Ministria e Kulturës degradoi Kalanë e Peqinit

Nga Artur AJAZI

Ciceroni “Kalaja e Peqinit drejt shembjes, ministria nuk pranon të investojë”, erozioni dhe shirat po e degradojnë
E ndërsa Ministria e Kulturës ka “investuar” deri në ndriçimin e sokakëve dhe gurëve të klasifikuar si “të çmuar” duket se për kalanë e Peqinit (Klaudianës) nuk ka pranuar të japë qoftë edhe 1 milion lekë të vjetra. Ciceroni vullnetar (ish-mësuesi) kalasë Peqinit Alfir Beqo u shpreh se “Ne varemi direkt nga dega e Monumenteve të Kulturës qarkut Durrës, dhe nuk dihet përse, por deklaroj se, në 4 vitet e kësaj qeverie pavarësisht se kemi ngritur alarmin se kalaja po shembet vende-vende, nuk kemi arritur të marrim qoftë edhe 1 milion lekë të vjetra, është një objekt ilir dhe është turpi Ministrisë Kulturës që qëndron indiferente”. Gjithsesi ka zëra “për fonde të lëvruara për kalanë e Peqinit dhe pastaj rruga e tyre ka qenë diku gjetkë”. E ndërsa specialistët kërkojnë fonde nga Ministria e Kulturës për të zbritur në terren, për të verifikuar shkatërrimin, çdo vonesë në ndërhyrje është kërcënim i vazhdueshëm për monumentet, dëshmi e së kaluarës tonë historike. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare dega Durrës (nga ku varet çuditërisht edhe kalaja e Peqinit) qëndron në pritje të akordimit të fondeve nga Ministria e Kulturës prej 4 vitesh, pasi lagështira ka vijuar të dëmtojë një nga pjesët e mozaikut të vetëm mural tek kalaja e Peqinit, e cila ka pësuar shembje në pjesën veriore të saj, për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Organikat e reduktuara e kanë lënë pa një kujdestar kalanë e Peqinit, ndërsa mbikëqyrja e saj bëhet nga kontrollet e shpeshta të personelit të ateliesë së monumenteve rajonale të Durrësit. Për vitin 2017, nga Drejtoria Rajonale e Kulturës në Durrës janë kërkuar mbi 13 milionë lekë të reja për t’u investuar në restaurimin dhe konservimin e disa prej monumenteve që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë. Mes tyre janë restaurimi dhe konservimi në amfiteatër, përfshirë mozaikun mural, restaurimi i kalasë së Peqinit, ai i Bazilikës së Arapajt, restaurimi i mozaikut pranë Depos së Ujit, restaurimi i Depos së Kripës, bazilikës paleokristiane të Gjuricajt në Ishëm dhe vazhdimi i punimeve restauruese në kalanë e Durrësit. I pyetur nga “Telegraf” për situatën dhe mundësinë e ndërhyrjes reale për mbrojtjen e këtyre vlerave historiko-kulturore, një burim nga dega e Monumenteve tha se “investimet do të bëhen të mundura, në rast se Ministria e Kulturës do të jepte fondet, pasi një grup inspektimi, në përbërje të të cilit janë emra të njohur të historisë shqiptare, po bëjnë evidentimin e gjendjes për të përcaktuar më pas edhe nevojat më emergjente për ndërhyrje”. Reshjet e shumta të shiut kanë dëmtuar ndër vite një pjesë të madhe të kalasë Peqinit, ndërkohë që dëmtime ka pasur edhe pasi u ndërtua nga e para unaza e qytetit, pasi kishte rrëshqitje. Pjesa ballore e kalasë është dëmtuar pjesërisht, dhe investimi mbetet nevojë urgjente. Dy dekada më parë pamja e kalasë ishte mahnitëse, kurse sot ajo mbetet e harruar, e lënë pas dore. Tashmë atje banorë të papërgjegjshëm, kanë nisur të hedhin edhe inerte. Kalaja e Peqinit, e lënë për shumë kohë në mëshirë të fatit, së fundmi është dëmtuar nga erozioni dhe pret ndërhyrjen për restaurim. Një vit më parë u ndërhy në një pjesë të mirë të këtij monumenti, por së fundmi në të ka shembje, për shkak të shirave. Shembja ka ndodhur në pjesën veriore të kalasë dhe për këtë është vënë në dijeni edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Bashkia e Peqinit, ndërkohë e ka vendosur kalanë ndër prioritetet e saj, për ta kthyer në një qendër tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët e këtij qyteti. Ndërtimi i një lulishteje dhe ndriçimi synon të gjallërojë vlerat e monumentit te publiku, duke e bërë më të vizitueshëm. Neglizhenca justifikohet me shkurtimet në stafin e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve disa vite më parë. Barërat e këqija, dera e prishur dhe gjithçka e lënë pas dore. Sipas studiuesve, themelet e kalasë së Peqinit mendohet se i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës "Egnatia”, ndërsa më pas ajo është rikonstruktuar edhe gjatë pushtimit otoman. Muret e kalasë, që mban edhe emrin e vendbanimit ilir Klaudianës, kanë pasur një lartësi prej afro 12 metrash. Kalaja është zgjeruar në shekullin XIV nga pushtuesit turq, të cilët ia dhanë më pas kalanë Spahiut të Kazasë, i cili ndërtoi një saraj dykatësh, madje dhe një harem. Monumenti, që u përdor si objekt sigurie dhe mbrojtjeje në kohë luftërash, sot pret ndërhyrjen për të shmangur shembjet e tjera.