Më 10 mars artistët protestojnë për të shpëtuar të ardhmen e artit Elitar

569
Ju lajmërojmë se për arsye të pjesëmarrjes, orari i protestës me datë 10 Mars, do të shtyhet në orën 17:00.

Të bashkoheni me ne, për zgjidhjen e situatës së mjerueshme ku ndodhet arti skenik, kauzë që na përket të gjithëve. Jemi të gjithë nga pak përgjegjës dhe shkaktar për situatën ku ndodhemi. S’ka më kohë, mblidhuni të bëjmë ndryshimin. Teksa diskutoja me një mikun tim për problemet e teatrit, një ndër ata “miq” që merren me art dhe që janë përgjegjës drejtpërdrejtë për krijimin e mjeteve shkatërruese të cilësisë artistike dhe pionier të ” ligjofobisë” brenda komunitetit artistik. “Shteti ynë nuk ka miniera ari dhe artistët duhet të marrin iniciativa private.” Mbante një qëndrim sulmues kur evidentonte, se iniciativa fillon tek vetja dhe pastaj mori si shembull fëmijën e tij që lexonte i lumtur në bibliotekat e një shteti të pasur të Evropës. Epo helbete, “Europianofilia” është moda e fundit në Shqipëri, por jo të gjithë e kemi luksin ta prekim. Në fakt u përpoqa ti shpjegoj se të rinjtë në vend, i kanë marrë iniciativat private. Ka edhe nga ata krijues që krijojnë, studiojnë madje rifreskohen me literaturat e fundit edhe në gjuhë të huaj. Ka nga ata që bashkëpunojnë me të huajt pa u ndjerë inferiore, të pa aftë apo ne disnivel profesional. Kemi punuar me dinjitet dhe na kanë falënderuar e vlerësuar. Ashtu siç kemi diskutuar e shkëmbyer eksperienca të punëve dhe ide artistike. Pavarësisht se punojmë e jetojmë në Shqipëri, kjo nuk na bën më pak të aftë e të talentuar se ta. A nuk përshkruhet arti në Ligjin për Artin në Republikën Shqiptare, si një profesion i cili ndikon dhe lidhet me anë shpirtërore me publikun? Po t’i referohemi kohës kur varfëria dhe tranzicioni post komunist vlonte, shumë artistë e lanë Shqipërinë dhe mërguan të shpërndarë, thuajse në të gjithë botën. Disa prej tyre, këngëtarët lirikë, muzikantë, balerinë etj, janë sot, ndër më të mirët në botë dhe ne të gjithë krenohemi me ta. Por si promovohen sot, brenda vendit artistët e rinj? Në fusha të caktuara të artit, talentet e kanë “shpërthimin” e tyre që në mosha të reja dhe duhen nxitur, në të njëjtën praktikë, që ndiqet, sportin e futbollin. Ku janë regjisorët e teatrit të Operës dhe Baletit, projektet, mundësitë dhe përfaqësitë? Kush janë projektet propozimet e reja të baletit klasik dhe modern, në Opera? Çfarë bëhet sot me Ansamblin popullor? Çfarë bëhet për talentet e reja të Cirkut? Në bazë të çfarë kriteresh matëse të cilësisë krijuese, objektive zgjidhen këto projekte? Ndarjen në kategori prioritetesh,dhe plan strategjik në renditje sipas nevojave të veçanta përsa i përket CILËSISË ARTISTIKE? Kush është niveli krijues i artit skenik? A keni bërë kërkime dhe statistika sipas njësive matëse që duhet të kenë kriteret e përzgjedhjes MK-ja? Kush e bën dhe centralizimin ligjor sipas nevojave të ndërsjella midis Institucioneve Vendore Qendrore dhe atyre Lokale Artistëve me përfaqësi individuale, organizata, apo OJF? Kush i përzgjedh kriteret e tyre, a janë aktive të fushës në fjalë anëtarët e kolegjiumit të MK në bordin përzgjedhës? Ministria si fillim, duhet të kërkoj ndryshimin sa më parë në ligjin me Nr. 10 352, datë 18.11.2010 PËR ARTIN DHE KULTURË, Kreu III, Nenit 10, me titull: Bordi artistik, duhet të propozohet nga