Mes shokëve ushtarakë “Skënderbegas” në një 70-vjetor emocionues!

970
Nisur nga tradita shqiptare dhe përvoja ndër breza, zakonisht në çdo familje janë bërë dhe bëhen ceremoni gëzimi për festimin e ditëlindjeve të pjesëtarëve të familjes, sidomos ato 5 ose 10- vjeçare sipas mundësive dhe kushteve ekonomike të tyre. Kohët e fundit sidomos në këto vitet e tranzicionit shumica e familjeve shqiptare janë shpërndarë dhe larguar si brenda vendit e në veçanti jashtë vendit në emigracion si për të gjetur një punë, por edhe për të siguruar kushte më të mira ekonomike për jetesën. Në këto kushte e rrethana edhe kremtimi e festimi i ditëlindjeve në familjet shqiptare, kohët e fundit është zbehur ose bëhen thjeshtë ceremoni të vogla familjare. Edhe unë që po bëj këtë shkrim, jam me banim në Vlorë kisha menduar para disa kohëve që 70-vjetorin e ditëlindjes sime ta bëja me një ceremoni familjare edhe më të zgjeruar, por arsyet e mësipërme dhe problematikat e dala ashtu siç i ka shumica e familjeve shqiptare sot më detyruan mua që të mos e realizoj parashikimin e bërë kështu edhe vendosëm që këtë 70-vjetor ta bëj thjesht me familjen time pranë vajzës me banim në Tiranë. Por siç ndodh shpesh në kësi rastesh ka dhe dalin të papritura apo siç i thonë ndryshe, surpriza. Dhe kjo surprizë u bë nga shokët e mi ushtarakë, skënderbegasit e maturës së vitit 1967, sot ushtarakë të liruar e në pension. Nismëtar edhe ideator i këtij organizimi për ditëlindjen time u bë njëri nga shokët e mi të klasës (togës) 4-të skënderbegas, Perlat Sula i cili ishte iniciatori po ashtu edhe për takimin me rastin e 50-vjetorit e mbarimit të shkollës “Skënderbej” në 17 shtator 2017. Ishin shokët e mi të shkollës “Skënderbej” me banim në Tiranë si më poshtë: Perlat Sula, Kujtim Dervishi, Fisnik Hyka, Hysen Cali, Bajram Baxhaku, Ajet Nuellari, Xhevat Kapaj, Petrit Gjoka, Fran Deda e Rifat Marsela të pranishëm në këtë 70-vjetor ku kaluam së bashku 3-4 orë me emocione dhe mbresa të pashlyeshme në jetën time që më bënë të jem krenar për shokët e mi të mrekullueshëm për këtë organizim vëllazëror. Në këtë ceremoni festive shkëmbyem mendime, përvoja të punës e të jetës të secilit ku kemi kryer detyrat në jetën e ushtrisë, kujtuam vitet e mrekullueshme të gjithë asaj pune të madhe edukimi e përgatitjeje që bëhej në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Edhe shokët e tjerë të klasës si: Xhevdet Trimi, Halim Shabani, Rrok Miculi, Faik Hot, Bekim Hysi, Xhezair Pulaj, Sadik Hysi e Lefter Shtëmbari që nuk munden të vinin me përzemërsi e dashamirësi më dërguan urimet e tyre të ngrohta e vëllazërore. Unë shpreh shpirtërisht dhe emocionalisht se të kalosh një përvjetor ditëlindjeje mes shokëve të tu të njohur që në moshën e adoleshencës e të gjimnazit ushtarak të shkollës “Skënderbej” e ushtarakë të liruar e në pension pas 50 vjetësh është një gjë e jashtëzakonshme,është një virtyt i një shoqërie shumë të fortë e me vlera njerëzore për të cilën unë i falënderoj pa masë e me përzemërsi të gjithë shokët e mi, si ata pjesëmarrës edhe ata që nuk patën mundësi të vinin duke iu uruar gjithë të mirat në familjet e tyre. Këto virtyte e vlera të larta morale e njerëzore i ka edukuar, ngulitur e bërë pjesë të ndërgjegjes shpirtërore tek ushtarakët,vetëm ajo punë e gjithanshme dhe e jashtëzakonshme e shkollës së mesme të përgjithshme ushtarake “Skënderbej” dhe me të drejtë e plot gojën i themi njëri–tjetrit Faleminderit!!! Por i themi faleminderit edhe shkollës “Skënderbej”, plejadës së atyre kuadrove ushtarake e gjithë personelit arsimor për atë ç’kanë bërë ndaj nesh. Në këtë shkrim do të shpreh disa mendime dhe vlerësime për njërin nga shokët tanë dhe do të ndjehesha shumë i lumtur që me këtë dëshirë të bashkohej edhe dëshira e të gjithë shokëve të tjerë. Ky është Perlat Sula.

