Midis gojëdhënës dhe së vërtetës

877
Dr. Niko FERRO

Historia e “Kishës së Madhe të Kuqe” në Lushnje
Një legjendë e vjetër tregon se mbi qytetin e Lushnjes, në pikën më kulmore të kodrës së Kasharit (e njohur edhe si “kodra e Vainit”) ka qenë një kishë e madhe. Për këtë faltore thuhet se ishte e ndërtuar bukur dhe çatia i vezullonte nga tjegullat ngjyrë të kuqe. Spikaste bukur sidomos dyshemeja e shtruar me mozaik. Thuhet se kjo kishë i dedikohej Shën e Premtes. Në lidhje me vitin e ndërtimit të saj legjenda “hesht”. Dimë vetëm se kjo kishë u dogj dhe u shkatërrua deri në themel nga ushtarët osmanë, afërsisht, para 500 vjetëve. Që nga ajo kohë e deri më sot ekzistenca për këtë kishë është ruajtuar vetëm gojarisht. Ruhen gjithashtu edhe tre vendemërtime: “tek Kisha e madhe”, “ Kisha e kuqe”, tek Tokat e kishës”. Në vitin 1920 banorët ortodoksë të Lushnjës zhvilluan një miting, i cili u mbyll me një kërkesë drejtuar Kryetarit të Qeverisë, Sulejman Delvinës ku kërkohej që të mos vihej dorë dhe mos të lejohej mbjellja e pemëve ne territorin e rrënuar të faltores së vjetër që ata vazhdonin ta nderonin sipas traditës së moçme. Edhe sot ai vend ruhet nga tradita dhe nuk është shfrytëzuar për mbjellje. Në vitin 2003 Instituti i Arkeologjisë me qendër në Tiranë, për të vërtetuar praninë apo jo të një tempulli të hershëm të krishterë, organizoi një sërvej në kodrën me toponimin “Vain” në Lushnjë. Gjatë kërkimeve arkeologët zbuluan gjurmët e një bazilike të hershme si dhe mjaft fragmente enësh. Sipas specialistëve ky tempull i kultit të krishterë mund të jetë ndërtuar midis shekujve IV-VI pas Kr. Po e vazhdojmë me të tjera dëshmi. Pak më distancë prej këtu në vendin e quajtur “Kalifas” në vitin 1988 u zbuluan disa varre antike. Varret për nga mënyra e ndërtimit ishin të tipit të thjeshtë e të zakonshëm, me dysheme të shtruara me tjegulla të tipit solenë (të shtrira), të mbuluar po me tjegulla në formë çatie (tip kapuçino, shënim N. Ferro). Dhe nga studimi që u krye rezultoi, se këto varre i përkasin periudhës së Antikitetit të Vonë. Si përfundim mund të themi se, faktet e paraqitura më lartë vërtetojnë se në Lushnjë ka pasur një bazilikë të hershme dhe që mund t’i ketë shërbyer një komuniteti të vogël banorësh që jetonin këtu shumë kohë më parë se të formohej qyteti i Lushnjës.


Sigal