Mirënjohje mësuesit tim të letërsisë, poetit dhe fabulistit Vasil Gjivogli

835
I shkruaj këto fjalë mirënjohjeje për mësuesin tim të letërsisë, poetin dhe fabulistin e njohur, Vasil Gjivogli, me dashuri dhe dridhje zemre. Është autor i tetë vëllimeve të botuara me poezi, gjëegjëza, fabula e mbledhje të trashëgimisë gojore të fshatit Piqeras (fshat ku lindi, jeton, punon e krijon) si dhe mjaftë vëllime të tjera rrinë në sirtarët e poetit e presin dritën e botimit në pritje të ndonjë sponsori. Mësuesi im ka lindur ditët e festave të shenjta të dhjetorit në Piqerasin e bukur bregdetar, doli në pension ditën e Krishtlindjeve dhe ka emrin e shenjtorit Vasil që përkon me ditën e parë të vitit, 1 janarin. E ndërsa të gjithë festojnë e përjetojnë gëzimin e Krishtlindjeve, kolegë, ish-nxënës, miq e shokë të shumtë të Vasil Gjivoglit janë mbledhur e urojnë daljen në pension të tij. Natyrisht emocione që përcjellin dhe dhimbje, ndjesi deri në përlotje…Mësuesi im doli në pension. E shoh ashtu trupgjatë e me flokët shpupurishur nga era e dhjetorit që ka marrë një pamje profetike, në dukje si për ti ndrydhur këto ndjesi e sfiduar moshën se në fund të fundit, mësuesi dhe poeti nuk del kurrë në pension. Kujtimet më vijnë e më pushtojnë gjithë qenien time. Më kujtohet shpjegimi i orëve të letërsisë me të gjitha karakteristikat e fjalës dhe mesazheve të tij, duke mos i lënë të paqarta trajtimet e tij. Mësuesi im arrinte t’i shtrydhte ngjyrimet e tërësishme të tekstit për t’i dhënë nxënësit thelbin brenda kontekstit dhe minutave të shpjegimit. Ishte ora më e këndshme për ne, ora e letërsisë, pasi s’ka si të ndodhte ndryshe kur ky mësues i qartësonte mesazhet dhe idetë e autorëve për t’i dhënë pamje edhe si përshkrim, edhe si qëllim, duke i shoshitur bukur mjetet shprehëse dhe figuracionin e përdorur në këto vepra të trajtuara në programin mësimor, por edhe në prurjet e botimeve të reja në orët jashtë klase. Ndaj, sot në këtë ditë emocionante them se bota e tij artistike shkrinë ndjenjat përtej kohëve dhe brumosin kohën me bëmat e tyre. Dhe mësuesi, edhe në vargjet poetike e fabulistike, sjell ndjenjën e thellë të përjetimit të përvojës, ku depërton tek e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja pa krijuar iluzion, por duke shpalosur të brendshmen e mundur dhe të munguar. Profesioni si mësues i dha dhe drejtimin artistik drejt gjinisë së fabulës për të mbetur përherë pranë me këshillën e tij dhe luftën ndaj veseve që po mbytin jetën dhe shoqërinë e sotme njerëzore, ndaj në krijimet e tij thërret që të shkunden nga humbjet e së kaluarës dhe të shtojnë kërkesat për atë që ka munguar, e kjo shtohet edhe si kërkesë për të ruajtur, vlerësuar si dhe për tu dukur e djeshmja jonë, sepse rrënimi i rrënjëve nga groposjet e të paditurve krijon situata e momente të pakëndshme e të padëshirueshme duke bartur dëmin më të madh historik. Ndaj në fabulat e tij, Vasili, ta krijon mundësinë e njohjes së errësirës shpirtërore, duke aluduar në tringëllimat e kësaj kohe dhe të atyre përtej kohëve. Por jo vetëm kritik, krijimtaria e tij shtrihet edhe në hapësirat e lirikës në kërkim të së bukurës, sepse ajo jeton në çdo cep të natyrës tokësore e qiellore. Kur fryma e sajë bart ledhatimet në të gjitha orët e një dite e nate. Duke sjellë në mendje kujtimet nga bisedat me Vasil Gjivoglin, qysh në fëmijëri kur isha nxënës i tij dhe sot që e kam mik, më vijnë në mendje fjalët e tij që i përsëriste përherë: “Nuk del nga zemra ajo që është jotja, nuk del nga vetja ajo që ruhet në fshehtësi, për të dëshmuar lashtësinë dhe burimin e së vërtetës”. Dhe vet titujt e librave të tij të botuar vijnë si rezultat i vëmendjes së mësuesit dhe përqendrimit të tij për të ruajtur rrjedhën e ngjarjeve nëpër kohë duke u dhënë imunitet në vlerën artistike e ngjeshje të fjalës së bukur, aty ku fjala krijon jetën e jeta ruan vazhdimësinë, kurse njeriu e madhështon ambientin me veprimtarinë e tij. I nderuar lexues, i përmenda këto fjalë, në lidhje me krijimtarinë e mësuesit tim për ta portretizuar më mirë për ju që nuk e njihni për të thënë pak a shumë edhe ecurinë e kohës që jeton poeti duke i shtuar atmosferës së daljes në pension edhe një vlerësim mirënjohës nga ish nxënësi i tij, që jam i bindur se mësuesin do ta prek paksa si shpirt poeti, po ky nuk ishte qëllimi im. Duke i qenë mirënjohës për gjithçka më dha e më jep, po i lëmoj këto rreshta, ashtu si dallga e detit jonian e Bunecit që mësuesi e dashuron, ashtu si kjo dallgë e kaltër lëmon shkëmbin e përkëdhel rërën si produkt i saj, ashtu dhe unë po vendos në mbyllje këto vargje të Vasil Gjivoglit:
“Ca më deshën, ca s’më deshën,
Disa dhe në hall më qeshën,
Ca më shanë, ca më lëvduan,
Ca të tjerë kurrë s’më kuptuan,
Eh, kështu na qenka jeta,
Me të rreme e të vërteta,
Veç në jetë ka rëndësi,
Të jesh dhe mbetesh NJERI!”
Ky është mësuesi im i letërsisë, poeti dhe fabulisti Vasil Gjivogli, të cilit i uroj jetëgjatësi dhe adrenalinë krijuese! 
                                                                                                                                                                                                          
Agron Mema
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 06.01.2016
Sigal