Medi Zena: Hekuran Isai në dasmën e djalit më tha, këndo këngë Elbasani jo këngë Korçe

2440
Sigal

PERSONAZH/ Flet këngëtari i mirënjohur i këngës popullore të Elbasanit, Medi Zena: Bik Ndoja ishte ai që më dha krahë për të ecur në rrugën e këngës

Vëllezërit Zena janë ndër këngëtarët popullorë më të dëgjuar në Shqipëri. Ata tashmë i kanë kaluar të 40 vitet e të ngjiturit në skenë, ku në repertorin e tyre kanë stivuar plot 1500 këngë.  Ishte vitit 1973, kur    u ngjit për herë të parë në skenën e teatrit “Skampa”, ku u zhvillua Festivali i parë i Këngës Popullore Elbasanase dhe prej atij çasti, ai vathoi plot sukses rrugën e bukur të këngës. Në regjimin komunist,- thekson ai,- artistët ishin më të nderuar më të respektuar.

  Kur përkojnë fillimet tuaja në skenën e këngës popullore elbasanase?

 Në vitin 1973 unë kam marrë pjesë në Festivalin e parë të Këngës Popullore të Elbasanit dhe ku në atë festival merrte pjesë “Artisti i Popullit”, Bik Ndoja, Hafsa Zyberi, Fitnete Rexha dhe shumë artistë të tjerë me emër. Unë në atë kohë isha vetëm 29 vjeç. Por më parë unë merrja pjesë në Festivalet e Ndërmarrjeve. Unë në periudhën e komunizmit punoja në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve, ku aty kam pasur vëllanë Demirin, këpucar ndërsa Albert Tafani ka qenë berber. Pra unë me vëllanë kam qenë në një ndërmarrje. Dhe duhet të them se në këtë ndërmarrje ishin aktorët dhe këngëtarët më të mirë, nga ku u furnizua teatri dhe estrada “Skampa” e qytetit të Elbasanit. Unë falënderoj Byk Ndojën për  këtë ditë për përkrahjen që më dha.

 Çfarë përkrahje të dha Bik Ndoja?

Unë këndova një duet me ‘të. Më përkrahu shumë, shumë. Më dha shumë zemër pasi ai ishte me shumë emër në atë kohë. “Del një vashë prej hamami” kjo ishte kënga që këndova unë me të. Kjo është një këngë e vjetër elbasanase. Ndoshta  ishte këmbëmbarë siç ishte dhe zemërbardhë Biku.

 Kur ju tërhoqi apo më mirë të themi ju vlerësoi për t’ju marrë me Estradën e Elbasanit?

Ishte prof. Alfons Balliçi drejtor i Pallatit të Kulturës. Pikërisht pas këtij festivali, që përkon me vitin 1973 dhe deri më sot, unë mbush plot 41 vjet që punoi në Pallatin e Kulturës “Skampa” në Elbasan. Edhe me Ansamblin Isuf Myzyri.

 Sa këngë keni në repertorin tuaj?

Mbi 1500 këngë. Të gjitha këngët popullore elbasanase. Kam gërmuar gjithë folklorin elbasanas për të realizuar këto këngë të veçanta.

 Sa albume keni realizuar?

Unë kam realizuar 8 albume me 12 këngë. Këtu janë pasqyruar këngët e mia më të pëlqyera nga publiku. Por unë kam dhe një album të veçantë me këngë bektashiane.

 Në kohën e regjimit kë nga udhëheqësit e asaj kohe keni takuar, apo keni biseduar?

Unë thuajse i kam takuar të gjithë, jam përshëndetur, por biseda të gjata nuk kam bërë. Të vetmin që nuk kam takuar asnjëherë ka qenë Enver Hoxha.

 Po Mehmet Shehun ku e ke takuar?

E kam takuar në Dibër. Aty bëhej një stërvitje ushtarake. Dihet që Mehmeti ku ishte pushka dhe stërvitja do të shkonte patjetër. Ishte viti 1976 dhe estrada jonë e Elbasanit kishte shkuar për të dhënë shfaqje në Dibër. Në mbrëmje pas stërvitjes Mehmeti erdhi për të parë shfaqjen. I pëlqeu shfaqja jonë dhe kur mbaruam shfaqjen na ftoi tre vetëve në turizmin e Peshkopisë për të pirë një kafe. Na foli për rolin e artit në shoqërinë komuniste dhe si duhet të përçojmë vijën e partisë.

 Po Kadri Hazbiun ku e ke takuar?

E kam takuar në Elbasan në një dasmë. Pasi këndova, ai më tha të lumtë goja. Dukej shumë serioz, por fjalën e mirë e thoshte.

 Kë ke takuar më shumë nga udhëheqësit e asaj kohe?

