Misteret dhe të pathënat e dirigjentit Eno Koço

888
Sigal

Dirigjenti talentuar, “Mjeshtri i Madh” Eno Koço, rrëfen historinë e Orkestrës së RTSH-së

Para disa ditësh në ambientet e RTSH u festua 50-vjetori i krijimit të orkestrës së RTSH. Në këtë takim merrnin pjesë instrumentistë, dirigjentë, kompozitorë, këngëtarë, drejtues të RTSH etj…Një nga diskutimet që tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve ishte ai i dirigjentit të talentuar Eno Koço. Ai mbajti një historik të shkurtër, por shumë interesant për krijimin e orkestrës së RTSH.

Kur janë fillimet orkestrës së parë shqiptare?

Informacionin mbi Orkestrën e Parë Shqiptare të Radios e kam bazuar mbi shkrimet e gazetave, buletinet e Radio Tiranës, Promemorien e Haki Bejlerit (prill 1983), të dhënat gojore të personave të ndryshëm deri tek ato më të fundit të Beniamin Guraziut (shkurt 2012). Ky i fundit sot i ka kaluar të 89-at por kujtimet e tij për Orkestrën e parë të Radios janë sikur ngjarjet të kishin ndodhur vetëm një ditë më parë. Midis të tjerave ai më tregonte se rrogën e parë prej 14 napolonash në këtë orkestër e ka marrë në janar të vitit 1945.

Pra bashkë me radion hodhi shtat dhe kjo orkestër?

Në vitin 1938, jashtë Tiranës, në Laprakë, u instalua një radio-stacion shtetëror, me një studio të vendosur në ndërtesën e Bashkisë së Tiranës. Stacioni që u përurua nga mbreti Zog më 28 nëntor po të atij viti, transmetonte lajme, biseda të shkurtra mbi problemet dhe aktivitetet publike, si dhe muzikë. Në të njëjtën ditë të inaugurimit, krahas transmetimeve të tjera muzikore, u dhanë dy programe që portretizonin këngëtarët lirikë e viteve 1930. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore (1942) u formua në Tiranë një orkestër e plotë simfonike, Orkestra e Forcave të Armatosura, pjesëtarët e së cilës ishin kryesisht ushtarë e oficerë italianë të mobilizuar, të cilët qenë grupuar këtu si sektor i ushtrisë italiane, por jashtë frontit të luftës (duket ishte menduar që jeta e tyre, edhe ajo artistike, do mund të ishte më e sigurt në Shqipëri dhe vërtetë ashtu ndodhi). Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë orkestër ishte shumë e kufizuar; midis tyre mund të përmenden Osman Banushi dhe Nazmi Maloku. Orkestra, e cila e vazhdoi veprimtarinë edhe gjatë pushtimit gjerman, jepte koncerte në Shtëpinë e Oficerëve (sot Ministria e Kulturës). Repertori i saj përfshinte vepra klasike, por edhe ndonjë vepër të re shqiptare siç ishte Rapsodia për Orkestër e Kristo Konos. Në Radio jepeshin edhe koncerte me muzikë dhome e koncerte të formacioneve më të vogla orkestrale. Të gjithë këto koncerte transmetoheshin direkt nga Radio Tirana. Në një gazetë të kohës, 14 korrik 1943, shkruhej se Radio Tirana kishte transmetuar “rreth njëzetë koncerte të mëdhenj simfonikë nga më të mirët, duke përmbledhur copa muzike klasike nga më të mirat, copa autorësh klasikë të kohës së kaluar … ndër të cilat pesë simfonitë më të njohura të Beethoven-it.” Gjatë luftës në Radio u krijua një sektor i veçantë për muzikën, shef i të cilit ishte Mihal Ciko dhe pjesëtar i këtij sektori Tonin Guraziu e ndonjë tjetër. Cikoja drejtonte edhe korin e burrave në Radio. Kur sapo kishte përfunduar lufta, në dhjetor të vitit 1944, Radio Tirana mendoi të krijojë një Orkestër të sajën. Fillimisht u quajt thjesht, Orkestra e Radios. Ajo pjesë e orkestrantëve italianë që mbetën në Shqipëri edhe pas Luftës u përfshinë në të. Në krye të Orkestrës së Radios do të ishte kapiten Umberto Rampi, muzikant me eksperiencë, i cili kryente detyrën kryesisht të dirigjentit, por edhe të violinistit. Të tjerë instrumentistë italianë përbërës të orkestrës ishin violisti Eusebio, violonçelistët Caletti dhe Baldovino, timpanisti Monti, pianisti Ettore (që qëndroi në Shqipëri deri më 1948) e ndonjë tjetër.

