Mesazhi i kryekontrollorit Leskaj për Bibliotekën Kombëtare

953
Biblioteka ndikon në krijimin dhe mbajtjen e një shoqërie të mirë‐informuar, ndihmon njerëzit në pasurimin e zhvillimin e jetës së tyre dhe komunitetit ku ata jetojnë. Përdorimi dhe përdoruesit e bibliotekës janë thelbësorë në zbulimin dhe konfirmimin e vlerës së jashtëzakonshme që ajo ofron. Libri është ngushëlluesi dhe nxitësi i njeriut për ecje drejt shtigjeve të reja. 
Biblioteka jep kontribut të ndjeshëm në gjallërimin e vendit në të cilin është ngritur, si një qendër e rëndësishme e të mësuarit, zhvillimit kulturor dhe artistik të komunitetit, formimit të identitetit kulturor, social dhe shërben si një vend takimi për çdo individ që bëhet pjesë e saj. 
Ndërtesat bibliotekare luajnë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë e ofrimit të këtij shërbimi. Ato funksionojë në mënyrë të tillë që të reflektojnë funksionet e shërbimit bibliotekar, të sigurojnë një menaxhim efektiv për të realizuar përdorim sa më të mirë të mjediseve e mjeteve bibliotekare për të gjithë komunitetin.
Të gjitha këto tregojnë se çfarë rroli kryesor ka biblioteka kryesor në jetën shoqërore dhe se KLSH ndërmjet auditimit të saj të performancës ka kërkuar sensibilizimin dhe vënien në lëvizje të strukturave shtetërore për atë çfarë ndodh realisht me ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe bibliotekave publike. 
Qëllimi i auditimit të performancës me fokus ambientet bibliotekare në shërbim të librit dhe lexuesit: ishte vlerësimi i shërbimit bibliotekar e veçanërisht i Bibliotekës Kombëtare, i cili ka të bëjnë me ruajtjen dhe shfrytëzimin e kulturës, mbështetjen e leximit dhe të vetë‐edukimit të qytetarëve.
Objektivi i auditimit të performancës me fokus ambientet bibliotekare në shërbim të librit dhe lexuesit: është pasqyrimi me realizëm dhe objektivitet i situatës së infrastrukturës së shërbimit bibliotekar dhe në veçanti asaj të Bibliotekës Kombëtare, në shërbim të librit dhe të lexuesit, identifikimit të nevojave për hapësira e mjedise, duke pasur në vëmendje mbrojtjen e interesit të taksapaguesve dhe palëve të tjera të lidhura me këtë sferë të aktivitetit publik. 
Rëndësia e auditimit të performancës me fokus ambientet bibliotekare në shërbim të librit dhe lexuesit: është të nxisë zhvillimin e një strategjie kombëtare në fushën e shërbimit bibliotekar dhe Bibliotekës Kombëtare, përftimin e një qasjeje të re të vlerësimit të hapësirave funksionale dhe kushteve të punës në shërbimin bibliotekar dhe Bibliotekës Kombëtare, në ruajtjen e arkivimin e librit dhe shërbim sa më cilësor ndaj lexuesit.
Biblioteka siguron hyrje në dije, informacion dhe vepra, ndërmjet një sërë burimesh e shërbimesh; ajo ofron shërbim të barabartë për të gjithë anëtarët e komunitetit, pavarësisht nga raca, kombësia, mosha, besimi fetar, gjuha, paaftësia, gjendja ekonomike, punësimi dhe edukimi. Qëllimi i tyre është: Të grumbullojnë, ruajnë, përpunojnë dhe vënë në dispozicion të përdoruesve e në shërbim të formimit të tyre, gjithë koleksionet e veta. 
Auditimi duke vlerësuar hapësirat funksionale në shërbimin bibliotekar dhe kryesisht të Bibliotekës Kombëtare si institucion i dijes dhe kujtesës mbarëkombëtare, në kultivimin e dashurisë për librin, kurimit të imazhit të librit, mbledhjes, ruajtjes, përpunimit, ngritjes së nivelit shkencor e akademik të traditës bibliotekare, thekson se është padyshim me vend shtimi i këtyre hapësirave në drejtim të përmirësimit cilësor të shërbimit bibliotekar kombëtar.
Aktualisht, shërbimi bibliotekar dhe veçanërisht Biblioteka Kombëtare e ushtron aktivitetin e saj në kushte të vështira, jo të denja për një institucion të tillë, simbol të kulturës kombëtare. Konkretisht mungojnë hapësirat fizike funksionale, gjë e cila ka përkeqësuar gradualisht ruajtjen dhe zhvillimin e fondit të librit, cilësinë e shërbimit ndaj lexuesit, kushtet e punës për punonjësit, krijimin e një perspektive afatgjatë dhe të qëndrueshme zhvillimi, bashkëpunimet me institucione homologe apo akademike brenda e jashtë vendit, etj.
