Merita Halili: Atdheu më mungon çdo çast, por kënga shqiptare ma zbut mallin

604
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur Merita Halili

Emri i saj tashmë njihet në komunitetin shqiptar kudo në botë si një emër i një këngëtareje të kompletuara që me zërin e saj plot ëmbëlsi sjell gëzim dhe hare në zemrat e mërgimtarëve. Ajo tashmë ka 15 vjet në Amerikë, por kurdoherë nuk e ndaj atdheun nga jeta e saj në përditshmëri.

A i ndoqët nëpërmjet ekranit zgjedhjet e fundit?

I ndoqa me të gjitha mënyrat. Si familje, disa orë ja kushtojmë zhvillimeve në vend. Aty i kemi sytë aty e kemi zemrën.

Kush ishte e rëndësishme për ju në këto zgjedhje?

Ishte qetësia dhe korrektësia e zgjedhjeve.  Pra nuk pati probleme. Ishin të qeta. Për mua s’ka rëndësi se kush fitoi, kryesorja që ishin të qeta.

Do vini këtë verë në Shqipëri?

S’besoj, kam shumë punë përpara. Dëshirat janë të shumta, por…

Të pëlqejnë plazhet tona?

Në Amerikë ka shumë plazhe, por unë plazhet tona nuk i këmbej me asgjë, me asnjë në botë…. Se di pse… Dua të jem aty në bregdetin jonian dhe të harroj çdo gjë.

 -Në Amerikë  vijnë shumë këngëtarë shqiptarë, si i keni lidhjet  me to?

-Meqenëse më pyetët direkt mund të them se kam lidhje të shkëlqyera dhe s’ka përse të mos jenë. Secila ka repertorin e vet, ka fansat e vet. Kemi respekt të ndërsjellët dhe nuk kemi shfaqur shenja xhelozie.

Ajo që ju veçon nga shumë këngëtare është se ju në shumicën e rasteve vishni rroba popullore shqiptare krejt të veçanta. Pse?

-Ka shumë arsye. Veshja popullore ka tjetër ndjesi. Shqiptarët në Amerikë janë shumë të dashuruar me flamurin. Në shumë aktivitete ata vijnë me flamur të vegjël kombëtarë. Kjo ka qenë shtysa që unë vendosa të bëj një fustan të tillë. Ditën që kam dalë për herë të parë u gjenda mes duartrokitjeve dhe thirrjeve të stuhishme “Të lumtë”. Atë ditë duartrokitjet dhe entuziazmi nuk kishin të sosur.

E freskët, e bukur, ka ndonjë sekret freskia juaj?

Është publiku ai që e përcakton këtë. Se di ta përcaktoj saktë, por di të them se unë nuk abuzoj me asgjë, me asgjë. Ha normalisht pa e tepruar me brumëra. Por ushqimi kryesor janë perimet dhe frutat, këto të dytat janë në menynë time të preferuar.

– Shumë këngëtare janë supersticioze, po Merita a është e tillë?

Çdo njeri beson diku, në zot, në aftësitë, në një mendim tek nj gjë e veçantë.  Por unë besoj më shumë tek puna dhe zëri im. Ndoshta këto të dyja përbëjnë atë që unë besoj për të ecur para, sigurisht që besoj dhe në Zot.

-Si do t’i përcaktonit njerëzit?

-Përcaktimet janë të ndryshme. Vlerësoj çdo njeri që ja kushton kohën punës dhe studimit dhe jo kafeneve dhe thashethemeve.

-Rrugët më të rrahura për ju janë Kosova dhe Shqipëria, pse dhe si do ta përcaktonit këtë lëvizje?

-Të domosdoshme. Kjo lëvizje është bërë si diçka normale. Më duket sikur lëviz brenda SHBA. Jam mësuar me lëvizjet, më janë bërë udhëtimet pjesa më e domosdoshme e jetës. Unë s’e kuptoj dot jetën pa lëvizje. Por unë nuk lëviz vetëm brenda SHBA dhe Kosovës, por  kam oferta dhe në shumë vende të Europës dhe më tej. Kam oferta kudo, ku ka emigrantë shqiptarë.

Ç’është për ju Amerika?

-Përgjigja është shumë e thjeshtë. Ky shtet mbetet një vend i veçantë. Mbetet një vend shëmbëlltyrë e demokracisë. Besoj se nuk ka asnjë vend tjetër në botë që të të ofrohen kaq mundësi punësimi dhe ku njeriu të gjejë vetveten. Personalisht, për mua ka qenë një vend ëndërr dhe realizmi i shkuarjes (ardhjes) time në Amerikë, është një ndër realizimet më të bukura të jetës time. Madje dua të theksoj se Amerika për mua mbetet shumë më shumë se çfarë e kisha menduar.

-E mbani mend si vendosët të shkonit në Amerikë?

Si s’e mbaj…sa kam psherëtirë atë ditë…Ku do shkoja? Një vend gjigand. Ishte një vendim shumë i madh që edhe më tronditi. Se merrja me mend se çfarë më priste në jetë. Do kaloja oqeane dhe dete për të mbërritur aty. Kishte shumë rrugë të panjohura. Por më shumë kujtoj lotët e të afërmve të mi. Po nisesha me vajzën time të vogël. Ishte fund korriku. As e kisha vënë në konsideratë temperaturën. Kisha marrë vendimin më të madh në jetë.

