“Mjeshtër i Madh” për kryemjeshtrin e gazetarisë dhe publicistikës, Agron Çobani

919
Një ndër emrat më të spikatur në gazetarinë shqiptare, Agron Çobani është dekoruar pas vdekjes, nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me titullin “Mjeshtër i Madh”. Gazetari Agron Çobani është cilësuar si një personazh emblematik,- siç e cilësoi edhe Presidenti i Republikës gjatë nderimit. Çobani ka punuar një jetë të tërë në Radio Televizionin Publik Shqiptar, si radio-kronisti më produktiv i Radio Tiranës, skenaristi i dokumentarëve që janë pjesë e vyer e trashëgimisë radio-televizive shqiptare, drejtuesi për vite me radhë i institucionit më të madh radio-televiziv në Shqipëri, prej 5 dekadash. Ceremonia e zhvilluar në nder të tij, u organizua në ambientet e Presidencës. Për personalitetin shumëdimensional të Agronit, të punës dhe të kontributit të tij në disa gjini të gazetarisë, veçanërisht asaj radiotelevizive, Presidenti Nishani theksoi se është jo vetëm ditë e shënuar, por edhe moment reflektimi për të respektuar vlera që shoqëria shqiptare me mund, pasion dhe përkushtim që i ka kultivuar në vite. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm familjarë, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të Agron Çobanit, njërit prej drejtuesve pasionantë e plot vizion të Radio-Televizionit Shqiptar, të cilët u ngarkuan me emocion pozitiv për evidentimin edhe një herë të gjithë asaj, që kjo figurë poliedrike përfaqëson për shtypin shqiptar.
Pak fjalë mbi Agron Çobanin…
Agron Çobani lindi në Nepravishtë të Gjirokastrës, në shtator të vitit 1942. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi shqipe, si dhe Fakultetin e Gazetarisë. Pas diplomimit nis punën në Radio Tirana dhe më pas në Radio-Televizionin Shqiptar, prej të cilit nuk u shkëput për dekada të tëra. Në këtë institucion ka kryer profesione të ndryshme, duke filluar nga gazetar në redaksinë e informacionit, e deri tek drejtor i përgjithshëm në 1992. Si gazetar ka lëvruar të gjitha gjinitë e publicistikës radio-televizive, si lajmi, kronika, telereportazhi, dokumentari dhe radiodrama. Çobani ka dhënë kontribut goxha të rëndësishëm edhe në drejtimin e Institucionit Mediatik, në organizimin dhe zhvillimin e tij në vite, si dhe në përgatitjen e gazetarëve të rinj. Ka botuar një autobiografi të tijën gjatë periudhës kur ka punuar në Radio-Televizionin Shqiptar, me titullin “Ju flet Tirana”. Ky libër është pjesë e historisë së këtij institucioni. Në të përmblidhen kujtime të autorit dhe shumë personazhe të tjerë. Si dëshmitar i shumë ngjarjeve të rëndësishme, Çobani solli fakte të papublikuara, analiza interesante dhe reflektime mbi ndodhi tronditëse në ato kohë. Çobani në libër ka lakuar dhe vdekjen e Mehmet Shehut, gjë të cilën e kishte ndjerë më përpara se të ndodhte.
Prononcime të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve…
Luljeta Çobani, bashkëshortja
Ishte një emocion i madh, sepse më riktheu dhe njëherë në kohën e Agronit, kur ai punonte dhe ia kishte përkushtuar gjithë jetën e tij punës. Për Agronin nuk kishte orar, as pushime, as ditë festash. Ai ishte gjithmonë në punë. Mu ringjallën dhe njëherë gjithë ato kohë dhe përjetova emocionet që sot më mungonin fizikisht, pasi Agroni shpirtërisht ndodhet gjithmonë me ne. Vetë Agroni thoshte që gazetari duhet të jetë atje, ku ndodh ngjarja dhe ishte pikërisht kjo ngjarje që e solli atë midis nesh.
