Pas disa takimesh dhe mbledhje pune, drejtuesit më të lartë të komuniteteve fetare të Shqipërisë janë mbledhur sot më dt. 22.10.2018 në Selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku janë marrë disa vendime të rëndësishme, lidhur me mirëfunksionimin dhe disa ndryshime statusore të Këshillit Ndër fetar të Shqipërisë, themeluar në vitin 2007 nga komunitetet fetare tradicionale në vend.

Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, morën pjesë H. Skënder Bruçaj, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Gjatë kësaj mbledhjeje, krahas ndryshimeve statusore, u morën edhe disa vendime lidhur me disa ndryshime në aspektin drejtues institucional të Këshillit Ndër fetar, institucion i cili ka në përbërjen e vet Këshillin e Presidencës, Këshillin Ekzekutiv dhe sekretarin e përgjithshëm.

Organi më i lartë vendimmarrës i Qendrës së KNFSH-së është Këshilli i Presidencës, i cili përbëhet nga Kryetarët e Komuniteteve fetare, pjesëmarrës të Qendrës, ndërsa Këshilli Ekzekutiv përbëhet nga dy anëtarë për çdo komunitet.

Kryetari i Këshillit të Presidencës, ka një mandat një vjeçar dhe krerët e komuniteteve fetare do ta kenë këtë detyrë me rotacion. Për këtë mandat u caktua kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, ndërsa sekretar i përgjithshëm u zgjodh Dr. Genti Kruja me një mandat tre vjeçar.

Në  këtë mbledhje u vendos gjithashtu botimi i literaturave të ndryshme, ku do të pasqyrohet veprimtaria ndër fetare në Shqipëri, si dhe takimet periodike sipas statutit të KNFSH-së.

Këshilli Ndër fetar i Shqipërisë ka si mision të vetin promovimin e dialogut dhe harmonisë ndër fetare, nëpërmjet projekteve dhe aktiviteteve te përbashkëta.