Mesazhet e pavdekshme të Reshat Bardhit

862
Haxhi Dede Edmond Brahimaj për dede Reshatin
Kryegjyshi Botëror Bektashian
Në historinë 800-vjeçare të besimit bektashian, emri i dede Reshat Bardhit do të mbetet padyshim, sinonim i një mbijetese të shkëlqyer. Ndërsa në panteonin e ndritur të baballarëve dhe dedelerëve, ai qëndron kurdoherë frymëzues, për milionat e besimtarëve dhe ndjekësve bektashianë. Pak kush si ai, në rrjedhën e rrëmbyer të ngjarjeve në Shqipëri e Ballkan, pas viteve 60 të shekullit që lamë pas, jo vetëm që diti të orientoj drejt, jo vetëm që nuk lejoi nëpërkëmbjen fizike dhe morale të atyre që besonin në Zot, por u shndërrua vetë në një institucion të mëshirës universale, duke pritur rrufe e shkrepëtima mbi vete, si malet e Kukësit, ku pati lindur dhe ishte rritur. Në konceptin tim, dede Reshat Bardhi i ka kaluar mrekullisht, të gjitha etapat, jo vetëm tradicionale, por edhe morale e hyjnore, çka besimi ynë të ofron. Qysh në konsakrimin e tij si dervish, ai u vu në provën e vështirë dhe të dhimbshme. A do të degdisej me myrshidin e tij, dede Ahmet Myftarin në teqenë e rrënuar të Mallakastrës, apo do ta braktiste atë, për të fituar tek qeveria e kohës dhe për t’u ngjitur më tej, në shkallët e larta të karrierës. Ai tregoi devotshmërinë karakteristike, të përcjellë prej dervishëve bektashianë. Në vitin famëkeq 1967, pikërisht në këto momente aq të rëndësishme dhe gati përcaktuese për fatin e bektashizmit në Shqipëri, unë pata fatin e madh të takohem me këtë mistik të rrallë. Dede Ahmet Myftari, kushëriri i parë i tim ‘eti, Hysenit, erdhi në tetorin 1967 në shtëpinë tonë, i shoqëruar nga dede Reshati. Ne jetonim në Tiranë në një shtëpi të vogël me dy dhoma e kuzhinë, e cila, çuditërisht disa kohë më vonë, do të rritej e rritej, sa për të mbledhur dhjetëra besimtarë bektashianë. Dede Ahmetin ne e thërrisnin ‘Babamadhi”. Unë vetë kam ardhur në jetë, prej frymës së Babamadhit. Në fillim të viteve 70-të, një dhomë e shtëpisë tonë nuk çelej. Ishte dhoma e Babamadhit dhe dervishit. Mund të tingëllojë si diçka e çuditshme, por në ato net veprimtarish e praktikash fetare në fshehtësi të plotë, nën kujdesien e drejtpërdrejtë të dervish Reshat Bardhit, ne mundëm të kishim një dritare më shumë në realitetin e ndotur prej ateizmit të kohës. Me mençurinë dhe urtësinë karakteristike të tij, dervish Reshat Bardhi diti të përcjellë tek ne mesazhet më të pastra të orientimit mistik, i vetëdijshëm për të nesërmen tonë. Në fillim të viteve 1990, jeta ime u mbështet e tëra në vëmendjen e dede Reshatit. I tillë qe ky kujdes për mua, në natën e 22 marsit 1991, ndërsa merrja dorë me gëzimin e madh, se do të shërbeja në rrugë të Hakut. Vetëm një vizionar si dede Reshati, mund të ideonte dhe ringrinte bektashizmin, në lartësinë ku jemi sot. Pa vizionin e tij, vështirë të ringrihej besimi në këto përmasa të sotme në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni.
Dede Ahmetin ne e thërrisnin “Babamadhi”… Unë vetë kam ardhur në jetë, prej frymës së Babamadhit. … Në fillim të viteve 70-të, një dhomë e shtëpisë sonë nuk çelej. Ishte dhoma e Babamadhit dhe dervishit… Mund të tingëllojë si diçka e çuditshme, por në ato net veprimtarish e praktikash fetare në fshehtësi të plotë, nën kujdesjen e drejtpërdrejtë të dervish Reshat Bardhit, ne mundëm të kishim një dritare më shumë në realitetin e ndotur prej ateizmit të kohës. Me mençurinë dhe urtësinë karakteristike të tij, dervish Reshat Bardhi diti të përcjellë tek ne mesazhet më të pastra të orientimit mistik, i vetëdijshëm për të nesërmen tonë”.
Sigal