Me mushkë për dore kam rritur dhjetë fëmijë

907
Sigal

 Flet Tomor Kotroçi: Haki Kore ka mbathur kalin e Ali Pashë Tepelenës

Tomor Kotroçi është banues në lagjen “Dunavat” të qytetit të Gjirokastrës, në pjesën e sipërme të lagjes, aty në pllajën e Malit të Gjerë.  Tomori – plaku nëntëdhjetë e një vjeçar së bashku me tetë djemtë e vet ka ngritur shtëpitë me merak e të bollshme, ku banojnë në harmoni të plotë. Edhe vëllezërit shkojnë shumë mirë me njëri – tjetrin, sikundër janë degë të së njëjtës pemë…Janë dhjetë fëmijë: tetë djem e dy vajza, kur mblidhen tok e gëzojnë babanë  e tyre të shtrenjtë.

“Kur mblidhemi bashkë, – thotë Tomori, –  bëhemi  shumë, sa e gjithë Gjirokastra.”

Ai qysh herët në mëngjes i  hedh sytë nga Qafa e Pazarit, ku ka marrë një lokal me qira e gjendet atje bashkë me shokët, për të kaluar ditën për bukuri me kuvendet lloj – lloj, mbështetur në kujtimet e shumta të jetës, shoqëruar edhe me ndonjë gotë raki. Nuk del kurrë nga banesa, pa pasur lekë në xhep. Vërtet është një shitore e vogël, porse ka fatin e mirë të jetë në zemër të qytetit – muze të jugut të vendit, qytet që mbledh turistë  gjithandej e klubi mbledh burra të moçëm që nuk e heqin nga mendja Gjirokastrën. Bisedat e tyre nisin me ritualin përditësor të shprehjes së dhimbjes për humbjen e identitetit të mjaft prej ndërtesave karakteristike të Gjirokastrës nëpër lagjet e saj të ndërruara si krahë shqiponje në shpatet e malit.- Kështu shembet shtëpia, kur braktiset nga të zotët, – shprehet mes shokëve e miqve Tomor Kotroçi.- Sa lumturohen këto shtëpi, kur të zotët kujtohen dhe hyjnë në to  jo vetëm të malluar, por edhe me plane për t’i restauruar e mirëmbajtur. Gjithashtu mjaft nga ndërtesat e shkatërruara pjesërisht apo tërësisht, mrekullohen, teksa vështrojnë simotrat e tyre përanash apo përballë, kur rimëkëmben prej dorës që është vënë në to prej pushtetit lokal ose atij qendror…Ta pyesësh për jetën e kaluar, Tomori . si të kurdiset, të thotë tërë emocion: “Më është dashur të punoj që katërmbëdhjetë vjeç djalë. Punova për vete e për familjen time; domosdo edhe për të bërë diçka për Gjirokastrën tonë. E kisha prej kohësh një dëshirë të brendshme, për të vendosur dhe unë një gur në Kështjellën jugore…”

– Konkretisht me çfarë pune je marrë, xha Tomor?

