Sigal

Ishte ditë e shtunë. Kishte ca kohë që kisha filluar të punoja edhe të shtunave. Por këtë të shtunë kishim vendosur të shkonim për piknik nga liqeni me familjen.
Nga ora 6 e mëngjesit, bie zilja e celularit, në ekran doli emri i bosit, e hapa telefonin. Ai pasi më kërkoi të falur për shqetësimin me tha:
-Të lutem shumë, po munde, eja në punë. Kemi një punë urgjente, të lutem edhe një herë eja, për të tjerat mos u shqetëso, të tjerat i rregulloj unë.
Si do t’ia bëja? Ne kishim bërë edhe përgatitjet. Fola me gruan.
-Nuk e di – më thotë e revoltuar. – Ne jemi bërë gati për piknik.
Pa mbaruar ajo fjalën telefoni ra përsëri. Ishte prapë bosi. E hapa telefonin bashkë me altoparlantin që të dëgjonte edhe gruaja.
-Të lutem, Memo, po të presim. Kanë ardhur edhe nga qyteti, vetëm ty po të presim.
– Shko – më tha gruaja shumë e mërzitur.
– Okey, – i them bosit – po bëhem gati dhe po vij.
U vesha, piva një gotë me qumësht, mora trokun e punës dhe u nisa.
Kur mbërrita, i gjeta të gjithë duke më pritur. Bosi sa më pa, erdhi dhe më dha dorën.
– Shumë të faleminderit që erdhe! – më tha.
Shkova në dhomë dhe u vesha. Bosi ynë ishte grek dhe me të punonim tre vetë; njëri ishte polak, një ishte bullgar dhe unë shqiptar. Me gjithë bosin bëheshim katër, të katër ishim specialistë të mirë. Kur dola jashtë, bosi më tha:
-Do shkojmë të punojmë te posta, prandaj shpejtë të nisemi se na presin.
Unë mora trokun ndërsa ata morën dy vinça të mëdhenj, nga 15 ton secili. Troku im i kishte të gjitha veglat që duheshin për çdo punë. Kishte motosaldatriçe me 300 amper, gjerenator që prodhonte energji elektrike 220 dhe110 volt, kishte dy bombola, një me acetilen dhe një me oksigjen, anës kishte dollapë ku vendoseshin veglat, pra troku ishte si një ofiçinë e vogël.
Mbërritëm tek posta që po ndërtonim, ajo do shkonte 6 kate. Detyra jonë ishte të ngrinim skeletin metalik dhe kur të mbaronim ne, ajo vishej shpesh me tulla ose materiale të tjera.
Kur u bëra gati për punë erdhi inspektori dhe më kërkoi dokumentin, (ose lejen) që unë kisha të drejtë të punoja në lartësi njëkohësisht dhe të saldoja. I nxora dhe ia dhashë. Ai i pa me kujdes, diku në një bllok shkroi diçka dhe më tha:
-Me krahë të lehtë! Të lutem ki shumë kujdes, jo vetëm që je në lartësi por, saldimi duhet shumë cilësor. Edhe një herë punë të mbarë! – dhe u largua.


Objekti ishte në anë të rrugës, ishte mundësia që të mbyllnim edhe rrugën kryesore. Unë duhet të futesha në një kosh metalik dhe vinçi do të më çonte ku do të vendosnim traun, i cili peshonte afro 12 ton. Mora të gjitha mjetet që më duheshin, rripa sigurimi, litar për të dubluar sigurimin, maskë, elektroda kapele për mbrojtje. Kur i bëra të gjitha gati, i dhashë komandë vinçit të më ngrinte dhe të më çonte tek vendi ku do të punoja. Puna ishte afro 30 m lartë. Atje kapja koshin me ganxha që të mos lëvizte dhe prisja deri sa të binte vinçi traun. Vinçi e solli traun, m’u deshën 20 minuta ta vendosja në qendër. I fola shokut se gjithçka ishte në rregull, ai më tha se ishte shumë mirë. Fillova saldimin dhe bllokuam rrugën që për çdo problem të ishim të sigurt. Në këtë kohë filloi era. Kishte shumë mundësi të binte dhe shi, duhet të shpejtoja. Doja dhe 10 minuta kur filloi shiu. Hodha shpejt një plasmas të mbuloja tegelat. Në këtë kohë më bie zilja e celularit. As më shkonte në mendje ta hapja dhe vazhdova deri sa mbarova saldimin. Duke salduar mendoja se kush mund të më ketë telefonuar por, ishte e kotë nuk e gjeja dot. Sado që unë edhe në Shqipëri me këtë punë isha marrë prapë kujdesi, cilësia dhe plot gjëra të tjera kurrë nuk duhet t’i harroja.
