Mexhit Premçi: Në skicat për varfërinë të Musine Kokalarit, ndihet protesta aktuale. Vlerësimi i Lasgushit

969
Sigal

Në skicat për varfërinë, aktuale dhe sot, të Musine Kokalarit ndjehet protesta dhe mospajtimi me të keqen,

LASGUSH PORADECI: Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologjik

NGA MEXHIT PRENCI

1

Skica letrare e Musine Kokalarit është formësuar si nja strukturë e shkurtër e prozës, që rrok esencën e një dukurie, ngjarjeje, episodi, situate apo problemi. Stili i mprehtë, dinamik dhe ekspresiv shpreh domethënien ideoartistike të skicës, atë koncentrat mendimi dhe ndjenje që i transmetohen lexuesit. Teksti formësohet si një strukturë koncize, ekspresive, pa përshkrime e rrëfime të thata e të gjata.

2.

Sipas meje kriteri më i mirë konstruktiv dhe modern i gjykimit të një vepre letrare, është ai që ka në bazë analizën e tekstit.. Aplikimi i kritikës tekstore është kahja e duhur e kritiku apo studiuesit, që e vlerëson veprën nëpërmjet analizës konkrete: çfarë del prej asaj që është shkruar në libër çka sfidohen faktorët jashtë letrarë ideologjik dhe politik Mendoj se kjo qasje kritike është konstruktive në përcaktimin e vlerave të larta, mesatare apo minivlerave dhe jovlerave. të një vepre artistike; prozë, poezi, dramë apo komedi.

3

Që në leximin e parë të tekstit të librit “T’isha një lule“ kritiku profesionist, percepton dhe shquan profilin i shkrimtares, eseistes dhe intelektuales Musine Kokalari, si një zë i veçantë në letërsinë e viteve ’30, ku elemente të realizmit kritik, artistikë dhe estetikë, ndërthuren me elemente publicistikë dhe të eseistikës filozofike. Proza e shkurtër e Kokalarit, e formësuar si skicë letrare, u jep përparësi elementeve artistikë dhe estetikë në procesin e krijimit, në raport elementët publicistikë e filozofike

4

Në çdo krijim të saj, siç del prej tekstit, lexohet shkrimtarja e shqetësuar për: Njeriun, realitetin, kohën fundviteve 1930, ku varfëria dhe mjerimi ishin refren i ditës, siç shkruante Migjeni, ku nuk shihej dritë gjëkundi, ku shpresa ishte arratisur. Ky ishte shqetësimi i shkrimtares dhe qytetares, që përbëjnë thelbin e krijimtarisë që përfshihet në librin “T’isha një lule “.

5

Kritika ndaj këtij realiteti prej shkrimtares Kokalari, është e fuqishme, me kulturë dhe art, ku idetë filozofike mishërohen artistikisht ashtu si idetë patriotike, ekzistenciale, emancipuese, për të ndezur zemrat dhe ndërgjegjësuar shoqërinë që të kuptojë se vetëm lufta, në radhë të parë me veten, pastaj me të tjerët, është promotor i lëvizjeve dhe progresit.

6

Për vitet 1930 kur u shkruan skicat letrare me elemente eseistike dhe e filozofike të saj, qëndrimi kritik i shkrimtares ndaj realitetit është konstruktiv dhe vizionar, për ta ndryshuar atë. Nga tekstit me e shtresa e nënshtresa semantike, burojnë kumtet për diçka më të mirë, më progresiste, për mirëqenien e njerëzve, për ndryshimin e jetës patriarkale e kanunore. Kjo veçori ideore dhe stilistikore është një vlerë cilësore, e skicave të Musine Kokalari..

7

Prej tekstit letrar të kësaj proze, shquaj edhe personalitetin e saj në rrafshin shoqëror, etiko-moral, politik, ku figura e shkrimtares ridimensionohet si një luftëtare e emancipimit të shoqërisë në tërësi dhe sidomos të gruas në veçanti. Kjo shprehet nëpërmjet qëndrimit kritik të autores ndaj realitetit, siç e theksova më sipër ku shkrimtarja Kokalari, eseistja Kokalari, publicistja Kokalari dhe intelektualja Kokalari, përbëjnë një unitet, një tërësi, që formësojnë personalitetin e saj të spikatur, një personalitete e shquar që lufton për fatet e njeriut dhe të shoqërisë shqiptare.

8

Krijimet e përfshira në librin “T’isha një lule”, ngërthejnë tema e nëntema të larmishme, ku ndër më kryesoret do të veçoja: temën e varfërisë dhe të mjerimit, temën e luftës kundër patriarkalizmit dhe kundër zakoneve të egra e primitive, temën e vetmisë, të dëshpërimit dhe të humbjes së shpresës; temën e imigrimit dhe të humanizmit, të dashurisë njerëzore dhe të urrejtjes ndaj shkaktarëve të mjerimit. Ashtu si Migjeni te “Poema e mjerimit” edhe Kokalari e vë theksin te plagët e shoqërisë shqiptare në vitet ’30. Në këto tema, qëndrimi kritik i autores, i jep prozës së saj tiparet e një realizmi kritik në zhvillim.

