Mbreti i teatrit Nikolin Xhoja mbush Pallatin e Kulturës, duke rikthyer spektatorin e munguar në sallë

1152
Sigal

Artdashësit duartrokasin gjeniun e kinemasë në 26- vjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit durrsak

 ( Me rastin e 26- vjetorit të ndarjes nga jeta)

 Më 13 mars të 2013-s, në Pallatin e Kulturës  “A. Moisiu”, Durrës në virgjilje të 26 -vjetorit të ndarjes nga jeta e aktorit të talentuar të teatrit dhe të kinematografisë shqiptare, në sallën kryesore të këtij institucioni u shfaq një film dokumentar, kushtuar posaçërisht njeriut që la një emër  me vlera artistike të pashlyeshme, siç ishte i pavdekshmi  Nikolin Xhoja. Salla ishte mbushur plot e përplot jo vetëm me kolegët e bashkëkohësit e tij të atyre viteve, por edhe nga një numër i madh të aktorëve të rinj, të cilët kanë marrë vlerat e interpretimit skenik edhe nga Nikolin Xhoja; që tashmë ato cilësi interpretuese të këtij aktori të madh janë kthyer në një shkollë më vete për ‘ta dhe brezat aktoriale që do të vijnë pas. Aty morën pjesë edhe shumë qytetarë nga qyteti bregdetar, të cilët duartrokisnin herë pas here sikur Nikolini të qe “ngjallur” nga ku dukej qartë nëpërmjet skenës dhe sekuencave filmike që paraqiteshin në sfondin filmik,dashuria e respekti që ruanin qytetarët për aktorin ishin akoma të freskëta e të zjarrta, si në ato vite kur  ai luante me lojën  e mrekullueshme aktoriale skenike.

   Pallati i Kulturës “A.Moisiu”, Durrës

 Filmi dokumentar ishte një ndërthurje me peizazhe e episode nga jeta e aktorit, por edhe me vlerësime nga ish-kolegët, që duke punuar vite me radhë së bashku me Nikolinin, morën nga ai veçoritë e arkëtimit skenik cilësor dhe atribute të vyera nga ky aktor brilant i skenës së teatrit e të kinematografisë sonë. Fjalën e hapjes në këtë eveniment të rëndësishëm kulturor e përkujtimor e mbajti  shkrimtari e dramaturgu i mirënjohur nga publiku ynë Bashkim Hoxha, i cili është edhe drejtues i këtij institucioni kulturor e artistik të qytetit bregdetar të Durrësit.

Kush ishte Nikolin Xhoja?

Nikolin Xhoja u lind më 12 maj të vitit 1926 në Brindizi të Italisë. Aty rreth viteve 1920, e ëma kishte emigruar e më pas u njoh me pronarin e kinemave të Brindizit Teodor Xhoja, me të cilin lindën dy fëmijë: Ugolinin dhe Nikolinin. E ëma së bashku me Nikolinin e vogël u largua nga Italia për t’u vendosur në qytetin e Durrësit, nga ku kaloi fëmininë, e më pas u strehua në strehën vorfënore në Tiranë. Si mbaroi shkollën fillore ai nisi punën si postier i bankës së qytetit. Në shpirt diçka i vlonte si zjarri djaloshit simpatik me sy të zezë, flokë të zinj me onde djaloshare, por mbi të gjitha shquhej për lëvizjet plot zhdërvjelltësi si të ishte një “Çarli Çaplin” i vogël, saqë shokët e të afërmit që ishin më të rritur në moshë e thërrisnin me këtë emër. Me humorin e tij dhe buzëqeshjen plot kolor ngjyrash që i shoqëronte në çdo takim e bisedë, tërhiqte pas vetes shumë njerëz me lojën aktoriale të momentit. Me të drejtë bashkëkohësit e tij thoshin: “Erdhi aktori ynë i ardhshëm!”. U lidh me luftën  Nacionalçlirimtare në qytetin e Durrësit e u rreshtua në çetat partizane për çlirimin e Shqipërisë nga okupatori nazifashist. Aktrimi iu shtua edhe më shumë gjatë luftës atje në skenat teatrale partizane, ku interpretonte skeçe, tregonte anekdota, por edhe këndonte . Kështu merr pjesë në grupin Filodramatik të njësisë luftarake partizane. Në këtë kohë aktori ynë Nikolin Xhoja ishte 19 vjeç, me sarkazmat e batutat që hidhte para shokëve gjatë interpretimit ata qeshnin e u lotonin sytë. Mbas çlirimit të vendit Nikolini kthehet në 1946-n në Durrës. Në grupin amator të humoristëve ishte edhe Nikolini. Kështu më 1949-n ai interpreton me sukses  Qazim Mulletin tek komedia “Prefekti” të Besim Levonjës. Me kalimin e viteve nëpër skena u rrit së bashku edhe me personalitetin e tij si aktor i devotshëm e me zë aktorial shumë të fuqishëm, saqë po zinte shtrat mënyra e lojës aktoriale gjatë interpretimit skenik. Ngado ishte i duartrokitur nga publiku artdashës shqiptar. Emri i aktorit  me personazhet që luante në skenë ishe bërë pjesëtar i çdo vatre shqiptare. Rolet e shumta që ka luajtur në komedi, drama, kinematografi dhe opera e radhitën si një aktor që rrezatonte vlera kombëtare artistike. Për vlerat e shquara artistike skenike që ka interpretuar Nikolin Xhoja, ka marrë edhe vlerësime me titullin “Artist i Popullit”.

