Mihal Ciko: Si më qëlloi me pëllëmbë Kadri Roshi tek drama “Arturo Ui”

1770
Sigal

INTERVISTA/  Flet asistent regjisori Mihal Ciko

Është djali i një prej aktorëve të parë shqiptarë, i aktorit të teatrit partizan, Oresti Ciko. Që në vegjëli, babai i  nguliti në gjak dëshirën për t’u marrë me aktrim. Në Pallatin e Pionierit në Tiranë, ai mori pjesë si figurant në disa filma, por më vonë filloi studimet për regji. Në jetën e tij si figurant apo si pioner, ka kujtime me shumicën e aktorëve shqiptarë që kanë lënë gjurmë të përjetshme.

 Ku je njohur me aktorët më të mirë shqiptarë?

Unë jam njohur me Viktor  Gjokën, me Lazër Filipin,  me Mario Ashikun, Drita Pelingun, Naim Frashërin, Sandër Prosin, Mario Ashikun që në fëmijëri. Të gjithë, këta aktorë të mëdhenj, na jepnin mësim në Pallatin e Pionerëve në Tiranë, për lojë aktrimi. Atëherë ky Pallat gumëzhinte nga fëmijët. Ditë, natë, aty do të gjeje fëmijë për të mësuar, në dramë, në cirk, në piano, në vegla të ndryshme muzikore, për këngë, për balet. Ishte një kohë kur dëshira dhe mësimi për artet ishte në kulm. S’kishte fëmijë në atë kohë që të mos shkonte për një profesion. Madje të gjithë talentet e mëdha të aktrimit, këngës, muzikës, cirkut, baletit aty janë zbuluar. Pallati i Pionierëve ishte fidanishtja e të gjitha profesioneve në Tiranë. Aty kanë kujtime të gjithë aktorët, këngëtarët, orkestrantët, apo baletistët e mëdhenj të Shqipërisë.

 Ku ju aktivizonin, kur merrnit pjesë në gjithë këto kurse, apo mësime?

Ne që ishim për aktorë, pra në kursin e aktrimit na aktivizonin në shumë aktivitete të tilla si në radio, televizion, në drama. Në koncerte, në komedi, në filma. Një ndër to ishte dhe emisioni shumë i ndjekur në radio Tirana, “Heroizmi i popullit shqiptar në shekuj”, apo radiodramatizimet e ndryshme.  Tek ky emision, unë dhe shokët, apo shoqet e mia shkonim me shumë dëshirë. Madje xhelozonim dhe shokët e tjerë. Në këtë emision, ne kemi marrë pjesë me të gjithë  aktorët e mëdhenj të Shqipërisë. Në këto emisione ka pasur raste të jem pranë aktorit të madh Naim Frashëri, Prokop Mimës, Kadri Roshit, pra kemi qenë një brez fëmijësh që aktronim me këta aktorë të mëdhenj. Pra flitet për vitin 1960 dhe në vazhdim.

 Kush kanë qenë shokët e tu në këto emisione?

Unë dua të veçoj sidomos Yllka Mujon, Sokol Angjelin, me të cilët rrija shpesh, pasi ishin ndër më të kërkuarit në këto emisione. Dihet tashmë kush janë, qoftë Yllka Mujo, qoftë Sokol Angjeli.

 Kush ju ka ndihmuar më shumë nga këta kollosë të aktrimit shqiptar?

