Mirënjohje për Profesor Arqile Teta

967
Sigal

NJERIU I MIRË, TË GJENDET DHE NË ERRËSIRË

Njeriu ruan në arkivin e vet kujtime, ngjarje, dhimbje e gëzime. Ka shënuar fortë në kujtesë njerëz të cilët  i kanë dhënë dorën në jetë, dhe kërkon t’i kalojë në harresë ata që i kanë rrokullisur gurë, i kanë prerë rrugën. Miku im i hershëm që më zgjati dorën në kohë, Avdulla Kënaçi më shkruante një letër vite përpara: “Në jetë ka njerëz të mirë që mëson prej tyre, por ka dhe të këqij që e pëson prej tyre. Është meritë e vetvetes të njohësh të mirët dhe të afrohesh me ata, të dallosh të këqijtë dhe të largohesh nga këta”. Por njeriu ndodhet përpara të pamundurës, të dalloj lehtë të ligjtë, të cilët nuk e kanë të shënuar në ballë. I ligu e fsheh shumë thellë të ligën.

Mirënjohja është virtyti më i virtytshëm për njeriun. Të mirën mund të mos e shpërblesh dot, por të njohësh dhe të mos e harrosh atë, është shpërblimi më i madh! Gjithkush në jetë sa nis rrugët e vështira, i dalin përpara plotë kthesa, të njohura dhe të panjohura, pengohet dhe ndihmohet gjatë madhimit, formimit dhe afirmimit…

Domosdoshmëria në jetë për t’u shoqëruar, për t’u bërë pjesë e një grupacioni e më tej, e një bashkësie e komuniteti, ka qëllimin për të rakorduar mendimin, qëndrimin, po dhe shpirtin.

Kolonat mbi të cilat nisin synimet dhe ndërtohen marrëdhëniet, mund të jen nga baza interesi, apo mbi bazën e moralitetit, karakterit, reciprocitetit dhe paritetit, por edhe nga miqësia, pa pasur interesin në mes, kur shërbimi ndaj një njeriu i cili e përligj shërbimin ndaj individit dhe shoqërisë, merr një shkëlqim të veçantë, i kapërcen interesat e ngushta, duke marrë dimensione të shkallës sipërore, nga personale në interes të grupit, shoqërisë dhe më gjerë. Pra, një mik i vërtetë, të do dhe të ndihmon pa interes në jetë. Vitet kalojnë. Afro 3 dekada lënë pas. Kohë të vështira, me rregulla strikte, por edhe burra me gjithë madhështinë dhe kuptimin e fjalës “burrë 24 karat”, do të gjeje përgjatë rrugës në jetë. Rrallë, ose shumë rrallë gjen sot modele të tillë. Njeriu që mban shënime, nuk mund t’i harrojë ato fytyra njerëzore, që të frymëzojnë në jetë. Nuk i harron kurrë ato duar që të zgjatën duart dhe të ndihmojnë, të bëjnë të vështirën të lehtë… Sa herë njeriu ndodhet në hall, gjen rrugën dhe troket tek miku: Miku i mirë, të gjendet dhe në errësirë.

Kur krejt rastësisht, duke kërkuar rrugët e jetës të zëna, kur ke humbur edhe kurajën, rastësia, fati  të shpie tek njeriu i mirë. Tek njeriu që të mungon, “çelësi” që të hap derën dhe dritën e jetës. Dhe kujt si ka ndodhur kështu? Vitet më kthejnë shumë prapa. Një zë që më kumbon në vesh dhe në shpirt gjithë jetën. Fytyrën e atij njeriu engjëllor nuk i’a mbaj mend, nuk mund ta dalloj dhe po të  shoh në rrugë. Por vepra e tij nuk mund të harrohet, e shënuar fortë me daltë në shpirt mbetet. E kujtoj shpesh, e zë në gojë me njerëzit, besoj se e zë edhe lemza…

Rastësia mund të çojë në rrugën e duhur, tek njeriu i munguar, për të cilin mund të mos jesh munduar fare, nuk ke investuar. Thua të jetë fat?!

Ndodh dhe njeriu që ke zgjedhur si pjesë familjare të lë vetëm, në hallet e rëna, apo dhe të shkakton halle të rënda, gjëma, dhe ky është zhgënjimi më i dhimbshëm.

Nuk i’a kam harruar dorën, ndihmën e këtij njeriu-njerëzor. Jam i pafuqishëm t’ia shpërblej, gjej fuqinë: ia njoh. Kjo besoj se është dhe shpërblimi më i madh.

