Mbi artistin e vërtetë, Thoma Rrapi

936
Nga: Xhuljeta KULLA
Unë me tim shoq, Pëllumbin, në shpupurisjen e kujtimeve tona të një jete të përbashkët, sjellim ngjarje të bukura, shfaqje të suksesshme, tonat dhe të të tjerëve… Ripërtypim emocione me artistë, kolegë, bashkëstudentë të fakultetit të teatrit, pedagogë… Kujtojmë fillimet tona passhkollore në Vlorë, Berat dhe Fier, ndalemi mbi kolegë që gjetëm atje.

Edhe i ndjeri Thoma Rrapi, jo njëherë ka zënë vend në bisedat dhe kujtimet tona. Kam folur unë më shumë, pasi Pëllumbi nuk ka pasur rast të punojë me të. Por edhe im shoq ka mbetur i goditur nga portreti i tij interesant, i vënë re në ata pak filma ku regjisorët e patën bërë zakon ta thërrisnin nga të parët, thirrje të njëkohshme me artistët tanë më të mirë të filmit të tërhequr nga figura e tij mbresëlënëse, sidomos nga portreti shprehës, nga pasioni i tij artistik, nga dashuria për artin e interpretimit. Na duket e bukur jeta e një njeriu që aq sa jetoi, i mbushi vitet e tij me filmin dhe teatrin. Është emblematik fakti që zuri vend në listën e aktorëve që me filmin e parë artistik, “Skënderbeun”!
Të dy me Pëllumbin vazhdonim të bashkoheshim dhe vazhdojmë akoma të jemi ne një mendje që rolet e vegjël kanë pak tekst dhe pak vend, por janë njësoj teste krahasimi me rolet e mëdhenj.

Nga përvoja e gjatë regjisoriale, bashkëshorti im është i bindur, se këto teste artisti ynë beratas i kishte të kapërcyer që të gjithë, duke zgjuar interes dhe duke sjellë sukses. Por unë pata nderin ta njihja atë më nga afër, meqë pas diplomimit më emëruan në qytetin tim të lindjes. Thomai ishte një nga artistët e shquar të Beratit, bile edhe të Tiranës po të kemi parasysh fillimet në Teatrin Popullor, edhe pse pastaj, për arsye të ndryshme… (Ah, arsyet e atyre kohërave dramatike!) Thoma Rrapi nuk u bë pjesë e trupave profesioniste të qytetit buzë Osumit. Komitetet ekzekutive atë botë kishin tagër te mos pranonin apo të të përjashtonin nga borderoja e profesionistëve, por nuk kishin tagër, sado autoritare, që të shuanin talentin, pasionin, vlerat profesionale që shpesh njerëz si Thoma Rrapi i kishin më të bollshme se ata të borderove. Unë kam pasur rast të bisedoja shpesh me të. Thomai më afroheshe dhe më shihte me respekt si një vajzë e sapodiplomuar, kurse unë e kisha dyfish respektin, siç i takon një fillestareje për artistin e pjekur, për atë të kaluarën e tij në skenat përreth, mbi të cilat gjithashtu trupëzoheshin, ëndrra dhe pasione. Në ato skena u kalitën artistë të shquar si vetë Thomai, Nevruz Haznedari, Hysen Duroja, Pavlina Roco, Xheni Kadena, e më pas Sejfulla Myftari, Ylli Mestani, Zia Kurti, që u bënë anëtarë të trupave profesioniste dhe Thomai, siç tregova më lart, nuk u bë.
E sjell ndërmend tek vinte gjithmonë me kostum dhe kravatë, i kujdesur që të ishte gjithmonë i hekurosur dhe i pastër. Me atë zërin e tij të rrallë, më fliste për ftesat që i vinin nga Kinostudio, më fliste me entuziazëm për projektet e tij si udhëheqës i grupit të Kombinatit të Tekstileve, grup me të cilin u bë “i mërzitshëm” duke fituar flamujt e tërë festivaleve të Beratit! Nuk pushonte së sjelli përshtypjet për leximet, nga Shekspiri, Molieri, Brehti, nga poetët tanë kombëtarë… Më habiste kujtesa e tij e shëndetshme tek recitonte vargje të tërë të plotë e pa boshllëqe, nga vjershat e Nolit, Poradecit, Dritëroit dhe nga përkthimet e të vyerit Vexhi Buharaja. Kam mbetur e mrekulluar nga mënyra se si ky artist transformohej kur kapërcente nga kuintat anësore, brenda në kuadratin e skenës.
Për të teatri ishte tempull i shenjtë. E vura re këtë gjë kur e ftova me kënaqësi dhe i dhashë një rol që do të më mbetet i paharruar në shfaqjen që realizova në Pallatin “Margarita Tutulani” kur m’u ngarkua të vija në skenë një pjesë mbi një figurë të shquar të Rilindjes, Babë Dudë Karbunarën. Thoma Rrapi ishte jo vetëm dashnor i thekur i teatrit, por një njeri tepër i njohur i rretheve të artistëve të teatrove në të katër anët e vendit, mik i Kadri Roshit, Lec Shllakut, Pandi Raidhit, Loro Kovaçit, Lazër Filipi etj. Kur ata zbarkonin me trupat e tyre në Berat, më shumë rrinin në shoqërinë e kolegut të tyre të vjetër, se me ne, profesionistët e rinj.

Me atë jetë përkushtuar teatrit, me atë veprimtari në skena dhe ekrane, si tërë artistët e vërtetë, Thoma Rrapi ka hyrë ballëlart në historinë e skenës dhe ekranit shqiptar, ka zënë vend në kujtimet e bash artistëve të vërtetë dhe të artdashësve të Beratit dhe gjithë atdheut.

Dhe do të mbetet me nder atje.
Sigal