E mbarova të gjithë punën. Ndieja një kënaqësi të veçantë. Erdhi vinçi, me kapi koshin dhe më uli në tokë. Zbrita dhe shkova në dhomë, u ndërrova dhe dola. Bosi po më priste dhe më tha:
-Memo, eja shkojmë të hamë tek ai restoranti aty.
-Jo, të lutem, më presin në shtëpi – iu përgjigja unë ftesës së tij.
Ai nxori nga xhepi 300 dollarë.
-Okey – më tha – merri këto para dhe shkoni hani një drekë nga unë.
Mora trokun dhe drejt e në shtëpi. Futa trokun në garazh dhe hyra në shtëpi. Të gjithë po më prisnin të mërzitur. Sa u futa brenda u thashë:
-Vishuni se do shkojmë të hamë jashtë. Bosi na i ka paguar të gjitha.
Pasi mbaruam drekën u kthyem në shtëpi. E ndieja veten shumë të lodhur, puna kishte qenë shumë e tensionuar, gjithë javën kisha punuar mbi 12 orë në ditë, e kisha të nevojshme të pushoja. U shtriva në kolltuk dhe hapa televizorin kur më kishte zënë gjumi. Më zgjoi zilja e telefonit. E mora telefonin në dorë dhe hodha sytë nga ora. Kisha fjetur rreth një orë, por prapë doja gjumë.
-Alo – u përgjigja.
Numri ishte i panjohur.


– O të keqen e shqipes që me flet.
Unë prapë:
– Alo!
– Sa më ka marrë malli të dëgjoj një fjalë shqip.
– O po kush je të lutem, më sqaro, ndryshe do mbyll telefonin, nuk po të njoh.
-Të lutem më ndihmo. Të lutem më ndihmo, kam shumë nevojë të flas me ty. As unë nuk të njoh ty prandaj, të lutem më lër një takim që të mund të flasim.
– Me gjithë qejf – i them.
– Nesër në orën 10 në këtë adresë, e ke kollaj? – me tha.
-Po – i thashë unë. – Në atë orë nesër jam aty.
Të nesërmen u thashë në shtëpi se do të shkoja të takoja një shqiptar. Nuk ishte larg, nga unë, adresa, kështu që shkova shpejt. E gjeta numrin, ishte një shtëpi dy katëshe, shumë e bukur. Tek dera ishte një djalë. Unë shkova drejt tij dhe e përshëndeta.
– Tungjatjeta shqipe! – i them.
Ai u habit në moment, pastaj e mori veten.
– Si më njohe? – më tha.
-Shqiptarët e njohin njëri- tjetrin. – i them unë.
I dhashë dorën dhe e qafova. Atij iu mbushën sytë me lot.
-O të faleminderit! – më tha. – Sa më kishte marrë malli të flisja shqip dhe të takoja shqiptar.
Ai ishte një djalë simpatik, me trup mesatar të lidhur, në të parë dukej si sportist, sy gështenjë edhe flokët gështenjë.
-Eja brenda. – më tha dhe më tërhoqi nga dora. – Oh, sa më ke gëzuar – tha. – Edhe një herë shumë të faleminderit!
Në çast qëndroi para një dere, trokiti lehtë dhe e hapi. Dëgjova një zë nga brenda që tha:
– Urdhëroni!
Shtymë derën dhe hymë brenda.
– Ky është kujdestari dhe prindi im. – tha djali në anglisht. Ai u ngrit në këmbë kur dëgjoi fjalët e djalit po buzëqeshte. Djali vazhdoi – Ndërsa ky është një shqiptar që tani e njoha. Unë shkova drejt, i dhashë dorën dhe u prezantova.
– Më quajnë Memo.