Të intervistuarit, të cilët ishin jo pak në pamjet filmike të dokumentarit prunë kujtimet e tyre për ish-kolegun dhe shokun e tyre të skenës Nikolin Xhoja; që tashmë ai vinte para publikut, në këtë sallë shfaqjesh, si dikur me anën e sekuencave filmike nëpër vite, por kujtimet dhe vlerësimet  ia shtonin edhe më shumë vlerat artistike që kishte i pavdekshmi aktori Nikolin Xhoja. Ata ishin shumë, por ne mundëm të shkëpusim vetëm disa emra prej tyre: “Artisti i Popullit” Gjergj Vlashi, Albert Vërria, Mirush Kabashi, Xhelil  Aliu, Ilia Terpini, Lutfi Hoxha, Aishe Stari, Haxhi Rama, etj.. Por, në krahët e këtij aktori ishin edhe aktorët e mëdhenj të Teatrit “A.Moisiu” si: Vangjel Heba, Meropi Xhoja, Marta Burda, Vera e Spiro Urumi, Ramazan Njala, Spiro Strati e shumë të tjerë që lartësuan në nivele kombëtare me lojën e tyre teatrin durrsak. Rolet e aktorit Nikolin janë të shumta, por ne po sjellim vetëm disa prej tyre në këtë shkrim. Në komedi: “Kush është fajtori”, “Fejesa me ngatërresë”, “Dreqërit e kënetës”, “Sëmundje e rrezikshme”, “Një ditë pushimi”, “Martesa e Gogolit”, etj.. Kurse tek dramat janë: “Halili e Hajria”, “Nën gështenjat e Pragës”, “Familja e peshkatarit”, “Dasma e madhe”, “Kërkuesit e lumturisë”, etj.. Dhe vazhdon me operat: “Era e lirisë”, “Miqësia”, etj.. Një rol tepër komik e vlerësues artistikisht ka lënë për shikuesin tonë shqiptar roli që ka luajtur në filmin “Kapedani” së bashku me aktorin Albert Vërria. Por edhe në filmat “Çifti i lumtur”, “Horizonte të hapura” dhe në të tjerë filma, që ai korrte vetëm suksese në rolet që luante.  Tashmë, portreti i tij është skalitur në memorien e artdashësve  dhe gjithë shikuesve të tjerë që e duan skenën dhe artin skenik.

Familja e Nikolinit

Nikolini ishte martuar me Meropi Xhoja, edhe kjo aktore, me të cilën kishte tre fëmijë. Vajza Aksinja Xhoja u bë një pianiste me famë e ka interpretuar me sukses në shumë skena prestigjioze të botës. Nikolini ishte një njeri që donte si fëmijën e vetë artin. Kur themi artin, rrokte pas vetes të gjitha gjinitë e llojet e tyre, që  më pas i derdhte në arkëtim kur luante role. Kjo i jepte energji e freski kur delte në skenë së bashku me shokët. Ndarja e parakohshme nga jeta në moshën 61- vjeçare, më 27 tetor 1987, ishte një humbje e madhe edhe për vetë artin skenik. Mënyra se si vdiq ky aktor kur dëgjon sot, është e trishtueshme, sepse  të tillë njerëz për nga vlerat që kanë patur e për ato që ka lënë, kërkohen gjithmonë vlerësime, ku edhe ky dokumentar filmik që u paraqit më 13 mars 2013, është domethënës e vlerësues që lartëson këtë figurë të artit tonë skenik. Bashkëqytetarët e kolegët durrsakë e kujtojnë këtë artist sa herë ngjiten për të parë shfaqje apo aktivitete artistike në Odeonin që mban emrin e tij , “Nikolin Xhoja”. Sa herë që duartrokitet nga artdashësit durrsak për shfaqjet që organizohen aty, duartrokasin edhe Nikolin Xhojën. Të tillë njerëz me vlera, e sidomos që lënë pas artin nuk kanë vdekje kurrë.