Ministrja Kumbaro përjashton veten nga mënyra e ndarjes së çmimeve

614
Sigal

Çmimet e letërsisë 2012, ndahen mes miqsh dhe militantëve të partive

Dje në ambientet e Teatrit të Komedisë, u ndanë çmimet e letërsisë dhe për gazetarinë kulturore të shkruar,  “Teodor Keko” për vitin 2012. Ajo që ra në sy ishte një pjesëmarrje e pakët thuajse e papërfillshme, me pak media vizive dhe me pak shkrimtarë poetë dhe kritikë arti. Në tërë sallën e madhe të Teatrit të Komedisë ishin pothuajse 56 vetë nga 180 vetë që është kapaciteti. Një atmosferë aspak e gëzueshme, thuajse e trishtueshme pasi sipas të pranishmëve, shumica shkrimtarë dhe gazetarë nuk kishin dijeni se si ishte zhvilluar ky konkurs çmimesh, ku kryetar i saj ishte ish Ministri i Kulturës, Visar Zhiti. Të gjithë të pranishmit pritën me kureshtje fjalën e Ministres Kumbaro, e cila e përjashtoi përgjegjësinë ndaj këtyre çmimeve. Sipas Kumbaros, sot, të dy juritë, ajo e çmimeve letrare dhe ajo e gazetarisë kulturore, në mënyrë krejt të pavarur nga Ministria e Kulturës, e cila nuk përfaqësohet në to me asnjë anëtar, kanë përfunduar këtë ndërmarrje vlerësimi për vitin 2012 dhe bëjnë sot publikë fituesit, të cilët unë i mësoj sot njësoj si ju”. Ky fjalim ndoshta i gjeti të papërgatitur anëtarët e jurisë të cilët kishin mundur të lajmëronin vetëm një pjesë të fituesve, apo më mirë të afërm të tyre, pasi në 4 çmime nuk u paraqitën fituesit, por pjesëtarë të familjes. Shumica e shkrimtarëve dhe poetëve ngelën të befasuar nga çmimet, sikundër dhe nga anëtarët e jurisë, të cilët më shumë folën për veten se sa për mënyrën dhe kriteret e konkursit.

  Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës

(Pjesë nga fjala e mbajtur dje)

Sot (dje) jepen çmimet letrare të vitit dhe çmimi për gazetarinë kulturore të shkruar,  theksoj të shkruar, “Teodor Keko” për vitin 2012. Do duhej të ishin dhënë këto çmime në përfundim të atij viti. Por nuk ndodhi. Pas marrjes së detyrës, ekipi i ri i Ministrisë së Kulturës u gjend para prodhimtarisë së dy viteve bashkë, 2012 dhe 2013. Për të konsideruar më të mirët në letërsinë dhe gazetarinë kulturore të vitit 2012, u ngritën me urdhër të ish- ministrit të Kulturës, z.Aldo Bumçi juritë që do të shprehen sot, si dhe juria për çmimin Lumo Skëndo, e cila do të shprehet në ditët në vijim. Këto juri e kishin filluar punën e tyre, në pranvere të 2013-s, pa mundur ta përmbyllin këtë proces,  pavarësisht rëndësisë që merrte ky vlerësim, ndër të tjera,  në 100 -vjetorin e Pavarësisë. E gjendur përpara këtij fakti  dhe vështirësisë për të marrë një vendim tjetër, i cili do të shpërfillte juritë  e ngritura dhe punën e tyre, Ministria e Kulturës vendosi që pikërisht këto juri të shpien deri në fund punën e nisur për vlerësimin dhe zgjedhjen e fituesve të atij viti.  Sot, të dy juritë, ajo e çmimeve letrare dhe ajo e gazetarisë kulturore, në mënyrë krejt të pavarur nga Ministria e Kulturës e cila nuk përfaqësohet në to me asnjë anëtar, kanë përfunduar këtë ndërmarrje vlerësimi për vitin 2012 dhe bëjnë sot publikë fituesit, të cilët unë i mësoj sot njësoj si ju. Dhe kur jemi te çmimet letrare, mendja më shkon te një model çmimi fort i dashur për mua për nga cilësitë letrare që ka nxjerrë në pah. E kam fjalën për çmimin letrar francez Goncourt. Vullnetarë janë anëtarët e Akademisë Goncourt, që e japin këtë çmim.

Vetëm 10 euro është çeku që merr fituesi i këtij çmimi.