Ai më shtrëngoi dorën, më tha:


– Toni.
Sa e shikoje atë burrë të detyronte respekt. I gjatë, me trup të drejtë me pak mjekër, flokët biond por që kishin filluar t’i thinjeshin, me një shikim që dukej sikur të lexonte. Dhoma e tij ishte e mbushur kudo me libra. Mbi tavolinën që punonte kishte disa libra voluminozë dhe shumë fletore tek të cilat shkruante. Dukej që kisha përpara një burrë, i cili ndoshta ishte shkencëtar. Kurrë nuk kisha parë më parë diçka të tillë. Sa e pashë më bëri shumë përshtypje.
Kur u ndamë i mora leje që të dilnim dhe të pinim një kafe jashtë. Ai ndenji pak, u mendua dhe tha prerë:
– Vetëm dy orë. – dhe u ul në karrige. Nxori nga xhepi 100 dollarë dhe i tha:
-Merri, bir, se të duhen. – Ai i mori, i futi në xhep dhe dolëm. Shkuam tek një kafe që ishte diku aty afër. U ulëm morëm kafetë dhe pa i vënë në buzë, shoku më tha:
– Më fal, më quajnë Bujar. – dhe më dha dorën.
– Mua më quajnë Memo. Emrin e plotë e kam Memisha por, këtu më thonë Memo të gjithë — pastaj e pyeta – Më fal, mos doje të haje, se mos ke uri?
– Oh jo Memo. – më tha. – Edhe kafja është shumë. Unë dua të bëjmë muhabet se më ka marrë malli.
– Epo mund të fillosh tani edhe duke pirë kafenë. -i thashë. – Mund të flasësh për veten, por më mirë të prezantohemi. Siç të thashë, jam nga Vlora ose më mirë nga Skela e Vlorës. I martuar me dy fëmijë. Kam disa vite në Çikago. Në Shqipëri kam punuar saldator dhe montator, kam marrë pjesë në shumë vepra, si hidrocentrali në Ulzë, në ujësjellësin Durrës-Tiranë, në Azotik, në gazsjellësin Azotik-Divjakë, në Ballsh, në Sodën Kaustike, në PVC-në Vlorë, në Metalurgjik në Elbasan dhe shumë të tjera. Edhe këtu po këtë profesion punoj, saldator montator me licencë. Më fal se fola shumë. Tani është radha jote.
-Po – tha ai. – Jam nga Fieri, kam mbaruar shkollën e mesme, jam 30 vjeç. Pagova lekë që shkova në Itali, atje takova një fierak dhe ai me tha të shkojmë në polici dhe të kërkojmë strehim politik dhe ashtu bëmë. Shkuam në kuesturë, ata na dërguan në një kamp me anën e një fondacioni i cili merrej me emigracionin. Erdha në Çikago. Unë nuk kisha njeri, nuk njihja asnjë, fondacioni u interesua na bëri katër veta bashkë dhe na dhanë një apartament, na dhanë para dhe ushqime dhe kur do të niseshim ai i fondacionit bëri një thirrje në altoparlant. Aty kishte shumë njerëz dhe tha: “Kanë ardhur disa emigrantë nga Evropa, ka dëshirë ndonjë të ndihmojë?”. Në këtë kohë m’u afrua njëri dhe më kapi për dore e më tha: “Ti do të vish me mua.”. Unë nuk kuptova asgjë. Erdhi një përkthyes që dinte italisht dhe më tha se ai kishte dëshirë që të shkoja me të. “Po.” i thashë unë, atëherë ai foli me përgjegjësin pastaj, përgjegjësi foli me mua.
Ky zotëria do të të marrë ty në shtëpinë e tij. Ky është një njeri i rëndësishëm dhe i ka të gjitha kushtet të të mbajë shumë mirë ty. Ai thotë se do të mbajë gjashtë muaj, pas gjashtë muajsh do të të rregullojmë përsëri, prandaj mos u shqetëso.