Kisha trokitur gjatë, nëpër zyrat e kohës për të shkuar në shkollën e lartë, për arsye të motivuar, pasionin e shpalosur për krijimtari, në shtypin e kohës. Quhej jashtë kriterit, por dhe vlerësohej, ndizej “drita jeshile. Kishte përjashtim për njerëzit që shpalosnin talentin e tyre në fushën përkatëse, duke marr OK nga ish Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Trokita tek miku i babit, Rr. D i mbetur përjetësisht edhe miku im. Më kish hapur derën dhe shpirtin, më kish dhënë dorën dhe më ndiqte në faqet e shtypit të ditës. Telefonoi në ministrinë e Arsimit, por me asnjë nuk mundi të komunikonte. Me makinë e shoferin më dërgoi në ministrinë e Arsimit. Mundëm të futeshim, kur kishte qindra njerëz në portë. Komunikuam me ish zëvendës ministrin. B. Golemi, dhe ky me “gradat sipërore Njeri”. Na çoi tek zyrtari kompetent, ish drejtori i arsimit të Lartë Prof. Arqile Teta. Megjithë dëshirën e mirë dhe arsyetimin ligjor, duke rekomanduar Lidhja e Shkrimtarëve të Kohës e bënin brenda kriterit kërkesën. Por, dëshirën dhe angazhimin e lartë të ish zyrtarit të lartë, e bënte të pamundur faktori Kohë…

U ndamë si njerëz. Kishim mbetur miq, pa u kuptuar, me kuptimin e vërtetë të fjalës!

Kaluan kohë. Madje 1 a 2 vite! Kur e kishim lënë në harresë… Një ditë (në kohë) më vjen një zë i ëmbël, në sheshin “Skënderbe”, përpara Bankës së Shqipërisë,  në Tiranë: “Jazaj! Kthej kokën. Urdhëro i përgjigjem. I afrohem njeriut të panjohur. Njeriu shpirt qeshur pran meje më shtrëngon dorën e më thotë. “E ke dëshirën të shkosh në shkollën e lartë”.

Po, i përgjigjem, pothuajse instinktivisht! Dëgjo më thotë. “E njeh kryetarin e Komitetit Ekzekutiv”. Po. Më njeh dhe ai. “Nesër do vij I. B … E njeh”. Po i thash dhe këtë e njoh. “Por do ta mbash me besë emrin e tij”. Po i thash. “Ai do shkoj nesër në komitetin ekzekutiv, dhe ti do shkosh atje. Do t’u thuash atyre: Në zarfin që do vendosin një palë dokumente të atij, të vendosin edhe dokumentet e tua”.

Mu prezantua, më shtrëngoi dorën dhe u ndamë…

Mu duk një ëndërr, po nuk ishte kështu.

Të nesërmen qysh në mëngjes shkova në komitetin ekzekutiv të Vlorës. Kërkova takim me kryetarin e komitetit. Zyrtarët e afër tij kërkuan arsyen e takimit. Ua bëra të njohur.  Do vij sot me një kërkesë zyrtare shoku I. B dhe do marrë një palë dokumente. Në atë zarf fusni dhe dokumentet e mia. Ju dilni të shlyer ndaj meje, dhe unë mbetem mirënjohës ndaj jush…

“Ku e di ti”?- shqyen sytë zyrtarët.

Andej po vi- nga xhamia. U thash serbes.

Prisja matanë korridorit të gjatë, kur erdhi zyrtari i lartë me zarfin e madh në dorë.

Prita në ankth, sa ai doli.  Zyrtarët e komitetit u vunë në lëvizje. Kur ai doli, më shkelën syrin. “I futëm dhe dokumentet e tua”…

Kur e kisha harruar dhe isha lodhur, më shplodhi njeriu me shpirtin e madh, e mendjen e ndritur…Ai që lodhej, dhe shplodhej duke ndihmuar. Kështu shkova në universitet…

 Kohët rrodhën…Me synimin e ndryshimit të sistemimit, realizuan rrënimin e vendit, po dhe rrënimin e vlerave.  Kanë kaluar gati 3 dekada. Borxhi i mirënjohjes ndaj këtij njeriu dhe këtyre njerëzve është rritur mjaft…

Sapo kishte kapërcyer viti 2013…I kisha kërkuar një mikut tim telefonin e tij. I kish marrë telefonin e shtëpisë profesor Arqile Tetës. I rashë telefonit, dhe i urova: Gëzuar vitin e Ri! Madje duke bërë edhe një rezyme të shkurtër: Jam një borxhli i hershëm i profesor Tetës. Dua t’i shlyej diçka nga borxhi, të bisedojë me të…

Profesori nuk është në shtëpi. Mund të më japësh nr. e celularit. Dhe mora numrin e tij. I rashë telefonit dhe urova gëzuar vitin e Ri, duke i kujtuar detyrimin tim, mirënjohjen e përjetshme. Profesori qeshi nga pas telefonit. U kujtua se dikush i kish kërkuar nr e telefonit. “Nga këta mirënjohës, sot gjen shumë pak, vetëm 3 për qind”- më thotë duke qeshur. Dhe ju bëni pjesë në këtë 3 përqindësh”. U ndje i vlerësuar nga vlerat e tij dhe prej mirënjohjes tonë. Mirënjohja është një lule që nuk mbin në çdo bahçe, është mbivlerë njerëzore, me vlera të pa çmuara, e cila mbetet transmetohet dhe pasuron edhe vlerat e një shoqërie të qytetëruar! Në vesh më kumbojnë vargjet e sotme për dje dhe për nesër:

“Kur je me pushtet,

Tregohu sojli,

S’do mbetesh përpjetë,

Të ngelesh njeri…”

I tillë është treguar dhe ka mbetur Profesori Arqile Teta, Prof. Dr. NJERI, njeriu SIMBOL… Kërkojmë sot dhe nuk gjejmë dot…