butrint është edhe një skandal mendor dhe konceptual”, shkruan Zeqo, në një koment të shkurtër në “Facebook”. Sipas tij, ministrja Mirela Kumbaro gabon edhe në emërtimin e Butrintit, duke e quajtur atë amfiteatër. “Foto e imja në vitet ’70 të shekullit të kaluar, në teatrin e Butrintit, që ministrja e quan marrëzisht amfiteatër, tregon se arkeologjia ka status të mëvehtshëm, të pakontaminuar nga injoranca dhe oligarkët e betonit dhe politikës skitch në trashëgiminë kulturore. Situatë e mjerueshme, por edhe revoltuese”, shprehet Moikom Zeqo për atë që po ndodh në Butrint.

Për ndërtimin në Butrint ka reaguar edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. “Ndërtimi në Butrint është ligjëruar, licencuar dhe ka mbrojtjen e plotë të ministrisë së Kulturës, e cila ka përgatitur ligjin, udhëzimet dhe është vetë firmosëse e të gjitha lejeve të dhëna. Për këtë qëllim, Forumi dhe të gjithë zërat publikë po kritikon Kumbaron dhe konceptin e saj për zhvillimin e parkut të Butrintit”, thuhet në një deklaratë. Gjithashtu, Forumi ka analizuar edhe disa pika në vijim të seancës në Komisionin parlamentar dhe dokumenteve të publikuara.

1 – Ministrja pranoi se nuk ka përgatitur planin e menaxhimit të parkut të Butrintit, sepse sipas saj nuk ka pasur kohë. Që këtu zbulohet nxitimi i saj për të dhënë një leje për biznes privat, me afat disavjeçar, ndërkohë që në planin e menaxhimit mund të propozohet një zgjidhje tjetër. Kjo i ngjan lejeve abuzive për ndërtime që dhanë për 20 vite kryetarët e bashkive, pa pasur një plan rregullues të qyteteve. Katrahurën urbanistike e vuajmë të gjithë sot.

2 – Ndërtimi i ri që po ngrihet rreth 50 m larg larg teatrit antik (apo amfiteatrit siç e quan Kumbaro) është një bar-kafe private. Këtë e provon edhe projekti i IMK i publikuar nga vetë stafi i Kumbaros “Coffee bar service point”. Ministrja nuk iu përgjigj argumentit të arkeologëve se përse kjo kafe nuk ndërtohet jashtë zonës arkeologjike, ku mund të evitohen dëmtimet ndaj sitit. 

3 – Ligji i trashëgimisë, në nenin 30, pika 3 thekson se “Në zonat arkeologjike “A” është e ndaluar çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor”. Justifikimi i ministrisë është se nuk po ndërtohet objekt i ri, por vetëm rehabilitohet ndërtesa ekzistuese e vjetër. Dokumentet e oficerit të policisë gjyqësore që ka bllokuar punimet më datë 2 tetor, dëshmojnë se objekti ekzistues (shtëpia e arkeologëve) ka një sipërfaqe prej 64 metra katrorë, ndërkohë që dy shtesat e reja zënë rreth 157 metra katrorë të parkut. Pra, “rehabilitimi” zë dy herë më shumë truall se vetë ndërtesa ekzistuese.

4 – U justifikua që ndërtimi i ri nuk prek nëntokën dhe bëhet fjalë për “beton të varfëruar”. Projekti i IMK vërteton atë që shikojmë të gjithë me sy, është gërmuar një themel me beton prej 30 cm dhe është vendosur gjithashtu një shtresë hekuri. Ministres i duhet shpjeguar që çdo objekt që ka beton dhe hekur quhet ndërtim, pavarësisht prapashtesës “i përkohshëm”. Më poshtë edhe përkufizimi i ndërtimit në ligjin Nr. 107/2014, Për Planifikimin dhe zhvillimin e Territorit: “Ndërtim” është çdo objekt që ndërtohet ose instalohet në territor, me vendosje të palëvizhme apo të përkoshme, dhe që zhvillohet nën dhe/ose mbi tokë.”

5 – Justifikimi se ndërtimi i kafes private nuk prek murin antik është një gënjeshtër tjetër. Vetë leja e dhënë nga ministria e Kulturës dhe IMK e titullojnë punimin: “Rehabilitimi dhe ndërtimi i pikave të shërbimit te muri antik”. Projekti dëshmon se ndërtimi i ri modern me bazament betoni po prek murin antik në pjesën anësore të godinës ekzistuese të arkeologëve. Edhe fakti i Kumbaros që kjo godinë e ka mbuluar murin antik nga syri i vizitorëve gjatë 70 viteve të fundit sepse është ndërtuar në periudhën e diktaturës, nuk e zhbën përgjegjësinë e saj për të mbuluar edhe atë pak pjesë që ka mbetur nga muri. Me këtë logjikë, ministri i radhës i Kulturës, do të shtojë sipërfaqen e kafeve dhe restoranteve në park, sepse e para që e bëri këtë ishte Mirela Kumbaro. 

6 – Për sa i përket akuzës për pengimin e gazetarëve që të hyjnë në ambientet e Butrintit, Kumbaro përdori si justifikim Nenin 16, pika 2 të ligjit të Trashëgimisë, i cili thekson: “Fotografimi, filmimi ose regjistrimi kompjuterik dhe publikimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, të ekspozuara në muzetë vendore, bëhet pasi të jetë marrë autorizim nga institucioni shtetëror, në varësi të të cilit është muzeu. Për objekte te tilla, të ekspozuara në muzetë kombëtare, leja miratohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.”
Sigal