Zotëria firmosi nja dy letra, më kapi për dore dhe më shpuri në shtëpinë e tij. Sapo shkuam tek shtëpia e tij më tha: “Emrin e kam Toni Smith, kjo është shtëpia ku unë jetoj vetëm, tani do bëhemi dy. Ti do rrish këtu gjashtë muaj, ndihmat që do të japë shteti do t’i përdorim vetëm për ushqim, çfarë të teprojë do t’i marrësh me vete kur të ikësh, se do të kesh shumë nevojë. Këtu në shtëpinë time nuk vjen njeri, veç ndonjëherë vijnë nja dy nipër, zihen me nënat dhe vijnë këtu, rrinë tre ose katër ditë dhe pastaj ikin. Programin do ta gjesh në mëngjes të ngjitur tek dera. Të lutem, të jesh korrekt në zbatimin e tij.”
Më tregoi dhomën, ishte e shkëlqyer edhe banjën e kishte brenda, afër murit ishte një krevat i madh, në mes një tavolinë me dy karrige, anash një komplet kolltukësh, mbi to rafte me libra, pra e përkryer, gjithçka në vendin e saj. Shkova dhe u shtriva. Menjëherë me kapi gjumi, isha tej mase i shqetësuar dhe i lodhur. Në mëngjes, kur u ngrita, shkova tek dera, atje gjeta gjithë programin e javës të ndarë në shtatë ditët e javës. Hyra në banjë, tre peshqirë të ndryshëm të varur. Ai kishte blerë çdo gjë që më duhej; makinë rroje, shkumë, alkool, brisqe, pra gjithçka ishte aty.
Shumë shpejt u ambientova, aq sa shpesh Toni buzëqeshte. Të gjitha ishin të shkruara, buka, mësimi, pushimi, kuzhina etj. Ai nuk më linte të gatuaja, por më vonë kur e pa që isha i kujdesshëm dhe i pastër më lejoi që më të shumtën e gjërave t’i bëja unë. Edhe sot kështu vazhdojmë. Në orët e mësimit të gjuhës ishte shumë i prerë. Por, nuk ka si të mos them me shpirt: Zoti e bekoftë!
-Okey, – i thashë unë – tani unë do të pyes si e gjete telefonin tim.

-Telefonin tënd ma dha Toni, ai kur po shkonte rrugës pa një trok të parkuar në të dy anët kishte reklamuar se çfarë pune bënte, atje Toni lexoi kompania VLORA bën këto punë, poshtë kishte dy numra telefoni të shtëpisë dhe celulari në kabinë një flamur të vogël po të bukur shqiptar. Tani para se të largohem ma dha dje, dhe sapo ma dha unë të fola.

-Të kuptova, tani me dëgjo, flas që ti të jesh i përgatitur. Kur të ikësh nga Toni, në fillim do të gjejë punë dhe shtëpi, do ta kesh pak vështirë por, mos u mërzit, ti je djalë i shkathët dhe ne do të na kesh gjithmonë afër. Me mua mund të takohesh vetëm të dielave, në raste urgjente kur të duash. – Pashë orën. – Kemi akoma edhe njëzet minuta, mirë është të kthehemi.
– Po. – tha Bujari.
Tek dera gjetëm Tonin, ai pa orën dhe qeshi.
– Korrekt – më tha – po filloja të merakosesha.
Më futi brenda.
– Faleminderit për korrektesën – më tha.
– Gjithmonë kështu do jemi – iu përgjigja unë.
I dhashë dorën dhe ika.
Mbërrita në shtëpi, po më prisnin dhe ishin bërë merak. Sa hyra brenda gruaja mu drejtua:
– Hë – më tha ajo – si t’u duk?
– Ishte djalë shumë i mirë – i thashë. – Ndonjë ditë do ta sjell edhe në shtëpi.
Mora gruan dhe fëmijët e dolëm nga parku afër liqenit. Gjithçka ishte e bukur atje, dora e njeriut këtu bën mrekulli.
Të hënën që në mëngjes, në punë.
Por java iku dhe e diela erdhi shpejt. Në orën tetë në mëngjes i fola Tonit, e përshëndeta dhe e pyeta:
– A mund të vij aty nga ora dhjetë?
Ai u vonua pak pastaj më tha:
– Eja fiks.
Në orën dhjetë isha tek dera, kur u hap dera ai prapë qeshi.
