Maya Aliçkaj: Pabesitë e jetës duhet t’i sfidojmë

3818
Sigal

E kënaqur me atë që bën, këmbëngulëse dhe kritike e madhe e vetes, gjithmonë në kërkim të gjërave të veçanta dhe origjinale në muzikë, Maya vazhdon të ecë plot finesë dhe sukses në rrugën e bukur, por të vështirë të këngës popullore. Ajo nga viti në vit rrit numrin e fansave, por edhe repertorin e saj me këngë cilësore. Gjithmonë e qeshur, gjithmonë e sinqertë me miqtë dhe me njerzit që e rrethojnë. Maya thotë se syri është pasqyra e shpirtit, nëse ke një sy që flet direkt dihet se ke një shpirt të pastër. Në një intervistë për gazetën “Telegraf” Maja tregon dhimbjen e madhe që i shkaktoi humbja e vëllait kur ende s’kishte mbushur vitin nga humbja e babait dhe nënës. Gjithashtu shprehet se këngën kushtuar vëllait e nxori, pasi e kishte brenge në shpirt për të vijuar më pas me këngë të reja që do t’i kemi së shpejti gjatë sezonit veror.

Ke pak ditë që ke nxjerrë klipin tënd më të fundi i cili i kushtohet vëllait tënd të ndjerë, si erdhi ky klip?

Ky erdhi ashtu si i vjen çdo njeriu që ka humbje të rënda nga dhimbjet dhe fjalët, vendosmëria për të bërë një vidioklip ishte shumë herët, pasi është shumë vështirë të këndosh kur nuk mundesh pas humbjeve të mëdha që unë pësova dhe ,sidomos të këndosh, për këtë arsyje e nxora. Megjithatë për mua ishte një ngërç në shpirtin tim që, nëse duhet të bëja këngë të reja ashtu si ne bëjmë zakonisht, por ishte e pamundur që unë të krijoja një këngë të re para se të nxirrja një këngë për vëllain tim. Kjo ishte arsyeja që unë e nxora tani. Në fakt më ka munduar shumë shpirtërisht, qoftë audio, qoftë video, sepse është shumë herët, por për këtë aryje e bëra këtë klip, dhe pastaj do vazhdoj me këngët të reja të miat. Më duket sikur, nëse do ketë botë tjetër ashtu si flitet dhe ashtu si ne besojmë ndonjëherë nëse do ishte një gjë e tillë, pasi në raste të tilla tronditëse pak besimi ai do ndihej shumë mirë atje ku është, dhe prindërit e mi që ikën gati për një vit.

Cilët janë bashkëpunëtorët e këtij klipi?

Teksti është shkruar nga unë dhe motrat e mia, kompozuar nga Adi Hila dhe klipi është xhiruar nga Ernis Çili.

Më thatë që keni dhe dy projekte të reja në dorë?

Po kam gjëra të bukura në dorë por ashtu siç thashë dhe më lart, ndaj e bëra këtë këngë për vëllain që të vazhdoj me projektet e mia që kam në dorë për të më hapur rrugë për të bërë punët e mia të tjera që do të vinë avash-avash nuk e di, sepse varet nga shumë faktorë por jam duke punuar për dy këngë të reja.

Ju keni 11 vite karrierë, më thuaj cilat kanë qenë momentet më të bukura dhe më të vështira?

Momentet të vështira kanë qënë kur unë kam kënduar pas vdekjes së prindërve dhe të vëllait, ato kanë qenë vërtet momente të vështira por jam munduar që te publiku mos ta përrcjell dhe besoj se e kam realizuar. Kurse moment të bukura, mbaj mend që një fëmijë i vogël 5 vjeç në Filadefia këndonte një këngë timen dhe më thoshte: “Maya, e di cila është dëshira ime? -Jo, i thashë unë.

-Doja të isha vajza jote!-më tha. Ky ka qenë një moment shumë i bukur që më mbushi me plot emocion dhe une e kujtoj gjithmonë.

Sipas jush, cili është problemi më i madh i muzikës në Shqipëri?

