Merita McCormack: Suksesi më i madh për mua është familja!

1211
Merita McCormack (Bajraktari nga vajzëria) është autore e disa veprave letrare dhe njëkohësisht edhe presidente e Degës Rajonale për Uashington të Federatës “Vatra”. Ajo ka ditlindjen këtë muaj. E lindur në Korçë, rritur dhe shkolluar në Cangonj të Devollit, Merita është grua, nënë dhe talent i spikatur në letërsi. Diplomuar në Universitetin Bujqësor të Kamzës në Shqipëri dhe me studime pasuniversitare për Biznes dhe Administratë nga Universiteti i Surreit në Gildford, Angli. Aktualisht jeton në Uashington DC, SHBA me bashkëshortin e saj Xhon dhe me tre fëmijët e tyre. 
Nëse do ktheheshim në vitet e shkuara të jetës suaj, çfarë mbresash dhe kujtimesh janë fiksuar ndër vite?
Kam lindur në qytetin e Korçës më 27 janar në një vit që tashmë duket shumë larg, por që për prindrit e mi duket shumë, afër, sikur ishte dje, megjithëse më 27 të këtij muaji, unë do të jem fëmija 50-vjeçare e prindërve të mi. Familja ime e origjinës nga babai është Bajraktari nga Cangonj i Devollit, kurse nga nëna është familja Kalaja nga fshati Zëmblak i Korçës. Fëmijëria ime ishte si për gjithë brezin tim, e njëjtë në kuptimin e kolektivitetit dhe uniformitetit, aspak e veçantë në fakt nga e përgjithshmja, si shoqëri, për brezin tim, por e veçantë si për këdo, kur vjen puna në veçantinë familjare. Kam përjetuar dashuri nga brezat familjarë, nga prindërit, vëllezërit dhe nga gjyshërit. Natyrisht edukimin njeriu e merr në familje dhe nuk do të ishte e drejtë të mos e vija në dukje ketë fakt, pasi prindërit, gjyshërit dhe familjarët e tjerë të afërm kanë qenë e mbeten edukuesit primarë, por për t’iu përgigjur pyetjes suaj që ka të bëjë me shkollimin akademik ndoshta, atë edukim fillestar e mora në Cangonj të Devollit, dhe më vonë në Progër, nga mësues të mrekullueshëm, që ishin nga qyteti i Korçës por edhe ndonjë nga fshatrat përreth por çdo mësues ose mësuese e imja ka qenë e mbetet një person i dashur dhe i respektuar. Kam frikë se po permenda emra do le jashtë dikë por po e shkruaj kështu: çdo mësues a mësuese nga vitet 1971-1984 që ka punuar në Cangonj dhe Progër dhe ka qene mësues/e i im/e imja është një person i dashur dhe i nderuar për mua. Sakrifica e këtij brezi mësuesish është e veçantë dhe duhet vlerësuar e çmuar. Iu jam mirënjohëse te gjithëve! 
Kur jeni larguar nga Shqipëria, cilat kane qënë arsyet, dhe si ka vazhduar angazhimi juaj për familjen punën, dhe komunitetin?
Jam larguar nga Shqiperia në 1994, një ditë pas martesës tradicionale shqiptare dhe shtatë ditë para martesës sakramentale në Romë, Itali. Unë jetoj në SHBA me bashkëshortin Xhon dhe me tre fëmijët tanë. Punoj si ekonomiste, ndërsa kontributin vullnetar e jap në çështjen shqiptare. 
Sa i vështirë ka qenë adaptimi aty dhe cilat janë disa nga sukseset tuaja?
Adaptimi jashtë Shqipërisë ka qenë si të thuash sinonim i vështirësisë së rritjes, që paralelisht sjell edhe kënaqësi, sepse gjithçka që arrihet me mund, djersë e vështirësi ka vlerën e saj unike. Suksesi im më i madh gjer më këtë ditë e derisa të marr frymën e fundit eshtë e do mbetet martesa ime me Xhonin, krijimi i familjes sonë dhe qëndrueshmëria martesore e familjare. Vështirësitë janë nga më të ndryshme, që nga gjetja e punës, shtëpisë, komunikimi, njohja me regullat traditat, komunitetet, sepse bota jashtë vendit është një mjedis i madh me mini-mjedise brenda saj. 
Pas largimit nga Shqipëria ju jeni marrë me letërsi dhe jeni vlerësuar ndër vite. Keni shkruar edhe në anglisht dhe jeni botuar edhe në rumanisht. Mund të sillni në vemendjen e lexuesit disa vepra letrare?
Krijimtaria ime ka qenë e fokusuar në temat letrare, kryesisht poezi dhe prozë dhe kolumne me tema sociale për shtypin e siasporës më së shumti. Vëllimi i parë poetik ka qenë kushtuar krejt ndjenjës së amësisë. Është kaq bukur të jesh Nënë! Titulli është “Me zërin e Zemres” dhe është si të thuash një seri këngësh amësore, të dala prej zemre, lidhur në vargje poetike. Vëllimi i dytë poetik ka një tematikë më të gjerë se sa të qenit prind. Shumica e poezive i kushtohet vendlindjes dhe njerëzve të vendit tim. Ai titullohet “Tinguj malli”. Të dyja ballinat e këtyre vëllimeve janë dezinjuar e pikturuar nga vajza ime. Vëllimi me tregime në shqip, “Lulet e jargavanit” ka histori autobiografike dhe disa janë thjesht fantazi krijuese bazuar nga jeta në Shqipëri. Tregimet e përfshira në nglisht. “The Lilac Flowers” janë shkruar ë gjuhën e huaj sepse përshkruajnë dhimbje e fate njerëzish që në gjuhën shqipe e kisha shumë të vështirë t’i shkruaja. Ishte proces emocionues. Kurse botimi rumanisht ishte me dëshirën e bashkëpatriotëve në Rumani të cilëve ju jam mirënjohëse. 
Sa nostalgjike është Merita për vendin e vet dhe si është komunikimi me Shqipërinë dhe komunitetin aty ku jeton?
Mos më pyet, shumë! Kur dëgjoj muzikë shqipe më rri tërë dita mendja aty e këndoj me vete disa herë e pastaj prekem e ndjehem keq… Është shumë e vështirë të jetosh larg asaj tradite me të cilën je rritur. Kjo është edhe një arsye që ne e mbajmë zjarrin e dashurisë për vendlindjen ndezur dhe festojmë, por edhe vajtojmë sa herë që vëllezërit e motrat tona në trojet amtare bëjnë të njëjtën gjë. 
Presidente e organizatës ndërkombëtare “Gruaja shqiptare në botë”
nga Liliana Pere 

Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 22.01.2016
Sigal