Maya: “Ka ardhur koha për një fëmijë!”

1352
Sigal

Intervista/ Flet këngëtarja e mirënjohur dhe princesha e muzikës vlonjate Maya: “Jam e lumtur dhe e plotësuar me partnerin tim”

Për Maya Aliçkajn, njerëzve të rëndësishëm, që takon në jetë, duhet t’ua dish vlerën, ndaj ajo e ka titulluar albumin e saj më të ri “24 karat”. Ky është edhe viti i parë i bashkëjetesës me të fejuarin arkitekt Arben Shuaipi, frymëzuesi i saj për të qenë më shumë e pranishme në muzikë me pesë klipe dhe një album. Bashkë më ndryshimin në jetën personale, ajo vjen ndryshe edhe në muzikë, nga motivet popullore deri te house. Këngëtarja nga Vlora flet për dashurinë me shikim të parë me arkitektin, planin për të sjellë në jetë një fëmijë dhe sekrete të tjera nga jeta e saj.

-Duket se në klipet e fundit shohim një tjetër Maya në muzikë, që pas shfaqjes si Merlin Monro në klipin “E nise”. Është ky një ndryshim i natyrshëm apo strategji e jotja?

Më mirë të themi është dëshirë e imja. Në fakt, natyra ime si person nuk është e njëtrajtshme, pra nuk më pëlqen monotonia. Nuk dua të them që muzika ime ka qenë monotone deri tani, por kam ruajtur një zhanër, një linjë të caktuar. E ky ndryshim që ju po thoni, ka ardhur pak me vonesë, pasi preferoj t’i ngjis shkallët ngadalë, pasi shpejt e shpejt lodhesh menjëherë. Klipi “E nise”, ku unë u shfaqa si Merlin Monro, ishte me muzikë jo popullore as shumë moderne, por një serenatë e fortë. Pastaj erdhi klipi “Vlora”, për qytetin tim, për të vazhduar me një baladë me Klejdin, “Një jetë me ty”, ku kam dashur të përçoj mesazhin e rëndësisë së familjes së shëndoshë, që është baza e gjithçkaje. Tani jam duke punuar klipin më të ri, që është një ndërthurje e muzikës popullore me atë house me titull “Java shtatë, e unë tetë”, të gjitha të punuara me kompozitorin Adrian Hila. Do të jetë një këngë e destinuar për klube dhe natyrisht unë s’do të jem e veshur me fustane të gjata kësaj here.

-Jeta jote jashtë muzikës është e qetë apo e zhurmshme?

Unë jetën e qetë e dëshiroj se kam nevojë për çlodhje, po nuk kam shumë mundësi ta bëj të tillë, se jam e angazhuar gjithë kohës me klipe e koncerte. Tashmë unë nuk jetoj vetëm, pasi bashkëjetoj me të fejuarin tim, kështu që dhe jetës familjare i kushtoj rëndësi. Por, pavarësisht se ky është viti i parë i bashkëjetesës, ka qenë dhe viti me më shumë klipe, pra pesë të tilla. Janë këngë shumë të bukura, ndaj dua t’i shoqëroj me klipe, sepse kështu afrohem më shumë me publikun, ndonëse është një kohë pak problematike për sa i përket anës financiare të këngëtarëve.

-Zakonisht, kur artistët krijojnë një jetë të qëndrueshme personale tërhiqen nga muzika, ti ke bërë të kundërtën. Pse?

Besoj se më ka dhënë energjinë e duhur partneri im.

-Pra, është mashkulli ideal që e ke dëshiruar, e ndien veten me fat në këtë pikë?

Më pëlqen gjithmonë t’i them gjërat ashtu siç i ndiej. Jam ndeshur në jetë me një person që më ka plotësuar, ma ka zbukuruar jetën dhe gjendjen time shpirtërore. Jo vetëm që nuk jam ndier e penguar për të vazhduar karrierën time si këngëtare, po përkundrazi, kam shumë inspirim për të krijuar. Për çdo gjë e kam ndihmë, aspak pengesë. Dhe, ashtu siç kam dëshiruar që, nëse do vinte një partner në jetën time, do të më bënte mirë, ashtu ka ndodhur.

-Të jesh artiste me axhendë, sa e vështirë është të bashkëjetosh?

Shtohen ca punë, po i bëj me kënaqësi. Për mua është bukur, përderisa bashkëjetesa funksionon. Natyrisht ka impenjim, por jam e plotësuar, pasi nuk ndihesh vetëm. Dhe mungesën e tij e ndiej më shumë, si këto ditë që ai për punë personale ka shkuar në Itali, ku ka jetuar prej vitesh. Edhe pse jam shumë e angazhuar me aktivitete, mungesa e tij më bën të besoj që vërtet kam bërë zgjedhjen e duhur.

-Jeni posesivë ndaj njëri-tjetrit, ju ndodh të grindeni?

Posesivë jo, por domosdoshmëri për njëri-tjetrin ndiejmë. Ndërsa për grindje pa dyshim që kemi, por zënka për gjëra pa rëndësi e që zgjasin punë sekondash. Pastaj rikthehemi në gjendjen tonë, sikur asgjë s’ka ndodhur.

-Meqenëse je këngëtare që i këndon dashurisë dhe dasmave, kur keni menduar për ceremoninë e dasmës suaj dhe do i dedikosh këngë të posaçme kësaj martese?

S’kam menduar ende, as për njërën, as për tjetrën. Më shumë kam menduar për shtimin e familjes me një fëmijë, sesa për dasmë, sepse më duket sikur ka kohë për ceremoninë. Fëmijën, po, e dëshirojmë dhe presim të na vijë si dhuratë nga Zoti!

-Dhe, si një çift që po jetoni vitin e parë të bashkëjetesës, keni planifikuar pushime të veçanta?

Muaji gusht është shumë i ngarkuar për mua, kështu që do bëj një alternim të koncerteve, dasmave dhe pushimeve në Vlorë. Gjithsesi, kam plan në shtator për pushime në Bora Bora, pasi më pëlqen shumë.

-E ke provuar goditjen e dashurisë me shikim të parë?

Po. Me partnerin tim jam ndier e tërhequr që herën e parë, edhe pse nuk kemi pasur mundësinë t’ia shprehnim njëri-tjetrit. Kemi pasur shoqëri të përbashkët prej një viti e gjysmë. Ka qenë hera e parë që unë pëlqeva një mashkull pa më folur ai. Ishte kimia që ndodhi dhe ndaj jemi këtu ku jemi.

-Ke hequr dorë nga diçka për hir të dashurisë?

(Qesh) Po, nga cigarja, pasi Beni këmbënguli që ta lija cigaren.

-Në këngët e reja dominon prezenca e dashurisë apo mungesa e saj?

Në të vërtetë, i këndoj mungesës së dashurisë. Këngët nuk i bëj për vete, por për publikun, edhe njerëzit dëshirojnë atë që s’kanë. Shumë domosdoshmëri për njerëzit është kur nuk e kanë diçka, kur vuajnë për të.

-Vuajtja e dashurisë është e bukur?

Nuk do ia uroja askujt. Por, kush vuan në dashuri, do të thotë që edhe ka dashuruar dhe se ia vlen vuajtja. Do dëshiroja që njerëzit të mos vuanin.