Merita Smaja: Femra shqiptare sot ia ka dalë, ka arritur të integrohet mirë në shoqëri

1000
Sigal

Merita Smaja: Në duart e gruas është e ardhmja, nga ajo brumosen e forcohen rrënjët e një familjeje

 “Dita Ndërkombëtare e Gruas’ lindi në fillim të shekullit të 20-të, periudhë kjo që përkonte me përballjen e botës me një revolucion të madh ekonomik dhe industrial. Këto ngjarje detyruan që punonjësit të hidheshin në protesta për shkak të kushteve të këqija të punës. Për herë të parë është kremtuar në vitin 1909 në Amerikë për të vijuar në Kopenhagën më 1910, ku u vendos që ‘Dita e Gruas’ të festohej në të gjithë botën, për nder të lëvizjes së grave për të drejtat e tyre dhe për t’i mbështetur gratë në njohjen e statusit të tyre në shoqëri. Në këtë konferencë morën pjesë 100 gra, nga 17 vende të botës, midis tyre dhe tre gratë e para, të cilat u zgjodhën si pjesëtare në parlamentin e Finlandës. Në Perëndim, ‘Dita Ndërkombëtare e Gruas’ u vëzhgua fillimisht si një ngjarje popullore dhe pas 1977 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ftoi shtetet anëtare të shpallin 8 marsin si Dita e OKB-së për të Drejtat e Grave dhe Paqen Ndërkombëtare. ‘Dita Ndërkombëtare e Gruas’ festohet çdo vit në 8 mars për të kujtuar jo vetëm fitoret sociale, ekonomike dhe politike të grave në vitet e fundit, por edhe për problemet që mbizotërojnë, si dhuna që vuajnë vazhdimisht gratë në të gjithë botën. Në Shqipëri, 8 Marsi u kremtua në vitin 1942 të shekullit XX-të në grupe të vogla grash. Këtë vit, më 8 mars, stafi “Për Shkodrën” (një faqe artistike online) kanë gjetur një mënyrë origjinale për ta kremtuar këtë ditë, duke evidentuar penën e gruas. ‘Në sytë e gruas ideja ka gjithmonë një fytyrë’ – thotë Kruase dhe do ta vijoja ‘E në gjuhën e vargjeve të tyre ka jetë, vazhdimësi, zë që klith e gëzim që ngrihet në këmbë’. Përmes vargjeve të tyre, do mund të përjetojnë katarsis. Zonjat që e duan penën do të marrin pjesë me poezitë e tyre në këtë organizim nga Edison Ulqinaku, Eugjen Gargjola dhe Jetmir Troshani, që bashkohen për të nxjerrë në dritë një aktivitet i cili është kompliment i asaj çka femra është… lartësimi i njerëzimit. Do të jetë një aktivitet risi, ku ambienti në të cilin do të bashkohen poetet, do të jetë i dekoruar me poezi të përzgjedhura femërore, në gegërisht, që do të kundrohen vizualisht në formate poster-grafike, do të interpretohen dhe shoqërohen nën tingujt e brishtë të violinës së artistit Eugjen Gargjola. Ekspozita e poezisë “Feminine Unlimited” do të çelet në Tiranë me pjesëmarrje të 20 poeteve, ndër to edhe aktorja e mirënjohur Merita Smaja. Një grua e zonja jo vetëm në skenë, por shkëlqen edhe në kujdesin që i ka kushtuar familjes së saj si një bashkëshorte dhe bashkudhëtare e artit me aktorin dhe regjisorin e mirënjohur Fatbardh Smaja, e njëkohësisht e dy fëmijëve të talentuar Sarës dhe Fisnikut. Që prej vitit 1981, Merita Smaja është bërë pjesë e pandarë, duke dhënë kontributin e saj të vyer artistik në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Ka pasur disa role në kinematografi, si: “Kinokomedi me G.Krujën”; “Pak fresk sonte”; “Flaka e maleve”; “Gruaja pa krahë” (Film Shqiptaro-kanadez); “Letra ere” (Film Italo -shqiptar), “Freedom”, “Sarina”… etj. Ka bashkëpunuar me regjisorë, si: Serafin Fanko, Elez Kadria, Tonin Ujka, Zehrudin Dokle, Fatbardh Smaja, Bruno Shllaku, Nanni Garella, etj. Ajo është personazhi: MARTIRIO te “Shtëpia e Bernarda Albës”; NËNA te “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” i Pirandelos; HEROINA E GRAVE te “Vizita e fundit” e Albri Brahushës (vlerësuar si aktorja më e mirë në Festivalin e Teatrove në Preshevë); AJO te “Luaj për mua në violinë” e Gazmend Krasniqit; NATASHA tek “Ishulli i Shitenit” i Albri Brahushës, e deri tek MERI në dramën “Dy jetë” të Fadil Krajës, në nëntor 2011, për të cilën vlerësohet me çmimin “aktorja më e mirë” në Festivalin e Ferizajt ku i jepet edhe kupa “Adriana. Të tjera pjesë teatrale ku ka spikatur me interpretimet e saj janë: “Pushkët e nënës Karar”, “Kryevepra”, “Këneta”, “Jetë e dashuri”, “Provimet”, “Gjaku i Arbrit”, “Hetimi”, “Rrënjët e dashurisë”, “Portreti”, “Dëftesa e pjekurisë”, “Të gjithë të qeshur”, “Njerëz mbi urë”, “Një fund i tillë”, “Lypësi i vogël”, “Hija e fajit”, “Neni 55”, ”Festë familjare”, “Ç’murosja”, “Gjykimi”, “Britma e kohës “….etj. Aktivitetet e saj profesionale artistike janë të shumta, por shpeshherë i kushton kohë edhe poezisë, të cilën e ndan me miqtë.

