Mirela Zhulali: Pianoja, një profesion për jetën që e dashuroj pamasë

923
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” pianistja Mirela Zhulali, fitueses e çmimit special “Pjetër Gaci”

Për dy ditë me radhë, Shkodra u bë një metropol kulturor i talenteve të reja në fushën e interpretimit muzikor, ku morën pjesë talente muzikore nga të gjithë trevat shqiptare dhe nga Mali i Zi, Podgorica dhe Ulqini. Çmimi “Pjetër Gaci” është një takim interpretuesish në fushën e muzikës së kultivuar. Nga viti 2001 e në vazhdim, organizohet ç’do vit në qytetin e Shkodrës nga Qendra e Kulturës që mban po të njëjtin emër. Është një konkurs kombëtar me perspektivë të bëhet rajonal –ballkanik, i cili nga viti në vit po konsolidohet. I ndarë në kategori dhe degë të veçanta muzikore, pjesëmarrja është e lirë në bazë të kritereve të përcaktuara nga stafi organizator, duke bashkëpunuar në mënyrë specifike me shkollat artistike dhe shoqatat artistike. Ky aktivitet është mbështetur nga Bashkia e Shkodrës. Përveç gjallërimit te jetës artistike të qytetit të Shkodrës, ai promovon dhe talente të reja në degë të ndryshme muzikore, duke ballafaquar njëkohësisht shkolla dhe stile të ndryshme interpretimi. Janë me qindra pjesëmarrje në 13 edicione të konkursit “Pjetër Gaci”, ku do të veçonim emra të rëndësishëm të muzikës shqiptare që kanë performuar dhe janë shpallur fitues si tenorët Armandi Kllogjeri, Rame Lahaj, instrumentistët Kristian Gusho, Mike Kakusi, Jonela Nino etj.. Ky konsiderohet një ndër aktivitet më unikal në vend me këto përmasa, me një interesim të madh, që dallon për nga rritja e cilësisë artistike, konkurrenca lartë në pjesëmarrje, transparenca, juritë profesionale dhe një organizim korrekt. Gjatë këtij eventi, Fondacioni “Loutier sans Frontier” Belgjikë, dhuroi për herë të parë violina për fëmijë të talentuar që kanë pasion këtë art, por kanë instrumente të dobët në cilësi. Kjo me ndërhyrjen e mjeshtrit Daniel Glineur. Një ndër pjesëmarrëset dhe fitueset njëkohësisht të këtij koncerti muzikor është edhe pianistja e talentuar Mirela Zhulali, fitueses e çmimit special “Pjetër Gaci”. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Telegraf”, Mirela na rrëfen emocionet e përjetuara gjatë këtij konkursi, pasionin e saj për pianon dhe falënderimet e mirënjohjen për Profesoreshën e saj të parë, znj. Nora Çashku. Ndër të tjera Mirela falënderon dhe prindërit e saj, artistët e shquar, z. Edmond dhe znj. Manushaqe Zhulali, për mbështetjen e pakursyer në karrierën e saj artistike. Festivali i pianos “Festival Ruhr”, në qershor të këtij viti do të jetë destinacioni i radhës, ku dhe është përzgjedhur të luaj me pianistët e tjerë të rajonit Nordheinëestfallen.

Mirela, a mund të na tregoni si ndiheni si fituese e këtij evenimenti kaq të rëndësishëm muzikor?

-Është një kënaqësi shumë e madhe për mua që të jem fituese e një aktiviteti kaq të rëndësishëm muzikor, i cili zhvillohet prej 13 vjetësh në një qytet me kaq shumë tradita, siç është Shkodra. Kam përjetuar shumë emocione, sepse ishte një garë e vështirë që zhvillohej në dy faza. Në ditën e parë të konkursit ishte raundi i parë për mosha të ndryshme dhe për kategori të ndryshme (piano, harqe, kanto). Nga gjithë ajo ditë e gjatë u përzgjodhën fituesit për kategoritë dhe moshat përkatëse. Nata finale u organizua në një koncert gala në teatrin “Migjeni”, ku performuan të gjithë fituesit e kategorive përkatëse. Si pjesëmarrëse edhe e disa konkurseve jashtë shtetit, mund të them që, konkursi “ Pjetër Gaci” është një aktivitet shumë serioz dhe kjo falë një pune shumë profesionale të koordinatorit artistik, Bardhyl Hysa, organizatorit, Sidrit Lohja dhe Profesorit të violinës, Bujar Sykja.