-Urdhëro – më tha. Më çoi në një dhomë tjetër. Ajo ishte afërsisht 5 me 4, në gjithë muret ishin varur piktura të shtrenjta, ndërsa dollapët me libra të trashë dhe të vjetër, në mes ishin dy kolltukë antikë shumë të bukur. – Ulu, të lutem. – më tha. – Çfarë pijë doni?
– Të lutem, asgjë – iu përgjigja.
– Kam birrë të zezë shumë të mirë, apo do konjak ose wisky?

-Okey, një gotë konjak, është shumë i mirë, ma kanë dërguar nga Franca? Të pimë të dy, kam kënaqësi, okey?
Kur kisha pirë gjysmën e gotës, Toni më pa drejt në sy dhe më tha:
– Ke folur me Bujarin, se ai pas një jave do të largohet nga unë?
-Mos u shqetëso – iu përgjigja. – Kam rregulluar çdo gjë. I kam gjetur punë dhe shtëpi por edhe shokë që të mos mërzitet me të qeshur. Me vete mendova “Sa njeri i mrekullueshëm, zoti e pastë kujdes gjithmonë Tonin!”. Edhe qiranë do ta paguajnë së bashku, mos u shqetëso unë do t’i rri afër. Edhe në punë do të shkojë me një shok, do punojnë ndërtim, nuk është punë e rëndë. Do shikojmë si do reagojë, me të parë e me të bërë, unë nuk do bie në sy, por do jem gjithmonë afër tij. Të lutem mos u shqetëso! Bujari është djalë i pjekur. Hajde gëzuar Toni!
– Gëzuar Memo!
E pashë në sy. Ishte gati të qante.
– Dhe të faleminderit shumë për ndihmën e paçmuar që i ke dhënë patriotit tim. Tani na takon ne të bëjmë detyrën. Zoti qoftë gjithmonë me ty Toni!
Kishim mbushur gotën e dytë. Konjaku ishtë shumë i mirë. Tek dera u duk Bujari dhe tha se i kishin ardhur dy nipërit.
– Futi brenda, çoji tek dhoma lart.
– Këtë radhë nuk kishim faj – i tha njëri prej tyre.
– Po – tha Toni, – e di. Ikni lart.
Ata shkuan me kokën poshtë.
– Vetëm tre ditë – iu tha Toni kur ata ishin në të ikur.
Mbeta vetëm unë me Tonin.
– Toni, – i them – këtë shtëpi të bukur e ke blerë?
Ai qeshi.
– Jo, – tha – ma ka dhënë shteti.
– Kujt ke qejf t’ia lësh? – e pyeta me të qeshur.
-Askujt. – mu përgjigj. – Do t’ia kthej prapë shtetit, dhe shteti do t’ia japë një tjetri që do t’i japë shoqërisë si po i jap unë, ndofta edhe më shumë.
– Më fal, nuk duhet të bëja këtë pyetje por, pija bëri punën e saj.
– Jo Memo, nuk ke bërë asnjë gabim, mos u shqetëso.
Edhe një herë ngrita sytë nga qielli dhe mendova “O Zot të falënderoj që më bashkove me një njeri të shkëlqyer!”.

Pas një javë Bujari u largua nga Toni.
Dhe pas ca kohësh të dy shkuam tek Toni.
Zëri i Bujarit më pruri në vete.
– Çfarë do të pish? – ma tha.
– Asgjë – iu përgjigja.
-Jo – tha Toni, do pimë të dy por dhe Bujari se dhe ai e ka qejf ndonjë shishe birrë.
– Epo mirë – rashë dakord unë.
Që kur kishte ikur Bujari nga shtëpia po bëheshin pak kohe. Tek Toni dukej sikur diçka mungonte. Toni e kuptonte por nuk thoshte gjë.
Bujari solli pijet.
– Eja Bujar – i tha Toni, – ulu me ne.
Ai u ul si me turp. Në dorë mbante një shishe birrë. Toni mori gotën në dorë dhe tha:
-Bujar, gëzuar, miku im! E kalove me sukses provën. Tani kam bindje se puna që bëmë unë dhe Memua nuk do shkojë kot.
– Ta gëzosh Bujar – i thashë edhe unë.
Toni ndenji një çast dhe po më shikonte në sy, pastaj vazhdoi.
