Mihallaq Luarasi: “Njëqind jetë po të kisha, prapë Edin do të kisha në krah”

773
Sigal

INTERVISTË/ Me “Artistin e Popullit”, “Mjeshtrin e Madh të Artit”, regjisorin Mihallaq Luarasi

E ndiej veten të befasuar nga çiltërsia dhe modestia njerëzore, nga kreativiteti dhe dashuria jo vetëm artistike e Artistit të Popullit, regjisorit të mirënjohur, Mihallaq Luarasi. Në të kaluarën jam takuar disa herë me të, por tashmë që vitet kanë kaluar, ai shfaqet para meje si një gjigant i artit teatror.

Ndonëse ke një jetë të tërë si regjisor dhe si dramaturg, por çdo majë e arritur e ka një fillesë?

Shumë interesante pyetja që më bëni, por qysh kur isha i vogël e kisha pasion kinemanë, filmin, por them se s’kisha aq para për të shkuar shpesh herë për të parë filma, kështu unë pastroja kinemanë dhe kjo bëri që të fitoja të drejtën të shihja filma sa herë të doja… Por filmat në atë kohë shfaqeshin në atë mënyrë të tillë, sa shpeshherë ata të projeksionit i këpusnin disa pjesë dhe i ngjitnin përsëri. Unë koleksionoja ato pjesë të prera të filmave dhe koleksionin e tyre e kam pasur deri vonë. Po dhe teatër amator kishte në Korçë. Aty lindi pasioni im i fillimit për teatrin.

Pak fjalë për jetën tënde studentore, mosha e adoleshencës, të kanë dashur apo i ke dashur hungarezet!?

Unë fitova me konkurs të hyja në Liceun artistik “Jordan  Misja” në Tiranë. Kjo shkollë, në atë kohë, kishte nivel shumë të lartë, sepse të gjithë mësuesit kishin mbaruar jashtë shtetit si mësues të shquar Nexhat Hakiu apo mjeshtrja e aktrimit dhe regjisores Zina Andri. Atmosfera në lice ishte shumë e ngritur. Në Hungari, në atë kohë, i jepej shumë rëndësi artit, sidomos teatrit. Në atë kohë, shkuan për të studiuar si në BS, Çeki, Hungari 20 veta, ku mua më ra fati në Hungari. Në premierën” Njollat e murrme” që inskenuat, u cilësua nga Fadil Kraja, dramaturg në atë kohë, si “Kapaku i florinjtë që mbylli festivalin teatror”. Ndërsa Kujtim Spahivogli tha: “Gol në minutën e fundit”!…

Pas pak, drama u godit dhe u anatemua. Fadilit i thanë: “Shpejt të vish në Tiranë” “Po ç’kam bërë!?- u thotë Fadili.”Po ja për atë që u shprehe kapaku i florinjtë!?”…

Dhe një sukses madhor i muzikës së asaj kohe “Festivali i 11-të,  në Radiotelevizion, ku ju ishit regjisor i këtij festivali, ndërsa Edi Luarasi, pra, gruaja juaj ishte prezantuese e tij… Ai festival kishte vlerë të madhe, ishte spektakël televiziv. Deri atëherë bëheshin koncerte. Ndërsa ky festival ishte me dy prezantues, Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiun, të cilët flisnin dhe komunikonin me artdashësit në sallë…

Në atë kohë njiheshe me Edin?

Në atë kohë Edin e kisha bashkëshorte. Jemi njohur qysh kur ajo ishte 17 vjeç. Unë këtë vajzë e njoha qysh në vitin 1956 kur erdha në Tiranë dhe vura në skenë pjesën ” Intrigë e dashuri”. Mbasditeve, apo mbrëmjeve, në atë kohë bëhej xhiroja e madhe nga godina e universitetit që është dhe sot deri tek treni. E pashë në xhiro këtë vajzë dhe më tërhoqi vëmendjen. Isha me një aktor, të cilit i thashë se doja ta takoja, sepse për të kisha një rol për teatrin. Ajo i tha shokut: “Nuk  më intereson teatri”. Kur unë shkova regjisor në estradën e shtetit të asaj kohe, ku ajo aty punonte si këngëtare, u njoha nga afër me të. Edi i thotë edhe të ëmës së saj se na ka ardhur një regjisor mendjemadh, që femrat i vijnë vërdallë. Por unë, duke bashkëbiseduar disa herë me të, e bëra që ajo dorëzohej…!

Dashuria  e parë e Luarasit për Edin, dy fjalë për këtë dashuri dhe përse kjo dashuri u qëndroi dhe kohërave të vështira, kur dhe ty të burgosën…

Dashuria e Edit ishte e madhe dhe u rezistoi presioneve që i bëheshin në katër anët, për të bërë divorcin. E hoqën nga teatri dhe e çuan rrobaqepëse. Nuk më ndau. Ky ishte fati im, fati i fëmijëve…

Si e përjetuat lindjen e fëmijës së parë

Fëmija i parë ishte vajza Lea. Ishte gëzim i madh se sidomos vajzat duhen shumë. Pastaj pas dy vjetësh, lindi djali. Vajzën e kam në Zvicër, ku punon mjeke në psikiatri, ndërsa djali është në Itali në Romë, ku punon në një shtëpi botuese si grafist, Eltoni im i dashur!

