Mirjeta Ngjela Xhaja: “Meshkujt nuk kanë zemër të mjaftueshme për emisione”

773
Sigal

INTERVISTA/ Flet gazetarja Mirjeta Ngjela Xhaja: Te njerëzit vlerësoj fisnikërinë dhe urrej keqdashjen

As politika dhe as vetë shoqëria nuk janë mendje dhe zemër hapur ndaj femrës, shprehet ajo. Tashmë prezanton ndoshta emisionin më të shikuar në televizionin e ri A1 Report “Urbanika”.  Puna si gazetare e ka larguar paksa nga të afërmit, por ata mundohen ta kuptojnë. Sipas saj,  ka tentativë për ta ndryshuar rrymën e mosvlerësimit të femrës, por ende jo aq sa duhet. E të mendosh që femra shqiptare është bleta punëtore që bën gjithçka, mban dhe organizon familjen, koordinatore shumë e mirë në punë”.

-Si ju lindi ideja për emisionin “Urbanika”?

Ideja fillestare nuk ishte e imja, por e administratorit kryesor të televizionit A1 Report, Carlo Bollino. E sigurisht, një ide dhe propozim nga një gazetar profesionist dhe menaxher i përkryer si Carlo, ishte një nder dhe një ofertë shumë e veçantë, pasi gazetaria për mua nuk është vetëm profesion por edhe mision e pasion. Carlo dhe drejtuesja e Free and Fair Media Group, Alba Malltezi, menduan se unë isha figura më e përshtatshme për formatin që do t’i jepte jetë pasditeve të televizionit A1 Report. Bashkëpunim, i cili u shfaq shumë i vlefshëm edhe vite më parë gjatë emisionit “Jetë në Kërkim” ne televizionin Nevvs 24. Nisi gjithçka me idenë për të patur një format social, ku shoqëria shqiptare të shohë veten e saj si në një pasqyrë. Dhe Urbanika sot, sheh akoma dhe më thellë se një pasqyrë, të gjitha të mirat, por edhe të këqijat e vendit, ku jetojmë

-Ç’do të thotë ky emër?

Vjen gjithçka nga dëshira për të qenë Urban, pra qytetar. E në këtë rast është qytetaria  shqiptare me problemet, por edhe gëzimet e saj. Urbanika, do të thotë që fenomenet sociale tashmë shtrohen për diskutim në një emision televiziv. Nuk ka më arsye përse të mos diskutohen në televizion, problemet që dikur mbylleshin brenda katër mureve të familjes, e diskutoheshin si thashetheme dashakeqe në rrugicat e lagjeve. Madje, unë jam e bindur se kjo vetëmbyllje, ky vetëizolim i shoqërisë sonë është shkaku i shumë të këqijave të mëdha që po na ndodhin. P.sh nëse, hajdutët ordinerë po bëjnë kërdinë sot në shumë banesa, e ne heshtim përballë fenomenit, sepse nuk na ka ndodhur ne, ky për mua është defekt i shoqërisë dhe jo i institucioneve, ku punojnë në fakt po njerëz si ne aq indiferente. Atëherë si mund të presim që të veprojë shteti kur ne nuk reagojmë për fqinjin tonë për të këqijat që i ndodhin atij e që nesër mund të na ndodhin ne…. Apo kur një vajzë e re shtatzënë, si Ajshe Vata masakrohet e i përçundohet kufoma nga një 82 -vjeçar, i cili ka abuzuar seksualisht për vite me të. E përse, sepse e reja nuk e kuptonte mirë edukatën seksuale e sepse është turp apo tabu të diskutosh edhe me njerëzit me të afërt për këtë gjë. Jo, është më mirë të dimë, të kemi informacion që edhe të dimë të sillemi e të dimë të parandalojmë. Të flasësh hapur i bën nder jo vetëm vetes, por edhe shoqërisë.

-Përse zakonisht në të gjitha TV, emisione të tilla i drejtojnë femrat?

Po ndoshta meshkujt nuk kanë zemër mjaftueshëm?! Operatori i emisionit tim p.sh, shpërtheu në lot kur u gjend përballë një nëne që kish parë skenën e masakrimit deri në vdekje të djalit të saj. E la kamerën pasi nuk e përballoi dot. Por unë i vë vetes një qëllim, jo vetëm ta përballoj këtë skenë, por të sulem për të vënë gishtin mbi shkaktarët dhe shkaqet që e çojnë situatën deri këtu.

– Keni menduar ndonjëherë ta lini gazetarinë?

Do ta lë nëse do të shoh që nuk do të ketë më hapësirë për fjalën e lirë. Do ta lë kur të shohë se arrogantë e prepotentë, njerëz bosh brenda, por të veshur me luks jashtë do të mbushin ekranet e do e drejtojnë timonin sipas interesave të dikujt, por jo të gjithkujt. Ky, sigurisht, nuk do të jetë dështimi im, por i gazetarisë shqiptare.

-Sa ju privon nga familja televizioni?

Shumë. Dinamikën time nuk e kuptojnë dot njerëzit e mi të afërt që unë i dua shumë. Shpesh më kritikojnë sepse u dukem neglizhente apo indiferente ndaj tyre, ndoshta kanë të drejtë. Por i tillë është profesioni i gazetarit, duhet të sakrifikosh, dhe gjithmonë i bie për pjesë që të sakrifikosh pjesën tënde më të mirë, familjen.

-Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Ji fisnik! Fisnikëria si në gjërat e mëdha ashtu edhe në të voglat që bën, është një kënaqësi që shumica nuk e kuptojnë dot. Por nëse tentojnë ta përjetojnë sikur njëherë të vetme, jeta shfaqet me ngjyra ashtu si ngjyrat në promon e emisionit “Urbanika” dhe njerëzit të duken më të këndshëm e më social. Po të jesh fisnik t’i arrin të shohësh thellë si ujëra të qeta ashtu edhe në ato më të turbulltat.

-Një ditë pune e zakonshme?

Mëngjesi im i kushtohet Eglit, vogëlushit tim 4- vjeçar që është shkaku i lumturisë sime. Pa u përqafuar dhe puthur me Eglin për rreth 1 orë, si unë dhe bashkëshorti im Gerti, nuk mund të dalim nga shtëpia. Ora 9:00 më gjen në Kinostudio, pranë redaksisë së emisionit. Leximi i gazetave dhe kafja e mëngjesit është ritual i përditshëm. Skaleta e javës është caktuar që të shtunën, por çdo ditë mund të ketë ndryshime dhe bisedoj me gazetarët e emisionit për çdo temë që trajtojmë.

-Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Vlerësoj fisnikërinë, asgjë tjetër. Njeriu po diti të jetë fisnik, ka jo vetëm respektin njerëzor por edhe atë hyjnor. Ka dinjitet mbi supe dhe hir e bukuri edhe në buzëqeshje apo edhe në ndonjë ngritje zëri. Tek një njeri kritikoj të qenurit malinj prej natyre, zbrazëtinë e brendshme që kanë shumë figura që shohim sot në ekran. Prepotentët, arrogantët, egoistët, egocentrikët sipas meje nuk janë njerëz normalë, por duhet të kenë patjetër devijanca psiko-sociale me të cilat psikologe e sociologë duhet të merren urgjentisht sepse po na shkatërrojnë vlerat më të mira të shoqërisë. Po hyjnë në çdo bërthamë e po e shndërrojnë gjithçka në mjedis antisocial.

-Keni ndonjë peng në jetë?

Po. Nuk po di të kujdesem siç duhet për prindërit e mi. Ata të dy me bukurinë e shpirtit të tyre kanë qenë miqtë e mi më të mirë. Më kanë përkëdhelur e plotësuar dëshirat, edhe kur mundësitë ishin të vakëta. Më kanë mësuar të jem e drejtë, të jem qytetarë e denjë e të kem personalitet të fortë. Sot kanë nevojë për mua, e nuk po gjej dot mundësitë t’u gjendem pranë. Ky është pengu më i madh.

-Ç’është familja për ju?

Të them gjithçka është pak. Nuk gjej fjalë ta përshkruaj limanin tim të dashurisë ku jemi tre persona si një i vetëm. Egli i vogël, Gerti im i dashur dhe unë. Çelësi i dashurisë sonë është toleranca dhe pranimi i secilit prej nesh ashtu si është. Të mirat dhe këqijat e secilit të harmonizuara në një masë kompakte pa tentuar për të ndryshuar askënd nga ne të tre, por njëkohësisht bashkë në çdo veprim e çdo vendimmarrje. Jemi tre individë krejt të ndryshëm, por ia dalim të funksionojmë si një i vetëm. Shtëpia jonë në darkë kthehet në një Luna Park, ku luajmë bashkë me Eglin dhe marrim energjitë e duhura. Egli është shumë inteligjent dhe ka tendencën të jetë “lider” edhe në kopshtin që frekuenton. Nuk di se sa do t’ia arrij, por sigurisht unë dhe Gerti do bëjmë gjithçka që mundemi, që i vogli ynë të gjejë veten në pozicionin që ai do të preferojë në të ardhmen (qesh)

-A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Ende jo. Ka tentative për ta ndryshuar rrymën e mosvlerësimit të femrës, por ende jo aq sa duhet. E të mendosh që femra shqiptare është bleta punëtore që bën gjithçka, mban dhe organizon familjen, koordinatore shumë e mirë në punë. Mendjemprehtë dhe e hapur. Kemi shumë femra të tilla që unë i shoh çdo ditë teksa me duart dhe mendjet e tyre të arta po punojnë shumë, por nuk janë të vlerësuara.

-Po politika shqiptare a ka lënë hapësirat e nevojshme për femrat?

Edhe këtu ka tentative të mira, por ende jo aq sa duhet. Shumë mikesha të mia i kanë hyrë rrugës së politikës e unë ndihem krenare për to, sepse e di si i njohin problemet dhe se sa shumë që mund të ofrojnë. Por ende as politika dhe as vetë shoqëria nuk janë mendje dhe zemër hapur. Ka shumë xhelozi, smirë e “bërryla” edhe mes vetë femrave. Kot nuk thonë: “Lufta brenda llojit, është më e rrezikshmja”

-A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe cilat janë format më shprehëse të saj?

Nuk mund ta them qartë këtë. Por po të shohësh lidershipin shqiptar, nuk gjen figurë femërore në të. Atëherë jemi përballë faktit real, femra shqiptare ende nuk është në piedestalin që meriton. Edhe në gazetari po të vëzhgosh me vëmendje, janë shumë pak femra që po udhëheqin. Shumica e drejtuesve janë meshkuj të cilët në fakt vartëset e tyre i kanë femra.  Por kur shoh që ka drejtuese femra e që janë shumë të zonja, i admiroj shumë, dhe uroj me zemër që këto vajza dhe zonja të mira të marrin në duar timonin e të drejtojnë vetë çdo gjë, sepse e bëjnë shumë mirë.