Si e përjetuat konkurrimin?

-Interpretimi para publikut gjithmonë shoqërohet me emocione të shumta. Sigurisht, në këtë rast emocionet ishin më të mëdha sepse duhej të luaja përpara një publiku të specializuar, siç ishin të gjithë konkurrentët, dhe para një jurie shumë të kualifikuar me personalitete të fushës së pianos. Aty luajtën pianistë të të gjitha moshave, duke na impresionuar shumë me lojën e bukur. Ishte një ngjarje shumë e bukur për muzikën shqiptare, ku aq shumë instrumentistë performuan në një ditë të vetme. Është një eksperience e shkëlqyer që do kujtoj gjatë, jo vetëm për çmimin, por edhe për gjithë atë përvojë që fitohet në evente të tilla.

Kjo nuk është hera e parë që ju performoni në event muzikor. Mund të na tregoni diçka rreth karrierës suaj artistike?

Duke qenë që unë vij nga një familje muzikantesh, babai kompozitor dhe mami për një kohë të gjatë flautiste, nuk kishte si të me mungonte lidhja me muzikën. Në fëmijërinë time kam marrë pjesë çdo vit në festivalet e fëmijëve, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme. Në moshën 11-vjeçare, kam marrë pjesë për herë të fundit në Festivalin e Shkodrës, ku u vlerësova dhe me çmim të parë. Pas kësaj, lindi edhe dëshira për të luajtur një instrument.

Kush ka qenë “udhëheqësi” juaj i parë në karrierën artistike?

-Profesorja ime e parë dhe e vetme në Shqipëri ka qenë Prof. Nora Çashku. Në fillim piano ishte vetëm një hobi, por falë këmbënguljes, punës së palodhur dhe me shumë pasion të Prof. Norës, piano doli në plan të parë për mua, duke u kthyer në një profesion për jetën. Për këtë do t’i jem mirënjohëse tërë jetën, sepse me ka falur një profesion, të cilin e dashuroj pa masë. Ajo nuk ka qenë vetëm një Profesoresha e pianos për mua, por ka qenë një Profesore me shumë funksione, si p.sh: për solfezhin, për formimin muzikor (duke na dhënë të lexonim të gjitha librat biografike për kompozitorë të ndryshëm klasike të përkthyer në shqip) etj.. Por mbi të gjitha mundohej të na ushqente dashurinë për këtë instrument dhe përkushtimin ndaj pianos.

Po më pas çfarë ndodhi?

-Me kalimin e moshës dhe kërkesat për t’u perfeksionuar si artist rriten. Në moshën 19- vjeçare, pas përfundimit të liceut artistik “Jordan Misja”, me një mbështetje maksimale të familjes dhe të Profesores, Nora Cashku, vendosa për t’i kryer studimet në Gjermani. Fillimisht ndoqa një kurs gjermanishteje dhe ndërkohë mora dhe mësime piano nga Prof. Ludger Maxsein, me të cilin punova 6 muaj, dhe pas fitimit të konkursit për fillimet e studimeve në “Folkvvang Universitaet der Kuenste” ( Essen) jam në klasën e Prof. Till Engel, i cili iu ka dhënë dhe një mbështetje shumë të madhe pianisteve në Shqipëri, duke dhënë Masterclass-ë për 10 vite me radhë këtu në Tiranë, si dhe duke dhuruar një piano koncertesh, e cila ndodhet në sallën “Cesk Zadeja” të Akademisë së Arteve.

A mund të na listoni disa prej konkurseve dhe eventeve, në të cilat keni marrë pjesë?

-Konkursi “Pjetër Gaci” nuk është konkursi i parë për mua. Unë kam marrë pjesë dhe në konkurse të tjera në Shqipëri, ku jam vlerësuar me çmime speciale, në Bitola të Maqedonisë, çmim të dytë, në 2013-n në Sogliano të Italisë, çmim të parë, dhe këtë vit në Cita di Greci, po ashtu çmim të parë. Ndërsa, gjatë studimit tim në Gjermani, kam dhënë koncerte të ndryshme solo dhe muzikë dhome.

Cilat janë aktivitetet tuaja të radhës?

-Në qershor të këtij viti do të jem dhe pjesë e Festivalit të Pianos “Festival Ruhr”, ku jam përzgjedhur të luaj me pianistët e tjerë të rajonit Nordheinwestfallen.