Mina Caushi: Punova mjelëse, bujqësi, ndërtim dhe pse në zemër kisha poezinë

668
Sigal

INTERVISTA/ Flet poetja Mina Caushi: Në Greqi femra ndihet e vlerësuar

Qysh në vogëli filloi të bënte vjersha që i mbante në sirtar si gjënë më të shenjtë. Punoi në blegtori, bujqësi, ndërtim sikur të ishte burrë por lapsin se hoqi nga dora. Ka mbi 20 vjet në Greqi që fal punës së saj ndihet e vlerësuar, ku tashmë numëron në bibliotekë mbi 12 libra që mbajnë emrin e saj.

  Kur e keni filluar për herë të parë krijimtarinë letrare?

Unë që në moshë të re, në moshën 16 -vjeçare më bënin përshtypje bukuria e natyrës, gëzimet familjare, festat, festivalet dhe mundohesha të shkruaja. Pra të gjitha këto i bëja vjersha. Ka ndryshim vjersha nga poezia. Vjersha është vargu i shkruar bukur, ndërsa poezia ka ndjenjën, ka artin e fjalës, ka figurat letrare, ka metaforën, figuracionin.

 A i botove këto poezi në regjimin komunist?

Jo, pasi aty ku i çova më thanë kanë shumë naivitet. Ashtu ishin në të vërtetë, naïve, por të pastra, të çiltra, plot dëshirë dhe realizëm. Personi që i mori dhe i pa më tha t’ja lija aty, por unë kundërshtova, pasi i thashë që dua një lloj sigurie. Nuk ranë dakord kështu që i mora me vete, pasi nuk pata besim.

 Ju keni mbaruar shkollën e mesme bujqësore në Kamzë

 Ka qenë një shkollë e rregullt, me shumë kërkesë llogarie. Unë kisha qejf letërsinë, por më çuan aty. Ishin vitet 1972-1976. Mësuesit ishin shumë kërkues dhe të rregullt. Por atëherë pa mesatare nuk shkojë ne shkollë të lartë. Unë ëndërroja vetëm për letërsi. Asgjë tjetër. Nuk mësoja lëndët e tjera ndaj mesataren e nxora të ulët për shkollë të lartë. Unë lexoja vetëm romane, poezi, libra të ndaluar, etj…

 Kush nga udhëheqësit e kohës vinin në shkollën tuaj?

Vinin të gjithë Ministrat e Bujqësisë. Të gjithë. Ata fjalë të parë kishin “Bujqësia çështje e të gjithë popullit”.

 Ju keni qenë komuniste?

Po, kam qenë. Madje e kam bërë stazhin në moshë të re, 17 vjeç. Atë kohë vazhdoja shkollën dhe isha laburante në Institutin e Bujqësisë kur Drejtor i Institutit ka qenë Andon Konomi.

 Përse ju larguan nga laburante?

 Një ditë vjen në laborator Kryetari i Organizatës së partisë Petrit Breberi dhe na pyet kush e do partinë dhe ne i përgjigjemi një grup vajzash, unë, unë , unë…Ai na mori emrat dhe na tha pas disa ditësh do shkoni në Komitet të Partisë së Rajonit nr.4. Ne menduam se do na çonin në punë më të mirë. Kur shkuam aty, na thanë tani do mbani fjalën e partisë dhe do shkoni mjelëse lopësh. Shtangëm. Unë isha shtatshkurtër dhe s’mund ta bëja dot atë punë. Fillova të milja lopë, në verë tre herë në ditë, në dimër 2 herë, pra 75 lopë në ditë. Isha 17 vjeç ku njëkohësisht bëja dhe stazhin e partisë për komuniste. Vija e imët nga trupi, vija e dobët, pa fuqi. Disa herë më kritikonin për mosrealizim plani dhe stazhin nga dy vjet ma çuan 3 vjet. Ku kisha unë fuqi për planin.

Deri në 20 vjeç punuat mjelëse?

