Mjeshtri i madh i fotografisë, Misto Cici

1593
Mjeshtrin e fotografisë artistike Misto Cici, i cili i ka lënë një thesar të madh qytetit të tij të lindjes Pogradecit duke fiksuar gjithçka ka ndodhur që nga viti 1915 deri në vitin 1978. Figura si Misto Cici nderojnë jo vetëm qytetin, por dhe kulturën tonë kombëtare. Misto Cici na ka lënë pas një thesar të çmuar me këtë fotografi të rralla të realizuar mjeshtërisht. Misto Cici nuk ishte vetëm një poet i natyrës që me aparatin e tij na ka lënë perla, por ishte edhe një atdhetar i shquar dhe është shpalluar nga bashkia “Qytetar nderi”
Kush ishte Misto Cici?
Në lagjen e “Burimave” pranë kishës së vjetër të qytetit ndodhen shtëpia e mjeshtrit të fotorgrafisë Misto Cici. Është kjo lagjie e vjetër pogradecare ku kanë jetuar edhe Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli, të cilët i kanë dhënë qytetit gjithçka që patën: Perëndimet e vagëlluara, mbrëmjet si pëlhurë, dergjjet e përgjumshme të liqenit në zallin e shkretuar, pritjen metafizike të varkave në bregun e liqenit, pyllin e gështenjave, bukuritë natyrore përmbi ujrat e liqenit… Por këtë qytet dhe këtë liqen dikush tjetër ka ditur ta shohë ndryshe, nëpërmjet aparatit të tij fotografik. Në shtëpinë e Misto Cicit, nusja e nipit të tij Silvana, me shumë fanatizëm ruan një thesar të rrallë të fotove të tij. Në njërën foto është fiksuar viti 1916 ku dëshmohet se në Pogradec është ngritur trupi gjimnastikor, ndërsa në një foto tjetër është fiksuar trupa amatore e teatrit duke luajtur pjesën “Besa” në vitin 1919. Në një foto tjetër është fiksuar Fan Noli gjatë vizitës në Pogradec në 1924, ceremonia e varrimit të Riza Cerovës më 1936 (i cili fillimisht është varrosur në Pogradec). Shumë imazhe nga pushtimi i Pogradecit në 1939 nga fashistët italianë, por edhe 30 gushtin e vitit 1944 kur Pogradeci është çliruar. Por Misto Cici, me aparatin e tij, fiksoi edhe shumë festa familjare dhe ceremoni fetare në Shën Naum. Me objektivin e tij ai ka fiksuar gjithçka që ka ndodhur në këtë qytet nga viti 1915 deri në vitin 1978 kur u nda nga jeta duke i bërë kështu autopsinë qytetit të tij të lindjes që nga gëzimet familjare, portrete qytetarësh, çifte të lumtur, eskursione me vapor nga Ohri në Pogradec, festën e karnavaleve duke punuar me shije të veçantë dritë hijen e fotografisë artistike. Janë qindra peizazhe me lagjjet karakteristike të Pogradecit, kroin e fshatit me shtatë sylynjarë, pyllin e gështenjave, kalanë e qytetit, brigjet magjike të liqenit, qytetin e mbuluar me bore, skalaktiket e akullit dallgët e liqenit me kreshta të bardha sipër. Mjeshtri Misto Cici depërton me objektivin e tij deri në skrukturat më intime të natyrës. Ndonëse fotot e Cicit janë bardhë e zi nuk e penguar autorin që, me mjeshtërinë e tij, të bëjë zbërthimin e dritës duke na sjellë modalitete nga më emocionantet. 
Mjeshtëria e papërsëritshme
Ai ka krijuar një fotografi impresionante të peizazhit me fragmente dhe struktura të ngrira ujrash, akujsh, kallamash të gjithë natyrës përeth me hipostazën e fundit që përbën fotografia bardhë e zi. Misto Cici ka realizuar foto në të gjitha stinët dhe ka sjellë forma provokative, formula abstrakte bardhë e zi, stilizim formash jo konvecionale duke na dhënë një filozofi të vetën, një morfologji dhe sintaksë ndryshe të fotografisë së tij artistike. Në të gjitha fotot e peizazhit të Misto Cicit bie në sy vokacioni për peizazhin, hapësira në natyrë, shtrirja në rrafshe të gjerë horizontale në linjën midis liqenit dhe Malit të Thatë, duke na afruar një natyrë dhe pezazh me vlera absolute. Varacionet e dritës në peizazh dhe kontrastet i dhanë fotografisë së tij artistike një vlerë të veçantë. Ky peizazh artistik dhe këndvështrim i gjërë bëri që të jetë objekt edhe për” Piktorin e Popullit” Vangjush Mio që, siç tregojnë familjarët ai ishte një mik shumë i ngushtë i Misto Cicit. Pamjet e befta të liqenit, pasqyra e qiellit dhe dielli, kalimet nga monkrome të qeta dhe të përgjumura me tension grafik e ndriçim skenik, nga suprina e liqenit në çarjet e thella të dritës në thellësi të ujrave, do të bëhen objekt vëzhgimi të hollësishme për mjeshtrin e madh Mio, i cili një pjesë të konsiderueshme të pikturave të tij i ka realizuar në këtë mjedis duke marrë frymëzim nga miku i tij i ngushtë Misto Cici. Për këto vlera unikale në 1925 Misto Cici ftohet nga drejtoria e shtypit dhe e propogandës së artit në Milano të Italisë pranë stabilimentit “Nogre Armetti” për të stampuar 12 foto me peizazhe nga Pogradeci për të shërbyer si kartolinë për paraqitjen e Shqipërisë turistike nëpërmjet këtyre pamjeve. Pak muaj më vonë, pas realizimit të këtyre fotove artistike do të vinte nga Italia një çmim i veçantë prestigjoz për fotografinë artistike që emërtohej “Ferrari”. Gjatë viteve 1940 Misto Cici do të bëntë disa udhëtime jashtë shtetit dhe do të sillte disa aparate fotografike bashkohore të asaj kohe dhe realizon shumë foto të arrira. Nga gjiri i kësaj familje kanë dalë një sërë fotografësh të zotë, të cilët kanë ndjekur rrugën e Misto Cicit si si Pandi Cici, Sotiraq Cici, nipi i tij Kristaq Shuke. Misto Cici u bë një shkollë për shumë fotografë të tjerë të talentuar jo vetëm për Pogradecin, por që kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë.
Bardhyl Berberi
Sigal