9

Një tjetër veçori që barabitet me vlerat më të mira artistike dhe estetike, janë mesazhet e larmishme, të rëndësishme, të fuqishme, mesazhe që kumtojnë zgjimin e njeriut, ndjenjën e zjarrit të brendshëm, që siç thotë Niçja: “ … i them po çdogjëje që jep forcë, grumbullon forcë, justifikon ndjenjën e forcës”

Ja, disa prej kumteve më të rëndësishme:

Nga skica “Në jetë” sipas formulimit tim:” Që ta përballosh jetën, duhet të kuptosh se jeta është luftë & që të fitosh duhet të guxosh. Ndërsa nga skica “Kolla e vdekjes “ përcillet  akuza ndaj shoqërisë dhe gjithkujt që braktis njeriun e mjeruar.

10

Në skicat për varfërinë që përfshihen në këtë libër, ndjehet protesta dhe mospajtimi me të keqen. Diku thellë në nënshtresat polisemike të teksteve burojnë edhe kumtet që shprehin mesazhe për më të mirën dhe të bukurën, të cilat nuk janë në sipërfaqe. Po kështu edhe në skicën: “Kur sundon zakoni “ dhe në ato të emancipimit të femrës në tërësi, ku paraqitet jo vetëm gruaja e nënshtruar: skllave në shtëpinë e prindërve, skllave në shtëpinë e burrit, skllave në jetën shoqërore dhe në punë, por mbahet edhe qëndrim kritikk duke stigmatizuar realiteti të shëmtuar të kohës, sa shkaktarët të urrehen e në ë njejtën kohë, të ndezësh fitilët e zjarrit të brendëshëm, për të kërkuar më shumë liri, më shumë dinjitet, më shumë emancipim.

11

Skica që mban edhe titullin e librit “T’isha një lule”,

siç konstaton edhe kritiku Ramadan Musliu, shpreh thelbin e unit krijues të Musine Kokalarit, shpreh atë filozofi njerëzore që kumton dashuri dhe lumturi për njeriun. Autorja do, të ishte lule, që t’u jepte kënaqësi të dashuruarve, fëmijëve, të varfërve; do të ishte lule që aroma e saj të shpërndahej anekand, të mbushte me aromë, mjediset, hapsirat, ajrin; madje do të ishte lule që të mbinte edhe përmbi varre. Kjo ishte edhe kredoja e shkrimtares.

12

Pas analizës së tekstit të librit ”T’isha një lule“, komkluddoj se shkrimtarja Musine Kokalari, është një zë i veçantë në letërsinë e viteve ’30, si në rrafshin letrar ashtu edhe atë eseistik dhe publicistik, çka e dëshmojnë edhe vlerësimet mbi krijimtarinë më të  gjërë të saj nga disa personalitete:

LASGUSH PORADECI: “Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologjik. Menjëherë ajo bashkëjeton me ato që na rrëfen (artistikisht MP)

ANGELO LEOTTI: “Kam lexuar, rilexuar dhe vazhdoj të lexoj librin tuaj të mrekullueshëm Siç më thotë nëna plakë. “Është shkruar me të vërtetë mirë dhe ju paraqes përgëzimet e mia të gjalla”.

SOTIR KOLEA: (Nga një korrespondencë)

Pjesa, “Sa u tund jeta” që më çuat, – m’u rrëmbye duarsh që ditën që erdhi dhe mbeti nëpër duar të botës për një muaj. M’u kthye tashti vonë, të gjithë e prisnin si ujë të pakët; kush e këndoi dy herë, kush tri a katër herë, duke shtënë shkak se ua këndonte miqve e mikeshave”.

13

Ashtu si disa personalitete të talentuar në rrafshin e letrave, që e patën jetën të shkurtër e veprën të pakët dhe erdhën në letërsi si elitarë, edhe Musine Kokalari e tillë ka hyrë në pallatin e lavdisë së letrave, me individualitetin dhe personalitetin e saj, në brezin e shkrimtarëve të viteve ’30.

Vepra e saj duhet të studiohettë vlerësohet dhe rivlerësohet nga njerëzit me dije dhe me shije dhe të gjejë vendin që meriton, në tekste, antologji dhe historinë e letërsisë shqipe.

 

Rrugëve

Fragment nga skica

“Shëtita gjatë për të mësuar, vështrova çdo vend për të kuptuar. Takova të marrë, me habi më vështruan, iu lashë rrugën dhe shkuan. Takova të mençur, mësova ato që nuk dinja. Takova të pasur, më qeshnë, më dëbuan, më tringëllinë xhepet dhe me frikë m’u larguan. Takova të varfër, më përqafuan, më rrethuan. U bëmë shokë të pa ndarë…  Një gjë na bashkonte, një këngë varfërie në zemër na tingëllonte. Shetita gjatë që të qeshnja, vështrova çdo vend që të mallkonja. Vizitova anembanë. Vura re kudo. Pashë të ligun që quhej i mirë, pashë gënjeshtarin që kishte të drejtë, pashë katilin që nuk i skuqesh faqja. Qesha se ky ishte brumi i shoqërisë.

Shetita rrugëve, ashtu i mjerë nga xhepi, i pastër nga shpirti. Këmbët u lodhën, mendja gjithashtu. Më zuri gjumi në këndin e një rruge, ndënë strehën e një shtëpije të varfër dhe…. për pak kohë harrova çdo gjë…”