Jo. Doja të ikja me çdo kusht, se përballoja dot. U dashurova me një djalë dhe u martova me të vetëm për të ikur nga lopët e Kamzës.  Djali që dashurova ishte nga Himara dhe shkova në Himarë. Aty shpëtova nga lopët, por jeta ishte e mbyllur, pa lëvizje. Tjetër dënim për mua nga jeta e Tiranës, Kamzës ku kishte mijëra studentë dhe nxënës. Aty ishte izolim. Lindën disa probleme me bashkëshortin dhe pas disa vitesh u ndamë. Por s’më jepnin ndarjen dhe lidhen e të qenit komuniste. Probleme me vete. Pas shumë ecejakesh, erdhi babai dhe më mori dhe erdha sërish në Kamzë, ku fillova punë në bujqësi dhe më vonë në ndërtim  pasi duhej ruaja të qenit komuniste e sakrificës. Në ndërtim akoma më keq, por aty kisha disa të njohur të babait që më ndihmuan. Drejtori i Ndërtimit ishte mik i babait, por megjithatë ditët e para mbaja llaç, gëlqere, rërë, tulla. Këtu punova tetë vjet. U lodha me të vërtetë. Pastaj u martova dhe u largova nga ndërtimi. Që nga 1982 deri kur ika në Greqi kam punuar punë të ndryshme jo stabile.

Kur ike në Greqi?

Në vitin 1993. Im shoq im kishte shkuar disa herë me këmbë nga Konispoli, mbi 20 herë. I dinte rrugët përmendsh. Edhe mua erdhi më mori në vitin 1993. Shkuam me këmbë deri në brendësi të Greqisë, pastaj erdhi na mori një taksi që na çoi deri në Athinë. Atëherë çfarë nuk është bërë me pagesë. Por arritëm mirë e bukur. Aty jeta ishte ndryshe, gjelbërim, mirëqenie, luks, pastërti.

Cila ishte puna e parë që bëre?

Pastrim pallatesh. Por vështirë e kisha me gjuhën. Kam shumë nipa që dinë gjuhën. Në darkë i pyesja dhe shënoja çdo gjë. E mësova më shpejt se sa e mendoja.

Gruaja respektohet më shumë në Greqi?

Pa diskutim. Është një shtet më i emancipuar. Gruaja aty vlerësohet shumë.

Je ndjerë ndonjëherë keq në Greqi kur fyenin me emrin Allvanos?

Disa herë. Jam kapur keq me grekët dhe me të huaj të tjerë. Por më vonë ne, me punë e vumë në vend dinjitetin tonë.  Më vonë në punë u njoha me një greke shumë të mirë me emrin Marina nga Peristeri. Ajo më thoshte zonja Mina. Pas 3 vjetësh ajo më  mori në Forumin e të Drejtave të Grave Europiane në Greqi. Në Greqi ka emigrantë nga 35 vende të botës. Unë u futa si përfaqësuese e grave shqiptare. Aty në shumë aktivitete, në shumë festivale kam mbrojtur të drejtat e emigranteve shqiptare. Ishte një ndihmesë e madhe pasi Marina ishte sekretare e shoqatës. Ne mblidhnim të gjitha ankimet e grave emigrante, si presionet, dhunën, detyrimin në prostitucion dhe në bashkëpunim me policinë dhe me avokat u zgjidhnim shumë probleme. Duhet të dini se gratë emigrante shqiptare kanë më shumë probleme.

Sa libra keni bërë në Greqi?

Kam bërë plot 12 libra. Këto janë pjesë e dhimbjes, e mallit për atdhe, e problemeve sociale në emigracion, e moslegalizimit, e mostrajtimit si njerëz në fillimet tona. Nga këto libra unë do të veçoja

 A ka pas peshë të rëndë gruaja emigrante në ekonominë e shtëpisë?

Ka pas dhe ka shumë peshë. Në më të shumtën e rasteve gruaja punonte dhe burrat jo. Besoj se në Greqi gruaja ka qenë shtylla e ekonomisë së shtëpisë.

A po kthehen shumë gra emigrante nga Greqia?

Po kthehen shumë. Puna ka rënë. Deri dje puna më mirë për gratë kanë qenë pastruese në shtëpi. Tani shumë gra vendase i bëjnë vetë punët pasi s’kanë më atë ekonomi.

