Metush Tota: Agim Krajka më ka mësuar me gjithë zemër, një talent i madh

999
Sigal

INTERVISTA/  Flet Metush Tota, ish -udhëheqësi artistik i Shtëpisë së Kulturës së Ndërmarrjes Bujqësore “17 Nëntori”

Ka qenë viti 1960, kur u aktivizua si interpretues, recitues, këngëtar dhe valltar në Shtëpinë e Kulturës së Rrethit të Tiranës ose Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”. Me origjinën nga Kukësi por ardhur shumë shpejt, në Domje. Ishin kooperativë. Qysh në moshën 13 vjeç punoi në kooperativë. Shkonte  çdo pasdite në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi” dhe bënte prova si diletant, amator. Drejtor ka qenë Xhelil Bilali, ndërsa për muzikën Mustafa Basha muzikën. Më vonë vazhdoi shkollën e mesme të muzikës dhe disa kurse specializimi për aktrim dhe instrumente.

 Në një bisedë keni përmendur njohjen me Agim Krajkën?

Agim Krajkën unë e kam njohur si instrumentist qysh në fillimet e para. Madje, mund të them që më ka përkrahur, por mbi të gjitha ai më ka mësuar fizarmonikën kur unë isha në shkollën e muzikës në Qytetin e nxënësit. Ai ishte një profesionist absolut dhe e zotëronte fizarmonikën në mënyrë të shkëlqyer. Kur luante ai mbeteshim pa gojë. Më tej kur unë angazhohesha më Pallatin e Kulturës Tiranë ai më ka ndihmuar. P.sh kur Drejtues Artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ishte Aleksandër Peçi, ndërsa Agim Krajka drejtues orkestre në një Festival unë çova një këngë “Bashkë në fshatin e ri” të cilën e këndoi Naile Hoxha. Këtë këngë e orkestroi vetë Agim Krajka. Ishte viti 1986.

 Sa vjet vazhdove si amator dhe çfarë mësove?

Unë në Pallatin e Kulturës vazhdova dy vjet ku mësova për kitarë dhe u aktivizova me estradën amatore të Tiranës që shkonte në çdo fshat të Tiranës. Pra estradë amatore kjo. Kryetar i Komitetit Ekzekutiv ka qenë Kleanthi Vaso, i cili na përkrahte shumë në nismat tona. Ahere estradat pëlqeheshin shumë dhe kudo na prisnin me shumë dashuri.

Në këtë estradë, çfarë luaje?

Unë isha recitues dhe interpretues. Por më shumë recitoja vjersha satirike. Një ndër to ishte kundër zakoneve prapanike. Ishte një vjershë e Azis Ndreut që kishte bërë bujë. Ja disa vargje:

Burri mirë që është me zë,

Mund të marrë deri në shtatë gra,

Një për dru një për dyshek,

Tash na mbeten edhe tri,

Dy rezervë dhe një me dhi…etj..

Por më aktivizonin edhe në valle të ndryshme. Kam kërcyer disa valle tiranase dhe disa kuksiane.

 Pasi more këto mësime dhe dhatë shumë shfaqje për dy vjet ku shkove?

Kur s’e prisja kur ende s’kisha mbushur 16 vjeç më çuan Përgjegjës Kulture në fshatin Shëngjergj. Isha me 7- vjeçare, por duke parë talentin tim si recitues, valltar, instrumentist, kompozitor më besuan këtë detyrë, pasi në atë fshat nuk kishte aktivitete kulturore. Aty bëra një numër estrade, mbrëmje tematiko- dëfrimi, mbasdite të ndryshme tematike me mësuesit e shkollës. Nuk kishte ende instrumentistë në Shëngjergj. Materialet e estradës së parë i përgatita vetë, por dhe me ndihmën e mësuesve aty.  Këtë estradë e kam dhënë në disa fshatra të Tiranës. Kur u bë konkurrimi i estradave amatore në Tiranë, konkurrim mes fshatrash ne zumë vend të parë, por meqë nuk kishim asnjë femër nuk na dhanë flamurin.

Ende akoma kishte zakone prapanike, nuk ishte ky emancipim. Të vinte një femër në estradë ishte gjë e rrallë. Kushtet ishin të këqija, unë flija në dy dërrasa në Shtëpinë e Kulturës dhe më vonë më mori në shtëpi një mik i babait. Aty formova dhe një bibliotekë. Pra qysh në moshën 16 vjeç deri në 18 punova si përgjegjës kulture në Shëngjergj. Në moshën 18 vjeç më morën ushtar në Durrës.

A u aktivizove me Estradën e Durrësit?

Po, aq vjet sa ndjenja në Durrës ushtar, u aktivizova si valltar në këtë estradë. Kam qenë unë dhe Kadri Dervishi, i cili ka qenë valltar në opera.

 Mbas përfundimit të ushtrisë, ku vazhdove jetën artistike?