Me gjithë punën e bërë nga Biblioteka Kombëtare si: rikonstruksionin dhe riorganizimin e sallave të leximit, ri konceptimin e shërbimit ndaj përdoruesve i cili ka mundësuar shtimin e posteve për përdoruesit në salla leximi, krijimin e këndeve të Internetit dhe këndet e shfrytëzimit të katalogut elektronik, shfrytëzimit në disa raste edhe të hapësirave e korridoreve të saj, ka mungesa të theksuara; në hapësirat e shërbimit ndaj përdoruesve e cila është pothuajse problematike në të gjithë shërbimin bibliotekar në bashkitë e vendit dhe në BKSH, gjithashtu të hapësirave për personelin, pushimi dhe shërbimi, për ekspozita, ka mungesa të kushteve të përshtatshme mjedisore e klimaterike, si dhe të pajisjeve si tavolina, karrige, kompjuterë, etj., të cilat vazhdojnë të jenë të papërshtatshme gjithmonë e më shumë me rritjen e numrit të lexuesve dhe të përdoruesve.
Disa nga mangësitë e konstatuara gjatë këtij auditimi në mënyrë të përmbledhur janë;
û nuk është hartuar nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës asnjë strategji afatmesme apo afatgjatë mbarë-kombëtare për bibliotekat publike dhe Bibliotekën Kombëtare. 
û standardet ndërkombëtare të aplikuara në veprimtarinë e këtij shërbimi bibliotekar dhe BKSH, kanë mbetur brenda tij, çka ka sjellë që organet eprore të mos nxiten “ligjërisht” për reflektim duke e lenë që sot ky shërbim të përballet i “vetëm”.
û Ka mungesa të theksuara të hapësirave për të vendosur materiale bibliotekare; Sipërfaqja e ambientit ku është vendosur fondi i Bibliotekës Kombëtare plotëson vetëm 15% të nevojave të saj. Pjesa tjetër është vendosur jashtë çdo kriteri dhe standardi minimal. 
û Ndërtesat bibliotekare në Shqipëri pothuajse janë lënë jashtë vëmendjes së Ministrisë së Kulturës dhe Bashkive, duke i “harruar” ato në gjendjen e tyre si përpara 70-80 viteve a më shumë, ku duhet të veçohet rasti i Bibliotekës Kombëtare si institucioni më i rëndësishëm në këtë fushë.
û Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe të Ministrisë së Kulturës ka sjellë që mjediset e Pallatit të Kulturës i janë dhënë më qira subjekteve privatë për (librari, bankë, klube, institucione të huaja, etj.) duke mos krijuar kushte për shtimin e hapësirave të BKSH dhe TOB brenda tij, duke sjellë për pasojë edhe një denatyrim të funksioneve të gjithë godinës së projektuar për të qenë një institucion kulturor. 
û Nuk është planifikuar ndërtimi i një biblioteke të re për kryeqytetin, të cilit i ka munguar gjithmonë, rolin e së cilës e ka luajtur gjithmonë Biblioteka Kombëtare. 
Për sa më sipër në bazë të gjetjeve dhe konkluzioneve të këtij auditimi performance, Kontrolli i Lartë i Shtetit përveç mesazhit kryesor të cituar në fillim të këtij shkrimi ka dhënë dhe disa rekomandime për përmirësimin e situatës ku disa prej të cilave në mënyrë të përmbledhur janë si më poshtë:
 Ministria e Kulturës, në bashkëpunim më Këshillin Kombëtar të Bibliotekave, Komisionin Kombëtar të UNESCO-s pranë Ministria e Punëve të Jashtme bashkitë, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë të interesuar të hartojnë Strategjinë Kombëtare të zhvillimit të bibliotekave dhe në mënyrë të veçantë atë të Bibliotekës Kombëtare, si një nga institucionet më të rëndësishme në zhvillimin kulturor, shkencor, edukativ, informues dhe ruajtës të trashëgimisë kulturore dokumentare si pjesë të pasurisë kulturore kombëtare.
 Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, të formalizojë ligjërisht standardet ndërkombëtare dhe përvojat më të mira ndërkombëtare të përdorura nga shërbimi bibliotekar të harmonizuara me ligjin e bibliotekave dhe udhëzimet përkatëse si detyruese për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet në shërbim të tij.
 Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të marrë hapa konkretë për saktësimin e ambienteve të Bibliotekës Kombëtare dhe shtimin e tyre, duke i kthyer të gjitha ambientet e Pallatit të Kulturës, Bibliotekës Kombëtare.
 Ministria e Kulturës, në bashkëpunim Qeverinë, të marrë hapa konkretë për ndërtimin e një ambienti të ri të konceptuar për Bibliotekë Kombëtare. 
 Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të punohet për krijimin e hapësirave të reja; të merren masa konkrete për ruajtjen e fondit të vlerave të rralla në standardet që ato kërkojnë si trashëgimi kulturore shumë shekullore; të merren masa konkrete në avancimin më shpejt të procesit të spastrimit të materialeve bibliotekare.
Gjetjet dhe rekomandimet e këtij auditimi performance dhe asaj çka realisht ndodh me librin dhe lexuesin si pasojë e mungesës së hapësirave bibliotekare, nuk është i vetmi auditim performance që kryen Departamenti i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit në mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Departamenti aktualisht është angazhuar në një tjetër auditim që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore dhe konkretisht atë arkeologjike dhe të monumenteve të kulturës si administrohet dhe si ruhet kjo memorie e kombit tonë e cila jo në pak raste po humbet me veprimet dhe mosveprimet e dorës së njeriut.
Alfred Zylfi
Elfrida Agolli
Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit
Sigal