Martin Leka, Drejtor i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar
Agron Çobani, ky arkitekt i fjalës, emocionit, lajmit dhe së vërtetës, sot edhe formalisht, është “Mjeshtër i Madh”! Radha e gazetarëve bashkëkohës, por edhe atyre të sotëm e të ardhshëm, do ta kenë si “idhull” njeriun që për shumë vite, deri në frymën e fundit mbeti po ai: Mjeshtër që nuk bëri kurrë kompromis me profesionin e vet, edhe pse i kushtoi jo pak vetes dhe familjes së tij! Një njeri plot jetë, humor, qetësi dhe dashuri, ai bëri vetëm një divorc në jetë: divorcin me paaftësinë! Gazetarët radio-televizivë sot kanë një emër, tek i cili do të gjejnë “arkitekturën” e profesionit të gatshme për çdo detaj që duan! Mjeshtër dhe njeri! Ky është Agron Çobani! Është, sepse lum kush lë pas vepër, sepse jeta është e Zotit!
Erlisa Çobani, e bija
Unë nuk zgjodha gazetarinë në jetë, por dashuria e babit për njerëzit dhe për të qenë pranë kujtdo në vështirësi, më bëri të zgjedh mjekësinë, një profesion po kaq human, si gazetaria! Jam shumë e emocionuar dhe e falënderoj me gjithë zemër Presidentin e Republikës për dekoratën.
Kreshnik Tartari, trajner
Me Agronin banonim në një lagje, në Tiranën e Re. Në vitin 1958 filluam gjimnazin bashkë, në shkollën e mesme “Kosova”. E mbaj mend Agronin si një djalë të urtë, të ndrojtur, fjalëpakë dhe tregonte kujdes në veshje. Ishte i zgjuar dhe tregonte edukatë me këdo. Agroni pëlqente shumë letërsinë, gramatikën dhe sintaksën. Shkruante dhe fliste bukur dhe dallonte në hartimet e letërsisë. Kur u transferuam në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” Agroni papritmas shpërtheu! U bë djali më i këndshëm dhe më autoritar. Preferohej shumë nga vajzat, por jo aq shumë nga mësuesit meshkuj, ndërsa nga ato femra ishte tepër i lezetshëm. Krahas jetës sociale, Agroni u kap fort pas librit. Lexonte kudo dhe kurdo dhe çdo gjë që i dilte përpara. Gjithashtu, frekuentonte rregullisht shfaqjet në Teatrin Kombëtar dhe kinemanë. Fitoi aftësi mahnitëse në vallëzim dhe filloi të ndiqte modën e fundit, duke zgjatur dhe flokët me onde. Agroni u bë miku im i ngushtë dhe i bashkëshortes sime, gjithashtu! Besoj se për të dhe unë kam qenë i tillë. Ishim shoqëri shumë e mirë. Kishim grupin tonë, përbërë nga unë, Agroni, Betim Muço, Nasi Lera, Kiço Blushi, Bashkim Thanasi, Melsi (i vëllai), Alfons Gurashi, Enver Muça, Albert Shala, Limoz Dizdari, dhe Leka Bungo. Përfaqësonim një shoqëri të jashtëzakonshme, serioze, por me bëma të pafundme! Agroni, me shaka na thoshte: “Prisni, prisni kam në dorë librin për të gjithë ju! Nuk do lë gjë pa vënë!”
Kiço Blushi, skenarist dhe shkrimtar 
Agroni ishte një nga figurat më të mëdha të gazetarisë radiofonike dhe televizive. Kontributin e tij e ka nisur që me pantallona të shkurtra, bashkë me Alfons Gurashin, pa asnjë eksperiencë, pa mbaruar ndonjë shkollë. E filluan veprimtarinë e tyre si reporterë në radio dhe më pas në televizion. Aty u rritën, mësuan zanatin në mënyrë autodidakte, dhe formuan dhe personalitetin e tyre. Gjithashtu morën dhe rol drejtues në Radio-Televizionin Shqiptar dhe lanë shenja shumë të ndritura në media.
Nasi Lera, shkrimtar dhe përkthyes 
Dekorimi i Agronit e theksoi edhe më shumë atë mungesë që ndjejmë të gjithë ne ndaj Agronit. Pavarësisht se ai është më se i pranishëm tani midis nesh, ky dekorim përsëri e bën edhe më emocionues mungesën e tij. Nga Agroni kam mësuar se asgjë s’mund të bëhet pa pasion! Agroni ishte njeri pasionant dhe unë kur fillova punë në radio, aty u njoha dhe me Agronin. Nëpërmjet Agronit kuptova, se vetëm një pasion mund ta çojë përpara profesionalizmin e një gazetari. 

Klajdi Heta
Sigal