Mexhit Prençi/ Teatri modern dhe performatist i regjisorit Basha dhe dramaturgut Çapaliku

724
(“Made in Albania” është drama e tretë e veprës “Triologia Albanica”, që përfshin edhe monodramën “ I’ m from Albania” dhe dramën “Allegretto Albania”, me të cilën regjisori dhe dramaturgu morën çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar “Drama të reja nga Europa” në vitin 2010, në Gjermani).
1
Vetëdijesimi dhe bindja e dramaturgut Stefan Çapaliku dhe regjisorit Altin Basha, se kultivimi i dramës dhe regjisurës shqiptare është rruga e vetme dhe e duhur për identitetin kombëtar të dramës dhe regjisurës,- u dha guximin autorëve, fal talentit të tyre, të eksperimentojnë në disa vepra dramatike që reflektojnë realitetin e sotëm shqiptar dhe shprehin me gjuhën e artit dramatik, në një mënyrë të re, copëza jete nga realiteti ku nga një pikë uji duket oqeani i vuajtjeve të njerëzve në luftë ekzistenciale për mbijetesë.
2
Kryekreje nënvizoj, se me spektaklin “Made in Albania” shfaqur këto ditë në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” , u konfirmua teatri i ri modern dhe performatist i regjisorit Altin Basha dhe dramaturgut Stefan Çapaliku.- si teatër eksperimental, provokativ, i shqetësuar dhe angazhuar në luftën kundër dhunës së gjithanshme ndaj njeriut dhe shoqërisë së sotme në depresion. Në të njëjtën kohë është edhe sfidë ndaj atyre që nga padituria apo djallëzia nuk kuptojnë se “pa dramë kombëtare nuk ka teatër kombëtar”, apostulat ky i lakuar prej dy dekadash nga kritikë e regjisorë profesionistë.
3
Teatër i ri prej një dekade e ca rrëfen me gjuhën e tekstit të autorit dhe gjuhën e regjisorit, kizën e njeriut në shoqërinë tonë, që ka humbur sigurinë e jetës, shpresën për një jetë më të mirë me liri, demokraci e drejtësi. Është një krizë e thellë që mbulohet me një propagandë entuziasto-absurde. Vasllav Havel do të thoshte: “Flitet për liri e liri nuk ka. Flitet për barazi e barazi nuk ka. Flitet për mirëkuptim midis njerëzve, por as mirëkuptim as tolerancë nuk ka. Ky absurditet, kjo filozofi e nonsensit që buron nga jeta është në qendër të kësaj dramaturgjie.”
4
Teatri i Çapalikut dhe Bashës i orientuar në këtë qasje kanë vënë në qendër të dramaturgjisë dhe regjisurës atë që ka ndodhur dhe ndodh realisht në Shqipërinë e sotme në depresion. Drama dhe spektakli përshkohen nga ide sociale e filozofike të mishëruara artistikisht dhe të shprehura me art modern dhe alternativ. Në dramën “Made in Albania” subjekti është marrë nga ngjarje reale, konkrete e të vërteta, që zhvillohen në një rrobaqepësi biznes masonësh, ku punojnë gra të të gjitha moshave me makina qepëse, duke prodhuar rroba me etiketën “Made in Albania”. Luftojnë për bukën e gojës 11 gra në një mjedis-fermën një trysni të egër nga pronari e stafi i tij. Gratë dhe vajzat rrëfejnë historitë e dramat e tyre të dhunimit e shfrytëzimit të egër. Nga ky material jetësor autori ka krijuar një vepër moderne dramatiko-komiko-tragjike i përqendruar te bota e brendshme sipas një vështrimi psiko-analitik të personazheve. Rrëfimet e grave shkruar me një tekst të bukur skenik janë tronditëse e drithëruese e rrëqethëse, sipas ngjarjeve, situatave e rrethanave të përjetuara më parë, por edhe atyre që përjetojnë në këtë mjedis torturues ku ankthi, makthi, pasiguria, frika e tmerri janë gjithnjë të pranishme dhe shkatërruese, e në të njëjtën kohë, shfaqen edhe momente gëzimi, komike e groteske shestuar, formësuar e harmonizuar në një mënyrë të tillë, që sjell risi në strukturën dramaturgjike të dramës..
5
Regjisori Basha e ka ngritur në një nivel më të lartë artistik tekstin e autorit me arsenalin e mjeteve skenike regjisoriale, koreografinë shprehëse e funksionale të Gergj Prevezit; me skenografinë brilante të Iliriana Loxha Bashae muzikën e Endrit Sinës. Po kështu edhe aktorët duke u dhënë personazheve shpirt e gjak nga i tyre siç do të thoshte Aleksandër Moisiu. Me lojën mjeshtërore njeriun e jetës e kanë paraqitur më të përsosur, si personazhin pozitiv ashtu edhe atë negativ.
