Mihallaq Andrea: Ja ç’më tha Aleko Prodani për femrat, kur u martova

1785
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtari i serenatave korçare: Pse fëmijët e mi nuk zgjodhën rrugën artistike të babait dhe rezervat personale që kam sot për Korçën

Pas fatkeqësisë, jo të zakonshme që më ndodhi, gjithmonë, më shkonte ndër mend, krijimi i një familjeje”. Kështu u shpreh dje, për gazetën “Telegraf”, mbreti i serenatave korçare, Mihallaq Andrea, i cili nënvizoi se: “Ky mendim, nuk më ndahej dhe thoja me vete, se edhe ”oxhaku im, duhet të tymojë”.Të kem edhe unë pasardhësit e mi. Dhe zgjedhja që bëra, konstatoi se ishte e drejtë”. Më tej, gjatë këtij bashkëbisedimi ai tregon për prirjet e fëmijëve të tij, për miqësinë e dikurshme me Aleko Prodanin, si edhe për rezervat personale që ka aktualisht ndaj Korçës.

  Zoti Mihallaq, ju keni ndërtuar një familje të lumtur, që jo çdokush ka mundësi ta realizojë. A e quani veten me fat ne këtë pike?

Unë dhe bashkëshortja ime jemi munduar, gjithmonë, duke u ”marrë vesh”, që familja jonë të kishte tipare të vërteta dhe të rregullta. Ia kemi arritur qëllimit, duke toleruar dhe ndihmuar njëri- tjetrin dhe duke përjashtuar karakteret që natyrisht, nuk janë të njëjtë. Dhe mendoj, se këtij qëllimi ia kemi arritur. Është e vërtetë që unë jam i kënaqur me familjen time. Mbas fatkeqësisë, jo të zakonshme që më ndodhi, gjithmonë më shkonte ndër mend, krijimi i një familjeje. Ky mendim, nuk më ndahej dhe thoja me vete, se edhe ”oxhaku im, duhet të tymojë”.Të kem edhe unë pasardhësit e mi. Dhe zgjedhja që bëra, konstatoi se ishte e drejtë.

 Ju jeni martuar me dashuri, apo me ndërmjetësi, ose siç quhet, me “mblesëri”?

 Unë jam martuar me dashuri. Nuk m’u ndanë dashuritë, si në jetë, ashtu edhe në këngë. Do ju them një thënie të një mikut tim, të shtrenjtë, por që s’jeton më. Të të madhit, Aleko Prodanit. Në vitin ‘90-të, unë sapo isha martuar dhe pikërisht, në këtë kohë, (ishte muaji maj) estrada profesioniste, nëpërmjet Alekos, më ftonte në një recital, së bashku me tre aktorë të saj, të humorit. Dhe Alekoja vjen në shtëpinë time. Kur nusja doli të qerasë mysafirët, Alekoja, duke e parë me vëmendje foli me humor: Po mirë, o Mihallaq Andrea, po gjithmonë të ka ecur me femrat e bukura?!”

Sa fëmijë keni nga kjo martesë?

Tani kemi dy fëmijë: një vajzë dhe një djalë. Vajza, Klaudia studion për Mjekësi, apo stomatologji, në Romë dhe është në vitin e pestë. Flasim disa herë në ditë në telefon. Të dy fëmijët janë shumë të lidhur me familjen. Dhe ky ka qenë edhe një prej dëshirave të mia.

Përse Klaudia nuk zgjodhi muzikën, si degë studimi, por mjekësinë?

