Mimoza Çobo: Ekspozita “Internacional Women’s Day” shpalos ngjyrat e shpirtit të gruas, në galerinë e arteve të Fierit

1211
Sigal

Ekspozita “Internacional Women’s Day”shpalos ngjyrat e shpirtit të gruas në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” të Fierit

 

Kushdo që është larguar nga Fieri, aty nga vitet 90, dhe kthehet pas shumë vitesh në vendlindje ,e ka të vështirë të orientohet me ndryshimet rrënjësore që janë bërë vitet e fundit në këtë qytet. Teksa vështron me kërshëri si shpërthen sythat gonxhja e realitetit, loti i mallit tretet me lotin e gëzimit. “Guri që shkulet nga vendi i tij, e degdiset gjetiu, do kohë gjersa të zërë prapë bar përreth…“, shkruan shkrimtari Jakov Xoxa në romanin “Lumi i vdekur”. Por në këtë rast, qenësia e këtij guri, edhe pse është degdisur larg, diku në një skaj të botës, rrënjët i ka në vendlindje dhe nuk është aspak çudi që juga e bardhë, që zakonisht fryn në pranverë, të shpërthejë gonxhet e jetës përreth tij, që të frymojë lirshëm në tokën ku i ka rënë koka. Sa futesh në këtë qytet, të pushton ndjesia e së bukurës që të rrëmben në pafundësinë e përjetësisë. Shpirti i artistit profesionist është derdhur mrekullisht në pikturat murale, në fasadat e pallateve dhe ambiente publike, duke i dhënë qytetit një pamje befasuese, ku çdokush mund të gjejë veten. Fieri është kryeqendra e Myzeqesë, oazë parajsore e Ultësirës Perëndimore shqiptare, me reliev fushor e kodrinor. I ndërtuar në të dyja anët e truallit të lumit të Gjanicës, në lartësinë 13 m mbi nivelin e detit, ky qytet ka rritur në gjirin e tij njerëz paqësor, besimtarë të devotshëm të krishterimit e të besës, njerëz shpirtbardhë e zemërgjerë, si zemra e trashëgimive natyrore, tokësore e nëntokësore, që megjithëse janë shfrytëzuar e shkatërruar egërsisht nga njeriu nëpër kohëra, fshehin dhimbjet e plagëve në membranën e kohës. Duke marrë ushqim jetësor nga hojet e mjaltëzuara të tokës dhe të njerëzve që e duan me shpirt natyrën, vlerat biologjike, turistike, arkitektonike, historike, estetike, didaktike e fetare të vendlindjes, ky qytet ka rilindur gjer në thellësitë e qenësisë së tij. Është një mrekulli, teksa sheh se si ky qytet 155-vjeçar, i ndërtuar nga arkitekt francezë, çel petalet e trëndafilta të gjirit në çdo stinë, për t’i treguar brezave sekretin e rilindjes, sekretin se si harliset një jetë e re vlerash historike, muzeale, arkitekturore, artistike e kulturore. Në librin “Brenga e Ballkanit”, shkrimtarja britanike, Edit Durham, gjatë udhëtimit të saj në Fier, më 1904, shkruan se në të janë ngritur godina prej guri me arkitekturë çuditërisht moderne. Në lidhje me ndërtimet arkitekturore me karakter industrial të Fierit, historiani Ilirjan Gjika, shprehet: “Objekti i parë industrial i qytetit të Fierit, “Fabrika e Miellit” që sot është tempulli i arteve figurative, u ndërtua me kapital vendas. Kjo fabrikë ka një histori interesante për t’ua treguar fierakëve. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kjo ndërtesë shpëtoi pa u hedhur në erë nga gjermanët, vetëm për shkak të teknologjisë gjermane. “Kjo është e vetmja vepër që përfaqëson teknikën gjermane në Fier”, -i tha kryemekaniku i fabrikës, komandantit të njësisë xheniere, që kishte shkuar ta hidhte në erë. Kaq u desh dhe gjermanët, në respekt të çdo gjëje të ndërtuar prej tyre, nuk e hodhën ndërtesën në erë. U desh kjo legjendë urbane, që autoritetet e sotme vendore, jo vetëm ta ruanin, por ta rikonceptonin si objekt të veçantë, brenda planit të rregullimit të qendrës së qytetit”. Kryebashkiaku i Fierit, z.Armando Subashi, shprehet: “Vetëm pak kohë më parë, ky vend, ku sot ngrihet parku qendror i qytetit, ka qenë një ngrehinë që veç frikës dhe ndotjes, sillte dhe imazhin më të shëmtuar, ndërsa arti kufizohej në një ambient, ku i copëtohej pesha dhe fuqia. Godina, që sot është Galeria