Menjëherë më caktuan Përgjegjës Kulture në Kooperativën Bujqësore të Laknasit. Në këtë kohë ishte rritur pjesëmarrja e femrave në aktivitete. Ishin emancipuar dhe gratë në fshatra. Gjithmonë merrnin pjesë në aktivitetet e Majit. Ahere kompozova këngën “Buzëqesh laknasi çdo ditë”, të cilën e këndoi një vajzë nga Laknasi. Ahere bëri bujë në fshat. Për këto arritje më caktuan Drejtor të Shtëpisë së Kulturës në fermën “Gjergj Dimitrov”,  Drejtor i Ndërmarrjes ka qenë Syrja Hysi. Qendra e ndërmarrjes ishte në rrugën “Fortuzi”, pra brenda në Tiranë. Sektorët e ndërmarrjes ishin Farka, Lundra, Shkoza, Babrroi, etj..Nëpër sektorë kishim edhe nga një përgjegjës kulture, por jo funksionarë.

 Çfarë organizoje në këtë fermë?

Aktivitete ishin të shumta, të larmishme, me pjesëmarrje masive. Sot as mund të konceptohen këto aktivitete aq shumë pjesëmarrje kishte. Organizonim, mbrëmjet tematike, konkurse, estrada, pjesë teatrale, të gjitha i bënim nëpër sektorë, pastaj organizonim një koncert të përbashkët për gjithë fermën. Me këtë grup konkurronim në shkallë rrethi me të gjitha ndërmarrjet e tjera apo me kooperativat. Për këto arritje më çuan drejtues artistik në Pallatin e Kulturës në Kamzë. Në këtë zonë bënte punën prodhuese dhe Liceu Artistik.

 Cila ishte risia në Pallatin e Kulturës Kamzë?

Këtu për herë të parë krijova orkestër të saktë. Pra një orkestër me të gjitha veglat muzikore. Në të njëjtën kohë vazhdoja dhe shkollën e mesme të muzikës ku pedagog direkt kisha Agim Krajkën, Agron Gashi më jepte aktrim. Në këtë shkollë mësova shumë gjëra sidomos në drejtim të orkestrës. Pas këtyre mësimeve organizova orkestrën e re. Në aktivitete vinte i gjithë populli. Në sallë kurrë nuk gjeje një vend bosh.

Çfarë gjete tjetër në Kamzë?

Kamza ishte një qytezë që kishte këngëtarë të mirë, njerëz të dashuruar me artin. Muharem Sala, Drita Bala, etj.. Ata ahere kërkoheshin kudo. Ne organizonim shfaqje të ndryshme jashtë rrethit si në Gramsh, në Fier, Korçë. Unë në këtë kohë bëra dhe një specializim pranë Teatrit Kombëtar që më ndihmoi shumë në të gjitha estradat dhe pjesët teatrale që vija në skenë. Në këto aktivitet vinin të gjithë drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Jeta ishte e mbushur çdo ditë me aktivitete artistike.

 Ju keni dhënë kontribut të madhe në jetën artistike të Ndërmarrjes Bujqësore “17 Nëntori” Kur erdhe në këtë ndërmarrje?

 Fill pas Pallatit të Kamzës më caktuan Drejtor të Shtëpisë së Kulturës së kësaj ndërmarrje kaq të madhe. Qendra e Ndërmarrjes ishte në Laprakë, ndërsa Pallati Kulturës ishte në fshatin Marikaj. Drejtor i Ndërmarrjes ishte Seit Alikaj që ishte shumë artdashës. Ajo që do të theksoj se, Pallati i Kulturës në Marikaj kishte skenë rrotulluese, me perde të kadifenjta të rënda që shuanin çdo zhurmë dhe merrte rreth 200 veta. Ishte shumë e bukur. Punova shumë me këtë Pallat Kulture. Aktivitete ishin të ndryshme, në shkallë brigadash, sektorësh,  kemi bërë 4 festivale të zërave të rinj, me solistë shumë të mirë.

 Kush ka ardhur në gjithë këto aktivitete?

Të përhershëm kishim Rita Markon dhe Sotir Koçallarin (Presidentë  të Bashkimeve Profesionale). Ata i donin shumë aktivitetet e ndërmarrjeve. Ishin shumë të lidhur me bazën. Ne kishim disa instrumentistë shumë të mirë si klarinetistin Ruzhdi Kuçi, Gëzim Kuçi, solistë si

 Kishe bashkëpunim me këngëtarë dhe aktorë në Tiranë?

Po, gjithmonë merrja Justina Aliajn, një këngëtare dhe aktore brilante. Me të kam vënë në skenë dramën “Fisheku në pajë”. Një dramë që bëri shumë bujë. Këtë e kanë parë dhe Rita Marko. Kam marrë aty dhe valltarin Rexhep Çeliku. Më vonë kam marrë Liri Rashën, Vitore Rushën, Fatmira Breçanin. Kur vinin këto këngëtare shfaqjet vazhdonin disa ditë dhe nuk kishin të ngopur njerëzit t’i shihnin nga 3 herë. Madje, një bashkëpunim të madh kam pasur dhe me Cirkun e Tiranës. Ata kanë dhënë disa herë  shfaqje. Në këto raste s’mund ta imagjinosh pjesëmarrjen. Ishe e pamenduar, pasi ishin Skënder dhe Vitore Sallaku, Ymer Pampuri, Arben Shaka. Në këtë ndërmarrje veçoj fshatin Kuç, i cili kur çuam dramën “Mulliri”, të Kosta Bardhit, na kanë pritur sikur të ishim perëndi. Na mbajtën një javë, ku unë kam bërë dhe një këngë për fshatin që e këndoi një këngëtar i atij fshati. Kur ikëm kanë qarë.