Do ju tregoj një çudi, që ka ndodhur me vajzën. Deri në moshën 14 vjeç, as që bëhej fjalë, se kishte prirje muzikore. Këndonte nëpër shtëpi, ashtu si vajzat e asaj moshe, por aspak e intonuar. Por çudia ndodhi pak më vonë, ashtu pa u vënë re. Në maturë, ajo më thotë: Babi, të lutem më bëj një këngë, se dua ta këndoj në mbrëmje të maturës. Dhe më jep një poezi që kur e lexova m’u mbushën sytë me lot. Poezia ishte shumë e ndjerë dhe prekëse. Natyrisht, që unë isha me dyshim dhe mendova se ndoshta duhej ta këndonte dikush tjetër. Por ajo më tha: Babi, më provo po deshe sepse unë di të këndoj!  Dhe kështu, u futëm në studion time, të cilën e kam në shtëpi. Ajo më këndoi një këngë të Selin Dion. U çudita sepse veshi i saj kishte ndryshuar dhe zëri po ashtu. Këndoi bukur, por në fakt ajo asnjëherë, nuk mendoi t’i kushtohej muzikës. I pëlqente shumë mjekësia.

 Çfarë mendon ajo për këngët tuaja dhe a ju ka shoqëruar nëpër koncerte, kur ishte në moshë më vogël?

Unë me miqtë e mi, mblidhemi shpesh herë dhe ia marrim edhe këngës. Jemi një grup shumë i mirë, me zëra të intonuar dhe timbër të dëgjueshëm. Këndojmë me disa zëra këngët korçare, duke u shoqëruar nga disa kitara, (luajnë pothuaj, të gjithë në kitarë) si, Vangjushi, Andrea, Thanasi, Ilka dhe virtuozi në harmonikë, Misheli. Klaudia kur vjen me pushime asnjëherë nuk e humbet rastin të vijë dhe të këndojë me ne. Është e pamundur që një kënga ime e sapo krijuar, të mos ketë dëgjuesin e parë Klaudian dhe Kristin.

Çfarë fati do t’i uronit fëmijëve tuaj: Të martohen me fise korçarësh, me të huaj?

Me shtetas të huaj, nuk do më vinte mirë, megjithatë do respektoja zgjedhjen e fëmijëve. Sa për qytetin tim, megjithëse e dua shumë, kam rezerva; më duket se nuk është ajo Korçë, që reflektonte kulturë dhe edukatë për gjithë vendin. Njëherë tjetër mund t’ua them edhe ”pse”-në.

Ju lutem flisni pak, për raportet e djalit tuaj me kitarën, apo këngën korçare, por edhe për pasionet dhe dëshirat e tij?

Djalit tim, Kristit, i pëlqen ‘informatika’ dhe sivjet është në vitin e parë, të kësaj dege. Shpresoj t’ia dalë dhe të mbarojë studimet me nota maksimale, sepse është pikërisht, ajo lëndë, që ai preferon. Ndërsa, sa për kitarën, ai e ka shumë ‘qejf, por i mungon veshi muzikor, intonues. Këndon edhe ai me ne, por i tërhequr, sepse del shpesh nga toni. (qesh)

A është krenar ai për famën dhe respektin që gëzon Mihallaq Andrea, në të gjithë Shqipërinë dhe si shprehet për këtë?

Diku në një intervistën time televizive, kur e intervistuan, Kristi është shprehur: “Dëshiroj që edhe unë të bëhem i famshëm, sa babi, por në një fushë tjetër.

Në rininë tënde të dikurshme, a ke festuar ndonjëherë Shën Valentinin, nën diktaturë?

 As që bëhej fjalë. Atëherë nuk njihej fare, kjo festë.

 A jeni rrezikuar ndonjëherë, në atë kohë për shkak të këngëve të ndaluara, të dashurisë që këndonit, ju?

 Tashmë dihet, se çfarë unë pësova për shkak të këngëve të mia ”sentimentale dhe dekadente”. Sepse, krijimtaria m’u ndalua që në vitin 1974, si edhe çdo aktivitet artistik.

 Cilat janë raportet tuaja me aktoren e njohur Ema Andrea?

 Ema është mbesa ime dhe e dua shumë. E çmoj shumë si aktore sepse talenti i saj është i padiskutueshëm. Por më shumë se kaq, Ema ka një karakter shumë të ngjashëm me timin. Është kryelartë, krenare dhe di të çmojë veten. Takohemi shpesh kur vjen në Korçë, ose kur unë shkoj në Tiranë.