Me gjithë përbërjen e kësaj orkestre veprimtaria e saj njihet pak…

Për plotësimin Orkestrës së Radios me përmasa mjaft modeste u bë e nevojshme të mblidhej elementi shqiptar, njerëz që kishin mësuar violinë rregullisht në Normalen e Elbasanit (edhe nën mësimdhënien e Baki Kongolit) apo Gjimnazin e Tiranës që në kohën e Monarkisë e më pas. Ndër ta mund të përmenden violinistët Sofokli Paparisto, Genc Bogdo, Nikolla Zoraqi, Beniamin Guraziu, Haki Bejleri (që u bë edhe folës në Radio), Ali Kruda (më vonë Sofokli Çarçani dhe Islam Petrela), violinistët Nikush Guralumi e Nazmi Maloku, violonçelisti Ymer Skënderi. Për veglat e frymës, i vetmi burim i kompletimit të orkestrës ishte Banda Ushtarake e Tiranës apo ish-Banda Mbretërore. Përbërja e orkestrës ishte afërsisht kjo: 10 violina (të para dhe të dyta) ku koncert-maestri ishte italian; dy viola (njëri italian), dy a tri violonçela (dy italianë), dy kontrabasë, njëri italian dhe tjetri që quhej Schëab, ishte çek, me qëndrim në Shqipëri, i cili më parë kish punuar në Pallatin Mbretëror e më pas në Bandën Ushtarake Shqiptare (Llazar Morcka ishte nga ata që mësoi kontrabas me Schëab-in). Ndër instrumentistët e frymës, vetëm klarinetisti i parë ishte italian. Për një farë kohe orkestra nuk kishte as oboe e as fagot, instrumente këto që u mësuan më vonë në mënyrë autodidakte nga Nazmi Maloku dhe Jovan Stefani. Ndërkaq, partet e veglave të munguara të frymës zëvendësoheshin me harmonium nga Valeria Drenova (më vonë edhe Nina Simoni). Instrumentistët frymorë shqiptarë që hap pas hapi iu atashuan Orkestrës së Radios qenë Hamdi Suvaria (klarinetë), Vesel Pinari (klarinetë), Kiço Popi (timpan), Mahir Karabini (trombë), Rabini (flaut) e të tjerë që do të duhet të njihen emrat e tyre.

Si bëhej pagesa?

Orkestra e Radios nuk ishte definitive, por ishte caktuar një pagesë mujore, e cila ishte fikse (afërsisht sa një gjysmë rroge). Punohej çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00 (më vonë 10 deri 13). Orkestra jepte koncert një herë në javë me muzikë orkestrale në mikrofon, direkt, çdo të premte nga ora 20:30 deri 21. Nga të dy sallat (dhomat e mëdha), ajo majtas shërbente për orkestrën, ndërsa djathtas për lajmet. Brenda kësaj orkestre, ose më mirë elementët më të mirë të saj, kishin formuar edhe një formacion të vogël më të manovrueshëm (prej rreth 15 -vetësh) që jepnin edhe një program tjetër në mikrofon, në një ditë tjetër të javës. Orkestra kishte dhe kuartetin e saj (Kuarteti i Tiranës) i përbërë nga U. Rampi, M. Krantja, E. Eusebio dhe Ë. Caletti, të cilët bashkë me pianistin G. Fiori luanin, midis të tjerash, edhe kuintetin e Boçherini-t (Re-mazhor) apo të Brahms-it (Fa-minor).