E menduat se ku do të punonit në Amerikë, apo thjesht menduat se do të këndonit?

Kur nisesh shumë gjëra i ke të turbullta. Kur hedh mendimin tutje në vite mendoj se në fillim s’u nisa me këtë mendim. Mendoja se do të punoja si të gjithë njerëzit e tjerë vetëm nëpërmjet punës. S’e dija se si funksiononin gjërat në këtë vend të madh. E thashë pra, se çdo gjë më dukej një ëndërr e largët. Isha shumë e emocionuar. Kisha dëgjuar që puna aty ishte punë. Ishte një punë pa orar më tregonin miqtë dhe të afërmit.

Kur dhe ku ke kënduar për herë të parë në Amerikë?

-Eh, ishte një ditë e veçantë. Një ditë që më shtoi vizionin për të ardhmen. Si sot e mbaj mend që për herë të parë u ngjita në një Festival Ndërkombëtar për Folklorin. Por më parë sa shkova nga shumë shoqata të emigrantëve pata kërkesa për aktivitete të ndryshme. Unë shkova në Amerikë me një emër, pra më njihnin, nuk isha e rastësishme në këngë. Aq më tepër që këngëtaret e brezit tim ishin shumë në modë. Prandaj ishin dhe kërkesat. Aq më tepër që ne vinim dhe nga Ansambli i Këngëve dhe i Valleve që kishte lënë nam në botë. Këto ishin ato që përcolla unë tek idetë dhe dëshirat e mia në ShBA. Pra në koncerte mes shqiptarësh më ftuan qysh muajin e parë, pas disa muajsh mora pjesë në Festivalin Ndërkombëtar.

-Në Amerikë, në festivale a i ka bërë përshtypje spektatorit  muzika shqiptare?

-N.q.s s’do t’i bënte unë nuk do të ftohesha më. Ne kemi një muzikë të veçantë, kemi një muzikë tonën të pa ndikuar nga muzika e huaj. Tek kjo veçanti të huajt kanë ndjerë origjinalitetin, të bukurën specifiken. Këngët e mia në atë festival janë duartrokitur.

-Besoj s’e kemi dhe veçanti të tjera?

-Po, sidomos veshjet. Ato mrekullojnë çdo spektator… Kanë parë veshjen tonë të veçantë. Kanë parë një veshje që u ka bërë shumë përshtypje. Kjo është një e vërtetë e padiskutueshme. Koloriti i veshjeve tona. Të veçantat e veshjeve tona, në mënyrën e prerjes, ku mbizotërojnë e bardha dhe e kuqja kanë lënë efekte shumë  të jashtëzakonshme për spektatorët, por edhe tek shumë intelektualë që na afroheshin pas festivaleve për të parë rrobat tona. Ato janë një magji më vete, si të lara në ar.

-Kush nga shtypi vendas ka shkruar për këto veshje?

-Ka qenë gazeta më prestigjioze New York Times, ajo e cila ka bërë vlerësime të shkëlqyera për veshjen tonë. Konkretisht për veshjen time në atë festival ata e cilësuan si veshjen më të veçantë. Jam ndjerë shumë e privilegjuar nga ky konstatim. Nuk është e paktë që në një vend si SHBA të zësh vend në gazetën më prestigjioze. Në këtë rast merita nuk ishte e imja por e duarve të arta të grave shqiptare që bëjnë punime të rralla artizanale, që s’mund t’i gjesh në vende të tjera.

-A është pjesë e suksesit bashkëshorti juaj Raifi?

-Është njeri i veçantë. Përkrahja e tij ka qenë e pabesueshme. Suksesi im është dhe i tij, pra ndihma e tij është  i padiskutueshëm. Raifi është pjesa ime më e rëndësishme. Ai është një instrumentist me vlera, ku puna ime dhe njohja jonë u bë në rrethana krejt të veçanta, nëpër aktivitete të ndryshme me karakter kombëtar. Ai ka pasur një njohje shumë të madhe mes shoqatave shqiptare. Im shoq përdor fizarmonikën dhe mund të them se është një ndër firzarmoniçistët më të mirë. Luan në mënyrë virtuoze dhe njeh njëkohësisht edhe muzikën amerikane në mënyrë të shkëlqyer.-Edhe si fillim edhe si vazhdim, pasi atë e kam burrë dhe një shok shumë të mirë. Rrallë mund të ndodh që në jetë të jesh në një punë dhe të kesh një harmoni të tillë. Kjo falë seriozitetit, por dhe edukatës së tij.

-Ju merr malli për atdheun?

-Sot largësitë janë shumë të vogla. Për 8 orë je në Shqipëri. Kjo s’do të thotë që nuk më merr malli, por sa herë ndjej mall vij pa problem. Njëkohësit dua të them se, unë jam e

I mungoni familjes?

-Shumë dhe ndihem keq kur nuk u gjendem fëmijëve sa duhet afër. I kam të edukuar, por puna nuk më lejon të kem një kohë maksimale për ta.