Hekuran Isain. E kam takuar shpeshherë. Ai ishte i dhënë shumë pas këngës dhe pas artit. Ne i thoshim Lala, pasi ishte i dashur, korrekt. Kishte qenë dhe në Komitetin e Partisë së Elbasanit dhe ne kemi pasur miqësi me të. Ishte njeri që donte të bukurën në art.

 Kush nga Sekretarët e parë në Elbasan, ju ka përkrahur më shumë?

Kemi pasur disa sekretarë të Parë, po një ndër ‘ta ishte  Pali Miska, shumë dashamirës i këngës elbasanase. Njëherë isha në dasmën e të birit, Borisit në Korçë. Më ftonte gjithmonë në sebepe të tilla. Unë në mes të dasmës marr një këngë korçare për të thënë që këndoj dhe këngë të tilla. Mbasi përfundova këngën ai më thërret hajde këtu. Shkova. Ai duke qeshur më thotë, të ishte për këngë korçare ka plot këngëtarë këtu, unë të mora vetëm për këngët e Elbasanit.

 Po në shtëpinë e ndonjë udhëheqësi a ke qenë?

Po, kam qenë në shtëpinë e Bab Myslymit. Ishte një burrë i urtë, i dashur. Na ftoi vetë pasi na dëgjonte shpeshherë si këngëtar të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme. Njëherë kur ne ishim për shfaqje në Tiranë nëpërmjet një mikut tonë artist dhe ai, na kërkoi ta vizitonim. Ishte një mbrëmje e bukur, ku ai na pyeti për çdo gjë. Për mua mbetet një darkë e veçantë e pashlyeshme.

 A ju respektonin udhëheqësit e Elbasanit?

Shumë, shumë. Mbaj mend që vëllait i doli një kallo në grykë tek kordat e zërit. Në atë kohë i kishte dalë edhe Vaçe Zelës. Ne e diskutuam në familje, por fjala shkoi deri te Sekretari i parë Pali Miska. Ai menjëherë më thërret mua dhe më pyet se çfarë ka Demiri. I thashë se çfarë ka. Ai më tha duhet ta çojmë jashtë. Jo,- i thashë unë,-  pasi drejtori i spitalit na tha që ju jap garanci. Ai menjëherë mori në telefon drejtorin e spitalit dhe e pyeti me imtësi. Ai i dha garanci duke i thënë që është një operacion i thjeshtë që zgjat 25 minuta.

 A ke qenë pjesëmarrës në Festivalet e Gjirokastrës?

Po kam qenë tre herë në Gjirokastër dhe njëherë në Berat. Atëherë këto festivale ktheheshin në festa të mëdha, në festa që nuk të shkuleshin nga kujtesa. Unë kam qenë në Festivalin e vitit 1979  dhe pastaj në vitin 1983 dhe 1987. Nuk i harroj kurrë. Natën e parë na çonin në shtëpitë e gjirokastritëve. Na kanë bërë pritje të jashtëzakonshme. Nuk e mendon si na prisnin. Sot nuk bëhet ajo pritje. Në Festivalin e vitit 1983 zumë vendin e dytë. Por më e bukura ishte se tërë paraditen ne jepnim shfaqje në shkolla, në kooperativa, ndërmarrje bujqësore. Ishte një jetë aktive në art. Kishte organizime të përsosura që sot nuk bëhen dot.

 A ndiheshit keq në këto lëvizje?

Aspak pasi na prisnin mirë. S’na linin hapësirë për t’u ndjerë keq.

 Çfarë vlerësimesh keni marrë në atë regjim?

 Kam marrë dekoratën “Naim Frashëri i Klasit të Dytë”. Një vlerësim moral që me të vërtetë jam ndjerë mirë. Atëherë stimujt moral ishin shumë  stimulues.

 A ju respektonin në diktaturë?

Shumë, shumë herë më shumë se sa sot. Nuk kam nostalgji fare për atë regjim, por e vërteta është e vërtetë. Kudo që shkonim na prisnin sikur të ishim princa. Respekt i madh, vlerësim i madh, etj.. Rasti që të thashë është më shumë se çdo gjë. Sot as të pyet askush se çfarë halli ke.

Turnetë jashtë vendit

1979- për herë të parë në Tetovë

-1981 me RTSH+RTP në Prishtinë (Do të mbahej me kolegë të tjerë për disa ditë nga policia serbe si “nxitës i demonstratave)

-1982, me ansamblin “Isuf Myzyri” në Selanik

-1983, dy herë në Turqi me ansamblin e Durrësit

-1984, në Kalabri me Ansamblin e Shtetit

-1986, në Gjermani

-1996, në Suedi

-2000, në Amerikë