“Mëkati fillestar” i Virgjil Muçit, një libër që do të shkaktojë debate të shumta mbi vërtetësinë e legjendave

773
Libri me një fjali 
A janë legjendat tona aq të vërteta sa ç’na janë servirur në shekuj? 
Informacion i përgjithshëm rreth librit 
Ernest K., shkrimtar dhe studiues i krijimtarisë popullore shqiptare, gjendet i përfshirë në një situatë të çuditshme të formimit dhe ngritjes së një kënge popullore. Shkrimtarin e kanë ftuar të shohë ngjizjen e një kënge, që një miku i vet malësor ia kushton gruas të së vëllait të vdekur, pikërisht se ajo ishte sjellë si heroine, duke vrarë një burrë që kërkonte t’i merrte nderin. Paçka se gjithçka duket e pastër si drita e diellit dhe këngëtari popullor duhet vetëm të hedhë në letër trimërinë e pashoqe të gruas, disa veprime thuajse të padukshme për një sy të pastërvitur, do ta shtyjnë Ernest K.-në, të kthehet gati në një dedektiv, ai kërkon të shohë përtej legjendës, kërkon të gjejë të vërtetën që gjendjet pas patosit dhe epikës së kësaj kënge. Çfarë fshihet në të vërtetë pas kësaj? Cili është mëkati që kërkojnë të mbulojnë? Dhe kjo gjë do ta bëjë të mendojë për qenësinë dhe vërtetësinë e legjendave të “Rozafës” dhe të “Kostandinit e Doruntinës”. Vërtet Rozafa u muros e gjallë për të mbajtur në këmbë kështjellën? Vërtet Kostandini e martoi të motrën larg për hir të miqësisë dhe i dha besën se do ta sillte sa herë që nëna të kish nevojë? Shkrimtari tashmë rrëmon në ndërgjegjen kolektive të popullit për të dhënë një këndvështrim tjetër nga ai që jemi mësuar të shohim prej shekujsh. Ky është një libër që do të shkaktojë debate të shumta mbi vërtetësinë e legjendave. A janë, vallë, patriotizmi, besa, flijimi dhe vetsakrifikimi për hir të atdheut thelbi i vërtetë i tyre? 
Mbi autorin 
Virgjil Muçi ka një veprimtari letrare dhe artistike tejet të larmishme. Një krijimtari që, në 17 libra, rrok prozën e shkurtër e të gjatë, pa lënë mënjanë poezinë, kinematografinë dhe, së fundi, kritikën letrare. Kontributi i tij është i ndjeshëm edhe në fushën e përkthimit me rreth 37 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm. Virgjil Muçi është fitues i disa çmimeve kombëtare në fushën e kinematografisë, krijimtarisë letrare dhe të përkthimit. Ai është i pranishëm në shtypin e përditshëm dhe atë periodik me shkrime kryesisht nga fusha e kulturës. 
Fragmente nga libri 
1)
Prej kohësh kisha krijuar përshtypjen se këngët e malësorëve të Shqipërisë nuk ngjasojnë me gjë tjetër, duke qenë se regjistri i tyre ndryshon nga ai këngëve të zakonshme europiane dhe përbëhet fund e krye nga gjysmë tone dhe tonalitete të pjesshme. Madje edhe vetë muzika zor se ka një ritëm të rregullt. Ritmi i saj përshpejtohet ose ngadalësohet sipas instinktit dhe shpirtit dramatik të rapsodit, ndërkohë që fjalët vijnë e zvargen në mënyrë të pabesueshme me ca dridhje zëri që nuk është në gjendje t’i shkërbejë kurrkush ndër të gjallët e kësaj toke. 
2)
Ai burrë mbahet me të madh dhe do ta shesë sa më shtrenjtë lëkurën, prandaj bënte naze, – tha ai, duke ia qepur sytë cigares së radhës që po mplekste. – Jo motivi lypset të jetë i denjë për muzën time, jo seç ka ca anë të errëta që s’ma mbushin mendjen, jo që të bësh një këngë heroike duhet kjo e ajo, jo kështu, jo ashtu! Por kur i fola e i thashë se kush ishe ti dhe se çfarë mund të bëje për të, atëherë ra squk dhe nuk u ndie, por pranoi pa bërë as gëk, as mëk. 
3)
Ndonëse, në një sy të parë, ngjan sikur autori u ka vënë dërrmën dy prej legjendave më fisnike, duke i trajtuar ato si romanca të rëndomta, asish që shohim e lexojmë me bollëk sot e kësaj dite, e vërteta është se ai është rrekur t’i shtrijë ato në divanin e psikoanalistit për të rrëmihur në honet e terrta të subkoshiencës, për të kuturisur e mbërritur atje ku nuk depërton rëndomthi njeri.
Sigal