Mbrëmje poetike “Fllad lirikash Në Myzeqe”

1324
Poete Mimoza ÇOBO

Me krijimtarinë e poetëve të qytetit të Fierit
E magjishme është për çdo vizitor buzëmbrëmja në qytetin antik të Apolonisë, teksa vjeshta derdh spektër ngjyrash përmbi rrënoja. Krejt natyrshëm, kjo magji vjeshte, e ndërthurur me bukuritë e lashtësisë, më rrëmbeu, jo vetëm mua, por të gjithë poetët, shkrimtarët dhe artistët e qytetit tim. Teksa ecnim krenarë mbi tapetin me gjethe vjeshte, flladi i lashtësisë rrodhi aq ëmbël në shpirtrat tanë, sa për një çast, u duk sikur gjithë banorët e qytetit të lashtë, ishin zgjuar nga gjumi i shekujve dhe kishin dalë për të na pritur, si dikur, kur mbushnin shkallët e Odeonit apo të Teatrit antik, ku recitoheshin vargje përmes gurgullimës së muzikës së lashtë që rridhte nëpër telat e lirës. Befas zjarri mitik u ndez në Nymfe, Vallja e Pirros oshëtiu gjer në qiell, perënditë shkundën pluhurin nga supet, kur shkeli tapetin vjeshtak ikona e artit kinematografik shqiptar znj. Roza Anagnosti, e shoqëruar nga shkrimtari dhe studiuesi i njohur, z. Nasho Jorgaqi, si dhe nga mjeshtri i fjalës artistike z. Agim Xheka. E teksa hidhnim hapat nëpër qytetin antik, perëndimi i diellit la gjurmë të purpurta nëpër retinat e syve tanë. Nuk është aspak për t’u çuditur, nëse shprehem se gjurmët e perëndimit të diellit në Apoloni, janë të pakrahasueshme, me çdo gjurmë që lënë perëndimet në univers, janë një përvojë unikale, magjike e mitike, melhem për të shëruar plagët e gjirit. Kjo vjeshtë apoloniane u bë muzë frymëzimi për të gjithë ne, poetët, që të thurim lirikat e natyrës, apo të dashurisë më të bukurat në letërsinë shqipe. Nën magjinë e emocioneve që na fali natyra, para nesh u shfaq madhështia mijëra vjeçare e antikitetit. Në hyrje të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, na uroj mirëseardhjen drejtuesi i këtij parku, z. Arjan Dimo. Parku filloi të gjallërohej e të merrte jetë, si dikur në lashtësi. Teksa ndieja fëshfërimën e erës që vinte nga thellësitë e parkut, për një çast m’u duk sikur statujat e mermerta filluan të merrnin frymë. Në qendër të një vazoje prej qeramike, perëndia e shfaqjeve teatrale, Dionisi, dukej sikur po zbriste prej saj për të shijuar bashkë me ne flladin e lirikave. Kisha e “Shën Marisë” nën fëshfërimat e lutjeve të shenjtorëve, hapi dyert e rënda nga pesha e shekujve dhe na mblodhi të gjithë, në gjirin e saj të shenjtë. Heshtjen hyjnore që mbretëronte në ambientet e kishës, e “theu” butësisht melodia tingujve të muzikës klasike që rrodhi prej duarve të arta të motrave Milaj. Mbresëlënëse ishte fjala përshëndetëse e profesorit të nderuar të qytetit të Fierit z. Fredi Jorgaqi, drejtuar gjithë të pranishmëve. Si fierak dhe si mësues letërsie, ai ka ndjekur prej gati gjysmë shekulli jetën letrare, ecurinë e letërsisë në tërësi dhe të poezisë në veçanti të krijuesve fierakë. I ngacmuar prej kohësh nga prurjet estetike dhe cilësore të lirikave, atij i lindi brenda shpirtit një shkëndijë, e veshur me muzën e këtyre lirikave;të organizonte një mbrëmje poetike. Falë mbështetjes së Bashkisë së Fierit, Kryetarit të saj z. Armando Subashi, dhe përkrahjes masive që i bënë krijuesit e qytetit, arriti që shkëndija e tij të ndriçonte qiellin e lashtë apolonian, si dhe të ngrinte një