– Sillja borë nga malet për nevojat e spitalit dhe për tregtarët që kishin lokale nëpër qytet. Ishim fukarenj. Punës nuk i jemi ndarë kurrën e kurrës. Me djersën e ballit bleva dhe mushka për të kryer transporte të ndryshme, sidomos të druve për qytetarët. Dhe s’bleva vetëm një, por gjashtë mushka bashkë. Dhe asnjë qindarkë nuk kam hyrë borxh në jetën time. Me mushkat përdore e kam shtyrë jetën. E me to i kam rritur fëmijët e mi… Dhe kështu, pra, me punë të vazhdueshme arrita të dal nga fukarallëku i madh ku notoja. M’u desh që për hir të tyre të mësoja dhe zanatin e nallbanit. Se, siç mund të kesh dëgjuar dhe  vetë , nallbanët kanë qenë të rrallë në qytetin tonë. Njiheshin me kokrra… Keni dëgjuar për Haki Koren nga Cfaka? Ai ka mbathur kalin e Ali Pashë Tepelenës. Aliu kishte një kalë të sertë e nuk kish burrë që ta merrte përsipër për ta mbathur në gjithë jugun. Ishte koha kur Aliu ristrukturonte kështjellën e Argjiros, dhe i duhej ta kishte patjetër kalin të mbathur. Erdhën e i thanë Hakiut Dhe e mori përsipër, t’ia mbathte kalin nazeli. Bëhet fjalë për dyqind e ca vjet më parë.  Ndihesha krenar që dhe unë po mbathja kafshë si Hakiu. Gjithashtu, jam marrë edhe me  ndërtime në jetë… Më kalonin ditët me shi e diell nëpër çatitë e sokakët e Gjirokastrës, duke bërë kalldrëme. E kemi pasur merak qytetin tonë, ndaj e kemi mirëmbajtur dhe ruajtur për bukuritë dhe vlerat që ka trashëguar prej vitesh… Edhe më parë, por sidomos tani erdhi dita që vlerat e bukuritë e rralla të këtij qyteti, të krijuara nga dora e njeriut, të njihen e vlerësohen shumë nga të huajt.  Turistët kanë qenë pothuajse të përhershëm për qytetin tonë. E gjithë kjo se ky qytet nuk është sidokudo, po një qytet shumë i veçantë për nga historitë që  ka kaluar e sidomos për nga të veçantat që ka si qytet përreth një kështjelle të çuditshme, me lagjet që duket sikur hedhin valle përreth saj. Turistët para ca viteve nuk orientoheshin dot nëpër objektet kudo të shkonin. Kurse tani ka dhe se si i thonë këta specialistët, sinjalistikë me ndriçim të rregullt e të bollshëm. Por mbi të gjitha ka trashëgiminë kulturore, e cila ka veçorinë të shpaloset e të pasqyrohet më mirë në sytë e vizitorëve. Kjo vjen se shteti ka vite që ka bërë e bën  investime  për ta mbajtur e mirëmbajtur  përmes ristrukturimeve këtë qytet. Kështu janë ristrukturuar shumë banesa që kanë vlera historike e kulturore e tok me to  edhe rrugët e objekte të veçanta shumëvlerëshe, sidomos në pjesën muzeale të qytetit… Nuk harron të shprehet xha Tomori, edhe për kontributin e gjithë qytetarëve e sidomos  të qytetarëve të vjetër e të dhimbsur për vendlindjen, të cilëve u dhëmb në thellësi të shpirtit  kur shohin apo dëgjojnë për rënien e një çatie, të një dërrase, thyerjen e një trari, të xhamave e të tjera zarare që varen ose jo nga qytetarët…

Shqetësimi dhe veshja

Edhe kur shkëputet një gur nga kalldrëmi, shqetësim është për çdo të moshuar të këtij qyteti, që kërkon kujdes maksimal, për të ruajtur pamjen e vjetër muzeale, se kollaj mund të shtrohet gjithçka me  beton, po vlerat mbulohen me atë lloj punimi… Xha Tomori edhe në veshje është tradicional. Ai pi duhan të fortë e me çibuk të gjatë, duke tërhequr kësisoj edhe vëmendjen e kalimtarëve. E përshëndesin edhe pa e njohur dhe hyjnë në kuvend me të për bukuri   kalimtarë të ndryshëm edhe asish që e njohin për herë të parë. Ai pi rakinë e fortë gjirokastrite, duke ndezur e shuar çibukun e mandej gatitet të kthehet në shtëpi për të kaluar vaktin e drekës. Edhe pse rruga për në “Dunavat”  është goxha e përpjetë, ai, duke ecur, nuk ankohet kurrë për  rrugën e s’e nxjerr kurrsesi nga goja shprehjen: “Obobo, si do ngjitem gjer atje lart!” Ky është qytetari gjirokastrit që  tronditet kur luan  një gur kalldrëmi  e që nuk ka hequr dorë nga puna  asnjëherë si në moshën rinore edhe tashmë në atë të pleqërisë së thellë.