Pas largimit të italianëve kush e mori drejtimin e orkestrës?

Pas largimit të italianëve të cilët qenë baza kualitative e Orkestrës së Radios, ishte Mustafa Krantja që, me ato njohuri që kishte, u ofrua të drejtojë orkestrën për një farë kohe deri sa më 1947, së bashku me Ymer Skënderin dhe Genc Bogdon, u dërguan për të studiuar fillimisht në Zagreb e më pas në Pragë. Vendin e Krantjes në krye të Orkestrës së Radios e zuri Osman Banushi, i cili e drejtoi atë deri në mes të vitit 1950. Me raste të rralla e drejtonte këtë orkestër edhe Baki Kongoli, i cili në vitet e ardhshme do të bënte përpjekje të shumta për t’u nxjerrë muzikantëve shqiptarë bursa studimi për në konservatoret e vendeve të Lindjes. Po në këtë vit, më 3 prill (1950), u bë koncerti i inaugurimit të Filarmonisë Shqiptare që ishte bashkim i Orkestrës së Radios, Korit të Përgjithshëm të Shtetit, Trupës së Valleve (Baletit) dhe i disa këngëtarëve lirikë. Shfaqja e parë e madhe e këtij institucioni ishte baleti Shatërvani i Bahçisarajt i Boris Asafjevit. Kështu, Orkestra e Radio Tiranës kaloi e gjitha në Filarmoninë dhe u quajt Orkestra e Filarmonisë deri më në nëntor të vitit 1953 kur u formua Teatri i Operës dhe Baletit. I porsa kthyer nga Praga, në krye të këtyre institucioneve qëndroi dirigjenti i parë shqiptar i tyre, Mustafa Krantja. Pas studimeve për violinë në Itali, ky dirigjent diti të gërshetojë në qenien e tij vizionare eksperiencën që kishte përftuar nga muzikantët italianë të Orkestrës së parë të Radios me parimet dhe praktikën çeke të dirigjimit, për t’ia përshtatur këto eksperienca realitetit vendas.

Si vazhdoi rrugëtimi i saj?

Kështu, Orkestra modeste e Radios e dhjetorit të vitit 1944, me riformimin e saj në maj të vitit 1962 në një dritë e përbërje tërësisht të re, filloi rrugëtimin e saj 50 vjeçar me koncertin e saj të parë të dhënë në 25 gusht të vitit 1962. Në program do të përfshiheshin Mendelssohn-Koncert për violinë, koha I (Ibrahim Madhi), Mozart, Koncert për flaut No.2, në re mazhor, koha I (Gjovalin Shestani), Haydn, Simfonia No. 104 (Londineze), në re mazhor. Dirigjent ishte Mustafa Krantja. Por natyrshëm lind pyetja, kujt i vajti në mend krijimi i një orkestre të tillë dhe ku do të gjendeshin gjithë ata instrumentistë për ta kompletuar atë? Siç ndodh shpesh, do të duhet mendja e një njeriu për t’i dhënë jetë një projekti sado modest në dukje në fillim, por që me kohë do të merrte ato vlera dhe ato përmasa që ka sot OSRSH. Ky ishte Abdulla Grimci, përgjegjës i redaksisë së muzikës në Radio në atë kohë, i mbështetur nga bashkëpunëtori i tij i afërt, redaktori i kësaj redaksie Vath Çangu. Arsyetimi nga ana e Abdullait për ngritjen e kësaj orkestre ishte që me anë të regjistrimeve që do të duhej të bënte orkestra, të siguroheshin dhe të mbuloheshin me orë transmetimi ilustrimi i programeve të ndryshme dhe i sinjaleve radiofonike, si dhe të niste një ngjarje e pazakontë muzikore për kohën, Festivali i Këngës në Radio.

