Ministrja refuzon Teatrin, artistët dorëzojnë kërkesat

725
Debate të ndezura për të ardhmen e skenës, ndërsa Kumbaro refuzon të shkelë në godinën e Teatrit Kombëtar. Asqeriu: E kam ndërtuar me thonj dhe gjak jetën time
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, refuzoi të takonte artistët në sallën e Teatrit Kombëtar, duke zhvilluar një takim paralel me disa artistë në zyrën e saj. Ndërkohë që zhvillohej takimi në ambientet e Ministrisë, një grup tjetër artistësh e prisnin ministren në ambientet e Teatrit Kombëtar. Më pas, artistët zgjodhën dy përfaqësues të tyre, Kastriot Çipin dhe Ema Andrean, të cilët iu bashkuan tavolinës së ministres për të diskutuar mbi problemet. “Ju pritëm në teatër, por mësuam që ishit në një takim me një grup tjetër artistësh. Ne kemi ardhur të përfaqësojmë një grup prej 200 personash, ndërsa artistët që kanë ardhur këtu, mirë kanë bërë që kanë ardhur, por përfaqësojnë veten”, u shpreh Ema Andrea para ministres. I pyetur nga Kastriot Çipi se, nëse ministrja e Kulturës është kundër grupit të madh të pjesëmarrjes, apo kundër takimeve në godinën e Teatrit, ministrja Kumbaro u përgjigj se kishte vullnet për të dialoguar. “Unë nuk jam kundër asgjëje, por jam që në zyrat e shtetit t’ju konfirmoj të gjithë vullnetit tim për të dialoguar. Nëse duhet të bëjmë vendimmarrje të rëndësishme bëhet me formën e përfaqësimit. Jemi këtu për të dialoguar. Modeli i diskutimit është ai një tavoline në zyrën e shtetit”, tha ministrja. Në largim, duke i dorëzuar edhe disa propozime të artistëve, Kastriot Çipi theksoi se e presin ministren në Teatrin Kombëtar për vijimin e dialogut.

Më herët, Bujar Asqeriu dhe Laert Vasili, ngritën probleme dhe paraqitën kërkesa përballë ministres. “Teatrot në bashki kanë vdekur. Unë nuk jam kalimtar dhe nuk mendoj për lekët, unë jetoj për teatrin, jam i vërtetë dhe nuk i servilosem askujt. Zonja ministre vlerësojini dhe respektojini artistët!”, u shpreh Bujar Asqeriu. Ndërkohë, ministrja Kumbaro është shprehur se projektligji për artin dhe kulturën është hedhur në web për të nxitur debat dhe sugjerime, të cilat kanë filluar të vijnë nga bashkitë. Nga ana e tij, Laert Vasili ngriti disa kërkesa. “Të funksionojë në një mënyrë që të thithen sa më shumë fonde. Nëse ka mundësi biletat, ato që nxjerr teatri Kombëtar t’i ngelen Teatrit. Nëse ka mundësi të rishikohet edhe një herë çështja e Kategorive të aktorëve, mos ndoshta duhet të zhduken fare. Një propozim tjetër, të shohim, nëse godina e re, mund të dalë në një institucion i pavarur nga Teatri Kombëtar. Kur Teatri të jetë i detyruar të zhvendoset të strehojë produksionet e tij në këtë godinë”, tha Vasili.

Pjesa më e madhe e komunitetit të artistëve shprehet e vendosur të refuzojë largimin nga godina aktuale e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin aty të një godine të re. Artistët shprehen se në vendin ku është teatri do të ndërtohet një kullë shumë-katëshe, brenda së cilës do të jetë edhe skena.
Sigal