 Kur është zanafilla e vargjeve tuaja?

Gjithmonë kam qenë e apasionuar pas letërsisë, e në veçanti pas poezisë, kjo dashuri për të bukurën u rrit tek unë nga mësuesi i letërsisë që kam pas në tetëvjeçare, një ndër më të mirët e më pasionantët. Atëherë unë shkruaja hartime, sepse ato kishim ne si krijime të mirëfillta, i shkruaja edhe shoqeve e shokëve që nuk arrinin të shkruanin dot, e …gjithmonë zbulohesha nga profesori im i letërsisë. Ai më shtynte të shkruaja, e unë në fakt i hidhja në copa letrash gjëra që me vinin ndër mend …po kaq. Më vonë fillova të shkruaj e sërish t’i mbaj për vete. Gjithmonë kisha ndrojtje t’ia tregoja të tjerëve, këto janë fillimet ….e mendoj se aty kam mbetur sërish …. sepse sërish nuk është se besoj shumë tek ato që shkruaj, por i shkruaj sepse dua të them diçka …e ia them vetes me vargje ose me prozë.

 Cilin poet apo poete ke më të dashur, sidomos në interpretimet e tua në skenë?

Poetët janë të shumtë e nuk mund t’i ndaj sepse ka shumë që më pëlqejnë. Janë të ndryshëm e përcjellin mendime e emocione të ndryshme. Do e filloja me poetet tanë të cilët i kam recituar shpesh, si: Çajupi, Migjeni, Mjeda, Poradeci, Camaj, Rreshpja, Agolli, Kadare, Xhevahir Spahiu…etj., për të mbërritur te më të rinjtë, si: Ledia Dushi, Primo Shllaku e shumë të tjerë që i çmoj dhe i dua vërtet. Nga letërsia botërore janë të shumtë, duke filluar me Shekspirin, Kahjami, Bajroni, Pushkini, Lermontovi, Bukovski etj. Poetët francezë janë shkollë më vete dhe i kanë dhënë drejtim gjithë poezisë botërore, si: Ungaretti, Hajne e shumë të tjerë …sepse të gjithë janë të veçantë në atë që na dhurojnë me artin e tyre, me magjinë që përcjellin nëpërmjet vargjeve.

Ky pasion i juaji mbi poezinë, do të na dhurojë një përmbledhje në libër?

Eeeeeeeee….nuk e di, nuk e besoj …sot janë shtuar kaq shumë librat me poezi sa askush nuk i vë më re nëpër librari. Mua më kanë publikuar disa poezi në gazeta e në një antologji, por edhe pse ka ndodhur kjo, unë vetë nuk jam e bindur. Nuk e quaj veten poete, thjesht shkruaj që të ndihem mirë e të shkarkoj energjinë time të brendshme, e ndonjëherë del edhe diçka e mire, por kaq …

Meqenëse jemi në ‘Ditën Ndërkombëtare e Gruas’, sa e shikoni të integruar femrën shqiptare?

Mendoj se femra shqiptare sot ia ka dalë, ka arritur të integrohet mirë në shoqëri, ka arritur të thotë fjalën e saj e ta dëgjojnë, por ka serish punë, sepse jo të gjitha femrat ia dalin, jo të gjitha arrijnë të zënë vendin që meritojnë …e mendoj se duhen ndërgjegjësuar më shumë, të gjithë, që femra është ajo që mban në këmbë një shoqëri, në duart e saj është e ardhmja, nga ajo brumësen e forcohen rrënjët e një familje dhe një shoqërie të fortë e te kulturuar. Me monodramën “Seks?!!!Faleminderes, sa me e provue” të shkruar nga familja Fo, ne kemi dhënë një shembull që për problemet e familjes e të femrës mund të flitet bukur nëpërmjet artit dhe mund të diskutohen shumë probleme të rëndësishme. Ka qenë një përvojë e bukur puna me organizatën “Gruaja tek gruaja”, që i falënderoj për organizimin dhe punën e madhe për të përcjellë te femrat me anë të artit problemet më të vështira që jeta të vë përballë.

 Çfarë mund të shkëpusim nga vargjet e tua për lexuesit e gazetës sonë?

Meqë jemi në ditën e femrës, ajo që është më e dashura për ne të gjithë është nëna, ndaj po sjell një poezi të shkurtër.

NËNËS

Drithërim shpirti

ai zë i ëmbël

kur lehtë më flet.

Qetësim hyjnor

përkëdheljet

e asaj dore të shenjtë.

E kur dy krahët magjike

qafen time mbështjellin

fluturoj…..

Qiellin përshkoj!

 Cili është mesazhi juaj për sot në ‘Ditën Ndërkombëtare të Gruas’?

Mendoj se ne gratë kudo që të jemi duhet të bindemi vetë në radhë të parë se jemi fuqi e madhe dhe dashuri e përjetshme, e kjo bindje do të bindë pjesën tjetër, që pa ne asgjë nuk ka kuptim, ashtu si edhe ne pa ata, meshkujt. Le të bëjmë së bashku gjëra të vogla me dashuri të madhe, e bota do jetë më e mirë e jeta më e bukur.

 Freskida Miloti