Të gjithë këta që përmenda, na donin shumë dhe na ndihmonin, por unë do të veçoj aktorin dhe regjisorin e madh Viktor Gjoka. Ai ishte një talent në komedi. Sa herë kishim ndonjë pjesë me të, ai na afrohej, na këshillonte, na drejtonte, na informonte. Kurrë nuk mërzitej duke na mësuar, kurrë. Ishte një njeri i veçantë, edhe kur ne humbnim durimin ai qeshte dhe fillonte dhe na përsëriste këshillat nga e para. Së dyti, do të veçoj Mario Ashikun, i cili na jepte fjalën artistike. Kjo lëndë ishte më e vështira në praktikë. Durimi dhe mënyra e shpjegimit të tij ishte e mrekullueshme. Kur ai na shpjegonte, në sallë nuk dëgjohej as miza. Kjo për shumë arsye, por kryesorja ishte se ai na sillte pranë fragmente nga rolet e aktorëve të mëdhenj, apo pjesë nga jeta e tyre që ne na habiste. Sidomos tek mënyra e interpretimit, ai ndalej më gjatë. Këtu nuk falte. Pa interpretim, s’ka teatër na thoshte. Këtu ishte dhe Prokop Mima, pra dy profesorë për fjalën artistike, por me Marion na ngjiste më shumë. Prokopi ishte shumë i urtë, i dashur, i sjellshëm, babaxhan. Në etikë bashkëbisedimi, dialogu, ai na trajtonte si të mëdhenj dhe jo si fëmijë.

 Ju thatë që ju merrnin si figurantë apo role episodike. Ju personalisht ku ju kanë aktivizuar  ?

Unë jam aktivizuar tek drama e madhërishme “Arturo Ui”. Një dramë që zor se mund të vihet sot në skenë. Atëherë kishte aktorë gjigandë. Isha figurant me këta kollosë, por që dihet dalja në skenë, qoftë dhe si figurant, të jepte shumë emocione, shumë drithërima.

 Ke ndonjë moment që të kanë kritikuar, apo që të janë sjellë keq këta aktorë kalibri?

Po. Kam me të madhin Kadri Roshi, tek drama “Arturo Ui” ku unë isha figurant. Kadriu luante Arturon. Isha mbrapa kuintave, pra pas skenës. Ai heq xhaketën nga krahët dhe më thotë: “Mbaje pak xhaketën dhe kur të futem në skenë ma hidh në krah!”. Ai ishte shumë i emocionuar. Kështu e shihja në skenë, të preokupuar dhe të emocionuar në kulm. Ishte natyra e tij, që kur e shikoje në jetë, nuk e besoje. Por  ai kishte një rol të madh dhe donte të dilte sa më mirë. Donte ta justifikonte besimin. Ai luante personazhin, nuk dilte nga personazhi. Siç ishte ndërtuar personazhi, ai ishte gjatë gjithë lojës. Në skenë ai dilte nga njëra anë dhe hynte nga ana tjetër. Ai se ç’mendonte pas skenës dhe harroji të më thoshte për xhaketën. Në atë moment do futej në skenë dhe unë i them: “Xhaxhi Kadri, xhaketën”, ai sikur erdhi në vete dhe më qëlloi me shpullë. Unë u mblodha. Megjithatë ia hodha xhaketën krahëve, sepse ashtu e kishte roli. Ai u fut në skenë menjëherë duke më lënë të tromaksur. Si duket i kisha ndërprerë mendimet. Kur mbaroi skena, ai erdhi menjëherë tek unë, më përqafoi, më puthi dhe më tha: “Më fal!”.  Një rast tjetër me Kadriun…Ai kishte një zakon që në biseda në rrethe të ngushta apo në disa prova, karrigen e vendoste ndryshe, jo përballë nga hapja, por nga pjesa ku mbështetej shtylla kurrizore. Kur ai shpjegonte dhe nuk kishe mendjen në mësim, ai si e kishte karrigen, ta lëshonte para këmbëve, pasi mësimin e donte mësim. Sigurisht jo për të të goditur, por për të tërhequr vëmendjen. Ai e donte edukatën skenike në mënyrë absolute.  Ja këta ishin ata aktorë gjigandë.

 Kush vepronte kështu gjatë mësimit?