-Bujar, këtë kohë, që ke qenë larg meje, nuk më ke dhënë asnjë rast për vërejtje. Të faleminderit shumë! Tani le të flas Memua.
-Bujar – vazhdova unë, – Toni të ka regjistruar në një shkollë për infermier. Atje ka dhe për një vit edhe për dy vjet. Ne mendojmë që të shkosh për dy vjet. Për të gjitha problemet që do hasësh, ne do na kesh gjithmonë pranë.
Bujari po qante.
– Hë, si mendon? Na thuaj diçka. – i tha Toni.
– Gjithmonë e kam ëndërruar shkollën, ju po ma bëni realitet – dhe u ngrit në këmbë. Shkoi drejt Tonit por duke qenë se dhe unë isha ngjitur me të ai na hodhi krahët me dashuri duke lotuar. – Nuk gjej dot fjalë për t’ju falënderuar, por mund t’ju them vetëm, ua shpërbleftë Zoti. – Edhe një herë Bujari u kthye nga Toni – Thank you very much my father!
Mua m’u mbushën sytë me lot. Sa bukur e mbylli Bujari, i doli zot situatës.
Mbaruam me urimet dhe Toni me tha se Bujari do qëndronte tek ai atë natë. Të dy më përcollën deri tek dera. Do ikja për në shtëpi por, për një çast mbeta si i ngrirë nga gjithë ajo ç’ka ndodhi e thashë me vete: “Patjetër duhet të besojmë tek vetja por edhe tek të tjerët, se ja si i erdhi mrekullia Bujarit. I lumtë!”
U nisa shumë i gëzuar për në shtëpi. Rrugës i bëra pyetje vetes, në do vazhdonte deri në fund mrekullia…
Pas një jave Bujari filloi shkollën dy vjeçare për infermieri. Ai ishte shumë i dhënë pas saj. Mezi e takova pas dhjetë ditësh megjithëse flisnim shpesh në telefon.
Kaluan tetë muaj. Një ditë Bujari më kërkoi të takoheshim në darkë në një kafene.
Ai po më priste. Në fillim u shqetësova. Kishte ndryshuar por, kisha dhe kohë pa e parë. Ky Bujar më dukej më i sigurt në lëvizje dhe nuk nxitohej të fliste ose të kthente përgjigje por dhe ishte rritur. Sa më pa kur po shkoja më tha me të qeshur:
-E di se çfarë do më thuash, që kam ndryshuar por të lutem mos e vrit mendjen vëlla. Po të them se vërtetë kam ndryshuar.
– Inshallah, për mirë! – i thashë.
– Po, po, gjithmonë për mirë.
Morëm nga një birrë. Unë si gjithmonë doja të paguaja, por ai nuk më la.
– Jo vëlla, – tha – unë kam arsye, kështu që mos ngul këmbë.
– Qoftë për hajër – i thashë. – më thuaj.
Po i vinte turp.
– Mos ki turp vëlla, se po më bënë merak.
-E di si është puna? – foli Bujari. – unë jam në shkollë me një vajzë nga Berati dhe ne e pëlqejmë njëri-tjetrin dhe unë doja të ta thosha ty të parit e pastaj Tonit.
-Mirë – i thashë. – E di që të vjen turp nga Toni, por jam i bindur se ai do të gëzohet po aq sa edhe unë.
E përqafova si një vëlla të vogël, e urova me gjithë zemër.
-Bravo Bujar, të lumtë. Zoti do të ndihmojë se e ke filluar shumë bukur dhe fillimi i mbarë është gjysma e punës. Tani pije birrën dhe shpejt tek Toni e tregoja ashtu si ma tregove dhe mua.
Ai iku tek Toni kurse unë u nisa për në shtëpi shumë i gëzuar.
Kaloi viti i parë, Bujarin e shikoja shumë rrallë, por flisnin shpesh në telefon. Ai merrej me shkollën dhe me të dashurën, të cilën ma kishte prezantuar edhe mua. Ishte një vajzë shumë e mirë, e urtë, simpatike, me trup ishin afërsisht njësoj, kur të shikonte te sytë dukej që i vinte turp dhe e hiqte vështrimin. Shpesh i ftoja të hanim bashkë ose të pinim ndonjë birrë.

(vijon)