monument të gjallë poetik, mbi rrënojat e qytetit antik. Gjatë gjithë mbrëmjes më oshëtinin në vesh fjalët e tij të gatuara me tharmin e letërsisë e të veshura estetikisht me sharmin poetik ;’’ Lulet që përzgjodha nga kopshti poetik, janë nga më të bukurat e këtij kopshti të begatë e shumëngjyrësh. Vështirësia më e madhe për mua ka qenë qëmtimi dhe përzgjedhja e poezive të poetëve fierakë, që tashmë nuk janë drurë të veçuar, që shfaqen në një korie, por janë bërë një pyll poetik, ku duhet të orientohesh dhe të dish të shënosh ato pemë, që kanë zënë fruta. “ Këto mendime dhe vlerësime të vyera, janë një aureolë e bukur, mbi kryet e lirikës fierake. Nën dritën vezulluese të qirinjve, vështrimit paqësor të shenjtorëve nga afresket, si dhe të melodisë magjepse të këngës së famshme popullore ‘’Goca e berberit’’, u krijua një ambient i ngrohtë hyjnor, sepse vetë kjo këngë, që i kushtohet bukurisë femërore, që zbukuron dhe hijeshon planetin Tokë, bart magji dhe arrin të turbullojë ende, edhe sot, shpirtrat e djelmoshave fierakë. Nën atmosferën e kësaj kënge, artisti brilant Astrit Hasani, me zërin e tij virtuoz recitoi vargjet e poezisë time, me të njëjtin emër ; “Si legjendë e gjallë udhëve të Fierit, shfaqet bukuria jote, moj faqehënë, mes këngës hyjnore, Goca e berberit, vargjeve të saj, nuri të paska rënë…”/ “E nisëm këtë mbrëmje poetike, me lirika të përzgjedhura, jo thjeshtë për atmosferë, por për të përcjellë idenë se lirika myzeqare rrjedh në kohëra prej muzës së pashtershme të popullit dhe se ajo, është edhe sot ngacmim për frymëzim poetik në krijimin e lirikave”, shprehet e emocionuar, aktorja e mirënjohur e teatrit “Bylis” Mjola. E më pas, si një gurgullimë e ëmbël kroi që zbret nga shpirti i lashtësisë, nën flakën e qirinjve që digjeshin e shkriheshin, duke rrëzuar lot të bardhë e të nxehtë mbi dyshemenë antike, rrodhi nëpër venat e të pranishmëve, flladi i zjarrtë i lirikave etike, erotike, i lirikave të natyrës. Njëlloj si këta qirinj u ndez edhe shpirti i çdo poeti, duke u djegur heshtur, si pishtar… Sepse poezia është zjarr, që ndez e përvëlon gjakun…Është ilaç që thithet, nëpër hojet e ëmbla të vargut, në burimin e pashtershëm të muzës së poetëve. Lirika, si harmonizim melodik solemn, i botës së brendshme njerëzore nëpërmjet forcës së fjalës së poetit dhe notave të holla lirike, arrin të përcjellë tek lexuesi dridhmën shpirtërore, përzier me mallin, brengën, apo pikëllimin. Të tilla emocione përcollën në ambientet e kishës, vargjet e lirikës, “Një kambanë qe zemra ime”, e Patriarkut të letërsisë shqipe, shkrimtarit Jakov Xoxa. /”Një kamban’qe zemra ime, /e gatuar me gjak e lot, /dhe e rrahur n’ëndërrime, /por e shurdhër është kjo botë…!/Por teksa i shijoja këto vargje kaq të ndjera, ndeva Jakovin, të zbriste shkallët e dhomës së punës, ku në ambientet e saj ende qëndron, si monument, makina e shkrimit, me të cilën, ai shkroi një nga veprat më të bukura të letërsisë shqipe, romanin “Lumi i vdekur”. Mbi tavolinë loton bojë në heshtje pena e tij e veçantë, e krahasuar me “Tolstoi shqiptar”.!Tek ajo, dhome nis gjarpërimin e saj “udha hyjnore”, që lidh shqiptarët e Shqipërisë me shqiptarët e Kosovës. Patriarku biblik, me pamje Krishti, i lindur dhe i rritur në tokën biblike të Myzeqesë, u ul në mes