e Arteve, ka një histori që daton që nga viti 36-të i shekullit të kaluar. E parë nga ky këndvështrim, si një prej simboleve me vlerë historike dhe arkitekturore, vendosëm ta rikthenim në jetë me një imazh dhe funksion tërësisht të ri. Galeria e Arteve “Vilson Kilica” është dhe do të jetë shtëpia e çdo artisti…”, përfundon intervistën kryebashkiaku Subashi. Teksa ecën përgjatë ambienteve të parkut qendror të qytetit, të pushton paqësisht shpërthimi i gonxhes së botës pa fund të artit figurativ, kumbimi i një lloj muzike që prek qiejt e perëndishëm të kohërave. Ngjyrat shprehëse e realiste të artit pamor fierak kanë lënë një shenjë të re jete në qiellin ëndërrtar të Myzeqesë, shenjën e kremtimit hyjnor të qenësisë së dinastisë së arteve pamore. Kjo dinasti, nuk mund të kuptohet pa ikonën e artit fierak, piktorin Vilson Kilica, emri i të cilit është gdhendur në qiellin e kësaj dinastie. Mjeshtri i penelit, Kilica, i diplomuar në Akademinë e Arteve në Leningrad, ishte një nga artistët më të rëndësishëm shqiptarë të Realizmit Socialist të viteve 60-90. Me një krijimtari të ndritur pesëdhjetë vjeçare, Kilica do të mahniste syrin e admiruesve të këtij arti, do të ngërthente shpirtin e brezave me vlerat më të epërme estetike e ideo-artistike, me ngjizjen e historisë së krijuar nga njerëzit e thjeshtë të punës e të sakrificave të mëdha njerëzore. Bëmat e artit të tij, kapërcyen kufijtë gjeografik, krijuan ura lidhëse mes shpirtrave njerëzorë, për të dëshmuar, se arti shkrin jo vetëm kufijtë mes reales e sureales, midis tokësores dhe qiellores, por dhe kufijtë gjeografik e shpirtëror. Në gjurmët e tij, kanë ecur dhjetëra piktorë në Fier dhe mbarë vendin, të cilët kanë përsosur dhe traditën në zhanrin specifik të grafikës artistike bashkëkohore shqiptare. Piktori i talentuar Aleksandër Filipi, shprehet me krenari për ikonat dhe vlerat artistike të këtij arti:”Në gjininë e arteve pamore, Fieri përfaqësohet me artistë të shquar si Vilson Kilica, Minella Saro, Anesti Çini, Josif Droboniku, Pandeli Lena, që me prurjet e tyre artistike mbartin atë çfarë është thelbësore për këtë zonë, energjitë e mëdha, dinamikat e zhvillimit nga më të fuqishmet në Shqipëri, që janë prezente në molekulat e ajrit që thithin njerëzit e mençur dhe pasionant të kësaj treve. Për të tashmen dhe të ardhmen e artit pamor fierak, mjeshtri i penelit, Pandeli Lena shprehet: “Rrugëtimi i gjatë dhe i bukur i artit pamor fierak, mishëruar në realizimin e ekspozitave kolektive, bazohet në dy linja kryesore: Së pari, qyteti i Fierit ka lindur talente të veçantë në fushën e artit dhe së dyti shkolla e mesme artistike “Jakov Xoxa”, që prej 40-vjetësh, këto talente i ushqen me eliksirin e dinastisë së këtij arti. Jam i sigurt se rruga e nisur me emrin e mjeshtrit Kilica, do të vazhdojë gjatë, duke prezantuar vlerat më të mira të artistëve shqiptarë”. Edicionet që i japin gjallëri dhe një frymëmarrje më të gjerë artit pamor në Fier, janë dhe ato që realizohen me pjesëmarrjen masive të artisteve femra, nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe vendeve të ndryshme të botës. Ekspozita “Internacional Women’s Day” promovohet në 8 mars të çdo viti në Galerinë e Arteve Fier, për të kujtuar zjarrin famëkeq të vitit 1911 në fabrikën “Triangle” në Nju Jork që i dha shkak nisjes së lëvizjeve më të mëdha feministe, për të përmbysur një sistem morali dhe koncepti shoqëror që kishte hedhur rrënjë të thella në palcën e shekujve. Piktorja e talentuar fierake, znj.Elenica Paloli shprehet se kjo ekspozitë vjen në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica”, në edicionin e saj të katërt, duke u evidentuar si një aktivitet elitar i këtij lloji, i standardeve më të larta bashkëkohore. Në format ndërkombëtar, ky aktivitet vjen si një thirrje e përvitshme për krijimet më të mira të të gjitha artisteve