Sot dua vetëm të them se, bash për këto që thashë, Ministria e Kulturës, duke filluar nga viti tjetër, gjykon se nuk është më e udhës të japë aq shumë çmime, ndarë në gjini a në emra çka, nga ana tjetër, nuk i pengon gjinitë e emrat të zhvillohen. Duke filluar nga viti tjetër jemi të mendimit që me fondet publike dhe në emër të një politike kulturore që duhet të nxisë cilësinë letrare, do të jepet vetëm një çmim për veprën letrare më të mirë shqipe të vitit, që do të përzgjidhet nga një juri kritike profesioniste, e pavarur nga zyrtarët e ministrisë. Nga ana tjetër, vlerësime stimuluese të fushave të ndryshme të krijimtarisë dhe kritikës letrare dhe nisma nxitëse do të shtjellohen gjatë vitit në një kalendar letrar që do të shënjojë momente të ndryshme siç është Dita Botërore e Librit, Dita Botërore e Përkthimit, Panairi i Librit, etj..

Viti 2014 do të jetë padyshim një vit me risi dhe politika nxitëse për krijuesit e letrave, autorët dhe përkthyesit sepse ne besojmë që, në një vend të vogël, artistët dhe krijuesit nuk mund të lihen të përballen vetëm me lojën e tregut, ata nuk mund të mbijetojnë në një treg pa rregulla loje për artin. Dhe pikërisht për këtë vëmendja e politikave kulturore do të jetë mbi ta.

 Çmimet

Motivimet për veprat fituese të çmimeve letrare “Penda e argjendtë” për vitin 2012 sipas gjinive

 Romani

Fituesi i çmimit “Penda e Argjendtë” për romanin në vitin 2012: Romani “Valsi i lumturisë”, i autorit Ylljet Aliçka

“Për ironinë e spikatur dhe përsosjen e saj deri në grotesk dhe imazhet e gjalla në rrëfim të kapërcyellit të kohërave”.

 Tregimi

Fitues i çmimit “Penda e Argjendtë” për tregimin në vitin 2012:

Vëllimi me tregime“Perla”, i autorit Ardian-Christian Kyçyku

“Për kërkimin, guximin dhe përputhjen e kënaqësisë së shkrimit me kënaqësinë e leximit”.

 Poezia

Fitues i çmimit “Penda e Argjendtë” për poezinë në vitin 2012:

Vëllimi poetik “Një Ballkan as në Londër”, i autorit Rudolf Marku

“Për imazhet e gjalla dhe të veçanta, për ironinë dhe humanizmin e thellë.”

 Autori debutues

Fitues i çmimit “Penda e Argjendtë” për veprën debutuese në vitin  2012:

Romani “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”, i autorit debutues Darien Levani

“Për rrëfimin elegant dhe atmosferën e këndshme të të rrëfyerit”

 Përkthimi

Fitues i çmimit “Penda e Argjendtë” për veprën e përkthyer në vitin 2012:

Vëllimi “Delfini” i autorit Robert Lovvell, të përkthyer në shqip nga Parid Teferiçi

“Për mjeshtërinë e sjelljes në shqip të poetikës së një prej autorëve më të rëndësishëm amerikanë të shek. XX.”

 Kritika

Fitues i çmimit “Penda e Argjendtë” për kritikën në vitin 2012:

Vepra kritike“Don Kishoti shqiptar”, e autorit Ali Aliu

“Për aventurën e një leximi të ri të letërsisë shqipe”.

 Ese

Fitues i çmimit “Penda e Argjendtë” për esenë në vitin 2012:

Vepra eseistik e “Kristo Kirka”, e autorit Uran Butka

“Për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare”.

 Letërsi për fëmijë

Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për letërsinë për fëmijë në vitin 2012:

12  romanet “Unë jam Kronosi-mbreti i kohës”, të autorit Thanas Jorgji

“Për korpusin prej 12 romanësh, ku ngërthehen aventurat, gëzimi dhe mençuria fëminore.”

 Çmimi i  Gazetarisë “Teodor Keko” 2012

 Znj. Alma Mile “Për ndihmesën cilësore në vënien në pah të vlerave dhe risive në raportimin publicistik për vitin e 100 – vjetorit të Pavarësisë”

 Znj. Aida Tuci “Për ndihmesën cilësore në vënien në pah të vlerave dhe risive në raportimin publicistik për vitin e 100 – vjetorit të Pavarësisë”