6
Regjisori mbështetur në tekstin e autorit e ka formësuar spektaklin si një ansambël harmonik ku komponentët e tij janë shkrinë në njeri-tjetrin, në funksion të përmbajtjes dhe mesazheve që burojnë prej sajë e vijnë si një rrjedhë e pritur, jo e sforcuar apo imponuar. Format artistike skenike të aplikuara nga regjisori janë të shumta e të larmishme që nga ato karnavaleske. groteske, koreografike, koriste, realiste e surrealiste dhe gjithë komponentët e tjerë, integruar në idenë substanciale të spektaklit, çka publiku sipas nivelit, shijeve dhe dijeve merr kënaqësi të vërteta estetike.
7
Regjisura e Altin Bashës në këtë spektakël sjell RISI si shestimin dhe formësimin e spektaklit në tërësi, në shprehjen mizanskenike, si gjuhën regjisoriale të cilën e konsideroj vlertë të epërme të spektaklit dhe sidomos me stilin e tij unik. Gërshetimi i stilit brehtian me atë të Stanisllavskit ku aktori-personazh edhe e përjeton figurën edhe distancohet prej saj, sipas momentit të rrëfimit të dramës së tij, e, racionalja dhe emocionalja herë shfaqen së toku herë të ndara, është një stil i lartë, brilant, unikal çka regjisori Basha është vetvetja. Teoricienët e letërsisë Velek dhe Uroren do të thoshin Basha është Basha.
8
Ky stil do të kërkonte aktorë të talentuar, me botë shpirtërore, me temperament dhe të vetë ndjerë të lartë që realizon mjeshtërisht kallmin nga një gjendje në një tjetër:nga dramatike në komike, nga absurde në realiste apo nga një gjendje psikiatrike në normale etj. Etj, e në të njëjtën kohë kërkon edhe aktorin e kompletuar që bën me profesionalizëm kërcimtarin, këngëtarin, akrobatin dhe duke zotëruar në plastikë te lartë i jep personazhit çdo formë fizike etj.Të tillë i vlerësoj aktoret dhe aktorët e zgjedhur nga regjisori Basha ku secili ka vlerat veçoritë e tij: Zyliha Miloti, Luftar Paja,Shegushe Bebeti, Albana Kocaj, Engalantina Cenaj, Loredan Gjeçi, Era Caushi, Arieta Dhima, Sara Smaja, Linda Jarani, Algiona Aga, Aleksandër Seitaj dhe Florian Agalliu. Sentea e njohur se një regjisor që di të zgjedhë aktorët e duhur në rolet e duhura ka siguruar gjysmën e suksesit është për Bashën. Madje edhe përzgjedhja e aktorëve elitarë të traditës në një spektakël me aktorë të rinj dëshmon profesionalizmin dhe inteligjencien e regjisorit, që me aktivizimin e aktores së mrekullueshme realiste Zyliha Miloti dhe aktorit brilant të humorit Luftar Paja promovoi se aktorët e rinj dhe aktorët e traditës e kanë të domosdoshme të interpretojnë së bashku në një shfaqje duke dhënë e marr nga njeri-tjetri, çka është mesazh i rëndësishëm për regjisurën tonë. Nuk do të ndalem te interpretimi i secilit aktor. Sipas meje të 14 aktorët në figurat respektive si negativët dhe pozitivët, kanë perfomuar sipas individualitetit të personazhit dhe individualitetit të tyre si artist e njeri. Vlerës, lojë-ansambël me lëvizje psikofizike dinamike, me ritëm e intensitet, po edhe me personale artistike të spikatur nga gjithsecili. 
9
Në mbyllje të kësaj optike kritike guxoj të them se me spektaklin “Made in Albania” Stefan Capalikut dhe Altin Bashës promovua një teatër të ri eksperimental me sukses, si në rrafshin e dramës ashtu edhe të spektaklit. Sipas meje është teatër i shqetësuar, angazhuar dhe provokativ për të thënë të vërtetën për realitetin shqiptar sotëm, ku Shqipëria jonë e dashur është depresion të gjithanshëm, shkaktuar nga keqqeverisja e Njëshit majë fronit në pushtet, që siç thotë Urtaku është vetë zot e vetë shkop.”
10
Spektakli u shfaq në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivoglil” me sukses të merituar dhe mori miratim me duartrokitjet e zjarrta te publikut. Marr shkas të falënderoj drejtorin Kiço Londo, për orientimin e qartë të këtij teatri dhe për hapjen e dyerve dramës dhe regjisurës shqipe, skenën e të cilit teatri eksperimental dhe dhe teatri i ri modern e performatist e kanë të tyre.
Sigal