Një çift artistësh, sa merrni dhe i jepni  njëri-tjetrit?

 Edi ishte aktore, unë regjisor. Puna e parë që bëra e hoqa nga estrada dhe e prura në teatër, por dhe në shkollën e lartë për aktor, ku ajo ishte studente, unë pedagogu i saj. Kështu i lindi dëshira për teatrin. Ka luajtur mjaft role, por roli kryesor i saj ka qenë në dramën e Fadil Paçramit “Shtëpia në bulevard”. Po kështu tek Shekspiri “Shumë zhurmë për asgjë”. Në fillim të viteve “90”. Gëzim Kamja e mori për rolin kryesor tek drama “Kthimi i damës plakë”.

Shija juaj estetike gjithmonë “Shik”…

Ajo është si vet natyra e njeriut, por më pëlqen estetika.

Ç’është dashuria dhe kë dashuroni më shumë?

Fazat e dashurisë lëvizin sipas kohës, nga pozicioni. Tashmë unë kam gruan dhe dy fëmijët. Që të tre i dua shumë…

Po xhelozia. A është xheloz Luarasi për Edin?

Nuk kam qenë xheloz, siç e thotë Edi…

Po për të urryer?

Të gjithë të dënuarit politikë e që kanë dalë nga burgu nuk kanë urrejtje

Cilën rrymë të artit parapëlqen, Stanislavskin apo Brehtin?

Shkolla si e Brehtit është interesante, por edhe e Stanisslavskit. Të dyja rrymat inskenohen dhe priten me interes.

Cila nga inskenimet e tua regjisoriale ka qenë më mbresëlënëse?

Pjesa “Orfeu zbret në ferr”.

Pjesa juaj e fundit që inskenuat këto ditë…

Spektakli i parë i imi ka qenë “Intrigë e dashuri” dhe kjo drama ime e fundit “Përjetësisht dashuria”, ku luan Drita Pelinku.

Jeni mbi 80 vite e përsëri energjik, si djalë i ri. Nga buron gjithë kjo energji?

Nga dashuria që kam për jetën!

Përveç artit teatror çfarë tjetër parapëlqeni muzikën, sportin, pikturën, librin apo…

Shumë pëlqej librin, por dhe muzikën klasike

Si e kalon kohën e lirë?

Nuk kam kohë të lirë!…

 Një jetë me Edin dhe ju ende ndiheni i dashuruar?!

Po, dhe njëqind jetë po të kisha, prapë Edin do të dashuroja. Prandaj një jetë nuk jam mërzitur. Edi nuk të lë të mërzitesh…

A pushon çifti Luarasi dhe ku i kalon ato?

Pushimet si çift artistësh i kalojmë vetëm në Vlorë

Përsëri me punë krijuese…çfarë projektesh keni?

Projekte kam shumë, por fatkeqësisht arti i regjisorit është i varur nga teatri, nuk është si piktori apo shkrimtari…

Baxhul MERKAJ

I MADH, MIDIS TË MËDHENJVE

Sigurisht, në renditjen e regjisorëve të mëdhenj të vendit tonë vendosen Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Piro Mani… Artisti Luarasi vite të tëra jetoi në Hungari, por malli, ndjenjat e tij për artin teatror nuk e lanë të qetë, por e sollën përfundimisht në atdheun e tij. Ai i foli shoqërisë shqiptare me gjuhën e artit. Guxoi të fliste në kohën e diktaturës. Ishte ajo diktaturë që shterpëzoi edhe qumështin e gjirit të nënave ajo që nuk lejoj mendimin njerëzor të ngrinte krye. Luarasi ishte pjesë e ndëshkimit të një kohe të pa kohë… Folën në teatër Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Minush Jero etj., por i priti galeria, burgu, internimi… Imazhet e vënies në skenë të dramave prej tij i kam ende të gjalla, të freskëta në kujtesë.

KOHË E LARGËT

E pashlyer për të gjithë artdashësit mbetet shfaqja “Njollat e murrme”, të cilën pata fatin ta ndiqja në premierë. Kjo dramë u prit me interes të jashtëzakonshëm. Në atë kohë isha në Akademinë e Arteve dhe ishte çudi se si munda të hyja në premierë, ku ishte i pranishëm kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu. Pata fatin ta shoh edhe natën e dytë, ku këtë shfaqje po e ndiqte anëtari i Byrosë politike të PPSH, Hysni Kapo. Kur u mbyll ky festival teatror, mjeshtëri i dramës Fadil Kraja e quajti “Kapaku i florinjtë që mbylli festivalin”, mirëpo mendonte ndryshe diktatori, jo vetëm që kjo dramë nuk u luajt më në skenë, por autori i saj, Minush Jero dhe regjisori Mihallaq Luarasi provuan kalvarin e burgimit dhe të internimit…