Puna të mban gjallë

Ai e thotë hapur që “ Puna të mban gjallë, të bën të fisëm e të mbush xhepat me para.”Ai nuk  mban mend që të ketë blerë ndonjëherë pa paguar në shitoret e qytetit. Këtë akt njerëzor e shoqëron   me sentencën: “Huan mos e e gëzo, se ai që ta dha, e do… Shikoj disa të rinj që i vijnë vërdallë pazarit, duke thënë s’kemi punë, por ja tek po ta them : e kanë shumë gabim, dëgjo mua! Shumë gabim e kanë. Se jam plak e s’rri dot pa punuar. Kështu jam mësuar që në të rit e mi e kështu do jem gjer sa të mbyll sytë. Evropën e kemi këtu. Këtë ta kuptojnë të gjithë. Vetëm me punë merr kuptim jeta e njeriut. Xha Tomor Kotroçi çdo  mbrëmje mbledh djemtë  dhe si baba i tyre , ka privilegjin që t’i thërrasë në “raport”.. por edhe t’i kritikojë , ku e sheh të dobishme e të domosdoshme për ndonjë veprim ose mosveprim të pa menduar siç duhet…Secili prej djemve të tij  e mirëkupton “profesorin” dhe nuk ia merr për ters ose për keq, kur ka mirëkuptim e dashuri të ndërsjellë. Kur shtrihen në kuvend të zgjeruar, përngjet si një “parlament” i vogël familjar, aq shumë tema rrok biseda e tyre… Plaku thinjosh e sheh me sytë e vet , se si u shkojnë mirë punët djemve e vajzave dhe ndihet i qetë  dhe i mrekulluar. Ku e pyet se për cilin  bën më shumë prej dhjetë fëmijëve, të përgjigjet fët e fët: “Dashuria është e njëllojtë për të gjithë. Mos u ardhtë e keqja kurrë! Mos pafsha gjë të keq me sy për ta, gjersa të kem jetë! Të gjithë i kam dashur dhe i dua me shpirt, me dashuri të vërtetë prindërore.”

Gjirokastra

Ai ne çdo bisedë nuk e heq nga goja Gjirokastrën; se ku dhemb dhembi, vete gjuha. E duam Gjirokastrën , përsërit ai, se me te të jemi rritur bashkë. Ama, duhet ta lëmë  siç e kemi gjetur edhe më mira akoma se kaq. Nuk duhet të lejojmë t’i prishet nuri e bukuria, madhështia që ka mbi vete. Edhe e vjetra, kur ka qenë dikur e bukur, e ka vlera, mbetet gjithnjë e re për sot dhe për nesër…”Ky, pra është nëntëdhjetë e njëvjeçari që  më së shumti e sheh në lëvizje të qeta nëpër rrugët e Gjirokastrës, pa iu mbajtur fryma…Tomor Kotroçi e ka gjetur rehatin e lezetin e jetës, duke u lidhur përherë me punë të dobishme  edhe në strehën e tij të ngrohtë familjare e sidomos në lokalin e dashur në qafën e Pazarit. Dhe për çudinë e të gjithëve  ai mbahet mirë, si dikur kur ishte i ri dhe të pret e përcjell me dashuri.

Nëse e ngacmon…

– E nisja ditën e punës me këngë dhe e kisha mbarësi. Kënga të jep forca , të bën ta duash jetën. Me këngë në gojë punoja, me këngët e bukura të Xhevat Avdallit me shokët e vet. Me ato këngë me të cilat është rritur edhe Gjirokastra e gjirokastritët…Vërtet nuk kam marrë pjesë nëpër festivale folklorike, por e quaja veten pjesëmarrës, sepse çdo ditë këndoja për qejfin tim e kështu harroja hallet e lodhjet e ditës. Xha Tomori realisht asnjëherë nuk e ka parë veten në prapavijë..Edhe tani që është i moshuar nuk i ndahet punës së tregtisë dhe punës në bahçen pranë shtëpisë, të cilën e ka qëndisur për merak.