të poetëve dhe i bekoi me sy e zemër. E, krejt papritur një lot margaritar ia dritëzoi syrin. E, si të mos e derdhte lotin margaritar, kur pranë vetes kishte breza të tërë poetësh, teksa e rrëmbente magjia i oratorisë së mjeshtrit të fjalës artistike, z. Agim Xheka. Një ndjesi e trishtë, e përzier me dhimbjen ma rrëqethi shtatin, e krejt papritur më rrëmbeu në detin e pikëllimit të kësaj poezie perlë. Sepse e tillë është lirika e poetëve myzeqarë, herë ta mbush shpirtin me lot pikëllimi, herë me brengën që të mbërthen fytin, e teksa zbret nëpër kraharor, thërrmon muret e shpirtit, e herë të ngërthen me fuqinë magjike të dashurisë, saqë zemra çohet peshë, gonxhja e prushtë shkund petalet e nxehta në gjak dhe merr flakë vullkani i heshtur i shpirtit. E krejt natyrshëm të duket, sikur vdes realja dhe zhytesh në perandorinë e imagjinatës, vdes e ngjallesh, duke prekur parajsën, duke u ndjerë thellë në shpirt njeri. Pikërisht ndjesi të tilla kaq ekzaltuese, që të dehin me pjalmin e erosit, më pushtuan jo vetëm mua, por gjithë poetët, bile edhe vetë mjeshtrin Agim Xheka, teksa ia përflakte gjuhën dhe buzët, vargu haik i shkrimtarit, “Mjeshtrit të Madh të Punës”, z. Nasho Jorgaqi. / “Nën ata qerpikë çel bukuria jote. / Është bukuria që ndrit botën time. /Tatëpjetë qerpikëve zbret nuri yt i purpurt. / Ndizen dritat e syve të tu. /Anës tyre feksin krahë dallëndyshesh. /Me poshtë vezullon koria e vjollcave…. /Nën ata qerpikë bukuria jote hesht. /Zëri i saj është frymëmarrja e gjoksit tënd. /Atë zë vetëm unë e dëgjoj. /”. Duke soditur nga afër pamjen fisnike, vështrimin e butë dhe ngazëllyes, si vala e Semanit kur përkëdhel bregun ranor gjatë verës, duke ndjerë fëshfërimën e flokëve të kreshpëruar, të shkrimtarit Nasho Jorgaqi, krejt natyrshëm m’u soll nëpër mend një thënie e bukur e një shkrimtari të huaj;’’Kur lexuesi e pëlqen krijimin , kërkon ta njohë shkrimtarin nga afër…’’Kurse unë do shtoja se kur e ke shkrimtarin afër dhe në një sfond hyjnor interpretohet krijimi i tij, të duket sikur ke pranë Zotin. Dhe fati e desh që shkrimtarin, e kisha pranë, ndërsa shijoja haikun e tij mbresëlënës. Tingujt lirik, u ndërthurën kaq bukur me muzikën klasike, saqë në ato momente, nuk mund të gjeja fjalët e duhura për ta përshkruar këtë ndjesi. Ndërmend më erdhën fjalët e shkrimtarit ikonë të letërsisë shqipe, Dritëro Agollit: ‘’Një prozë e tejdukshme si xham nga një rërë, pa hekur e që mund t’ia turbullonte ngjyrën…Nasho Jorgaqi del një mjeshtër i shquar i bukurisë së fjalës shqipe…’’. E, ndërsa mbrëmja butësisht po hidhte velin e saj, mbi qytetin antik, e ndieja se nën flladin e lirikave ky qytetet nuk mund të përgjumej…Sepse magjia e flladit kishte depërtuar gjer në palcën e tij shekullore, aty ku prehen thesaret e pazbuluara të qytetit ‘’Diell’’. U gjunjëzuan perënditë kur zëri i kadifenjtë i artistes Roza Anagnosti depërtoi në gjirin e tyre i perëndishëm. Sytë e saj shpërthyen mijëra dritëzime teksa recitonte vargjet e shkrimtarit dhe poetit Fran Ukcama, vargje që i kushtoheshin të madhërishmes grua. Dhe lirikat nisën të shpërthenin një nga një në këtë vend të shenjtë, ashtu si shpërthejnë gonxhet e luleve në pranverë. Ambienti ishte i ngrohtë, tingujt e violinës ishin të magjishëm, kurse zëri melodioz i aktorëve të