Mimoza Leskaj: Ëndrra ime mbeti gazetaria, ajo erdhi shumë vite më vonë

660
Mimoza Leskaj, rrjedh nga një familje e njohur patriotësh, nga Leskajt e Tatzatit të Delvinës. Ndërsa nëna e saj është me origjinë nga Vlora, me mbiemrin Shaskaj. Pra qysh nga mbiemrat kuptohet që rrjedh nga familje e persekutuar nga regjimi komunist. Mbas shumë dëbimesh nga disa vende të Shqipërisë më në fund babanë e saj e vendosin me banim tek 4-rrugët e Shijakut. Vite më vonë babai i saj, mbasi arrin të ndërtojë një shtëpi martohet, ku si rrjedhojë kjo familje sjell në dritë Mimozën. Mimoza është martuar në Itali po dashurinë për atdheun e shpreh në çdo sekondë madje këtë dashuri ja ka ngjizur dhe djalit të saj me baba italian.

-Në regjimin komunist, a e ndjetë thellë luftën e klasave dhe si e përballuat psikologjikisht?

Luftën e klasave fillova ta ndiej qysh e vogël, kjo për faktin se isha prezent në vuajtjet e familjes. Çdo katër vjet vinte urdhri për shpërngulje dhe shpesh bënin kurthe nga më të ndryshmet që im atë të gabonte dhe në rastin më të vogël ta hiqnin përsëri. Në ato kohëra përdoreshin fletërrufetë në vendin ku punoje dhe banoje dhe babai ishte pre e tyre. Kështu që rritesha çdo ditë me këto ankthe.

-Po vetë shijakasit e kishin të zhvilluar luftën e klasave?

Shijakasit janë njerëz të mrekullueshëm. E kam thënë gjithmonë: në se kohërat do përsëriteshin (shpresoj kurrë) do doja të na vinin përsëri mes tyre. Kjo për faktin se ishin njerëz bujarë dhe pse e dinin kush ishim, na mbajtën në gjirin e tyre dhe na respektuan. Lufta e klasave në Shijak ishte shumë herë më ndryshe duke patur fatin e keq ta krahasoj me të afërmit e mi në zonat e jugut ku ishte tmerrësisht e rëndë.

-Në shkollë, a e ndieje të qenit me “Biografi të keqe”?

Isha edukuar që duhej të jetoja me heshtjen ! Mu bë e pandarë, prandaj dhe në shkollë jua kisha imponuar të gjithëve. Çdo gjë që më ndodhte, heshtja! Në se do rebelohesha, e dija që do e pësonte im atë, dhe dashuria për të ishte e pakufishme. Kur mbarova 8-vjeçaren, me urdhër nga lart, nuk më jepnin të drejtë për të vazhduar, por vetë kryetari i këshillit shijakas u rebelua aq shumë dhe fillova gjimnazin me shumë vonesë.

-Kë shkrimtar kishit për zemër, në regjimin komunist?

Lexoja gjithçka,pa pushim çdo lloj libri që më binte në dorë të të gjitha kohërave, dhe kjo më bënte të mos kisha preferenca të veçanta. Kisha fatin të isha me “Biografi të keqe” dhe nga të burgosurit politikë të farefisit apo të miqve të lexoja libra që për të tjerët ishin të ndaluara. Por nga poetët e asaj kohe me shumë dëshirë lexoja vargjet e Dritëro Agollit, më pëlqente thjeshtësia e vargut të tij.

-A u realizua ëndrra juaj e shkollimit, në diktaturë?

* Jo! Ëndrra ime mbeti gazetaria. Ajo erdhi shumë vite më vonë, në vitet e demokracisë, por jo në degën e gazetarisë.
Cila është poezia juaj e parë dhe ku e botuat?

* Poezia ime e parë titullohet “Një Lutje” që tani ndodhet e përpunuar në librin e dytë poetik “Dashuri me ngjyra vjeshte” dhe titullohet “Kur i lutesh perëndisë”. Në moshën 17 vjeç i dërgoj gazetës “Drita” të asaj kohe disa nga poezitë dhe mbas 8 muaj më vjen përgjigja që poezitë e mia nuk janë të arrira artistikisht! Pas kësaj në një emision të Radios në 92’ që drejtonte Suzana Qatipi dërgoj një poezi për emigracionin dhe ajo e lexon dhe me shumë mirësjellje më dërgon dhe një letër, që e ruaj akoma.

-Po libri i parë si erdhi dhe si u ndjetë?

Gjatë viteve të vajzërisë kisha shkruar dhe i ruaja në një fletore. Në 1995 martohem jashtë Shqipërisë dhe i marr me vete, por për 20 vjet rresht nuk kisha shkruar më. Në 7 Mars të 2015 babai ndërroi jetë dhe provova një dhimbje aq të madhe sa nuk e përballova dot dhe çuditërisht fillova të gdhendja dhimbjen time, në vargje. S’kaloi shumë dhe realizova librin e parë poetik “Flas me Heshtjen”. Janë emocione që nuk i shpjegoj dot!
-E martuar në Itali,meshkujt italianë a janë më të emancipuar, se ata shqiptarë apo kanë po ato shenja maskilizmi?

E them me keqardhje. Po, janë më të emancipuar. Shqiptarin e karakterizon një lloj egoizmi maskilist, është ndjenja e superioritetit dhe komandimit, që në biseda të ndryshme me miq mundohem ta justifikoj,për vetë jetën e mbyllur që kanë bërë shqiptarët! Mbase sot është më ndryshe.
-A ke ndjerë shenja racizmi në Itali?

* Po i kam ndjerë dhe më ka dhembur shpirti aq shumë, sa vendi im më është dukur më i lumturi në botë… Por mendoj që kjo ju ka ndodhur të gjithëve, jo vetëm mua!

-Tashmë keni disa libra me poezi, mendoni se poezia ju lehtëson shpirtërisht dhe ju përcjell energji pozitive?

Jo vetëm kaq, në momente të vështira është forca ime e vetme për të luftuar. Pa të nuk jetoj dot dhe kam bërë një përzierje unike….Poezi+Muzikë+Natyrë dhe jeta merr ngjyrë tjetër.

–Femrat në Shqipëri, a kanë po aq të drejta si në Itali?

* Mendoj që jo! Kjo për faktin se femra në Shqipëri është shumë e dobët ekonomikisht, gjë që ndikon shumë në jetën e saj të përditshme. Një ekonomi e fortë e saj do ta çonte në një pavarësi dhe gjërat do ishin më të thjeshta.

-Planet e së nesërmes për krijimtarinë?

*Pa ju ndarë asnjë çast poezisë, për të cilën po punoj një cikël tjetër poetik, jam duke përgatitur një libër të parë me tregime të vërteta nga jeta, si dhe romanin e parë “Rikthim në të Kaluarën”, të cilin ka disa muaj që e kam filluar. Më vonë të shohim.
Sigal