Ka shumë, do ta filloja që nga këngët e reja që dalin e bëhen hite, këngë që kanë budallallëk brenda, që kanë abuzivitet, do thosha paroditë. Problem tjetër është dhe mënyra e të kënduarit. Emri –këngëtar, vjen nga kënga, duhet të këndosh. Zëri dhe vetëm zëri janë cilësitë kryesore të një këngëtari, natyrisht që këngëtarët e mirë kanë sukses, kjo nuk diskutohet, por vetëm këta duhet të kishin sukses, por fatkeqësisht kjo nuk po ndodh në tregun shqiptar. Tek ne ka dhe këngëtarë që nuk janë mirë vokalisht, por që janë të suksesshëm. Sigurisht është koha e tillë, është koha e digjitalizimit dhe unë e kam pak të vështirë këtë gjë, unë nuk jam sipërfaqësore si në jetë ashtu dhe në krijimtari, unë do doja vërtet këngëtarë që janë në kuptimin e plotë të fjalës të tillë. Po hajt se ka vend për të gjithë tregu dhe si fenomen nuk është se më shqetëson.

Maya, ju numëroni një numër të madh këngësh në arkivin tuaj por cilën do ta cilësonit atë që publiku e këndon ende me dashuri si ditën e parë që ka dalë?

Po të them të drejtën këngët e mia në fakt këndohen pothuajse të gjitha, kënga “Lege lege” këndohet ende dhe pse ka vite që është nxjerrë, “Marika” këndohet akoma, “Guri rëndë në vend të vet” e duan ende dhe ma kërkojnë, “Një pikë loti” këndohet ende, kohët e fundit mori shumë kënga “Motrat” si shumë e pëlqyer etj.

Cili është karakteri i Mayës?

Në përgjithësi njeriu për veten nuk është në pozita të shëndosha të flasë, sepse ne gjithmonë na vlerësojnë të tjerët, edhe pse e njoh mirë veten. Unë jam shumë e dallueshme në karakter dhe pa më njohur dhe në këngë mua më dallon shumë shpejt. Syri është pasqyra e shpirtit nëse ke një sy që flet direkt, dihet se ke një shpirt të pastër dhe kjo është një cilësi e imja që ma kanë thënë dhe pedagogët në universitet kur kam mbaruar Akademinë e Arteve, që ke një sy shprehës dhe të ndihmon në jetën tënde si aktore.

Çfarë urren më shumë Maya?

Urrej injorancën, mosmirënjohjen, pabesinë.

Çfarë nuk mungon asnjëherë në cantën e Majës?

Nuk mungon stilolapsi, portofoli, celulari të gjitha gjërat si çdo grua tjetër.

Po vjen vera, keni plane për pushime?

S’po bëj njëherë për njëherë asnjë lloj plani, zakonisht nuk bëj pushime në verë, shfrytëzoj Vlorën, qytetin tim.

Cili është thashethemi më i fundit që ke dëgjuar?

Në përgjithësi unë nuk para kam dëgjua shumë thashetheme, nuk më vinë në veshin tim. Unë kam një rreth familjar të shëndoshë dhe një shoqëri të shëndoshë dhe vetëm mendimet e atyre më interesojnë, mendimet e të tjerëve nuk më interesojnë. A ma pëlqejnë këngën, kjo po që më shqetëson. Për sa i përket personalitetit tim, unë e di që ata njerëz që janë të ngritur dhe të mirë më duan dhe më adhurojnë.

Ju keni luajtur edhe si aktore, a keni ndonjë projekt në të ardhmen?

Po është në dëshirat e mia, do dëshiroja shumë, por nuk është që kam ndonjë ofertë tani për tani. Nëse do kisha ndonjë ofertë që ia vlente, besoj që do ta pranoja me kënaqësi, pavarësisht se nuk i ndjek dot të dyja aktivitetet, nëse merresh me aktrim nuk mund të merresh me këngën për ato tre katër muaj që do jesh në rrol për arsyje se të gjita aktivitet janë pothuajse në fund të javës kjo është dhe një ndër arsyet.

 Maya, më bëni një dallim midis teatrit dhe këngës?

Teatri është mbreti i artit, kur ti luan në teatër publikun ti e ndjen, kjo është një ndjesi që ti nuk merresh me publikun, por merresh me rolin dhe publiku të ndjek ty dhe ti e ndjen. Është një kënaqësi e pa përshkueshme, shumë e veçantë. Këtë e dinë vetëm ata që luajnë teatër, është shumë e bukur, natyrisht që dhe kontakti direkt me publikun në këngë është i bukur por jo si i teatrit.

Era Çela