teatrit “Bylis” përkëdhelte lehtë gonxhet e lirikave duke përhapur ngado, aromën e pranverës , edhe pse ishte mbrëmje vjeshtë…Sepse lirika myzeqare ka në shpirtin e saj filozofinë e përjetësisë së dashurisë, metamorfozën e qenies, bart në trupin e saj të brishtë kuptimin ekzistencial jetësor, mbanë në duart e saj penelin magjik që ngjyros botën dhe shpirtëzon universin. Të tilla ndjesi përcollën edhe vargjet e poeteshës së talentuar Vjollca. T. Pasku, vargjet e poetit të shquar Xhemal Gora etj. Vargu i pjekur i Petrit Nikajt, përcolli në ambientet e kishës, jo vetëm emocion, por deri-diku iu imponua të pranishmëve, për ta dëgjuar me vëmendje dhe për të ndjerë peshën e dhimbjes së vargut. Në qiellin e lashtë të Apolonisë poetët e talentuar të qytetit tim, A. Bardhi, A. Damini, A. Mehmeti, A. Haxhiaj, A. Stefa, A. Velo, A. Zaka, B. Boçova, B. Çepele, E. Liçaj, E. Dhaskali, F. Ukcama, G. Banaj, H. Kalluci, H. Emiri, I. Kule, J. Xoxa, L. Dano, M. Pone, M. Çobo, M. Dushku, M. Maska, M. Rama, N. Jorgaqi, N. Plaku, P. Dhima, P. Hysi, P. Kote, P. Nika, S. Sota, V. Dafa, V. Tiku, V. Marku, Xh. Goraj, Y. Muçaraku, Z. Dashi etj, pikturuan me penelat e shpirtit, me elikzirët figurativë, me imagjinatën e shfrenuar, një tabllo poetike, si rrallë ndonjëherë, në historinë e letërsisë fierake. Me krenari mund të them se kaq shumë lirika u recituan në këtë mbrëmje poetike, sa nuk mjafton as ky shkrim dhe as dhjetëra shkrime të tjera për t’i pasqyruar. Eh, sa lirika mbanë në gjirin e saj Myzeqeja! Do të duheshin ndoshta mijëra mbrëmje vjeshtë për t’u recituar dhe shijuar. Magjishëm rrodhi ky fllad poetik, mbi faqen e praruar të Myzeqesë, përkëdheli shpirtin e saj të butë e paqësor, ballin vjeshtak, ku janë gdhendur me germa të arta bëmat e filizave, që lindi dhe rriti në prehrin e saj kjo mëmëzonjë. E ndërsa mbrëmja poetike po mbyllej, në ato momente kaq të ndiera dhe të ngrohta, e rrethuar mes artistëve dhe poetëve të qytetit tim, u ndjeva maksimalisht e respektuar dhe e nderuar. Ndaj mund të shprehem se ky fllad lirikash në Apoloni, derdhi në gjirin tim, aromën e Myzeqesë, muzën e qytetit të lashtë. Lumbardha e Anakreontit gjeti paqen nëpër flladin e lirikave, trokiti butësisht në gjirin e poetëve për t’i frymëzuar dhe gjallëruar muzën. E teksa hidhnim hapat nëpër Parkun Arkeologjik, nata kishte hedhur mbulesën e saj përmbi qytetin e dehur nga flladi i lirikave. Yjet vezullues derdhnin dritë mbi kryet e qytetit të lashtë, teksa ai përkundej i përgjumur në djepin e flladit të lirikave, që ende frymonte magjishëm, edhe pse mbrëmja poetike kishte përfunduar. Kurse Hëna, si një meteor i ndritshëm na shoqëroi në heshtje , edhe pasi u larguam nga qyteti ‘’Diell’’. Kjo mbrëmje poetike, dehu gjer në eshtër edhe shpirtin e Myzeqesë, jo me verë, por me fllad lirikash. Por më mirë kështu!Se siç shprehet edhe shkrimtari francez, Sharl Bodleri tek “Splini i Parisit”; “Duhet të jesh përherë i dehur, për të mos ndier peshën e tmerrshme të kohës…dehuni vazhdimisht, me poezi, me virtyt, si të keni qejf”. Shpresoj që aktivitete të tilla, si ky i sotmi të kthehen në një traditë të bukur për qytetin e Fierit. Takime të tilla i japin krijuesit sadisfaksionin e të qënit poet, që të ndihet krenar për rolin, vendin e tij në art dhe shoqëri.
Sigal