kudo që jetojnë. Qëllimi i saj mbetet ai më i larti. Një herë në vit, këto gra artiste mblidhen së bashku si promemorie e mesazhit të ndërgjegjes artistike, se arti dhe e bukura janë pjesë e pandashme e Krijimit. Ato lindin bashkë me feminilitetin dhe si dhuratë e krijimit duhet të jehojnë mbi realitetin. Mesazhi i këtyre ekspozitave, shprehet znj.Paloli, është se femrat artiste nga gjithë bota mblidhen për të festuar e rikujtuar se janë qeliza esenciale e shoqërisë, pa të cilat kreativiteti dhe shija për të bukurën, nuk do të ishin të njëjta. Tematika e krijimeve artistike në këtë ekspozitë i përkushtohet ekskluzivisht gruas, bukurisë shpirtërore, dritës rrezellitëse e inkandeshente që buron nga thellësitë e universit femëror, virtytit të dashurisë mëmësore, muzës romantike që bashkon e lidh dy trupa në një të vetëm, me tingujt hyjnor të simfonisë së dashurisë. Ekstrakti i së bukurës, i fisnikërisë dhe dashurisë, spikat fuqishëm në pikturën “Buqeta e fundit”, “Last Bouquet” e piktores shqiptare Lindita Marku. Variacioni i elementëve piktorial dhe harmonia e ngjyrave të ngrohta, ndërthuren mrekullisht në portretin e nënës, e cila mban pranë zemrës buqetën me lule, që për piktoren Marku nuk do të dëshironte kurrë të ishte buqeta e fundit. Thinjat, rrudhat e thella, drita jetësore që buron nga sytë dhe buzëqeshja, janë forca dhe burimi i të gjitha dashurive, bukuria absolute në raportet ndërmjet dukurive njerëzore dhe atyre natyrore ,ngushëllimi i shpirtit në pikëllim, streha e gëzimit dhe e udhës që do të ndjekim në jetë. Shpirti i saj është faltorja hyjnore që fal dhe s’të ngarkon me asnjë faj, që i jep forcë zemrës për t’u çliruar nga vuajtjet, që të ringrihesh dhe kur jeta të rrëzon në hone pa skaj. Me pak fjalë, në këtë portret mishërohet ana sublime e qenies së ekzistencës së nënës në Tokë, si Zoti në syrin e çdo fëmije dhe e tillë do të jetë edhe pas vdekjes. “Blue Dream”, “Endrra blu’’e piktores Lina Ogailly, nga Mbretëria e Bashkuar Irakiane, sjell elemente figurativë të artit të saj, me qasje novatore ndaj motiveve të artit modern dhe atij klasik. Edhe pse synimet e piktores, të realizuara me një virtuozitet të lartë teknik mund të kuptohen, vetë subjekti i “Ëndrrës blu” mbetet mahnitës dhe provokon diskutime e analiza profesionale nga vetë profesionistët e artit figurativ. Piktura që tërhoqi vëmendjen e vizitorëve dhe të vetë artisteve femra  ishte piktura “My world”, “Bota ime”. Artistja shqiptare  M. Goxhabelliu, përmes ngjyrave që flasin e përcjellin emocione të pazakonta, ka arritur të shprehë se bota ime/e saj është bota e brendshme e çdo gruaje, është mbretëria e fortifikuar nga virtyti e dashuria, por që është e rrezikuar nga negativiteti kompleks njerëzor. Aty ku dashuria për jetën dhe dhimbja për të sfiduar vdekjen, flasin bardhë e zi, telajoja është e shenjtë. Kjo është piktura pikante e artistes shqiptare, A. Pituri, e fokusuar në realitetin e subjektit dramatik të dhimbjes dhe filozofisë së shpirtit të përvuajtur  në veprën artistike të radhës titulluar “Xhuli”. Sakrificës së gruas; -për të gjetur forcë brenda vetes,-për të përballuar dramën e sëmundjes dhe vetmisë së tmerrshme  duket sikur i përgjigjet prania paqësore e maces shtëpiake  afrimiteti dhe ngrohtësia që fal kjo krijesë, të cilën jo më kot njerëzimi e konsideron njëlloj si fëmijën e shtëpisë. Imazhi dhe mesazhet figurative të piktoreve femra me gjuhëne ngjyrës është shprehje treguese e oqeanit magjik të ngjyrave të shpirtit të tyre ku ngjyejnë penelin:

  • për t’i treguar botës dhe njerëzimit forcën e ndjeshmërisë që e karakterizon femrën artiste kur pikturon qiejtë e ëndrrave të saj dhe të çdo gruaje,
  • për të grisur retë e dëshpërimit që shkarkojnë lotët e dhimbjes në hojet e thyera të shpirtit, forcën e vështrimit hyjnor që kërkon mbretërimin e së bukurës,universales.

