Mevlan Shanaj: Filmi është i lexueshëm jo vetëm në pamje, por edhe në domethënie

646
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisori, aktori, “Mjeshtri i Madh” Mevlan Shanaj rreth librit “Ekrani është vetë ëndrra”

Për t’iu ardhur në ndihmë gjithë atyre që ëndërrojnë të eksplorojnë ekranin, Mevlan Shanaj ka shkruar, një libër, i cili vjen si rezultat i punës së përvjelë personalisht gjatë kontakteve me studentët që ndjekin shkollat e filmit si në Akademinë e Arteve, Tiranë, në shkollën e Filmit dhe Multimedies “Marubi”( sot një akademi) ashtu edhe studentët e Degës së Filmit në Universitetin e Tetovës dhe ata të Prishtinës. Natyrisht, në këto diskutime nuk ka lënë pa përfshirë edhe bashkëshorten, shkrimtaren Natasha Lako, e cila i ka dhënë një ndihmë të madhe jo thjesht si redaktore. Dhe sigurisht, studentët vetë, në ushtrime më të avancuara për të provuar veten. Çdo vepër filmike e realizuar tashmë, është një vazhdim i hapur i këtij diskutimi. Ai mbetet me shpresë se të rinj të tjerë të trevave shqiptare, të cilët janë përfshirë në botën e krijimit vizual, jo vetëm për ekranin e madh, por edhe për ekranin e vogël, do të kenë rastin të qëmtojnë nga kjo përmbledhje gjithëpërfshirëse magjinë e fshehtë të të gjithë organizmit të një trupi. Nuk ka njeri që të mos jetë i lidhur me magjinë e filmit. Kjo e bën shkëmbimin e informacionit mbi kinematografinë po aq të gjallë dhe të nevojshëm sa edhe këmbimi monetar. Në të vërtetë, bëhet fjalë për këmbimin e imazhit dhe aktivizimin e imagjinatës. Kjo është një arsye e madhe e prodhimit dhe e diskutimit të vlerës filmike. Biseda rreth filmave, aktorëve të tyre është bërë një pjesë e jetës, që fillon pothuajse si një copë udhe nëpër tavolina pune, lokale dhe vende të tjera publike. Kjo ndodh me të gjithë ata që janë familjarizuar me kinematografinë, pa menduar shumë për sekretet e saj. Edhe më natyrshëm, bota kinematografike shkakton diskutime tek të rinjtë, veçanërisht studentët, të cilët janë dashnorët e përhershëm të kinemasë. Por për studentët që studiojnë në shkollat e filmit, ky diskutim bëhet një pjesë e patundshme e jetës. Këto dhe të tjera probleme diskutohen në librin e parë dhe të vetmin në llojin e vet “Ekrani është vetë ëndrra” me autor Mevlan Shanajn.

Filmi ndërtohet nga figura dhe zëri, duke krijuar një marrëdhënie të caktuar. Si realizohen këto në kinematografi dhe çdo të thotë plan apo kuadër?

 Një kuadër është një shkrehje e njëhershme e aparatit, një fotografi apo një frame. Një aparat filmik xhiron 24 kuadro në sek, ndërsa një aparat elektronik xhiron 25 kuadro në sek. Koha e shkrehjes së kamerës deri në ndalesën e saj është një plan. Disa plane të montuara së bashku në një rrjedhë kronologjike formojnë një skenë dhe disa skena një sekuencë dhe bashkimi i sekuencave na jep një episod. Disa episode ndërtojnë një akt dhe disa akte ndërtojnë filmin. Disa regjisorë krijojnë operacione të ndryshme estetike, si Vvelles dhe Kubrick për mizanskenën , apo Hitchkok për qëndistarinë deri në ekstrem dramatik të një kuadri të vetëm. Nuk ka recetë në ndërtimin e filmit. Mund të jetë një film edhe me një plan, si”Harku rus”i Sukorovit që krijon poetikën e vet , “Teatri shëtitës” i Angelopulos që ndërtohet në 80 sekuenca E përgjithshmja është se shumë plane të radhitura në logjikën e veprimit të ngjarjes krijojnë filmin. Filmi shfaqet si një tekst, pra është i lexueshëm jo vetëm në pamje, por edhe në domethënie.

 Sa herë dhe si lind një film?