Cilat ishin burimet nga do të përzgjidheshin muzikantët e orkestrës?

  Në dekadën e parë të veprimtarisë së saj, Orkestra luante më shumë muzikë të huaj sepse e paktë ishte krijimtaria vendase, ndërsa dirigjentët e solistët e saj, me ndonjë përjashtim, ishin të gjithë shqiptarë. Në dy dekadat e mëvonshme do të rritej ndjeshëm ekzekutimi i krijimtarisë kombëtare, pavarësisht nga cilësia jo gjithnjë e mirë e veprave muzikore, do të rritej gjithashtu numri i solistëve pjesëmarrës kryesisht shqiptarë. Vlen të shënohet se në dekadën e tretë filluan të vinë edhe dirigjentë dhe solistë të huaj. Jeta artistike edhe pse brenda një sistemi të mbyllur shoqëror e politik po merrte frymë më me tepër oksigjen. Regjistrimi/incizimi i veprave muzikore, si normë e detyruar e punës, bënte të krijoheshin edhe tensione të panevojshme, megjithatë, tani, në thellësinë e kohës, dallon që janë bërë edhe regjistrime me vlerë, kryesisht të veprave kombëtare.

Po në periudhën e tranzicionit si vazhdoi rrugëtimin kjo orkestër?

Dy dekadat e fundit, me gjithë vështirësitë e periudhës së parë të tranzicionit, jeta koncertale e orkestrës u bë më e vrullshme; më shumë dirigjentë të huaj, më shumë solistë të huaj, më shumë shkolla të pasura interpretimi, më shumë vepra të repertorit botëror, parime më të drejta të marrëdhënieve orkestër-dirigjent, racionalizim më i madh i kohës së provave. Sot OSRSH numëron 56 muzikantë dhe është institucioni më i rëndësishëm i muzikës simfonike në Shqipëri. Janë një radhë dirigjentësh që kanë qenë në krye të kësaj orkestre duke nisur nga Mustafa Krantja, Simon Gjoni, Ferdinand Deda, Ermir Krantja, Eno Koço, Jetmir Barbullushi dhe së fundi Oleg Arapi. Të tjerë dirigjentë shqiptarë janë aktivizuar vazhdimisht me këtë orkestër. Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar (OSeRTSH), emërtim që e mori pas bashkimit të të dy institucioneve, Radios dhe Televizionit, veç koncerteve të rregullta me repertorin bazë simfonik, bën edhe koncerte me muzikë të lehtë e këngë tradicionale qytetare, dhe kryesisht duke organizuar në çdo fund-viti veprimtarinë më të rëndësishme në këtë fushë, Festivalin e Këngës në Radiotelevizion. Megjithatë, duhet theksuar se veprimtaria e rregullt e saj është kalendari koncertor simfonik vjetor, i cili shpallet dy herë në vit. Me ristrukturimin e kohëve të fundit të muzikës në Radio, Orkestra funksionon si sektor më vete me udhëheqës artistik David Tukiçin dhe menazher Armando Volajn, duke projektuar një kalendar koncertor gjashtë-mujor të qëndrueshëm, i cili shpallet me kohë dhe bën të mundur të shpalosen larmia e veprave dhe instrumentistëve e këngëtarëve që marrin pjesë në të.

Cilat kanë qenë përparësitë e saj?