Ministrja e Kulturës për ndryshim të tij, në rifuqizimin të tij. Dhe kjo të bëhet sa më parë. (Bordi artistik funksionon në përputhje me ligjin nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.) Pas kësaj si M.K të kujdeset për krijimin e bordit dhe mos përjashtimin me ligj të procesit nga prokurimi publik. Sot bordi që bën cunguar punën që më parë e bënte Qendra Kombëtare të Artit, me përfaqësi nga kolegjiumi i MK, me pjesëmarrje nga nëpunës të mesëm dhe të lartë, të cilët janë në shkelje të ligjit të bordit artistik, i cili sipas ligjit se çdo anëtar i bordit nuk duhet të ketë konflikte interesi, apo të punoj pranë institucionit ku zhvillohet konkursi. Gjë që e bën këtë proces të jetë krejtësisht jo-demokratik dhe pa transparencën e nevojshme, duke shkelur të drejtat e krijuesve, madje këtë skandal e mbron edhe me ligj, i cili është një klauzolë mbështetëse që duhet të aplikohet vetëm për projekte me nevoja specifike të veçanta, por jo me gjithë procesin e shpërndarjes së fondit artistik. Handikapë të tjera: A nuk duhet që të rregullohen ligjet për profesionistët e lirë të artit? A nuk duhet të rregullohen ligjet e sistemit të tatim taksave, sigurimeve për aktivitetet me karakter krijues artistik. A nuk duhet që MK në politikë bërje të konsultohet herë pas here me komunitetin artistik dhe nevojat specifike të tyre? A duhen nxitur për bashkëpunim biznese me propozim nga MK, për vendim në Këshillin e Ministrave, dhe entit tatimor për hapësira ligjore, për përmirësimin e nevojave të sipërmarrjeve private, shoqata, apo OJF, për mundësi të zhvillimit artistik e kulturor në vend e rajon? A nuk duhet të zbatohet ligji për lehtësim të taksave të bizneseve që mbështesin projektet për artin, promovimi i këtij ligji ashtu siç ndodh të funksionojë suksesshëm në shumë vende te civilizuara të botës. Përse në Ligjin për artin thuhet shprehimisht: Buxheti i projekteve artistike përjashtohet nga ligji për monitorimin publik? Në demokraci transparenca e taksave tona, quhet liri. Për ato shqetësimet të artistëve, që kanë folur pa fund e si dëgjon askush, ne do të mblidhemi pranë Ministrisë së Kulturës, në datën 10 Mars, ora 17:00, të gjithë së bashku për të shpëtuar të ardhmen e artit Elitar që rrezikon të zhduket. Bashkë me ne, duhet të jeni dhe ju Zonja Ministre e Kulturës, për të shpëtuar këtë pasuri që na përket të gjithëve. Ne do ju presim me lule dhe do të vazhdojmë të protestojmë në forma të ndryshme kundër MK, deri në zgjidhje të situatës. Ose të mbështeten Sindikatat e artistëve me krijimin e sistemit të lehtësimit të taksave, ose të rifuqizohet dhe krijohet sërish Qendra Kombëtare e Artit. Procesi i përzgjedhjes së drejtë për nivelin cilësor të krijimeve nga bordi duhet të ndiqet në të njëjtin praktikë ligjore ashtu siç e ka Qendra Kombëtare e Filmit, duke bërë thirrje të hapur, për regjisorë, producentë arti e krijues nga të gjithë fushat, moshat, gjinitë, për të prezantuar projektin. Madje, ky aktivitet duhet të ketë të ftuar përfaqësues të gazetarisë së kulturës, për të monitoruar procesin hap pas hapi. Në mënyrë që të informojë të gjithë qytetarët për ecurinë artistike në vend. Shpirti krijon edhe aty ku nuk ka miniera ari. Ari gjendet duke kërkuar. Pasuria e shpirtit ka më tepër vlerë se Ari. Se profesionistë ka, por nuk bëhet punë. SPK-Skena e Pavarur Kulturore
Sigal