Kush janë problemet e emigrantëve tanë në Greqi sot?

E para papunësia, e dyta legalizimi, pasi gjejnë lloj- lloj pretekstesh për moslegalizim, e treta mësimi i gjuhës shqipe tek fëmijët.

Katerina Koti, aktorja korçare që ndihmon emigrantët në Itali

  Kur ndodh diçka rastësisht,  del më e bukur se sa e programuar… Sot në kafe, te një nga sheshet  më të bukura që ka Trieste, takoj miken time, aktoren e njohur Katerina Koti! Kisha ditë që kur isha kthyer nga Atdheu, që doja ta takoja, po  dhe ajo ishte me pushime  dhe ja, rastësia  na takoi.

Kur isha në Durrës-plazh, u miqësova me dy gra korçare dhe meqë rrinim me qira afër shtëpisë time gjatë bisedave kur morën vesh që jetoj në Trieste, të dyja në të njëjtën kohë më pyetën për Ketin. Kishin qenë shoqe shkolle dhe gjimnazin e kishin mbaruar bashkë. Kujtonin me nostalgji ato vite  që janë më të bukurat e jetës për këdo, pra për periudhën e shkollës së mesme. Secila më vonë kishe ndjekur rrugën e vet. Me Ketin kishin vite pa u parë e dëgjuar.  Dinin që është martuar me një italian dhe të tjerat po ja plotësoja unë. Më parë po tregoj për ata që nuk e kanë shumë të dëgjuar si aktore, se cila është Katerina (Keti) Koti.

Jeta u lind në qytetin e bukur të Korçës. Mësimet e para dhe të mesmen i mbaroi në qytetin e lindjes. Që në fëmijëri dallohej për talentin e saj si aktore dhe më vonë atë  fakultet mbaroi ! U emërua në Teatrin e Durrësit ku dhe shkëlqeu në karrierën e saj.

U cilësua si aktorja më e mirë dhe u dekorua me çmimin e parë, kur u bë takimi kombëtar i teatrove. Teatri i Durrësit u paraqit më “Mirë se erdhe Elona ” ku rolin kryesore e luajti Keti.

Aktore më e mirë, që u dekorua me çmim të parë u cilësua dhe me pjesën “Kartë nga Shën D’aumi ” e Mitrush Kutelit. Ka dhe shumë role të tjera, ku për ‘to ka shumë mirënjohje apo falënderime. Viti i ndryshimeve të mëdha, viti 1990, ndryshoi dhe jetën e Ketit.  Ajo është e martuar me një italian, Giorgion, një njeri i mrekullueshëm, që bashkë me Ketin kanë ndihmuar brenda mundësive të tyre shumë shqiptar nga të gjitha trevat.  Përveç kësaj  ai është një dashamir i muzikës dhe i artit.  Ata kanë një hotel që e administrojnë të dy, pikërisht në qendër të Triestes “Hotel Lorenzo ” që mban emrin e djalit të tyre. Keti është dhe në kryesinë e shoqatës “Ecim së bashku”.  Është aktiviste dhe e gjendur gjithmonë në çdo festë që organizojmë në Trietse. U dhashë e-mail-in e Ketit shoqeve të saj si dhe telefonin pasi tani në tetor do grumbulloheshin në. Korçë për të festuar 40 -vjetorin e maturës. Keti u prek shumë dhe më tregonte që me shumicën e shokëve e shoqeve kishte 40 vjet pa u parë dhe pse jam shume e zënë si me hotelin dhe me aktivitetet që ti di, po do bëj çmos të jem e të çmallem me shoqërinë që vetë kam kujtimet më të bukura. Me lot në sy më tregoi për një shokun e klasës Niko Tashon që nuk do ishte në mesin e tyre. Ai u shua në një moshe të re dhe ishte një nga shokët më të mirë që na mbante gjallë me humorin e tij si dhe grupin e orkestrës se i binte shumë bukur fizarmonikës. Biseda e saj ishte plot ndjesi, mbushur me lot dhe mall për shokët dhe shoqet e klasës, për vitet e bukura të rinisë, që ajo i kaloi në qytetin e bukur të Korçës.

 Vitore Stefa Leka