Mbrëmja e kulturës gjirokastrite në presidencë

1357
Sigal

Nga Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh

Ishte një mbrëmje mbresëlënëse ajo e 12 qershorit ku në kopshtin e Presidencës dhe në kujdesin personal dhe të veçantë të Presidentit të Republikës z. Ilir Meta, Forumi për Mbrojtjen e vlerave të Gjirokastrës, organizoi “Mbrëmja e kulturës gjirokastrite”. Ishte premiera ku hapi siparin një veprimtari për promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit të gurtë. “Gjirokastra, thotë Kadareja, duket sikur ka dalë në anë të udhës një natë dimri si një qenie prehistorike. Ishte në të vërtetë një qytet i çuditshëm.” U mblodhën në këtë mbrëmje magjike gjirokastritë të shumtë, personalitete të artit e kulturës, Artistë të Popullit, Mjeshtër të Mëdhenj, e Nderi i Kombit. Intelektualë, profesorë dhe akademikë, përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të kuvendit popullor, miq e të ftuar. Ishte e pranishme dhe kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, znj. Zamira Rami. E konceptuar si një veprimtari unike, por e ndarë në dy pjesë në këtë hapësirë të gjelbër u çel ekspozita e piktorit të mirënjohur Stavri Çati, “Mjeshtër i Madh”, e titulluar “Gjirokastra Etnografike”. Mbi 60 tablo të vendosura mbi kavaleta në barin e gjelbër pasqyronin në një kolor shumëngjyrësh e të shndritshëm pasurinë e jashtëzakonshme të kostumografisë popullore të rajonit të Gjirokastrës. Stavri Çati na solli në ato tablo shumëllojshmërinë e kësaj pasurie etnografike që popullsia e kësaj ane e trashëgoi me dashuri në breza. Ekspozita, nuk ishte vetëm një pasqyrim i kostumografisë popullore të këtij rajoni, por edhe një vlerë e çmuar e studimit etnografik që ai i ka bërë kësaj trashëgime, duke hedhur me penelin e tij në telajo çdo detaj pjesë përbërëse dhe aksesorë nga shamia e kokës e deri tek këpucët me xhufka.

E vizitoi me vëmendje dhe emocion këtë ekspozitë si e para e këtij lloji në natyrë edhe Presidenti Ilir Meta duke u ndalur në çdo tablo në shpjegimin e piktorit Stavri Çati. U shoqërua kjo ekspozitë me tingujt e kuartetit të harqeve të orkestrës së RTSH si dhe pianistes të talentuar gjirokastrite Mimoza Çabeli. U ndalën para tablove të kësaj ekspozite të gjithë pjesëmarrësit në këto veprimtari duke shprehur konsiderata dhe vlerësime të larta për “Mjeshtrin e Madh” Stavri Çati.

