Me dashurinë për dijen

2605
Riza Çelaj

Në Tropojë,përballë malit të Shkëlzenit ngrihet një ndërtesë e bukur me tre kate. Në të hyjnë e dalin nxënës e nxënëse të moshave të ndryshme. Është shkolla e mesme e bashkuar “Ali Ibër Neza”. Në këtë shkollë vazhdojnë mësimin 275 nxënës e japin mësim 24 mësues. Pothuajse të gjithë me arsim të lartë. Shumica e mësuesve kanë shumë vite eksperiencë pune. Të gjithë janë djem e vajza nga Tropoja. Dikur Tropoja nuk plotësonte nevojat me mësues vendas, por sot është krejt ndryshe. Fakti që mësuesja Hajrije Papa, vjen nga një familje me shtatë motra e një vëlla tregon shumë. Të gjithë kanë mësuar dhe janë me shkollë të lartë. Katër nga motrat punojnë si mësuese: Cbanja, mësuese gjuhe dhe letërsie, Sabrija, mësuese frëngjishteje, Xhemilja, mësuese fizike dhe Hajria, mësuese i ciklit të ulët. Hajrija ka 2 djem e një vajzë që të tre në shkollë të lartë. Shembuj të tillë ka mjaft në Tropojë. Për të ardhur deri në ditët tona u deshën dekada të tëra kohe, pse jo edhe përpjekjesh të mëdha. Në Tropojë shkolla e parë shqipe u hap në vitin 1923 në shtëpinë e malësorit arsimdashës Daut Meta,me mësues Ibrahim Kolcin nga Gjakova. Fëmijët udhëtonin me orë të tëra për të shkuar në shkollë. Dashuria e madhe për dije bëri që kjo shkollë të rritej nga viti në vit. Në këtë rrugëtim shkolla ruan shumë histori. Mësuesi Ukë Haxhia, i cili nuk jeton më,ka mbledhur me kujdes rrugëtimin e kësaj shkolle. Ky është një material i mirë për këtë shkollë. Nga kjo shkollë kanë dalë shumë nxënës. Disa nga këta kanë bërë emër të mirë jo vetëm në Tropojë,por edhe më gjerë. Të tillë mund të përmendim: Sali Berishën mjek dhe politikan,Arif Gashin pedagog të filozofisë, Zenun Mulën fizikan e pedagog, Hamit Alinë poet, Astrit Meminë gazetar e pedagog, Mujo Buçpapën poet e botues, Isuf Çelën deputet në parlament. Hapja e shkollës së mesme në Tropojë në vitin 1970 ishte një gëzim i madh për zonën. Me dashurinë për dije vërshuan djem e vajza malësore. Shumë shpejt nga kjo shkollë dolën agronomë,veterinerë e zooteknikë që u shpërndanë në tërë rrethin. Nxënës të kësaj shkolle qenë edhe Hasan Qelia nga Qelia, Drande Pjetërnikaj nga Lekbibajt, Hatixhe Mulgeci nga Geghyseni, të cilët u aksidentuan për vdekje në vitin 1975 gjatë kthimit nga aksioni në ndërtimin e hekurudhës në Elbasan. Të tre janë dëshmorë të shkollës. Nga kjo shkollë ka dalë mësuesi Osman Islami, i cili u dënua me burg sepse tha fjalën ashtu siç e mendoi. Pra për fjalën e lirë. Për atë fjalë që kemi ne sot. Historia vazhdon,në vitin shkollor 1980-1981 nga kjo shkollë do të dilte një ekip vajzash të reja që më vonë mori emrin “Valbona”. Shumë shpejt do të zinin vendin e parë në shkallë vendi. Emrat e vajzave volejbolliste të kësaj shkolle janë në kujtesën e historinë e kësaj shkolle: Këto janë: Shefkie, Fatbardha Aga, Bukurije Muhameti, Fatbardha Berisha, Nazmie Dusha, Majlinda Matoshi etj. Për 10 vite këto vajza bënë emër të mirë, jo vetëm në Tropojë, por në gjithë Shqipërinë. Mësuesi e trajneri Shpend Hoxha,drejtori i shkollës së asaj kohe Muharrem Kuçana kanë meritën e ngritjes e sukseseve të arritura nga këto vajza. Në këtë shkollë ka ish-nxënës të saj, që pas studimeve të larta janë kthyer si mësues si Astrit Metaliaj, Hamit Berisha, Rezart Neza, Shpresa Hajdari, Shefkie Agaj, Esiona Nezaj. Jeta dhe puna e ka sjellë në Tropojë vajzën nga Zarishta e Hasit, bijën e mësuesit të nderuar që nuk jeton më, Hysen Lacit. Festime Aliaj jep anglisht në shkollën e mesme. Kolektivi i mësuesve e ka zgjedhur kryetare të komisionit të etikës dhe kryetare të komisionit lëndor. E qetë,e heshtur, ka krijuar respekt jo vetëm tek nxënësit,por edhe në komunitet. Në shembullin e saj punojnë edhe mësuesit e tjerë si: Veriola Prengzi, Mirjeta Celaj, Sonila Nezaj, Andrina Hyka, Viola Cani dhe psikologja e shkollës Erisa Ismalaj. Për ish-nxënësit e kësaj shkolle, sot mësuesin e palodhur Astrit Metalinë ke se ç’shkruan. Kohët e fundit organizoi një orë të hapur disi të veçantë me temë: Droga,drogat pararendëse. Orën e ndoqën përveç mësuesve, përfaqësues nga prefektura e Kukësit,nënprefektura,zyra arsimore Tropojë dhe nga komisariati i policisë. Te pranishmit panë punën e mirë të mësuesit bashkë me nxënësit, shoqërimin me diofilma, dialogët dhe esetë e nxënësve. Ra në sy puna e mirë e nxënësve Edona Syla e Edona Madani. Veprimtaria u vlerësuan nga të gjithë. Drejtoresha e shkollës Drita Elezi dhe zëvendësdrejtori Bekim Berbati punojnë me përkushtim e u rrinë punëve tek koha. Ndaj i respektojmë të gjithë mëesuesit. Puna vazhdon nga të gjithë duke arritur çdo ditë suksese e arritje. Kjo ka bërë që tek nxënësit të rritet dashuria për dije.
Sigal