Por kush është Perlat Sula?
Perlat Ferhat Sula është me origjinë nga Libohova, nga vendlindja e revolucionarit, patriotit, atdhetarit, mësuesit dhe heroit të popullit Avni Rustemi. Babai i Perlatit ka banuar nga Libohova në Berat, në Tiranë, Krujë e Fushë-Krujë ku ka kryer detyra nga më të ndryshmet, ka qenë anëtar i rinisë anti-fashite Nacional Çlirimtare, ka qenë partizani Brigadës së 10-të Sulmuese në Karbonarë të Lushnjes, ka qenë pjesëtar në divizionin e mbrojtjes së popullsisë në Tiranë etj. Perlati u lind në Tiranë më, 26.03.1948 dhe nga vitet 1950-1964 ka qenë me banim me familjen në Krujë dhe Fushë-Krujë. Perlati shkollën 7-vjeçare e ka kryer në Fushë-Krujë dhe nga dega ushtarake Fushë-Krujë erdhi Skënderbegas në shtator të vitit 1963, aty ku u njohëm për herë të parë me njëri –tjetrin dhe kaluam së bashku 4 vjet në një klasë deri në korrik të 1967. Qysh në atë moshë kur u takuam, kur vinim nga zona, qytete e fshatra të ndryshme të Shqipërisë tek Perlati vumë re një sjellje dhe komunikim të dashur, të harmonishëm e korrekt. Tek ai reflektohej një pjekuri dhe arsyetim i shëndoshë. Nisur edhe nga këto cilësi të tija qysh në fillim Perlati u ngarkua edhe me detyrën e kujdestarit të klasës (si një detyrë funksionale ushtarake), i cili ndiqte dhe zbatonte orarin e veprimeve gjatë 24-orëshit të ditës me efektivin e klasës, detyrë të cilën e ka kryer në mënyrë shembullore (si një kuadër aktiv) ku asnjëherë as më shokët dhe as me eprorët nuk pati konflikte probleme e keqkuptime, përkundrazi ai dinte të gjente gjuhën dhe komunikimin në veprimtarinë e tij si me shokët po ashtu dhe me pedagogët dhe eprorët ushtarakë. Këto veti te Perlati ishin nga më të mirat në moshën që ishim si nxënës,si student dhe gjatë gjithë jetës së karrierës së tij ushtarake, sepse ashtu e kishte marrë edukatën fillestare qysh në familjen e tij. Perlati, oficeri i ri në degën e ndërlidhjes, krijoi familjen e tij. Bashkëshortja e tij Engjëllushja, një nga oficeret e para ushtarake në Shqipëri që mbaroi shkollën e bashkuar të oficerëve dhe që të dy si ushtarakë në të gjitha detyrat në karrierën e tyre ushtarake i kanë kryer në mënyrën më korrekte me përkushtim, me aftësi dhe profesionalizëm duke reflektuar vlerat më të larta si ushtarake model. Engjëllushja, bashkëshortja është një nga vajzat që erdhi në kursin e parë të shkollës për ushtarakë dhe është nën-kolonelja e parë femër në ushtrinë shqiptare. 20 vjet ka punuar pedagoge dhe punonjëse shkencore në akademinë ushtarake, 7 vjet drejtoreshë e bibliotekës në Universitetin Bujqësor në Kamëz, pedagoge edhe në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë. Kurse Perlati, shoku ynë skënderbegas, kujdestari i klasës në karrierën ushtarake të tij me korrektesën, pjekurinë dhe përkushtimin e tij i kaloi me radhë të gjitha detyrat shkallë-shkallë nga më e ulëta te më e larta duke treguar vlerat më të mira të një ushtaraku model edhe profesionist. Perlati punoi në korpusin e Burrelit duke arritur deri në detyrën e oficerit të drejtimit të shtabit të korpusit. Pastaj kaloi në Ministrinë e Mbrojtjes me detyrat shef i degës së shtabeve të ushtrisë, ndihmës shef shtabi për frontin juglindor, shef shtabi divizioni të Tiranës,drejtor i drejtorisë së organizimit të ushtrisë, këshilltar ushtarak i ministrisë së mbrojtjes, komandant i mbrojtjes ajrore të shtetit (forcat e MKA dhe të aviacionit), komandant i komandës të doktrinave dhe të stërvitjes të ushtrisë,duke mbajtur mbi supe shumë vite punë gradën e gjeneralit deri në vitin 2006 kur ai doli në lirim. Gjatë gjithë jetës dhe karrierës së tij Perlati është dalluar për metodat dhe mënyrat e të punuarit me vartësit,me kolegët, me eprorët, me mënyrat më të mundshme dhe me vlerat më të larta të karakterit të tij duke qenë shembull dhe model për një ushtarak karriere deri në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Perlati për punën, për meritat dhe aftësitë e tij është vlerësuar edhe me dekorata e medalje të ndryshme. Por jo vetëm kaq, Perlati me Engjëllushen kanë lindur tre fëmijë të mrekullueshëm, tre vajza. Alda ushtarake me gradën nënkolonele në forcat speciale të KFOR-it dhe shefe departamenti në Ministrinë e Mbrojtjes, Najada inxhiniere ndërtimi aktualisht në SHBA dhe Ana doktoreshë gjinekologe, e cila ka bërë 12 vjet arsimim në Turqi dhe është në gradën majore dhe punon në spitalin ushtarak në Tiranë. Pra kemi të bëjmë me një familje të tërën ushtarake. Një familje model që kanë dhënë dhe japin kontributet e tyre në shërbim të atdheut. Edhe tani që është në pension Perlati jep kontributet e veta shoqërore si në organizmat e shoqatave ushtarake ashtu edhe në veprimtari të tjera shoqërore. Nisur nga tërë kjo veprimtari e gjerë e me plot vlera të shokut dhe të vëllait tonë Perlatit shpreh ndaj tij falënderimet më të larta, respektin, mirënjohjen dhe urimet më të mira ndaj tij dhe familjes së tij!

Më shumë se kurrë sot shoqëria jonë ka nevojë për njerëz të tillë sikundër është shoku ynë, gjenerali i thjeshtë e model prandaj dhe ne shokët e tij i themi : “Faleminderit Perlat për gjithçka ke bërë e po bën për shoqërinë tonë!”. Ky është Perlat Ferhat Sula,shoku ynë skënderbegas, nderi dhe krenaria jonë, gjenerali model, nderi dhe krenaria e ushtrisë shqiptare. 

Skenderbegasi maturant i vitit 1967
Kryetari i SHKURSH Dega Vlorë
Maksim Ramohitaj
Sigal