Ministri Panariti nënshkruan në Romë marrëveshjen me FAO-n për asistencë në fushën e peshkimit

489
Panariti: I rëndësishëm, ratifikimi në Parlament i Aderimit të Shqipërisë në Marrëveshjen për Masat e Shteteve Portualë
Marrëveshja synon mbështetje për sistemin e grumbullimit të të dhënave, forcimin e masave portuale si dhe zhvillimin e akuakulturës.
Ministri Panariti: Shqipëria po bën përpjekje për përmbushjen e rekomandimeve të GFCM
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Z.Edmond Panariti, nënshkroi të hënën, më 06.02.2017 në Romë, marrëveshjen për Asistencë Teknike në fushën e peshkimit. Marrëveshja u nënshkrua mes Ministrisë së Bujqësisë dhe FAO/GFCM (Komisioni i Përgjithshëm i Peshkimit për Mesdheun). Per palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga Ministri Panariti dhe për FAO-n, nënshkrimi u bë nga Znj. Semedo, Zëvendësdrejtore e Përgjithshme. Kjo marrëveshje e nënshkruar synon dhënien e asistencës teknike nga ana e FAO-s në sektorin e peshkimit dhe kryesisht në tre drejtime: Mbështetje për zhvillimin e një sistemi kombëtar të grumbullimit të të dhënave të peshkimit, në përputhje me GFCM – DCRF (Data Collection Reference Framework); zhvillimin efektiv të masave nga ana e shteteve portuale për të luftuar peshkimin ilegal, të pa raportuar dhe të parregulluar, duke përfshirë trajnimin e inspektorëve të peshkimit dhe mbështetje për sistemin e monitorimit të anijeve të peshkimit (Vessel Monitoring System), si dhe mbështetje për zhvillimin e qëndrueshëm të Akuakulturës, duke përfshirë mbështetjen për një plan strategjik kombëtar. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ndër të tjera, Ministri Panariti theksoi rëndësinë e ratifikimit nga parlamenti “I aderimit të Republikës së Shqipërisë në Marrëveshjen për Masat e Shteteve Portualë, me qëllim parandalimin, pengimin dhe eliminimin e peshkimit ilegal, të pa raportuar dhe të parregulluar”, si dhe të përpjekjeve që bën Shqipëria për të përmbushur të gjitha rekomandimet e GFCM dhe e në veçanti, grumbullimin dhe transmetimin e të dhënave të peshkimit.
Sigal