 – Filmi lind tri herë: Së pari në letër, pra në skenar. Së dyti gjatë xhirimit. Së treti në tavolinën e montazhit, që është lindja përfundimtare. Kinematografia jep një figurë artistike të realitetit, të dallueshme nga realja. Realisht në jetë nuk ka plane të afërta të syve të aktorit as përmasa mbireale, as detaje të caktuara të dhëna nga krijuesi. Kamera nuk është syri i njeriut, pavarësisht se u ndërtua në bazë të principit të irisit të syrit njerëzor. Me kamera mund të shikosh më shumë se sa me sy dhe më shpejt, pasi në kamera fiksohen imazhet më shpejt.”Të gjitha aspektet e sendeve, qënieve dhe shpirtrave e shtojnë cilësinë e tyre morale nëpërmjet riprodhimit kinematografik” do të thoshte Delyk, në  “Gjuha e filmit”. Është e nevojshme të mësojmë të lexojmë një film, të deshifrojmë kuptimin e figurave, ashtu si deshifrojmë kuptimet e fjalëve dhe koncepteve, mund të kuptojmë hollësitë, imtësitë e gjuhës së filmit. Veç kësaj kuptimi i figurave mund të ndryshohet dhe si pasojë mund të bëhet i diskutueshëm ashtu si ai i fjalëve, prandaj mund të thuhet që për çdo film ka aq interpretime sa spektatorë. Figura mund të manipulohet dhe interpretohet në disa kuptime, në varësi të perceptimit dhe shkallës së dijeve të shikuesit. Figura filmike vepron me forcë të madhe nga pikëpamja estetike. Lloji i madhësive të ndryshme të planeve, përdorimi i kolonës zanore, mënyra e ndriçimit, lëvizjet e aparatit, këndet e vështrimit, vendosjes dhe zhvendosjes se personazheve në hapësirën vepruese, janë padyshim vendimtare në gjykimin estetik të filmit. Ky pushtet artistik i filmit ka nevojë për pjesëmarrje të gjerë kolektive të disa komponentëve. Ndër komponentët më kryesore të një filmi mund të citohen, producenti, skenaristi, regjisori, kamera, piktori, kompozitori, montazhi, aktorët dhe gjithë ekipi ndihmës i setit teknik që gjithnjë e më tepër ndikon në sukseset e filmit, pa mënjanuar kryesisht aftësitë krijuese.

 Kush është elementi më i rëndësishëm ose bazë i kompozicionit të kinemasë

-Elementi më i rëndësishëm ose bazë i kompozicionit të kinemasë është vetë mundësia e kuadrit për të lëvizur. Ky fakt e ndan imazhin vizual në film nga format e tjera të artit dhe pikërisht është ky element që shfrytëzohet pambarimisht dhe plotësisht. Lëvizshmëria e kamerës i jep mundësi veprimit. Është tepër i rëndësishëm fakti që kamera i jep mundësi kineastit të ndryshojë karakterin e imazhit gjatë kohës që ndodh veprimi dhe kjo lëvizje e kamerës në skenë quhet montazh internal.

 Kur fillon të shfaqet personaliteti i filmit

 – Personaliteti i filmit fillon të shfaqet pikërisht në çastin kur auditori ulet në sallë dhe fiken dritat, atje ku fillon udhëtimi përmes pamjeve që e marrin publikun si në një ëndërr dhe e çojnë në botën e magjishme të krijuar nga regjisori. Magjistarët e ekranit, kanë privilegjin e madh sepse përmes qëndrimeve të tyre përpunojnë shpirtra dhe mendje njerëzore, duke u dhënë atyre gjithnjë emocione e kënaqësi estetike të veçanta.Pikërisht janë këto merita artistike që e bën një botë të tërë gjithnjë e më tepër të rendë drejt kinemave. Filmi ka ndryshime thelbësore nga teatri dhe televizioni. Në film është imazhi që udhëheq, e po të mendohet se edhe në Tv ka imazh, e nuk ka pse të mos ndihet e njëjta kënaqësi estetike, kritikët e krahasojnë këtë përfitim estetik të kënaqësisë njësoj sikur të shijohet një pikturë në një pullë poste, pra aq ndryshim ka projeksioni në kinema nga një film në TV. Ndërsa me teatrin, ku mbizotëron fjala, është butaforia që kontraston me realizmin e botës së gjallë të filmit dhe me këndet shprehëse përballë publikut. Në teatër njeriu është i gjallë, ndërsa në film shfaqet shëmbëlltyra e tij, që është një ndryshim thelbësor. Në film lëvizja dhe veprimi janë domosdoshmëri, pa këto nuk mund të ketë ngjarje në ekran, që përbënë magjinë. Filmi ndryshon nga teatri edhe nga mënyra e interpretimit, pasi doza e tij realiste mbisundon në punën e aktorit me një virtualitet të rrallë. Midis teatrit dhe filmit krijohet një kontratë e re interpretimi realist, ku aktori synon disa konceptime.