Të tilla prezantohen në shprehimësi ngjyrash e përmbajtje pikturat “Still alive”, “Ende gjallë”,e artistes Olesia Lishaeva nga Rusia. Pikturat “Përsëri gjallë” realizuar në vaj në telajon e piktores Ardjana Hoxha dhe Blerta Aliti,së bashku me “Meditacion” e piktores Blegina Hasko Bezome, nga Shqipëria. Po kështu një tjetër pikturë befasuese e mendjes novatore e piktores nga Kosova D. Kapllanaj Dreshaj “Portret”, në vaj të rrëmben në botën plot ngjyra misterioze brenda të universit të gruas. “The woman in black”, “Gruaja me të zeza”,vizatim në letër, i piktores shqiptare Dea Tili të zhyt në eksplorimin e dhimbjes së gruas veshur me të zeza, të zbulosh misterin e dhimbjes që po e tret për së gjalli në shtrat. Edhe pse e zeza është ngjyra sunduese, në shpirtin e vrarë të gruas gjallon një jetë plot me ngjyra. Ngjyra, që vetëm gratë mund t’i ndiejnë, t’i shikojnë e pikturojnë. Diçitura në fokus, mbart një mesazh të fortë për shoqërinë shqiptare: Shpirti i burgosur i femrës që vuan, shpëton si zogu nga gracka e gjahtarit, për t’u bërë Zot i qiellit dhe i tokës. “Fuqia e gruas fshihet nën sipërfaqe” e piktores Andreja Hojnik Fisic’, nga Kroacia  është një krijim artistik i veçantë, ku ndryshe nga pikturat e tjera fuqia e gruas mishërohet jo përmes imazhit hyjnor të saj, por përmes një përzierje ngjyrash në telajo që kanë në bërthamën e tyre qelizat jetësore të burimit të jetës nga gurgullon ekstrakti i fuqisë së gruas. Të ndiesh fuqinë e gruas që fshihet nën sipërfaqe , do të thotë të njohësh anën më të bukur e rebele të saj, të ndiesh energjitë jetësore që ushqejnë zemrën e njerëzimit, të ndiesh drithërimën kumbuese të zërit që proteston ndaj së keqes dhe dhunës. Sipas një thënieje të lashtë sa bota: “Fija e flokut të një gruaje ka më shumë fuqi se gjashtë kuaj.”, kurse gjuha figurative e artistes kroate, përmes kompozimit të ngjyrave, flet me natyrshmëri se fuqia e gruas që fshihet nën sipërfaqe, matet vetë me gravitet diellor. Flladin e gatuar në enën eterne të shpirtit të gruas artiste, e ndiejmë të fryjë butësisht në portretet magjepsës, peizazhet dhe natyrat e qeta të krijimeve interesante të artisteve; Saranda Kika nga Kosova, Stela Haxhagiq, Vitjona Stefani, Ikbale Bushati Kalaja, Gentjana Meta, Irma Hoxha, Adriana Puleshi, Riketa Mamaj, Erisa Qosja të punimeve ku ndërthuret tradicionalja me modernen të piktoreve Llambrini Dena, Xheneta Kadillari dhe Jozita Shkreli nga Shqipëria. “Gërdec Memorial” është punimi në bronz me gëzhoja plumbi i artises shqiptare  Eli Xoxa, që sjellë në kujtesën e shqiptarëve tragjedinë e fëmijëve, nënave dhe grave, vdekjen e llahtarshme të 26 jetëve të fikura në kraterin gjigant të shpërthimit misterioz në Gërdec, në 15 mars të vitit 2008.”Gërdec Memorial” është klithma për paqe e drejtësi, për plagët e pashërueshme që po vrasin, jo vetëm shpirtin e njerëzve dhe memorien e kohës, por dhe dejet e tokës. Nga njëri krijim tek tjetri shpalosen vlerat e artit të mirëfilltë, vlera që i japin statusin e lartë femrës si qenie njerëzore me