Viktor Gjoka. Edhe ai e donte edukatën skenike në mënyrë perfekte. Nuk të falte as presjen. Në kësi rastesh ata bëheshin të “egër”.  Unë kam pasur një rol tek filmi “Shkurte Pal Vata, heroina e hekurudhave” dhe duke qenë se unë isha gjithmonë figurant më thoshte: “Hajde, veteran i skenës”. Unë me të kam punuar edhe në Romë pas përmbysjes së sistemit në një film “Radio Uest”.  Me të, kemi marrë pjesë në dublime filmi italian.  Më vonë ai erdhi dhe xhiroi filmin dokumentar “Tirana në kohën e demokracisë” të cilin e realizoi me Ilia Tërpinin.

 Po kush ishte kaq emocional nga aktorët e mëdhenj?

Ishin dhe ata që rroka më lart, po një diçka e tillë më ka ndodhur dhe me Sandër Prosin. Ai ishte natyrë e qetë, e dashur, por kur ishte gati të hynte në skenë, nuk shihte kë kishte majtas, apo djathtas. Në filmin “Shpërthimi” kam qenë me Sandër Prosin. Ai ishte me mua i jashtëzakonshëm, pasi kishte qenë shok me babain tim, madje kishin luajtur role dhe bashkë. Ishte shumë komunikues dhe në film ta bënte rolin shumë të lehtë.

 Ku keni marrë pjesë tjetër me shokët e tu në radio Tirana?

Kemi  marrë pjesë tek emisioni për fëmijë në orën shtatë pa çerek të mëngjesit.  Ndërsa “Heroizmi i popullit shqiptar në shekuj” bëhej çdo ditë në orën 12 deri në 12 e gjysmë. Emisioni i mëngjesit për fëmijë, me Yllka Mujon, Sokol Angjelin. Unë si figurant kam marrë pjesë në më shumë se 10 filma.

 Po në televizion ju morën si figurant?

Por dua të veçoj dhe lidhjen me Flamur Topin,  i cili bënte emisionin për higjienën se si të lamjë duart, dhëmbët, si të mos bëhemi pis, vendosja e penës, e librit, pra emisione edukative. Atëherë Flamuri punonte rregullisht me ne, ku në atë kohë me ne u bashkua dhe Zef Bushati. Pra u bëmë disa fëmijë nga Pallati i Pionerëve.

 Pra kush jua ngjizi dëshirën për aktrim?

Sigurisht babai. Ai kishte marrë pjesë në teatrin partizan me Drita Pelingun, me Naim Frashërin etj…Babai im dhe pse kishte filluar si aktor qysh me teatrin partizan i ndodhur larg familjes, për t’u kthyer në Gjirokastër, studioi për inxhinieri pyjore në Zagreb me medalje ari dhe më vonë studioi për  frutikulturë në  Gjeorgji, Odesë po me medalje ari.

 Ju keni pasur njohje me familjen Hoxha, nga erdhi kjo njohje?

Me familjen e Enver Hoxhës dhe me Nexhmijen ne jemi njohur nëpërmjet Foto Çamit. Foton e kemi kushëri dhe ne me të, kishim marrëdhënie shumë të mira. Shkonim dhe na vinte në shtëpi. Në disa takime me Enverin ka qenë dhe babai im, madje dhe unë vetë. Kështu kishim një lloj njohje me familjen e Enverit. Njëherë, Enveri e thirri babanë për të folur për frutikulturën dhe pyjet. Ishte viti 1983. Atë ditë ata folën shumë gjatë, për problemet e bujqësisë dhe të blegtorisë, për rendimentet, për zhvillimet e fundit në botë, për  problemet e të dy sektorëve jetikë për Shqipërinë. Enveri s’la pyetje pa i bërë. Kur mbaruan Enveri i tha, Ore Orest, po si na iku kjo orë kështu?! Këtë bisedë e kishte inçizuar Nexhmija e cila ma dha të plotë nga fundi i viteve 1990. E kam ende këtë kasetë me zërin e babait tim.