 Çfarë përcjell filmi tek publiku?

– Ne përgjithësisht nuk shkojmë vetëm në kinema, filmi na imponon një orar, na kërkon ai me personalitetin e vet, ndërsa publiku shkon në film ku e di që përfiton kënaqësi dhe dijeni. Mund të thuhet po aq me kënaqësi se publiku shkon në film si për t’u relaksuar si për të mësuar. Filmi është një mundësi, sepse filmi është si një ëndërr apo si muzikë. Asnjë formë tjetër e artit nuk depërton përtej koshiencës sonë më shumë se sa filmi, pasi filmi derdh drejtpërdrejt emocionet. Filmi mori rrugën e emocioneve të drejtpërdrejta dhe të fuqishme, në rezonancë të plotë me publikun. Chaplini, bashkëkohës me Griffith, të dy nga më të mëdhenjtë e historisë së kinemasë, zhvilluan artin e tyre në rrugë të ndryshme.

 A ka rol imagjinata në film?

– Filmi varet nga cilësitë e imagjinatës, nga dëshira e kineastit për të parë, për të ndjerë dhe për të menduar ashtu si mund të bëjë ai vetë edhe të tjerët. Por e gjithë kjo lojë imazhesh nuk e shkëput imagjinatën e tij prej të tjerëve. Sado që personalitete dhe njerëz të kinemasë të kenë dhënë definicione të ndryshme, filmi mbetet një kombinim shprehës që përmbledh kërkesat themelore, të cilat krijojnë një themel të të gjithë emëruesve të përbashkët, të cilët çojnë drejt shprehjeve të ndryshme ashtu si notat muzikore dhe shkronjat e alfabetit.

 Si përcillen imazhet tek spektatori ?

– Filmi është ëndrra që publiku kërkon dhe kjo ëndërr shfaqet në mënyrë publike e organizuar. Njerëzit shkojnë në kinema që të shikojnë se si ka për të treguar këtë radhë ëndrrën e vetë një ëndërrimtar i njohur apo edhe i panjohur, sepse ekrani është vetë ëndrra. Ajo që kemi provuar me punën praktike të studentëve dhe me domethëniet e tyre vërteton se kinemaja , filmi është një kompozim imazhesh me ato shenja të një përmbajtje para shprehëse gjuhësore, të cilën kineasti di ta radhitë dhe ta tregojë, në atë formë që ripërtërin përmbajtjen inteligjente që na jep imazhi vetë përpara shqiptimit tonë gjuhësor, një semiotikë e pastër dhe e ndryshme nga ajo gjuhësore që merret vetëm me shenjat.

  Ç’do të thotë kinematografi?

 Të shohësh nëpërmjet syrit, është një nocion që fillon nga Aristoteli Kështu lind lëvizja e mendimeve, por kësaj here është edhe syri i kamerës. Filmi është një mjet i regjisorit. Regjisori merr fjalën e shkruar e përkthen në film, duke i dhënë atij frymëmarrjen e jetës. Regjisori vë në lëvizje auditorin duke u krijuar atyre mundësinë të shohin skenën nga mijëra pozicione, kurse secili kuadër i vetëm përbënë një pozicion të ndryshëm. Kompozicioni në artin e filmit kurrë nuk është statik. Por filmi nuk unifikon, vetëm shtrihet në domethëniet e tij universale, në një këndvështrim thellësish. Ai nuk ka dëshirë të merret me të tërën e një çasti të vetëm, pasi këtë e ka të pamundur. Ai e eksporton çastin nga një kohë në tjetrën.