dinjitet dhe inteligjencë sfiduese në shoqëri dhe në art, si shtylla kurrizore e universit.”Ngjitje” titullohet vepra artistike me letër i artistes kosovare Adriana Marku Sedaj që ka si pikë referimi lartësitë  ku ajo si çdo grua e sheh veten Zot të ëndrrave të saj. Midis krijimeve të mirëfillta që përcaktojnë teknikën, stilin e veçantë dhe gjuhën e epërme piktorike të artistit  shquhet piktura në vaj dhe kanavacë “Pomegranate” e artistes fierake, Elenica Paloli .Fruti i shegës, i cilësuar nga grekët e lashtë dhe njerëzimi si frut i shenjtë, si simbol i pjellorisë ,ringjalljes e bollëkut, është derdhur në art nga artisja Paloli, gjithë natyrshmëri e modernitet. Fruti i shegës, i ndarë në tri pjesë, farat si rubin të frutit dhe ngjyra e çelur gjithë dritë e pjesëve të brendshme të shegës spikatin me qartësi në sfondin e errët e të ndritshëm, duke e kthyer pikturën në simbol të ringjalljes së jetës. Krijime të tilla artistike si “The Drop”, “Pika” e artistes moldave Natalya Yampolskaya, “Nostalgjia”e artistes gjermane Ileana Gega, “Yellow cloud” akrilik në kanavacë e artistes nga Lituania, Iliona Januliene, “Identity” e artistes maqedonase, Gordana Vincic, “Hard Soul”, e artistes kosovare Hyrie Shaqiri, “Neither tranquility ,nor trouble” e artistes kosovare Laura Brahimi, “Best Wishes” e artistes turke Derya Avci, “Dose of Eternity” e artistes kosovare Arta Durraku,”Blessed” e artistes kosovare Dije Bllaca, shprehin mesazhin njerëzor se çdo qelizë e trupit të gruas prodhon dashuri e ngrohtësi, eliksirin jetësor që mjekon plagët e shpirtrave të vuajtur. Në brendësinë e tematikave të të gjitha krijimeve, gruaja cilësohet si bartësja e embrionit të jetës në tokë, si eshtra dhe palca e universit.

Fotografia si degë e arteve pamore është art që shpreh një ide, përjetim apo emocion të artistit që fikson realitetin dhe nuk e interpreton atë, siç bën piktura nën efektin ndijesor të ngjyrave që derdh piktori në telajo. Të tilla fotografi që krijuan “efektin novelë”,u prezantuan në këtë ekspozitë nga artistet femra; Irina Rodnikoff nga Ukraina,J ovana Jerebica nga Serbia, Yuliya Belska nga Ukraina, Iliana Gega nga Gjermania, Majlinda Shala e Desarda Kalluci nga Shqipëria dhe Milena Atanasova nga Maqedonia. Ekspozita e artisteve femra nga vende të ndryshme të botës  dëshmoi, se arti është ura e shenjtë që lidh popuj e kombësi me fije shpirti, që rigjallëron pasionin dhe nxit ambicien e artisteve femra, për të krijuar vepra cilësore e bashkëkohore për adhuruesit e këtij arti. Në këtë kuadër me kontributin e tij Arti pamor fierak përcillet dhe ruhet nga brezi në brez si pjesë e vyer e trashëgimisë së trevës dhe trashëgimisë së artit tradicional shqiptar. Në të është ngjizur ekzistenca e myzeqarit përzier me lëndë përjetësie,me ngjyrat e kohërave ,sa të bukura aq dhe tronditëse. Qarku i Fierit përveçse një qendër e rëndësishme ekonomike e industriale është dhe vendi i bukurive antike të Apolonisë së lashtë i trashëgimive natyrore kombëtare e botërore i arteve të bukura pamore.