Në anën tjetër të këtij ambienti rreth 300 karrige do të krijonin një Amfiteatër veror ku në një ekran të madh pjesëmarrësit do të shikonin filmin dokumentar artistik “Këngët e kafeneve”, prodhimi i Televizionit Publik Shqiptar. Këshilltari i Presidentit, Ylli Asllani, organizator i kësaj mbrëmje kulturore i ftoi të pranishmit të respektojnë Himnin Kombëtar. Më pas Presidenti i Republikës z. Ilir Meta iu uroi të pranishmëve mirëseardhjen në Presidencë dhe u ndal në vlerat e trashëgimisë të kulturës gjirokastrite. Ai theksoi, “se çdo pjesë e territorit shqiptar është e pasur me vlera dhe gjurmë të kulturës të çdo etape historike. Nga ky thesar i madh i trashëgimisë sonë, sot përzgjodhëm Gjirokastrën, për të promovuar së bashku simbolikisht larminë e pafund të vlerave tona etnokulturore”. Mesazhi i presidentit ishte i qartë i fuqishëm dhe mbështetës jo vetëm për trashëgiminë e vlerave të qytetërimit gjirokastrit por për gjithë trashëgiminë kombëtare si shprehje e identitetit tonë. Kryetari i Formimit për Mbrojtjen e vlerave të Gjirokastrës Prof. Agim Mero falënderoi Presidentin e Republikës për mbështetjen që i jep kulturës tonë kombëtare duke theksuar detyrimin që kemi të gjithë për të kontribuar në ruajtjen dhe trashëgiminë e tyre në breza. Kur pashë të hapur portën e Presidencës për të pritur publikun e gjerë në Mbrëmjen e Kulturës Gjirokastrite m’u kujtuan anetë e Gjirokastrës që në ditët e Festivalit Folklorik do të hapnin kanatet e portës së madhe për të pritur me tërë bujarinë e shpirtit artistët popullorë nga gjithë vendi. Kaq shumë gjirokastritë nuk kam parë ndonjëherë të mblidhen, takohen, përshëndeten dhe të gëzojnë me njeri –tjetrin. Përpara shfaqjes së filmit “Këngët e kafeneve” grupi polifonik “Ergjeria” me korife Arjan Shehun “Mjeshtër i Madh”, interpretuesi më i mirë sot i këngës gjirokastrite, pasuesi më i denjë i Xhevat Avdallit i ardhur në këtë mbrëmje nga Gjirokastra do të përshëndeste pjesëmarrësit me këngët e tij melodioze e befasuese. Pas këngës përshëndetën edhe autorët e filmit skenaristi Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh” dhe regjisorja e mirënjohur e Televizionit Publik Shqiptar, Eli Bici, të cilët vlerësuan lart organizimin e kësaj mbrëmje në ambientet e Presidencës. Nder te tjera Kasarohuro theksoi: “Një jetë të tërë, mbi 5 dekada midis këngëtarëve popullorë të qytetit tim kam ndjerë, prekur e mësuar deri në imtësi këtë trashëgimi të etno-kulturës në tërë hapësirën dhe dimensionin e saj si veçori unike, befasuese e të papërsëritshme që artisti popull i ka përcjellë me tërë pasionin e shpirtit në breza. Më tej skenaristi Kasoruho nënvizoi se kënga gjirokastrite është forma më e lartë klasike e interpretimit të polifonisë ndërsa grupi i pleqve të qytetit me simbolin e këngës gjirokastrite Xhevat Avdalli janë institucioni më i lartë i polifonisë shqiptare dhe një margaritar i shndritshëm në kulturën tonë kombëtare”. Regjisorja Eli Bici ndër të tjera theksoi se, “Gjirokastra me pamjen magjepsëse të krijon mundësi të filmosh peizazhe, ambiente dhe arkitekturë të papërsëritshme në asnjë qytet tjetër. Bashkëpunimi me muzikologun Naxhi Kasoruho për të sjellë në një film dokumentar këngën gjirokastrite si një vlerë e polifonisë sonë ka qenë një eksperiencë pozitive ku me përkushtim dhe pasion pasqyruan atë perlë të folkloristikës tonë që burrat gjirokastritë i këndonin në kafenetë e qytetit. Kam bërë disa filma dokumentarë në Gjirokastër dhe sa herë që shkoj aty mrekullon nga ky qytet i magjishëm”. Kjo mbrëmje i shërben promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe momentale të qytetërimit gjirokastrit, të sensibilizimit të gjithë donatorëve dhe dashamirësve të kulturës si dhe për të falënderuar gjithë atë plejadë të madhe studiuesish, shkencëtarësh, intelektualë dhe artistë që kontribuan në lartësimin e etno- kulturës gjirokastrite. Podium më të lartë për të promovuar trashëgiminë gjirokastrite zgjodhëm Presidencën si Institucioni i parë i krenarisë kombëtare. E mbylli këtë mbrëmje me një kolazh motivesh të këngës gjirokastrite në formën e turbo-folkut këngëtarja e mirënjohur Juli Çenko që së bashku me Arjan Shehun krijuan një atmosferë të gëzuar që përfundoi me ngritjen në valle të Presidentit Meta dhe shumë pjesëmarrësve të kulturës gjirokastrite që do të kujtohet gjatë.