Siç u përmend pak më lart, një nga përparësitë e saj kryesore, veçanërisht deri në vitin 1991, ka qenë regjistrimi i veprave simfonike, vokale dhe instrumentale të kompozitorëve shqiptarë. Simfonitë, poemat simfonike, rapsoditë, koncertet instrumentalë, fragmentet vokalë operistikë, fragmentet e muzikës së filmave, ishin pjesa dominuese e repertorit kombëtar të Orkestrës. U gjallëruan veprat e kompozitorëve shqiptarë të para-Luftës si ato të Martin Gjokës, Murat Shehut, Fan Nolit e Thoma Nasit, të gjitha të panjohura për publikun shqiptar dhe kësisoj u zgjerua gama kohore e krijimtarisë së muzikës klasike shqiptare. U krijua një fond i konsiderueshëm arkivor mbi të cilin mbështeten jo vetëm programet radiofonike por që shërben si e vetmja bazë për studimin e muzikës kulte shqiptare.

Po repertori ndërkombëtar ç’vend ka zënë?

Repertori ndërkombëtar klasik, romantik a bashkëkohor zë sot vendin më të rëndësishëm në veprimtarinë koncertore të Orkestrës. Nivelin e Orkestrës  e ka ngritur nga viti në vit jo vetëm ekzekutimi i shumtë e i larmishëm i këtij repertori por edhe eksperienca dhe mjeshtëria përveç se e dirigjentit kryesor të kësaj Orkestre për dy dekada me radhë, Jetmir Barbullushit, padyshim dhe e dirigjentëve të huaj të cilët shpalosin vizionin e tyre mbi stilet ekzekutuese, duke sugjeruar kërkesa konkrete për një bashkëtingëllim sa më kompakt e harmonioz të orkestrës. Emra të tillë si Hikmet Çimçek, Doron Solomon, Massimo Bernard, Leonid Nikollajev, Vittorio Parisi e mjaft të tjerë, kanë lënë ndikim të ndjeshëm në aftësitë ekzekutuese të Orkestrës dhe kanë bërë që kjo të rrisë nivelin e saj ekzekutues e të njësohet në standard me shumë nga orkestrat simotra të Europës.

VOKALISTËT MË TË MIRË SHQIPTARË

 

SOLISTË QË KANË DALË NGA VETË GJIRI I ORKESTRËS:

Viktor Shiroka, Gjovalin Shestani, Cin Simoni, Didi Tartari, Kristofor Qorri, Zhani Ciko, Pandush Gjezi, Hajredin Hoxha, Zana Nehani, Ilir Çerisha, Arben Kadesha, Pirro Sota, Sokol Toto, Etleva Katroshi, Hysen Hoti, Blerta Jakova, Albana Kola, Spartak Sinamati, Edmea Krasniqi, Jonela Golemi e të tjerë (ndjesë po të kem shtuar apo harruar njeri), për t’u kurorëzuar deri tek më i spikaturi për reputacionin e tij të vyer kombëtar, Aristidh Prosi.

VOKALISTË TË DEKADËS SË TRETË DHE TË PESTË TË ORKESTRËS:

Filip Koleka, Gjergj Pekmezi, Prokop Nishku, Haki Katroshi, Pirro Xhaini, Nora Driza, Skënder Kraja, Pandush Gjezi, Arben Kadesha, Remzi Filja, Afrim Çomo, Vladimir Deli, Hasan Osmani, Gazmor Halilaj, Platon Mezini, Bardhyl Gjevori, Granit Kamberi, Hajredin Hoxha, e më pas Gugash Balena, Arian Filja, Andrea Canaj, Nikolin Miraj, Ismet Keta, Gëzim Belegu, Ermir Gruda, Gridi Kraja, Reinald Foçi. Lënia pa dashje qoftë edhe një emri të vetëm do ta zbehte këtë ekspoze mbi Orkestrën, prandaj evidentimi dhe saktësimi i roleve të muzikantëve të saj do të konsolidonte siç duhet biografinë e Orkestrës.