 Përse kënga juaj “Ta dish ti, ç’pësoi kjo zemër” është bërë kaq shumë popullore dhe si është historia e vërtetë e kësaj kënge?

 Këngën e kam kompozuar në vitin 1983 edhe poezia është e imja. Dhe pikërisht, orkestrimi i Florit, që unë e çmoj shumë dhe dueti, me të, bëri që të dalë në skenë, si një këngë ”lider”. Kudo që shkoj në koncerte, ma kërkojnë që ta këndoj atë këngë. Por kam vënë re, që edhe poezinë e çmojnë shumë. Në fakt, shumë nga këngët e mia, kanë poezitë e mia.

Kam shkruar që në rini.

 Juve, tanimë ju njohin edhe si shkrimtar me romanin që botuat para një viti, me titull ”Dorëshkrimi i pambaruar”. Ç’domethënë kjo?

 Është një pasion i imi që mbështetet mbi prirjet e vjetra personale. Dhe së shpejti, do e ribotoj sepse s’kam as edhe një kopje për vete (qesh). Po, romanin tim të parë e kam shkruar në një hark kohor prej një viti. Është një ”triptik”, libër i ndarë në tre pjesë, por që kanë një lidhje ideore me njëra-tjetrën. Pjesa e parë bën fjalë për një ngjarje (legjendë) të ndodhur në Mesjetë, e pikërisht, në kohën Gjergj Kastrioti Skënderbeut, në fillimin e luftërave për liri, nën udhëheqjen e tij. Më ka pëlqyer gjithmonë, historia. Për atë periudhë vërtet të lavdishme të kombit tonë është shkruar pak dhe aq më pak janë pasqyruar në ekran,  apo në filma. Dihet që edhe legjendat e lashtësisë i kanë dhënë ”histori” popujve. Dhe ata krenohen me to. Do kisha shumë dëshirë që edhe romani im të ekranizohej dhe për këtë kanë shprehur ide disa njerëz të artit, si edhe botues në Rumani, të cilët kanë dëshirë ta botojnë në gjuhën e tyre. Pjesa e tretë është një autobiografi e shkruar artistikisht. E shkrova jo që të tjerët të dinë e të njohin jetën time, por që ajo kohë, koha e diktaturës më të egër në mbare botën, të njihet nga bëmat e saj dhe t’u tregojmë brezave të rinj, që kurrë të mos lejojnë, në të ardhmen një të tillë.

Ndërsa tani, sapo kam mbaruar romanin e dytë dhe jam në pritje të një sponsori, për ta botuar. Ai titullohet “Margarita”. Besoj se është mjaft interesant dhe natyrisht, flet po për të njëjtën periudhë të diktaturës komuniste. Unë shkruaj, duke mos lënë pas dore, në asnjë moment, muzikën, dashurinë time.

Cila është kënga e fundit, që keni kompozuar?

Unë jam gjithmonë në aktivitet dhe ajo që sot ishte kompozimi i fundit, nesër do të quhet, i parafundit e kështu me radhë.

Faleminderit

Ta dish ti ç’pësoi kjo zemër!

Ta dish ti, ç’pësoi kjo zemër,

ta tregoj un’ me kitarë,

kur i pashë dy sytë e bukur,

der’ atëherë, s’kisha parë.

S’kisha parë, s’kisha parë.

Ato duar aq të vogla,

kur të luanin me kitarë.

Kur i puthe buzët e mia,

Lehtë, u drodhe, si në faj!

Si në faj, si në faj!.

Me mall do ta kujtoj,

atë natë, jo se harroj,

“U vonova – më the me dridhmë,

do më shajnë në shtëpi”

Sa vite do kalojnë,

atë natë, jo se harroj.

Dhe do qeshim unë edhe ti,

Do kujtojmë dashurinë