ORKESTRA, SI SHKOLLË ARTISTIKE

Një pjesë e mirë e muzikantëve të kualifikuar të kësaj Orkestre u transmetojnë njohuritë e tyre profesionale brezave të ardhshëm që studiojnë në Universitetin e Arteve të Tiranës. Rol të rëndësishëm padyshim kanë luajtur udhëheqësit artistikë në vite të Orkestrës ku ndër më jetëgjatët në këtë funksion mund të përmenden Gjon Simoni, Zhani Ciko e Spartak Tili, apo frymëzuesja e fjalës poetike pranë Orkestrës, Zhuliana Jorganxhi. Koncertet e përjavshme që jepen në TV nga kjo Orkestër, të marra direkt nga ekzekutimi i gjallë në skenë, plotësojnë nevojat e artdashësve për këtë lloj muzike. Regjistrimet radiofonike e televizive të Orkestrës janë transmetuar edhe nga kanale të huaja mediatike, ku për t’u veçuar është ai i stacionit RAI. Kësisoj, Orkestra ka fituar njohje jo vetëm mbarëkombëtare por edhe përtej kufijve shtetërorë. Po i referohem vetëm kritikës muzikore botuar në Kentish Gazette më 2008 shkruar nga Elaine Godden dhe kjo do të fliste më shumë se çdo konsideratë e imja lidhur me koncertin që OSeRTSH të dhënë në Canterbury, Angli. Ja një fragment: “Në simfoninë e Tetë të Dvorzhakut orkestra transmetoi ndjeshmërinë e larmishme e të pasur të saj: meloditë e ndryshme të kohës së parë, kornot tërë shkëlqim dhe fanfara finale e trombave, pasazhet e pasura të violonçelave, interludi lirik dhe forca dramatike e masave të fundit, të gjitha këto u luajtën shkëlqyeshëm për të përfunduar muzikën e mrekullueshme të kësaj mbrëmjeje”.

ITALIANËT, NË THEMELET ORKESTRËS SONË SIMFONILE

Repertori i Orkestrës ishte kryesisht i huaj, pasi ato parte orkestralë disponoheshin. Dominonte repertori klasik (fantazi operistike orkestrale) dhe ai i muzikës së lehtë. Pjesë shqiptare pothuajse nuk kishte fare. Me që nuk ishin orkestruar pjesët tona, shpesh këngëtarët që këndonin me këtë orkestër si Tefta, Maria, Kristaq Antoniu etj., këngët shqiptare i këndonin me piano, ndërsa orkestra i shoqëronte këta vetëm në ariet, duetet ose triot e operave. Në pranverën e vitit 1946, Rampi u dërgua në Itali nga qeveria shqiptare me porosi që të mblidhte një numër orkestrantësh italianë dhe t’i sillte në Shqipëri për të formuar një orkestër më të madhe. Ndodhi një “incident” politik dhe u fol se qeveria e anuloi urdhrin dhe në fakt Rampi nuk u kthye më. Në korrik të vitit 1946 të gjithë italianët që ende kishin mbetur në orkestër u larguan nga Shqipëria; Caletti u largua fillimisht për në Milano e më pas në SHBA. Pas largimit të Rampit lindi problemi i dirigjentit të orkestrës. Për një farë kohe (ndoshta disa muaj) orkestrën e drejtoi pianisti italian Giovanni Fiori, i cili aso kohe luante në orkestrinën e Hotel Dajtit. Ishte pikërisht kjo periudhë kur jugosllavët ishin të interesuar të depërtonin në Shqipëri edhe nëpërmjet Orkestrës së Radios. Kështu, jugosllavët premtuan të sillnin orkestrantë, por që në fakt u kufizuan me dërgimin e një klarinetisti (Pomíkalo), një trombonisti, një violinisti (Prof. Miranov) dhe një violonçelisti (Fuçkar). Mbas tyre erdhi Adamiç që luante në trombë dhe që ishte pianist dhe dirigjent i zoti, megjithëse nuk e drejtoi ndonjëherë Orkestrën e Radios.